Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka hapur sot, në Tiranë, një mision vëzhgimi për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 në Shqipëri. Misioni drejtohet nga Ambasadorja Urszula Gacek dhe përbëhet nga12 ekspertë zgjedhorë si dhe 24 nga vëzhgues afatgjatë të cilët do të fillojnë punë duke filluar nga data 26 mars 2021.

  • Ambasadorja Urszula Gacek, Kryetarja e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve ODIHR, ka bërë me dije misionin e organizatës që përfaqëson në Shqipëri, duke theksuar fillimisht se janë të pranishëm me ftesë të vendit:  

“Do të trajtojmë çështjen e zgjedhjeve, sikur e dini do të jenë më 25 prill. Jemi një ekip ekspertësh ndërkombëtarë dhe do të merremi me problematikat që mund të dalin gjatë zgjedhjeve. Shpresojmë të dalim edhe nga Tirana, për të parë se çfarë ndodh në gjithë Shqipërinë. Gjithçka varet nga situata e pandemisë. Ndoshta nuk do të kemi mundësinë të veprojmë si duam. Ky është prezantimi ynë, dhe pse jemi vendosur këtu.” 

Misioni do të vlerësojë zgjedhjet për pajtueshmërinë e tyre me detyrimet dhe standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar. Vëzhguesit do të monitorojnë nga afër procesin e regjistrimit të votuesve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe organeve përkatëse qeveritare, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë lidhje me zgjedhjet.  

Pjesë e vëzhgimit të misionit është edhe monitorimmi i mbulimit mediatik të fushatës, takime  me përfaqësues të autoriteteve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe bashkësisë ndërkombëtare. 

  • who’s who Urszula Józefa Gacek 

Urszula Józefa Gacek (17 Mars 1963, Urmston, Lancashire, Angli) është politikane polake dhe ish-anëtare e Parlamentit Evropian, përfaqësese e partisë “Platforma Qytetare”.

Ka mbaruar studimet në Universitetin e Oksfordit. Përpara se të behej pjesë e politikës ka punuar si analiste financiare. Është autore e disa botimeve në fushën e kimisë dhe të energjetikës.

Gacek ka qenë anëtare e Senatit Polak për Partinë “Platforma Qytetare” në periudhën 2005-2007. Në 2007 është anëtare e Parlamentit Evropian, pjesë e grupimit EPP-ED. Në Parlamentin Evropian ka qenë pjesë e komisioneve për liritë civile, drejtësia dhe punët e brendshme, si dhe e delegacionit për “Marrëdhënie me SHBA”.

Aktualisht kryeson Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Evropës në Shtetet e Bashkuara.

2014-2016 Konsulle e Përgjithshme në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Polonisë në New York City.

3 shkurt 2011-30 nëntor 2014 ka qenë përfaqësuese e përhershme e Republikës së Polonisë në Këshillin e Evropës.