Deri në periudhën e Mbretërisë
Nga Herona SPATHARAJ
- Shkëputur nga libri: Copëza nga historiku i arsimit (në disa rrethe të vendit)
- ISBN: 978-9928-127-22-8 / Nathanaili, Valbona (përpiloi)
Hyrje
Të flasësh për zhvillimin e arsimit në Shkodër duhet të kesh parasysh një hapësirë të gjerë të Shqipërisë veriore, pasi Shkodra njihet si qendër politike, ekonomike, tregtare e kulturore, një qytet i lashtë me rrënjë që nga kohërat e mbretërve ilirë.
Shkodra shtrihet në një sipërfaqe prej afro 16.46 km2, pranë liqenit me të njëjtin emër. Gjendet në vendin ku bashkohen lumenjtë, Buna, Drini dhe Kiri; kufizohet me Alpet Shqiptare, ku spikatin maja e Cukalit (1.772m), Maranaj (1.576m), Sheldies dhe Taraboshit (rreth 700m). Shkodra ka një pozitë gjeografike shumë e favorshme: ndodhet në qendër të Ultësirës shkodrane, në një distancë të barabartë me Mbishkodrën dhe Nënshkodrën, si dhe shërben si një nyje kyçe në rrugët e rëndësishme tokësore që zbresin nga Veriu, Veriperëndimi dhe shkojnë deri në Jug apo Verilindje; lidhet me detin Adriatik me një sipërfaqe të gjerë ujërash të brendshëm; qarkohet nga fusha pjellore, që kanë shërbyer si faktorë që favorizuan zhvillimin cilësor që ka ndodhur me këtë qytet.
Gjatë shekujve, duke qenë kryevend i pjesës veriore të Shqipërisë, Shkodra ushtroi një ndikim të fuqishëm në zhvillimin e gjithë pjesës tjetër të zonës, ndikim që shtrihej në disa fusha: politik, letraro-artistik, teatror, muzikor dhe, ajo që paraqet më shumë rëndësi për studimin tonë, arsimor.[1]
Qyteti paraqiste rëndësi edhe sa i takon aspektit ekonomik dhe atij tregtar: mbi 3,000 dyqane dhe një pazar unikal, nga ku furnizohej jo vetëm pjesa më e madhe e Shqipërisë, por edhe tregtarët e Rumelisë etj. Në fund të shekullit XVIII, Shkodra ishte jo vetëm qyteti më madh i Shqipërisë, por një nga qytetet më të mëdhenj të Ballkanit: numëronte më shumë se 40,000 banorë, një popullsi e njëjtë me atë të Beogradit të asaj kohe
Në gjurmë të shkollave të para
Shkollat e para në krahinën e Shkodrës datojnë shumë herët. Tri shkollat e para të hapura në këtë krahinë i përkasin shekullit XVII. Ato janë: shkolla e Pllanës, e hapur në vitin 1638 nga P. H. Sospitello, shkolla e Blinishtit, e themeluar në vitin 1639 nga P. K. Mirandulanus dhe një shkollë e hapur në qytetin e Shkodrës, më 1698, për fëmijët e tregtarëve dhe të pasanikëve, e cila drejtohej nga Patër Filipi.
Është pozitiv fakti se mësuesit e këtyre shkollave si gjuhë mësimi përdorën gjuhën amtare shqipe dhe si gjuhë të huaj u mësonin nxënësve italishten.
Gjendja e arsimit lidhej ngushtë me zhvillimin ekonomik, zejtar e tregtar të qytetit. Ky zhvillim i gjithanshëm për kohën, diktonte nevojën e arsimimit, së paku, minimal, sidomos për esnafët dhe tregtarët. Shkrimi dhe leximi ishin bërë nevojë e domosdoshme. Një seri dokumentesh, si rregulloret e esnafëve, regjistrat tregtarë etj.,[2] kërkonin një arsimim minimal, ndryshe nuk mund të përballohej dhe përparonte zhvillimi ekonomiko-tregtar. Dhe, kur flasim për këtë zhvillim të qytetit të Shkodrës, duhet të kujtojmë se tregtia e saj me Venedikun dhe me vendet e tjera lulëzoi shumë herët. Për t’iu përgjigjur nevojave të arsimimit të brezave të rinj, nuk mjaftonte vetëm dëshira e esnafëve dhe e tregtarëve; duhej edhe një mbështetje politike, që të përligjej shkolla shqipe nën sundimin osman. Kjo mbështetje politike u gjet nën patronazhin e Perandorisë Austro-Hungareze, e cili ishte e ndjeshme së paku që nga viti 1615. Këtë të drejtë, të patronatit ndaj Kishës Katolike, Austro-Hungaria e shfrytëzoi jo vetëm për përkrahjen e kishave dhe të klerit, por edhe për hapjen e shkollave, sidomos në hapësirat me qendër Shkodrën, ku shumica e popullsisë ishte katolike e ku tashmë kishte qendrën e saj Kisha katolike Shqiptare. Për këtë mbështetje politike të Austro-Hungarisë në revistën “Leka” shkruhet: “…Asht nevojit fuqija e nji Austrije, që do t’i impononte Turqisë në mënyrë që t’i lejojë hapjen e shkollave shqipe…”[3] Madje, erdhi një kohë dhe, pikërisht viti 1848, kur perandoria austriake miratoi ligjin që njihte të drejtën e mësimit të gjuhëve amtare në shkollat fillore nga ana e nxënësve të kombësive të ndryshme brenda saj dhe nën patronatin e saj në fushën e fesë dhe të shkollës. Ky ligj, sigurisht, përfshinte edhe Shqipërinë.[4]
Siç e dimë nga historia e zhvillimit kombëtar të arsimit, në Jugun e Shqipërisë përndiqeshin dhe, madje, martirizoheshin mësuesit patriotë që hapnin shkolla në gjuhën shqipe. Në të njëjtat kohë të errëta, në Veri, me qendër qytetin e Shkodrës, mësimi i shqipes në shkolla kishte fituar, si të thuash, të drejtën e qytetarisë qysh herët, edhe pse gjendej nën pushtimin osman, si i gjithë vendi. Kjo e vërtetë historike, sjellja me dy standarde e Perandorisë Osmane ndaj shkollës shqipe, ndryshe në Veri e ndryshe në Jug, ndodhi sepse Austrisë i ishte njohur patronati i kishës në Veriun katolik, rrjedhimisht, edhe i arsimimit, që prej shumë kohësh kishte qenë monopol i klerikëve katolikë.
Shekulli XIX dhe ngjarjet arsimore në Shkodër
Që në fillim të këtij shekulli u ec me hapa më të sigurt drejt hapjes së shkollave private, si një nevojë e madhe e kohës. Njëra pas tjetrës, në qytetin e Shkodrës u hapën 12 shkolla private, me mësues laikë të pasionuar, që populli arsimdashës i Shkodrës i kujton edhe sot me nderim të madh, si pionierë të arsimit kombëtar. Tetë prej tyre ishin shkolla për djem, ndërsa katër të tjerat për vajza. Çdo shkollë kishte një mësues. Mësimi bëhej në lokale private, që mësuesit G. Kodheli, Gj. Benusi, Z. Kamsi, M. Kraja e të tjerë, i kishin vënë në dispozicion të dijes.[5]
Këta elementë përparimtarë dhanë një kontribut të vyer për ruajtjen, përparimin dhe zhvillimin e gjuhës amtare shqipe, mision që rilindasit tanë të mëdhenj e bënë devizë kombëtare.
Viti 1861 mbart një ngjarje të madhe. Prej vitesh në Shkodër vepronin françeskanët; ata themeluan të parën shkollë publike në Shqipëri. Ajo ishte një shkollë fillore qytetëse, me 150 nxënës, në të cilën, përveç mësuesve fretër, jepnin mësim edhe 6 mësues shekullarë.
Pas këtij suksesi të madh për kohën, edhe Urdhri Jezuit, më 1877, themeloi Kolegjin Saverian. Ky kolegj kishte shkollë fillore, teknike e tregtare. Numri i nxënësve ishte i konsiderueshëm, rreth 400.
Viti 1878, njihet në historinë e vendit tonë si viti i lëvizjes më të madhe kombëtare shqiptare, e cila kulmoi me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Është ky vit kur, përsëri pas shtatë vjetësh, Provinca Françeskane Shqiptare themelon një shkollë tjetër në Shkodër, Shkollën Femërore Françeskane. Kjo shkollë drejtohej nga motrat stigmatine dhe kishte 200 nxënëse, të cilave u jepej mësim nga tri mësuese. Në vazhdën e përpjekjeve për arsimimin e fëmijëve, motrat servite, themeluan një institut që e quajtën azil. Instituti i hapi dyert për nxënësit e vegjël më 3 tetor 1898. Në bankat e tij mësonin më shumë se 300 nxënës nga katër deri në gjashtë vjeç. Pra, duke gjykuar nga mosha e nxënësve, duket qartë se ky ishte një intitucion parashkollor, prandaj edhe e quajtën azil. Por edhe në kohën tonë, pas 114 vjetësh, akoma kanë mbetur në kujtesën e popullit të Shkodrës emrat e mësueseve të atij azili, si bie fjala, emri i Bonfile Zorbës.
Edhe në rrethinat e Shkodrës filloi puna për hapjen e shkollave. Në Shirokë, shkolla fillore u hap në vitin 1894. Ajo kishte 30 nxënës të fshatit buzë liqenit dhe mësues ishte Ndoc Renkali.
Pra, në shekullin XIX shohim një përpjekje intelektuale për të hedhur bazat e një shkolle kombëtare. Siç shihet, një faktor i rëndësishëm në fillimet e arsimimit në Shkodër bëhen dy urdhrat fetarë: i françeskanëve dhe i jezuitëve. Kuadri mësimor, që kryesisht përbëhej nga klerikët, ishte i përgatitur në shkollat dhe universitetet e Evropës Perëndimore, prandaj në shkollat e hapura prej tyre, po edhe në ato private që punonin nën po këtë frymë, si gjuhë mësimi ishte shqipja, e cila shkruhej me alfabet latin. Këto shkolla të hapura pranë institucioneve fetare katolike, apo edhe me nismën e mësuesve privatë, subvencionoheshin nga françeskanët, juzuitët, tregtarët dhe, në një masë të madhe, nëpërmjet konsullatës së Austrisë në këtë qytet. Por, krahas këtyre shkollave, të cilat në vitin 1886 arrinin numrin 14, kishte edhe shkolla thuajse shtetërore, të subvencionuara dhe të mbrojtura nga Perandoria Osmane. Këto ishin mejtepet, ruzhdijet, ipdidaijet, ushtaraket etj. Mësues të këtyre shkollave ishin kryesisht hoxhallarët. Gjuhë mësimi ishte gjuha turqisht apo arabisht. Natyrisht, edhe për alfabet përdorej alfabeti arab.[6] Ky ndryshim esencial u ndje, madje deri vonë, në përgatitjen, përballjen dhe veprimtarinë intelektuale të brezave të nxënësve. Në fakt, krahasimisht, ndihej ndryshimi mes dy kulturave, i kulturës evropiane dhe asaj aziatike.[7]
Puna dhe përpjekjet për arsimimin e popullsisë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në Shkodër janë të pandara nga puna atdhetare për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e gjuhës amtare. Dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër është një nga degët më aktive të vendit dhe nuk është e rastit që kryetari i saj, Daut Boriçi, në vitet shtatëdhjetë të shekullit nëntëmbëdhjetë, është inspektor i arsimit fillor, kurse më 1887 merr detyrën e përgjegjësit të arsimit për Shkodrën, pasi ishte kthyer nga internimi i gjatë për veprimtarinë e tij patriotike. [8]
Shekulli i pavarësisë sjell nivele më të larta arsimore
Në fund të vitit 1902, Provinca Françeskane emëroi drejtor të shkollë së saj (e hapur që më 1861), Gjergj Fishtën. Ky njeri i dëgjuar solli një frymë të re përparimtare. Klasave fillore dhe atyre plotore u shtoi edhe katër klasë qytetëse. Numri i nxënësve shumë shpejt u bë 200. Në Shkollën e Fishtës, siç e quanin shkodranët, shqipja u bë gjuhë mësimi e detyrueshme. Në të pranoheshin fëmijë jo vetëm nga të gjitha shtresat shoqërore, por edhe nga të tri besimet fetare. Nën drejtimin e poetit “Shkolla Françeskane” e Shkodrës u pajis me kabinet fizike dhe kimie dhe e zhvillonte mësimin e këtyre shkencave edhe nëpërmjet eksperimentit. Në fillim të vitit 1907, Gjergj Fishta, i ndihmuar edhe nga Shtjefën Gjeçovi, themelon bibliotekën e parë shkollore në vendin tonë. Vetëm konsullata austro-hungareze i dhuroi kësaj biblioteke 58 vepra në gjuhën shqipe dhe 16 të tjera në gjermanisht.[9]
Në vitin 1921, kur Shkolla Françeskane kishte fituar një përvojë të vyer në 60 vjetët e jetës së saj dhe ku jepnim mësim, përveç klerikëve të shquar, edhe mësues laikë, si Mati Logoreci, Gaspër Mikeli, Serafin Mazrreku, Gaspër Beltoja, Ndoc Lezha, Kolë Kodheli, Ndue Paluca, Palokë Traboini etj., me vendim të Provincialit Françeskan Patër Pal Dodaj themelohet gjimnazi “Illyricum”. Nga ky gjimnaz do të dilnin personalitete të tilla, si: Donat Kurti, Bernardin Palaj, Benedikt Dema, Gjon Shllaku, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Lukë Kaçaj e plot të tjerë.

Në këtë kohë, edhe Kolegji Saverian i Jezuitëve kthehet në gjimnaz (lice) me disa degë. Shkolla e Motrave Stigmatine, që funksiononte që nga viti 1878 si shkollë fillore e qytetëse, u bë shkollë e mesme etj.
Në dy dekadat e para të shekullit XX, shënohet edhe përhapja e arsimit fillor në fshatra e krahina me qendër Shkodrën. Kështu, në Mirditë hapen 3 shkolla, një në Orosh, një në Spaç dhe një në Kashnjet. Mësues të këtyre shkollave janë: Kolë Doma, Zef Ndoci e Kolë Laca.
Më 1903, në Iballë të Pukës, imzot Lazër Mjeda, vëllai i poetit të shkëlqyer Ndre Mjeda, hap një shkollë në të cilën mësonin 15 nxënës dhe u jepej mësim nga një mësues. Shkolla të tilla hapen edhe në Bushat në vitin 1900, në Rranxa të Bushatit (1902), në Barbullush (1902), në Zadrimë (1904). Rrjeti i shkollave përhapet pothuaj në të gjithë fshatrat rreth qytetit, si në Dajç të Zadrimës, në Juban, në Dajç të Bregut të Bunës etj.
Fillimi i shekullit XX, qytetin e Shkodrës e gjen, përveç të tjerash, edhe me disa shkolla të mesme, por ishin pjekur kushtet dhe ndjehej nevoja që kryeqendra e Veriut të kishte edhe një gjimnaz shtetëror. Intelektualët e qytetit, por edhe vetë brezi i ri, i etur për shkollë, e kërkonin këtë. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, është edhe demonstrata e organizuar nga shoqëria “Studenti”. Përpjekjet realizohen me sukses më 1922, kur në Shkodër hapet gjimnazi shtetëror, me drejtor dr. Xhevat Korçën. Shumë shpejt gjimnazi kthehet në një nga vatrat më të rëndësishme arsimore jo vetëm për qytetin, por për të gjithë vendin, ndonëse edhe shkollat e françeskanëve dhe të jezuitëve, që vepronin në qytet, dalloheshin për seriozitet e traditë të pasur. Një rol mjaft të rëndësishëm në forcimin e emrit të mirë të shkollës luajtën edhe politikat për pasurimin e saj me bazë didaktike, ngritja e laboratorëve shkencorë dhe, më e rëndësishmja, politikat që u ndoqën sa i takon emërimit të mësuesve: në gjimnazin shtetëror të Shkodrës jepnin mësim intelektualët më të shquar të qytetit.
Këtë vit, më 2012, “Gjimnazi i Shkodrës” mbush plot 90 vite jetë. Me këtë gjimnaz janë të lidhur, përveç emrave të njohur të disa drejtuesve të tij, si Xhevat Korça, Mirash Ivanaj e Skënder Vila, edhe emrat e profesorëve Ndue Paluca, Danjel Mozali, Kolë Kraja, Kostaq Cipo, Kolë Margjini, Ernest Koliqi, Kolë Kamsi, Gjergj Kokoshi, Simon Rrota etj.[10] Më vonë, tre nga këta kuadro të gjimnazit të porsahapur, Mirash Ivanaj, Ernest Koliqi dhe Gjergj Kokoshi, në kohë të ndryshme, do të ngriheshin edhe në postin e ministrit të arsimit. Ata do të jepnin kontributin e vet në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në Kosovë, siç është rasti i ministrit Ernest Koliqi që, duke përfituar nga shpallja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë nga ana e pushtuesit italian, dërgoi në Kosovë disa dhjetëra mësues, të cilët bënë një punë të madhe për zhvillimin e arsimit edhe në ato vise shqiptare, që padrejtësisht i ishin shkëputur trungut të atdheut.
Disa fjalë edhe për shkollat e mbrëmjes në qytetin e Shkodrës
Zhvillimi ekonomiko – shoqëror i qytetit diktonte nevojën jo vetëm të përgatitjes së brezit të ri për një të ardhme më të përparuar, por edhe të mësimit, së paku shkrim e këndim, edhe për ata që në fëmijëri nuk kishin pasur fatin të uleshin në bankat e shkollës: shegertë, zanatçinj a tregtarë etj., të cilët, me ose padashje, ishin bërë pjesë e zhvillimit ekonomik të qytetit. Kohët po ndryshonin dhe këto ndryshime kërkonin që edhe në punë të thjeshta njerëzit duhej të dinin shkrim e këndim dhe, pse jo, edhe pak llogari.
Kësaj nevoje popullore për të fituar diçka nga koha e humbur, i përgjigjet Shkolla Françeskane me drejtor Gjergj Fishtën. Shumë herët dhe, pikërisht në vjeshtën e vitit 1907, Fishta themelon kurset e natës për të rritur. Këto kurse kishin një vlerë të madhe për kohën, sepse në to mësuan shkrim e këndim shumë shegertë të Pazarit të Shkodrës, zejtarë e tregtarë.
Në vitet e Luftës së Parë Botërore, kjo praktikë e mësimit për të rritur mori përmasa edhe më të mëdha. Në qytet u hapën shkolla mbrëmjeje, që ndiqeshin nga zanatçinjtë, shegertët, xhandarët etj. Drejtoria arsimore hartoi një program të veçantë kualifikimi edhe për nëpunësit e shtetit. Në korrik të vitit 1917, 73 nëpunës të qarkut të Shkodrës dhanë provim dijet e tyre para një komisioni. Shkollat e mbrëmjes dhe kurset e ndryshme shumë shpejt u bënë pjesë e sistemit arsimor.
- [1] Naçi, S.,1986. “Pashallëku i Shkodrës”, Tiranë: f. 25- 31.
- [2] Shkodra Z., 1984. “Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare”. Tiranë: f. 73.
- [3] Revista “Leka “, 1938, nr. 10 – 12. Shkodër, f. 444.
- [4] Dizdari, I., 1999. “Një traditë e vjetër që duhet ripërtërirë”, Shkodra në shekuj, vëllimi II. Shkodër: f. 361.
- [5]Fishta, Gj., Botim i revistës “Shkëndija”. Tiranë: Luarasi: f. 132.
- [6] Fishta, Gj., Botim i revistës “Shkëndija”. Tiranë: Luarasi: f. 133.
- [7] Shkodra, Z., 1984. “Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare”. Tiranë: f. 80.
- [8] Kazazi, Nj., 1999. “Ndihmesa e autorëve shkodranë në hartimin e abetareve shqipe deri me 1912”, Shkodra në shekuj, vëllimi II. Shkodër: f. 340.
- [9] Fishta, Gj., numër përkujtimor i revistës “Hylli i Dritës”: f. 367 – 8.
- [10] Miloti, S., 1999. “Dr. Xhevat Korça, drejtor i parë i Gjimnazit të Shkodrës”, Shkodra në shekuj, vëllimi II, Shkodër, f. 370.
Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”
- Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
- Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!