Zgjedhjet

Zgjedhjet, qofshin morale apo të tjera, përbëjnë një proces të pandarë të jetës sonë personale dhe profesionale. Ne zgjedhim çdo ditë për çështje me shumë apo pak rëndësi. Secili nga mund të quhet me përvojë në fushën e vendim-marrjes. Sidoqoftë, shtrohet pyetja nëse jemi në gjendje të vlerësojmë aspketet morale të këtyre vendimeve. Sigurisht që shumë nga vendimet nuk kanë vlerë morale. Për shembull: blerja e një akulloreje, çfarëdo lloj shije që zgjedhim: vanilje apo çokollatë; madje edhe për blerje më të mëdha (si p.sh: blerja e një makine) nuk rrjedh asnjë pasojë morale nga zgjedhja e ngjyrës  – e zezë apo e kuqe! Zgjedhje që nuk përfshijnë aspekte morale, ndodhin edhe në një mjedis pune. Dennis Wittmer shtron pyetjen (1994): “A përbën porositja e lapsave për një zyrë një vendim etik?” Pavarësisht eksperiencës sonë në vendim-marrje, për arsye të kohës ose aftësisë, apo të dyjave, ne nuk i vlerësojnë zgjedhjet e rëndësishme nga një këndvështrim moral. Gjithashtu, nuk jemi të qartë nëse ia vlen të zhvillojmë një aftësi të tillë.

Vizatim me laps. Autor: Françeska Davidi, Elbasan

Dimensionet dhe propozimet etike të zgjedhjeve tona kanë tendencën të errësohen nga përkushtimi për vlerat përgjithësisht të pranuara të efektshmërisë, sikur edhe ato vetë, kuptohen dhe vlerësohen lehtësisht. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se zgjedhjeve tona u mungojnë dimensionet dhe propozimet etike. Përkundrazi, ose nuk i pranojmë ato, ose nëse i pranojmë, nuk dimë se çfarë të bëjmë me to – prej nga rrjedh edhe stresi moral.

Në administrimin publik, stresi moral buron nga mangësia e legjitimitetit konstitucional, shpërfillja organizative e kompleksiteteve etike dhe situatat e vështira etike. Por krijimi i një baze për zgjedhje etike është i rëndësishëm. Etika e njësuar garanton një bazë të tillë për të gjithë, përfshirë edhe administratorët publikë.

DILEMAT ETIKE, VENDIMET ETIKE  

Administratorët publikë që vuajnë nga stresi moral, si edhe nga mungesa e qartësisë, aftësisë dhe eksperiencës në lidhje me analizën dhe gjykimin etik, nuk mund të ndërmarrin vendime etike në mënyrë të ndërgjegjshme. Si pasojë, hapi i parë drejt një vendim-marrjeje etike imponon zhvillimin e një kuptueshmërie të natyrës së një dileme etike. Siç argumenton edhe Mary Guy (1997): “Pajisja e stafit me ndjeshmëri për t’i pranuar konfliktet dhe për t’i vlerësuar ata në lidhje me vlerën e përfshirë është mjeti më i qëndrueshëm për të promovuar aktivisht vendime dhe veprime etike.” Sidoqoftë, nuk synohet të institucionalizohet një qasje mekanike apo një listë kontrolli[1] në lidhje me analizën dhe gjykimin etik, por të përfitohet një kuptueshmëri e detyrimit personal ndërmjet anëtarëve të organizatës dhe të zhvillohet përgjegjësia individuale dhe organizative.

Rushworth Kidder (1995) e koncepton etikën si bindje ndaj të padetyrueshmes – një përcaktim i përftuar nga idetë e John Moulton (1924), një jurist anglez i fillimeve të shekullit të njëzetë. Etika është pjesa e ndërmjetme midis ligjit pozitiv dhe zgjedhjes absolute, midis normës dhe lirisë. Në këtë pjesë të ndërmjetme, ne përballemi me dilemat etike, të cilat duhet të dallohen nga tundimet morale. Sipas Kidder (1995), dilemat etike lindin nga konfliktet ndërmjet të mirave apo të drejtave, ndërsa tundimet morale shkaktohen nga konfliktet ndërmjet të mirës dhe së keqes, drejtësisë dhe padrejtësisë. Për shembull: një dilemë etike mund të ndeshet në mbrojtjen e mjedisit përkundrejt zhvillimit ekonomik – të dyja vlera të drejta. Një dilemë tjetër mund të shfaqet në respektimin e sovranitetit të kombeve kundër të drejtës për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të këtyre kombeve me qëllim mbrojtjen e grupeve të dobëta ose lehtësisht të cenueshëm. Ose, mund të jetë e drejtë për të dënuar punonjës të pakujdesshëm, por edhe është e drejtë për t’i respektuar ata.

Nga ana tjetër, tundimet morale – ose çështjet e drejta kundër çështjeve të padrejta – janë të ndryshme nga dilemat etike. Për shembull: kur mashtroni për tatimin mbi të ardhurat, gënjeni, edhe pse jeni nën betim; ose kur zmadhoni apo fryni qëllimshëm llogarinë e shpenzimeve; kur e teproni në deklarimin e kompanisë së sigurimeve për dëmtimin e makinës suaj ose shtoni buxhetin tuaj, atëherë në këto raste ju nuk përballeni me sfida të vërteta morale.

Në kontrast me dilemat etike – zgjedhjet e drejta kundër zgjedhjeve të drejta – tundimet morale shfaqin para nesh një zgjedhje të drejtë dhe një zgjedhje të gabuar. Siç vëzhgon edhe Kidder, ne jemi njëlloj të tërhequr ndaj secilës prej zgjedhjeve. “Duke pasur dy alternative – ose (1) të grindeni me fjalë dhe argumente me shefin, ose (2) ta vrisni në parking – ju nuk do ta konsideroni alternativën e dytë si opsion.” Në të njëjtën kohë, ne mund të tundohemi të dëmtojmë – qoftë edhe për një moment të shkurtër, nëse racionalizojmë mënyrën tonë drejt atij qëllimi. Mirëpo, siç shprehet edhe Kidder: “Për pjesën më të madhe të njerëzve, nevojitet një reflektim i shkurtër dhe i kthjellët për të pranuar tundimin moral ndaj një dileme në dukje etike – si të ujkut grabitqar të maskuar me lëkurën e qengjit.”

Pasi u qartësuam mbi dallimin ndërmjet dilemave etike dhe tundimeve morale, i kthehemi natyrës së një vendimi etik. Vendimet etike ndërmerren në situata me dimensione etike dhe situatat etike përfshijnë domosdoshmërish vendime ose sjellje që kanë ndikim domethënës mbi veten dhe mirëqenien e të tjerëve. Sidoqoftë, sipas këndvështrimit të Wittmer, ky konceptim nuk përcakton kufijtë e situatave të vendimit etik në raport me vendimet joetikë, përderisa “mund të thuhet se të gjitha vendimet menaxhuese ndikojnë mbi vendime të tjera dhe përfshijnë zgjedhje.”

Për shembull: le t’i kthehemi shembullit të porosisë së lapsave. Vendimi për të porositur lapsa për zyrën do të ketë pasoja mbi të tjerët. Ndoshta, disa punonjës do të parapëlqenin një markë tjetër lapsash. Megjithatë, do ta tepronim nëse do ta quanim këtë pasojë një situatë të vendimit etik. Në rrjedhojë, na duhet të harmonizojmë nocionin tonë të vendimit etik, nëse synojmë që ai të jetë praktik dhe të mos i banalizojmë propozimet etike. Në këtë kontekst, Wittmer vëzhgon se situatat dhe vendimet etike mund të kenë një impakt domethënës mbi mirëqenien e të tjerëve, por ata përfshijnë edhe gjëra të tjera.

Këto gjëra të tjera, që përcaktojnë një situatë etike, “janë normat, standardet dhe parimet e veçanta, të cilët janë të rëndësishëm në formimin e vendimeve. Standardet dhe parimet morale mund të përfshijnë paanësinë, ndershmërinë, drejtësinë, dinjitetin njerëzor dhe integritetin – ndërmjet të tjerave. Këto vlera dhe parime mund të konsiderohen si përbërës të vendimeve ‘etike’ të situatave. Kështu, një situatë mund të mendohet si ‘etike’ deri në atë shkallë sa këto vlera dhe parime konsiderohen si propozime domethënëse dhe të vlefshme.” Pra, megjithëse mund të pohojmë se këto vlera dhe parime duhet të merren gjithmonë në konsideratë, “në shumë situata, standardet etike mund të vihen në diskutim ose në rrezik për t’u kompromentuar”, kështu që ne nuk mund t’i konsiderojmë këto situata si etike. Wittmer argumenton se “Vetëm se një situatë kërkon dhe përfshin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë propozime të standardeve dhe parimeve etike, ne nuk do ta përshkruanin situatën si ‘etike’.”

Wittmer e mbyll këtë diskutim, duke identifikuar elementët e ndryshëm që mundësojnë kuptueshmërinë e situatave të vendimit etik: zgjedhjen, e drejta dhe e padrejta, jeta shoqërore bashkëpunuese, ndikimi domethënës mbi të tjerët, drejtësia, dhe parime dhe standarde të tjera të veçanta. Një situatë konsiderohet etike kur dimensionet e saj etike “kanë rëndësinë e duhur në ndërmarrjen e një zgjidhjeje që do të ketë ndikim domethënës mbi të tjerët.” Dimensionet etike janë ato norma dhe parime që sigurojnë direktivat që ndihmojnë për të përcaktuar mënyrat se si zgjidhen konfliktet dhe për të përmirësuar jetesën në grup të njerëzve.

[1] Në këtë rast, lista e kontrollit i referohet një liste me njësitë e kërkuara, gjërat që duhen bërë ose pikat që duhen marrë në konsideratë.