Pas vendit të tretë në Festivalin e 71-t të San Remos 2021, Ermal Meta ka publikuar albumin e ri, “Tribu urbana”, në treg nga data 12 mars 2021. Në album përfshihen njëmbëdhjetë këngë. Ndërmjet tyre padyshim edhe “Një milion gjëra për të të thënë”, me të cilën u paraqit në skenën e Teatrit Ariston, si dhe “Asnjë kënaqësi”, që ka dalë në janar të këtij viti.
Disku përmban 11 këngë: “Uno”, “Stelle cadenti”, “Un milione di cose da dirti”, “Il destino universale”, “Nina dhe Sara”, “No satisfaction”, “Non bastano le mani”, “Un Altro sole”, “Gli invisibili” “Vita da fenomeni” dhe “Un po’ di pace”.
Disku është bashkëpunim i Ermal Metës me Roberto Cardelli.
Çfarë duhet të presim nga “Tribù urbana”?
Me shumë siguri, në një intervistë për Dire Giovani, Ermal Meta përgjigjet: “Në këto kohë të çoroditura, ajo që më jep kurajë për të vazhduar është bindja që vetëm së bashku jemi të fortë. Nuk është lumturi, nëse nuk ke një person me të cilin ta ndash, nuk është dashuri, nëse nuk ke kujt t’ia shprehësh!”
Fituesi i dy çmimeve prestigjioze në Festivalin e San Remos, në një intervistë tjetër, këtë radhë për MTV Italia, flet për albumin e ri:
- “Tribù Urbana” e kam shkruar sikur të isha pjesë e audiencës, jo sikur isha lart, në skenë. Përfytyroja sikur isha një spektator i çfarëdoshëm, ulur diku në sallë, që kishte ardhur për të parë koncertin tim. Për t’i kënduar këto këngë me zë të lartë. Për momentin nuk ekziston asnjë sallë apo stadium në horizont. Covid na ka vendosur të gjithëve shkopinj në rrota. Nga kjo situatë, të gjithë do të dalim të ndryshëm, pavarësisht aftësisë për të harruar që kemi ne, si qenie njerëzore… edhe ngjarje që na dhembin…
- Muzika e albumit është një përzierje zhanresh të ndryshëm. Ka pak nga gjithçka që kam dëgjuar. Doja të isha kundër rrymës. Është një album i çuditshëm, të cilin e kam punuar me dëshirën për të qenë i lirë dhe për të vrapuar sa herë nuk na lejohet!
Ndërsa në një intervistë për “Soundsblog”, shpjegon emrin e albumit – pse vendosi ta quajë “Tribù Urbana”:
- Titulli “Tribù Urbana” më erdhi menjëherë në mend sapo përfundova së dëgjuari të gjitha këngët. Njerëzit kanë prirjen të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. “Tribuja” është thirrja që bashkon njerëzit. Qytetet po bëhen gjithnjë e më shumë diversë dhe gjithnjë e më shumë me ngjyra – nga më të ndryshmet. Tribuja e një qyteti vërtet mund të mos ekzistojë fizikisht, por njësoj si muzika, ekziston në brendësi të shpirtit tonë.