Editorial
Valbona Nathanaili
Më 18 tetor 1976, kryeministri i kohës, përfaqësues i Partisë Laburiste, James Callaghan, mbajti një fjalim në Ruskin College, Oxford, një nga më të rëndësishmit në fushën e edukimit, fjalim i cili, për një periudhë afro 25 vjeçare shërbeu si sistem referimi për një pjesë të mirë të debateve rreth politikave udhëheqëse në arsim në Angli. Filli kryesor i fjalimit ishte shqetësimi i fitimit të një lloj autonomie të arsimit dhe shkëputjes nga dy partnerë kryesorë: prindërit dhe industria. Sikundër u shpreh Callaghan:
Asnjë nuk mund të pretendojë se ka të drejtën ekskluzive për vendimmarrje në arsim. Interesi i publikut për këtë çështje është i fortë dhe legjitim e duhet marrë në konsideratë. Ne harxhojmë 6 milionë paund /vit për arsimin. Pjesë e diskutimit duhet të jenë të gjithë: prindërit, mësuesit, studiuesit, organizatat arsimore e profesionale, përfaqësues të arsimit të lartë e industrisë, qeveria … të gjithë duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në formulimin e shprehjen e synimeve dhe standardeve për të cilat kemi nevojë në arsim.
Anglia e atyre viteve ishte e përfshirë nga një varg krizash sociale, politike e ekonomike. Fjalimi i Callaghan evidentonte, si një nga shkaqet kryesore të tyre, mangësitë në arsim. Akoma, kërkonte të vendoste, në qendër të axhendës së tij politike, një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet ekonomisë dhe sistemit arsimor, ndërmjet punës dhe shkollës.
Vizioni ynë është që një shkollim i mirë duhet të ndikojë pozitivisht në modernizimin dhe zhvillimin e shoqërisë, në reduktimin e papunësisë, në rritjen e të ardhurave personale të individit, në zgjerimin e lirive reale që gëzojnë njerëzit, në krijimin e një bote më të sigurt, më të shëndetshme e më të begatë.[1] Për Amartya Sen, mundësitë dhe perspektivat tona varen, përfundimisht, nga institucionet që kemi dhe mënyra si funksionojnë.[2] Për Martha Nussbaum, nëse duam të ndërtojmë një shoqëri demokratike, shkollat duhet të jenë në gjendje të kultivojnë tri aftësi kryesore:
- Aftësinë për të menduar në mënyrë kritike
- Aftësinë për të transhenduar frymën lokale dhe për t’i trajtuar problemet botërore si “qytetar i botës”
- Aftësinë për të parë me simpati gjendjen e vështirë të një personi tjetër
David Tyack dhe Larry Cuban, kur analizojnë reformat e ndërmarra në sistemin arsimor amerikan gjatë 100 vjetëve të fundit, shprehen: “Reformat që bëhen në shkolla janë bërë si moda, shkojnë e vijnë” dhe shtojnë “Idealisht, çdo valë reforme duhet të mundësonte një të kuptuar më të thellë të kufizimeve, ose të atyre që ofron qasja e re, të mënyrave të reja të të menduarit dhe të vepruarit, sikundër të shoqërohej me investimet e nevojshme për t’u përshtatur me/ose mbështetur nga, çdo mësues”.
Me mbylljen e ketij viti shkollor, dua të theksoj se reforma është një gjë dhe, ajo që ndodh realisht në shkolla, është gjë tjetër. Të paktën në arsim, politikat arsimore duhet të jenë të ndara ndaj atyre të formacionit politik që përfaqëson ekipi udhëheqës i ministrisë.