Për shumë kafshë, vitamina C nuk është vitaminë, sepse sinteza e saj kryhet në indet e tyre nga glukoza. Përkundrazi, njeriu dhe primatët e tjerë nuk mund ta realizojnë këtë sintezë, gjë që e bën vitaminën C përbërës të domosdoshëm të dietës së tyre. Nga ana strukturore, kjo vitaminë përfaqëson acidin askorbik. Acidi askorbik ka një atom karboni dhe izomeri L ka aktivitet biologjik.
Acidi askorbik është shumë i përhapur në botën e gjallë, veçanërisht në bimët me klorofil. Të pasura me vitaminë C janë frutat dhe zarzavatet. Sidoqoftë, sasia e vitaminës C varet, në një masë të madhe, nga mënyra e rritjes së bimës, koha e pjekjes deri në këputjen e frutit, mënyra e ruajtjes etj. Acidi askorbik shkatërrohet në prani të ajrit, veçanërisht në mjedis bazik, ku bakri është një katalizator shumë i mirë. Gjatë ruajtjes së ushqimeve, sasia e vitaminës C bie. Gatuarja në zierje shkatërron pothuajse plotësisht këtë vitaminë.
Vitamina C thithet nga aparati tretës në masën 80-90 % dhe shpërndahet në të gjitha indet. Oksalati i lindur si rezultat i metabolizmit eliminohet në urinë. Eshtë gjetur gjithashtu askorbati-2-sulfati.
Nevojat ditore për të rritur, rekomandohen në sasi të ndryshme nga organizata të ndryshme shëndetësore. Sipas organizatës Botërore të Shëndetësisë, normat ditore për të rritur duhet të jenë jo më pak se 45 miligram/ditë. Megjithatë një këshillë e mirë do të ishte t’i drejtoheshit dietologut apo mjekut, në varësi të rastit.
- Funksionet metabolike
Veprimi kryesor metabolik i vitaminës C qëndron në marrjen pjesë në reaksionet e oksidimit biologjik. Nga ana strukturore, vitamina C ka aftësi që, duke kaluar në formë L-askorbat dhe dehidro-L-askorbat, të formojë sisteme dhe të çiftëzohet me agjentë të tjerë redoks. Vitamina C nuk luan rolin e ndonjë kofaktori specific, sepse funksionet e saj mund të plotësohen nga substanca të tjera me potencial redoks të ngjashëm.
Disa nga veprimet më kryesore të vitaminës C janë:
- Hidroksilimi i prolinës. Me këto reaksione, vitamina C luan rol në sintezën e kolagjenit, që është proteina kryesore e indit lidhor.
- Hidroksilimi i mbetjeve të lizinës për të formuar hidroksitrimetil lizinë, që duhet për sintezën e karnitit. Me këtë mekanizëm, vitamina C luan rol në metabolizmin e indeve yndyrore.
- Metabolizmi i tirozinës. Në vend të veprimit si kofaktor i paraoksifenil piruvat oksidazës, vitamina C bën penilalanimin e enzimës nga substrati i saj. Kjo ka rëndësi në ato raste kur merren sasi të mëdha tirozine.
- Sinteza e hormoneve steroide në koren mbiveshkore.
- Acidi askorbik ndikon në metabolizmin e hekurit, duke ruajtur valencën e tij dhe raportin ndërmjet feritinës dhe hemosiderinës.
Në nivelin qelizor, roli kryesor i vitaminës C qëndron në marrjen pjesë në sintezën e kolagjenit, proteoglikanave dhe komponenteve të tjera organike të matriksit ndërqelizor duke përfshirë edhe kockat, dhëmbët dhe endoteli vascular.
- Pamjaftueshmëriae vitaminë C
Pamjaftueshmëria e vitaminës C jep skorbutin. Tek të rriturit, skorbuti karakterizohet me dëmtime të gingivave dhe dhëmbëve, papula hiperkeratotike perifolikulare, dëmtime të përhapura të kapilarëve me hemorragji subkutane (petekie dhe ekizoma) në artikulacione, periost, muskuj dhe organeve të brendëshme, defekte në shërimin e plagëve etj.
Dëmtimet kapilare mund të jenë të lidhura me përshkueshmërinë e tyre të rritur nga lidhje jo të mira të qelizave endoteliale, me defektet e indit fibroz perivaskular, gjë që çon në paqëndrueshmëri mekanike dhe rupturë ndaj presionit. Në skorbutin e rëndë ndodh prishja e formimit të substancës bazale të indit lidhor dhe depolimerizimi i strukturave të tij. Shumë nga shfaqjet klinike të skorbutit lidhen me çrregullimin e sintezës së kolagjenit. Kolagjeni i pahidroksiluar është i paqëndrueshëm, nuk mund të formojë heliksin normal të tij për të marrë pjesë në strukturat indore. Kolagjenet me shumë hidroksipolinë në strukturën e tyre, si p.sh. ata vazalë, dëmtohen më rëndë. Gjatë skorbutit ka edhe shfaqje anemike, të cilat lidhen pjesërisht me pamundësinë për të përdorur depot e hekurit dhe pjesërisht me dëmtimin e metabolizmit të folatit.