Nga Carol Dweck

Me shumë gjasa duhet të keni parë tufa të tëra të mëdha peshqish që notojnë në formacione të rregullta dhe, në çast, ndryshojnë njëkohësisht drejtimin e lëvizjes, si një organizëm i vetëm. Po ashtu, ndoshta mund të keni parë edhe tufat e rosave të egra kur fluturojnë lart në qiell, dhe ato në një formacion të rregullt, si një re e orkestruar. Pamja është shumë impresionuese dhe të lë përshtypjen e një sjellje inteligjente, por të kontrolluar. Por as peshqit dhe as rosat e egra nuk veprojnë në vullnet të lirë, sikundër mund të mendojnë shumë nga ne. Nga ana tjetër, asnjë nuk mund të thotë se çfarë u kalon në mendje kur janë në atë turmë. E vetmja gjë për të cilën jemi plotësisht të bindur është, se kur fluturojnë në mënyrë të tillë, veprojnë pothuaj si një krijesë e vetme. Studiuesit gjithnjë e më shumë po krijojnë një ide të plotë për atë që ndodh.

Sipas tyre, mundësia është që peshqit i bëjnë lëvizjet e njëkohshme, dhe po ashtu edhe ndryshojnë drejtimin, në përgjigje të lëvizjeve e ndryshimeve që bën peshku që gjendet në krye, pra bazuar në fushën e tij të perceptimit. Ajo që duket të jetë një kryevepër koreografike është, me shumë gjasa, jo më shumë se një version elegant i konceptit ‘ndiq udhëheqësin’. Në ilustrim të këtij shpjegimi, na vijnë programet kompjuterike, që janë në gjendje të simulojnë efektet në tufën e peshqve apo të rosave të egra me një saktësi të admirueshme.

Një koncept i ngjashëm duket se udhëheq edhe operacionet që kryejnë një nga krijesat më të vjetra dhe më të suksesshme që jetojnë në tokë, milingonat.

Por edhe nëse keni parë ndonjë milingonë të humbur që vjen vërdallë nëpër dyshemenë e kuzhinës, në kërkim të thërrmijës së bukës, përsëri nuk jeni në gjendje të krijoni një ide të saktë për inteligjencën jashtëzakonisht të zhvilluar që manifestojnë në punën e tyre. Operacionet që kryejnë kolonitë e milingonave janë një mrekulli suksesi dhe rendimenti. Këto operacione, varen nga ajo që ne e njohim si ‘inteligjenca e turmave’, natyra e së cilës ka qenë subjekt studimesh të vazhdueshme. Ndërsa na duhet akoma të kuptojmë se në çfarë mënyre milingonat kanë arritur të zhvillojnë, në mënyrë kaq të sofistikuar, këtë punë në grup, nga ana tjetër mund të pohojmë, se milingonat arrijnë t’i plotësojnë synimet duke përmbushur, secila prej tyre, detyra shumë specifike me saktësinë e veprimeve të një ushtari.

Për shembull, kur janë në kërkim të ushqimit, një milingonë që ndjek një shteg të caktuar, lë gjurmët e saj, që nuk janë gjë tjetër vetëm se feromonet – substancë kimike që prodhohet nga gjallesa dhe lëshohet në mjedis për t’u identifikuar nga të tjerët të të njëjtit lloj. Në rrjedhojë, milingona tjetër është në gjendje ta ndjekë, duke lënë edhe ajo gjurmët e saj. Në këtë mënyrë e gjithë kolonia ndjek rrugën drejt ushqimit dhe kontribuon në mbartjen e tij për në fole. Secila nga milingonat punëtore ndjek synimin e përgjithshëm dhe asnjë prej tyre nuk merr rol udhëheqës. Duket se në rastin e milingonave nuk kemi hierarki brenda kolonisë. Edhe vetë mbretëresha – vërtet që ekziston – ka detyrë të merret vetëm me vezët. Këto modele sjelljeje te peshqit, rosat e egra dhe milingonat, sikundër edhe në shumë krijesa të tjera, bazohen në parime që kanë lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen, me mbijetesën dhe vazhdimësinë e llojit, me të pasurin ushqim dhe jo shndërrimin në ushqim për të tjerët.

Pak a shumë e njëjta gjë ndodh edhe me qeniet njerëzore. Ne bashkohemi në grup për të njëjtat synime esenciale dhe primare. Ana pozitive e një bashkimi të tillë është, se grupet mund të jenë jashtëzakonisht mbështetës. Ana negative është, se nxitet uniformiteti i mendimit dhe i sjelljes. Elementi është zbulimi i vetes dhe nuk mund ta zbulojmë veten nëse kapemi në kurthin e shtrëngesës së konformitetit. Nuk mund të jemi rosa të egra!