E shqipëroj Fan S. Noli

  • Ndërmarrja Shtetëtore e Botimeve
  • Tiranë, 1957

AKTI IV / SKENË 1

Një shpellë. Në mest një kazan që zien. Hyjnë TRI MAGJISTRICAT.

E PARA MAGJISTRICË

Mac’ e murrme mjaulliti.

E DYTA MAGJISTRICË

Tri herë eshi derr gërriti

E TRETA MAGJISTRICË

“Ardhi koha!” Harpja briti

E PARA MAGJISTRICË

Rreth kazanit u-vërtitni

Brënda helm e tmerr vërtitni.

Xhabë, që në gur të ngritë

Tridhjetë e një net’ e ditë

Fjeti e mblodhi vrer të mprehtë,

Ziej në kazan të nxehtë.

TË TRIA

  • Trubull, trubull avullo;
  • Digj-u, zjarr; kazan, valo.

E DYTA MAGJISTRICË

Kokë gjarpri laragan,

Ziej, piq-u në kazan;

Sy kuçedre, bisht bretkose.

Gjuhë qeni, qime dose,

Cfurk nëpërke, thump prej grere,

Panç’ agrepi, gjëmp prej ferre.

Për magji e gjëmë ferri

Zien si çorbë derri.

TË TRIA

  • Trubull, trubull avullo;
  • Digj-u, zjarr; kazan, valo.

E TRETA MAGJISTRICË

Dhëmbë ujku, lusp’ lubie,

Sisë shtrige, lukth zhapie,

Bark qen – peshku kërmë –dëndur,

Rrënjë shtogu nëmë-gdhëndur,

Rripa t’yshtur prej shafrani, natën sterrë si katrani,

Thonj çifuti, mjekër cjapi,

Hundë turku, buz’Arapi,

Gisht prej foshnje fyt-përdredhur,

Kurvë-lindur, hendek-hedhur,

Trashni pelën e përvjellur.

Shto dhe një gurmas kapllani,

Dhe u-mush tamam kazani.

TË TRIA

  • Trubull, trubull avullo;
  • Digj-u, zjarr; kazan, valo.

E DYTA MAGJISTRICË

Mpikseni me gjak majmuni

Dhe u-lidh magji-maxhuni.