Nga Andrea Nathanaili & Erka Koçi

Programet televizive janë të shumëllojshme. Në ditët tona, pranohet se shqetësimi kryesor i publikut sa i takon  medias elektronike shkaktohet, kryesisht, nga teprimi i skenave me dhunë dhe seks në ekranet televizive. Megjithatë nuk duhen lënë mënjanë edhe shqetësime lidhur me elemente të tjera me efekte negative, si p.sh. përdorimi i fjalorit vulgar. Në vendin tonë, afro 91% e popullsisë mendon se teprohet me dhunën dhe seksin në ekranet televizive. Por dhuna dhe skenat e tepruara erotike në ekranet tona përcillen edhe nga ato grupmosha, që me ligj duhet të mbrohen prej tyre. Problemi ridimensionohet kur mendon që një pjesë të madhe të kohës fëmijët i shikojnë programet duke qënë vetëm në shtëpi.

Po të pyesësh teleshikuesit se çfarë duhet rregulluar në veprimtarinë televizive, pjesa më e madhe përgjigjen: “Ligji”.  Dhe po të kërkosh arsyen e vërtetë,  pjesa më e madhe e tyre  përgjigjen: “Veçanërisht për mbrojtjen e fëmijëve”.

Gjithsesi duhet theksuar se mbrojtjen e fëmijve nga ekrani i TV-së nuk është ligji që e zgjidh përfundimisht. Problemi është kompleks dhe si i tillë kërkon përfshirjen e një sërë faktorëve për zgjidhjen e tij, por një prej faktorëve kryesorë është ligji.

Një sërë aktesh ndërkombëtare parashikojnë në nenet e tyre mbrojtjen e fëmijëve nga abuzime të ndryshme. Në fushën e medias përmbushja e këtyre detyrimeve nga ana e shtetit pasqyrohet në ligjin që rregullon veprimtarinë radiotelevizive dhe që në çdo vend ka karakter kombëtar. Me këtë kuptohet që pjesë e ligjit duhet të jenë nene që mbrojnë zhvillimin fizik, emocional apo psikologjik të fëmijëve, interesat dhe të drejtat e tyre morale nga fusha të tilla si pornografia, seksi, dhuna, përdorimi i një fjalori vulgar dhe deri tek vulgarizimi i gjuhës amtare në radio dhe television apo përdorimi i formave të ndryshme të humorit që cënojnë dinjitetin e njeriut.

Në fushën e strukturës programore

Nga përvoja e vendeve me demokraci të hershme dhe e vendeve me demokraci në zhvillim del e qartë se hartimi i ligjit dhe “qëllimi në shenjë” nuk është proces i lehtë. Ai kërkon diskutim dhe përmirësim të vazhdueshëm gjithmonë duke patur në qendër të vëmendjes balancën ndërmjet fjalës së lirë dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijve në mënyrë që TV-ja të arrijë potencialin e tij si një instrument i civilizuar që transmeton informacion, edukon dhe zbavit.

Poloni

Në dhjetor të vitit 1992 është aprovuar ligji polak i transmetimeve radiotelevizive. Në piken 4 të nenit 18 të aktit të transmetimit thuhet se:

Programet ose transmetimet e tjera që kërcënojnë zhvillimin fizik, mendor ose moral të të vegjëlve, në veçanti ato që përmbajne pornografi ose dhunë të pakuptimtë e të tepërt duhet të ndalohen.

Pas dy vjetësh aprovohet një rregullore në zbatim të këtij neni ku kërkohet që operatorët radiotelevizivë të ndalojnë transmetimin e programeve që:

  • Paraqesin violencë, brutalitet, veçanërisht pamje dhune, torture apo skena të tjera çoroditëse.
  • Paraqesin qëndrime të cilat i tejkalojnë kufijtë e zakonshëm të sjelljes së pranuar nga shoqëria dhe përmbajnë fraza, fjalë apo gjeste vulgare.
  • Në mënyrë drastike cenojnë normat e shoqërisë nëpërmjet pornografisë duke bërë një trajtim subjektiv të qënies njerëzore pa marrë parasysh dinjitetin.
  • Japin metoda dhe teknika të veprave kriminale.

Për sa më sipër mund të transmetohen nëse justifikohen nga vlerat e larta artistike, dokumentare apo historike, duke siguruar që transmetimi i tyre nuk shkel parashikimet e Kodit Penal. Po sipas kësaj rregulloreje, operatori duhet të informojë teleshikuesit mbi natyrën e programit që do të transmetohet, duke specifikuar që ky program mund të ndikojë negativisht në zhvillimin fizik, emocional apo psikologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve. Një e veçantë tjetër e kësaj rregulloreje është se edhe reklamat e programeve të mësipërme, nuk duhet të transmetohen në intervalin e orëve nga 6.00 deri 23.00. Gjithashtu brenda 5 muajve nga aprovimi i kësaj rregulloreje, çdo operator duhet të ndërtojë rregulloren e brendshme administrative ku të klasifikohen programet e sipërpërmendur.

Slloveni

Në ligjin sllovak të transmetimeve, gjejmë një nen te posaçëm, nenin 20, që titullohet “Mbrojtja e të vegjëlve”. Në pikën e parë të këtij neni theksohet, se operatori është i detyruar të sigurojë mostransmetimin e programeve ose elementeve të tjerë të cilët mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor ose moral të të vegjëlve, sidomos ato programe që përmbajnë pornografi ose dhunë të ashpër e të pajustifikuar. Sipas pikës së tretë është e detyrueshme që programe të tilla të mos transmetohen ndërmjet orëve 6.00-23.00.

Në pikën 5 të po këtij neni thuhet se, transmetuesi televiziv është i detyruar të formojë dhe të ndjekë një sistem të unifikuar për shënimin e programeve, të adresuar për prindërit apo kujdestarët e të vegjëlve, të cilat informojnë mbi përshtatshmërinë e programeve për grupmoshat 7, 12 dhe 18 vjeç. Pika 6 detyron Këshillin të përcaktojë një sistem të unifikuar shenjash, t’i publikojë ato dhe t’i shpërndajë tek transmetuesit e interesuar. Transmetuesi është i detyruar të zbatojë sistemin e unifikuar të shenjave për programet e transmetuara prej tij.

Neni 19 i ligjit sllovak, krahas detyrimit për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, ndalon edhe format e hapura ose të fshehta të propagandimit të alkoolizmit, pirjes së duhanit, përdorimit të lëndëve narkotike e helmuese, si dhe efektet e përdorimit të këtyre lëndëve. Në nenin 4 të ligjit slloven të transmetimeve thuhet vetëm se , “programet e transmetuara duhet të mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga përmbajtja që mund të jetë e dëmshme për zhvillimin e tyre mendor dhe fizik”.

Patjetër që në zbatim të këtij neni mund të ketë një rregullore që përcakton specifikime të tjera, por që momentalisht nuk e kemi në dispozicion.

Norvegji

Ligji norvegjez detyron hartimin e rregulloreve që ndalojnë transmetimin e programeve televizive që rrezikojnë seriozisht zhvillimin fizik, mendor dhe moral të të miturve, në veçanti programet që përmbajnë pornografi ose dhunë të pajustifikuar. Sipas kësaj rregulloreje duhet përcaktuar koha dhe mënyrat e transmetimit të atyre programeve që rrezikojnë zhvillimin fizik, emocional dhe moral të fëmijëve.

Finlandë

Në nenin 19 të ligjit finlandez theksohet se, një transmetues duhet të sigurojë që:

  • “Programet televizive të cilat ka të ngjarë të dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve për shkak të përmbajtjes së tyre seksuale ose natyrës violente, të transmetohen në kohën gjatë së cilës fëmijët nuk vështrojnë zakonisht programe televizive.”

Nëse transmetohet një program i tillë, ai duhet të paraprihet nga një njoftim, ku të vihet në dukje efekti dëmtues në zhvillimin e fëmijëve. Njoftimi mund të zëvendësohet me një shenjë identifikuese gjatë gjithë kohës së transmetimit, që tregon efektin dëmtues të programit në zhvillimin e fëmijëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në dispozitat ligjore amerikane sanksionohet, që çdo stacion televiziv është i detyruar t’u shërbejë nevojave edukative dhe informative të fëmijëve. Këtu kihen parasysh fëmijët e moshës 16 vjeç e poshtë. Për problemin që ne jemi të interesuar, në ligjin amerikan quhen “materiale të pahijshme”, të cilat kufizohen por nuk ndalohen krejtësisht. Ato kufizohen duke shmangur transmetimin gjatë orëve të ditës, kur është rreziku më i madh që fëmijët ta ndjekin atë. Transmetimet që bëjnë pjesë në atë që përkufizohet si “e pahijshme” dhe që jepen midis orës 6.00 të mëngjesit dhe 10.00 të natës, i nënshtrohen ligjit për pahijshmërinë (i veçantë vetëm për Amerikën)

Në fushën e publicitetit

Legjislacioni polak ndalon transmetimin e reklamave që:

  • Drejtpërsëdrejti nxisin të vegjëlit të blejnë produkte ose shërbime.
  • Inkurajojnë të vegjlit të ushtrojnë presion mbi prindërit e tyre ose personat e tjerë per t’i bindur ata të blejnë produktet ose shërbimet që janë reklamuar.
  • Shfrytëzojnë besimin që të vegjëlit kanë tek prindërit e tyre, mësuesit ose personat e tjerë.
  • Pa arsye i drejtojnë fëmijët në situata të rrezikshme.

Afërsisht të kësaj natyre janë edhe kërkesat e legjislacionit finlandez. Reklamat në radio dhe televizion nuk duhet që:

  • Të nxisin të vegjlit të blejnë produkte ose shërbime që shfrytëzojnë mungesën e eksperiencës apo naivitetin e tyre.
  • Të inkurajojnë direkt të vegjlit të bindin prindërit e tyre, apo të tjerët të blejnë mallrat apo shërbimet që reklamohen.
  • Të shfrytëzojnë besimin e veçantë që të vegjlit kanë tek prindërit , mësuesit apo të tjerët.
  • Në mënyrë të paarsyeshme drejtojnë të vegjëlit në situata të rrezikshme.

Duke parë edhe ligjet e vendeve të tjera, dallohen të njëjtat kërkesa kufizuese për transmetimin e reklamave dhe publicitetit, në përpjekje për të mbrojtur zhvillimin normal të fëmijëve.