Nga Dr. Tahsin Jonusi (10 mars 1912 – 15 dhjetor 1944)

Burimi: Revista Kombi, revistë e përmuajshme kulturore. Vlorë: shkurt 1938. Drejtor për revistën: Ali Kuçi

Vërejtje: Në zbardhjen e materialit, janë bërë përpjekjet maksimale për të ruajtur drejtshkrimin e kohës. Është parë me vend të bëhen ndryshime të vogla të parëndësishme, për të lehtësuar leximin. Burimi i referuar është një udhërrëfyes i mirë për të konsultuar origjinalin.

TOPOGRAFIA E LESHIT (LISSOS) DHE HISTORIA E TIJ

Nga Dr. Tahsin Jonusi

Leshi u-themelue prej Dionisit I, tiranit të Sirakuzës, më 365/4 para Krishtit, për shkaqe strategjike. Leshi i shërbente si një pikë-mbështetje në të kryemit e veprimeve në Shqipnin e Veriut dhe n’Adriatik. Ai ndërtoi aty një skelë lufte dhe e rrethoi qytetin me një mur të trashë[1]. Prej Leshit mund të ndifmojshin anijet sirakuzane ishujt e bregdetit të Dalmatise. Vendi i fortifikueme permblidhte qytetin e sotshëm dhe malin mbi të cilin qëndron kështjella e ndërtueme prej Sulltan Selimit (1512-1520).

Kjo mbahet prej Hahn-it[2] dhe Ippenit[3] për Akrolissin e vjetër. Gërmadhat e pame prej vizituesve në kohët e shkueme gjinden brenda qytetit të sotshëm dhe mbi malin e kështjellës. Këto janë pjesë të mbetuna të fortifikimevet[4], Ippen[5] thot në veprën e tij se indentiteti i Akrolossit me kështjellën e sotshme asht konstatue me siguri prej Hahn-it[6]. Ai[7] e ve Leshin të vjetit 213 para Krishtit në pazarin e sotshëm, por shton se duhet të jetë shtrinun edhe në fushë, pse aty gjeti pjesë të një muri shumë të trashë, i cili rrethonte qytetin dhe lagej prej Drinit. Hahn-i[8] mendon edhe se Leshi duhet të ketë qëndrue mbi truellin e mbushun prej lumit dhe zhdukjen e murevet e shpjegon ai[9] në mënyrë që derdhja e lumit ka naltesue faqen e tokës, ky asht i mendimit se dy muret që delshin prej Akrolissit (Kështjellës) zgjateshin deri në Drin. Ippen[10], i cili gjeti pjesë të murevet në veri dhe veri-perëndim, e refuzon mendimin e Hahn-it, porse pohon, sikurse u-tha ma nalt, se gjeti pjesë të trasha të murit të qytetit, të cilat qëndrojnë në buzë të Drinit. Shkaku që ky e huth poshtë mendimin e Hahn-it, asht pse ky i fundit:  1. bie në kundërshtim me Polibin[11] 2. Kuptohet edhe prej Strabon-it[12] se Akrolissi dhe Leshi nuk janë të bashkueme prej ndonji muri. 3. Pse asht distanca mjaft e madhe.

Kundërshtimi ndërmjet Hahn-it dhe Ippen-it qëndron në pikën që Hahn-i e di se këto dy vende janë të ndame, porse mban për Akrolissos malin mbi të cilin qëndron kështjella e sotëshme dhe për këtë shkak i mendon muret të zgjatuna deri në Drin. Ky pranim e shtrëngon atë me e kërkue Leshin mbi truellin e mbushun prej lumit. Ippen-i, përkundrazi, mbahet në lajmet e Polybit dhe të Strabonit dhe lë menj’ane kështu mendimin e Hahn-it. Ippen asht i mendimit se pjesët e mbetuna të murevet që ka pa i përkasin Leshit, porse mban, sikurse Hahn-i, kështjellën Turke për Akrolossin e vjetër. Këtu qëndron gabimi i bamun, se pari prej Hahn-it dhe së dyti prej Ippen-it.

Prej përshkrimevet të reja, që janë ba mbi Leshin asht ma i randësishmi ai i Praschniker-Schober[13]. Këta udhetuen më 1916 në Shqipëri dhe banë studime Topografike dhe Arkeollogjike në Lesh dhe në rrethin e tij, sikurse Hahn-i dhe Ippen-i, por me ndryshimin e math se këta njerëz të degës, Arkeolloge, për këtë shkak mundën të përfitojnë ma shumë se çdo vëzhgues tjetër. Dhe me të vërtetë këta ia mbrrinë qëllimit të plotë: gjeten Akrolossin. Ky pra nuk është keshtjella e ndërtueme prej tyrqvet, pra, nuk qëndron mbi malin e kështjellës se nartë-përmendun, por mbi malin e Shelbuemit, i cili asht shumë ma i nalt se sa Kështjella. Mbi këtë gjetën Praschniker-Schober pjesë të mbetuna të nji fortese, e mënyra njisojshme e të ndërtuemit dhe njikohshmënia e të cilavet me gërmadhat e Leshit asht pa dyshim.

Nuk asht e mundun me e pranue mendimin e Hahn-it dhe të Ippen-it, që kështjella e sotshme të ket qënë Akrolissis i vjeter, sepse vazhdimi i paprem i murevet fortifikues prej keshtjellës deri në Drin asht nji fakt kundër këtij mendimi dhe dhe se do të bijshim në kundërshtim me burimet historike, mbasi vendi i zbrazët ndërmjet Akrolissit dhe Leshit nuk do t’ishte. Për këtë shkak u-shtrëngue Hahn-i me e kërkue Leshin në një vend tjetër, pra buzës së detit. Ky mendim asht i gabueshëm, sepse kjo pjesë toke i asht fitue detit prej Drinit, pra asht një gja e re[14].

Me të gjetunit e Akrolissit mbi malin e Shelbuemit dhe barazimin e gërmadhavet të Leshit me Lissos mund të kuptohet teksti i Polybit[15], i cili bën fjalë mbi rrethimin e këtij qyteti prej Filipit V të Maqedhonisë. Livi dhe Polybi nuk përmendin ndonjë lum pranë Leshit, porse muri i ballit të veriut, i cili qëndron në buzën e Drinit ka për kusht, edhe në kohën e vjetër, mbrojtjen prej ujit; dhe, pse Drini ka pasë në kohën e vjetër nji drejtim tjetër marrin Praschniker-Schober[16] dy mundësi para sysh: 1) Se deti ka pasë-formue nji gji ndërmjet qytetit dhe kodrës, e cila qëndron përkundrejt këtij të fundit. 2) Se lumi, i cili përmblidhte ujnat e Zadrimes së Jugës, ka pasë formue nji skelë përpara se të ndërrojë Drini drejtimin e tij. Këtë lum e quejn Praschniker-Schober[17], tue u-mbeshtetun tek Diodori[18], Anapos. Prej ketyne të dy pikavet mund të pranohet e para; e dyta duhet me u-refuzue. Këtu kanë gabuar Praschniker-Schober, pse nji lum i quajtur Anapos nuk ka shkuar kurrë pranë Leshit. Prej pranimit të nji fakti të tillë, rrjedh gabimi se gjoja Diodori[19] në përshkrimin e tij ka pasë zbukurue Leshin me Gjimnaze dhe Tempuj. Këta i përkasin, në të vërtetë, Sirakuzës. Me të drejtë e kundërshton A. Wilhelm[20] mendimin e Praschniker-Schober dhe thotë se këta ia kanë dha gabimisht fundin e kapitullit të XIII-të Diodori XV, të gjithë Leshit, kurse kjo gja nuk asht me vend.

A. Wilhelm[21] e zgjidh këtë çashtje, tue vërtetue se pjesa e fundit, të tekstit ke Diodori, nuk i përket e gjithë Leshit, por edhe Sirakuzës. Këtu, pra, qëndron gabimi dhe ky ishte shkaku, që Leshi zbukurohesh me gjimnaze dhe tempuj. Lumi Anapos, të cilin Praschniker-Schober e venë pranë Leshit, buron mbas Huelsen[22] afër Akrai-t te vjetër (Palazolo) në rrëzë të malit Lauro në juglindje të Siqilisë dhe derdhet mbas nji rrjedhjeje prej 15 kilometrash në skelë e Sirakuzës.

Me e mbrojtë teorinë e rrjedhjes së lumit Anapos pranë Leshit, tue pranue mendimin se M. Antonius mundi të bjerë në vjetin 48 para Krishtit anije të quajtuna Pontones në skelë të Leshit, nuk asht me vend, mbassi buza e detit të Shqipnisë asht e cekët dhe për këtë shkak mund të pranojmë se buzë-deti i Leshit nuk ishte i volitshëm për anije të një tipi tjetër. Pra ky duhet të ketë qenë shkaku që Antonius ka përdorë anije të tilla. Dhe prej kësaj rrjedh që Polybi nuk bën fjalë për ndonjë lum pranë Leshit. Heshtjen e këtij kërkon Hahn-i[23], për me zgjidh teorin e Anopos-it, me e shpjegue në mënyrën se Filipi V i Maqedhonisë e ka sulmue Leshin, tue marshue prej jugës, kështu që lumi, i cili shkonte në veri të qytetit nuk ishte nevoja të përmendesh, mbasi ushtria Maqedhonase nuk duhesh të kalonte mbi të.

Burimet historike na rrëfejnë se Leshi asht rindërtue dy herë: nji rindërtim ash bamun prej Jul Qezarit[24], kur ky qytet i përkiste këtij prej vitit 59 p.k. Ky na rrëfen se e kishte fortifikue Leshin për konventin e qytetarëve Romanë, të cilit ja u kishte dhanë atë. Për rindërtimin e dytë marrim vesh prej Qiriakut t’Ankones[25], i cili ka vizitue Leshin më 1436. Ky pa aty mure të mëdhenj të ndrequn po me të tillë gurë dhe të zbukuruemë me arqitektura të ndryshme. Në pikëpamjen ekonomike, Leshi ka pasë lujtë nji rol të madh në kohën e vjetër, sepse ka pasë qenë qendra e një rruge tregtare me shumë randësi, e cila shkonte përmes Mirditës, Kosovës dhe përfundonte në Rumani[26].

Leshi ka pasë qenë lidhë me Shkodrën dhe me Durrësin. Mbas Patsch-it[27], Chaussee-ja romane asht ndërtue mbi nji Trasse të përparshme. Ippen-i[28] barazon rrugën e vjetër me atë që kanë ndreqë turqit. Këtë mendim nuk e pranojnë Praschniker-Schober[29]. Ata janë me te drejtë të mendimit se rruga e vjetër duhet të ket shkue prej Leshit gjat rrazës së maleve për në Pëdhanë[30] mbasandej përmbi lumin e Matit deri në Laç. Shkaku i këtij mendimi asht se ç’do vijë tjetër ma te shumtën e vjetit nuk asht e mundur me u-përdorë, pse ajo duhet të shkojë nëpër moçale.

Fluss[31]asht i mendimit se të qenunit e Leshit si një qytet grek nuk ka vazhdue për nji kohë të gjatë, mund të pranojmë se e ka lanë vet Dionisi I. Ma vonë i përkiste Leshi mbretnis së Ardiervet[32] dhe u mbajt prej tyne si qyteti ma në jugë dhe në vjetin 228 para Krishtit, kur u-ba paqja ndërmjet të Romes dhe Ilirisë, e cila i dha fund luftës ndërmjet të këtyre vendeve[33]. Në vjetin 213 para Krishtit pushtohet Leshi prej Filipit V të Maqedhonisë për këtë na rrëfen Polybi[34]. Mbas lajmevet që na ep ky ia mbrrinë Filipi në krye të dy ditëvet lumit të quajtun Ardaxanus[35] Mati, ku ngref dhe çadrat.

Praschniker-Schober janë me të drejtë të mendimit, se Filipi vjen prej jugë-lindjes, pse ai asht nisun prej Maqedhonisë. Ky duhet të marshojë nëpër mest të nahisë së lumit Mat në jugëlindje të tij, dhe qafat për mes të cilavet kalon ai nuk janë ato të Krujes[36], por ato, që gjinden ndërmjet Shena Prrendes dhe Skurajt. Tue dalë prej pjesës malësore bie Mati afër Pedhanes në fushë; pranë këtij vëndi duhet të ketë qëndruar Filipi, pse prej këndej mundesh me pa ai Leshin, pozicjoni i të cilit i mbrojtun aq shumë prej natyrës së bashku me fortifikimet i lanë atij nji vrage të madhe. Filipi u tremb kur pa se Akroliss-i kishte një pozicion strategjik aq të fortë; e humbi shpresën për t’a pushtue atë dhe ia vë synin nashti Leshit.[37] Që t’ia mbrri qëllimit shef ai mundësin e vetme në kalimin e qafës ndërmjet këtij qyteti e Akrolissit (malit të Shëlbuemit) dhe përdor këtu nji dinakëri luftarake:

  • Mëçef, për gjith natën, nji pjesë t’ushtrisë (I) në grykat e pyllzueme. Këjo marshon në lindje dhe në verilindje të Akrolissit (malit të Shëlbuemit), shkon mbi qafën ndërmjet malit të Mërçinjës dhe malit të Shëlbuemit dhe zë vend rreth katundit Varosh (Praschniker-Schober, në veprën e përmendun f. 26). Pjesës tjetër t’ushtrisë (II) I jep urdhën Filipi të heci prej jugës gjatë buzës së detit për në Lesh. Ilirët mblidhen në turma të mëdha në qytet, kur muerën vesht se Filipi po afrohesh. Në kët kohë ata duelën jashtë murevet të tij, tue pasë besim të plotë në shumicën e tyne dhe në pozicionin strategjik të qytetit. Në Akroliss lanë vetëm nji fuqi të vogël. Kur bashin Ilirët këto veprime, urdhëron Filipi, që pjesa e ushtrisë II të zajë vend pranë buzës së detit dhe një pjesë e vogël prej kësaj të shkojë kundër kodravet dhe të sulmojë armikun.

Prej këtyne rrethanave përfundojnë Praschniker-Schober, (f. 26) se Ilirët e pritshin armikun në jugë të kështjellës së tyne. Përpjekja fillon dhe pjesa e ushtrisë, që duhesh të mësynte në të përpjetë (kodrat tëposhtë kështjellës) tërhiqet dhe bashkohet me pjesën tjetër pranë buzës së detit. Ilirët të rrejtun prej këti veprimi e ndjekin armikun deri në fushë, ku përleshen me pjesën e ushtrisë që u-tha ma nalt (II). Plani i Filipit kërkon që kjo ushtri të mos luftojë, tue qëndrue në vend ose të sulmojë, por përkundrazi të tërhiqet. Këtë veprim e shef roja e Akrolissit dhe mendon se Filipi asht mundur me të vërtet; pjesë-pjesë e le Akrolissin tue pas shpresë të madhe në pozicionin e fortë të tij, dhe zbret mbi rrëpinën, që gjindet në anën e perëndimit të malit, poshtë në fushë, me qëllim që të mbrrijë me kohë në të ndamunit e plaçkës. Nashti le Filipi të sulmoj pjesa e ushtris, e cila ishte mëçefun në Varosh; ajo kalon përmbi qafën ndërmjet kështjellës turke dhe Akrolissit. Në këtë mënyrë i pret rrugën mbrojtësvet të këtij të fundit. Po n’at kohë mësyn pjesa tjetër e ushtrisë, që ecte buzë detit (II), me furi edhe i bie Ilirët në nji trazim. Të shpërndamë prej sulmimevet të Maqedhonasvet tërhiqen Ilirët në qytet. Akrolissi i pambrojtun pushtohet pa asnji kundërshtim, kurse Lissos bie në të nesërmet në duar të Filipit, mbas luftimesh të rrepta.

Praschniker-Schober, pra, tue u-mbështetun në lajmet që na jepë Polybi (VIII 15, 16), i cili përshkruen në nji mënyrë shumë të gjallë zhvillimin e betejës, në studimin e imët, që banë mundën të zgjidhnin problemin topografik të Leshit dhe rrethit të tij, në të cilin kishin dështue shumë të tjerë. Të dytët nuk ia mbrrin qëllimit, pse nuk përmblodhën në rredhin e studimit të tyne vendet të cilët kanë luejtë rolin kryesor në pushtimin e Leshit dhe të Akrolissit. Këta u-kufizuen vetëm me qytetin e përmendun dhe kështjellën e tij. Praschniker – Scober, tue qënë jo vetëm dijetarë, por edhe ushtarë, i dhanë rëndësi të madhe studimit të taktikës së zbatueme prej Filipit gjatë veprimeve ushtarake, tue marrë parasysh gjithë rrethanat e vendit. Në këtë mënyrë u-kthjellue çashtja topografike e Leshit, e cila për nji kohë të gjatë qe e errët. Leshi dhe pjesa e tij e sipërme, pra, Akrolissi nuk janë lidhun me ndonji mur; ata janë krejtë të ndamë prej njani tjatrit.

***

ARDAXANOS: Me këtë emër e përmend Polybi (VIII, 13) lumin e sotshëm Mat. Vibius Sequester (150) gjeograf i shekullit V mbas Krishtit, e quen Mathis. Ippen-i (në veprën e përmendun, f. 62) e vë këtë barazi me Matin dhe e kundërshton me arsye mendimin e Tomaschek-ut (Real-Enzyklopaedie II, 611), i cili e merr Ardaxanos-in për Erzenin, pse atëherë do të bishim në kundërshtim me lajmet, që na jepë Polybi mbi marshimin e Filipit V më 213 para Krishtit kundër Leshit, pse ky porsa kalonte lumin, ngrefi çadrat dhe prej këtij vendi mundi me pa ai Leshin dhe pozitën e tij strategjike, kurse prej Erzenit nji gja e tillë asht krejt e pamundun. Prandej mendimi i Tomaschek-ut asht i papranueshëm, dhe barazimi i Ardaxanos-it me Matin nji fakt, të cilin na, tue u-mbështetun në burimet historike, mundim me e dishmue dhe vet.

BASSANIA: Vetëm Livi (XLIV 30,7) e përmend këtë qytet ilirjan dhe e vë 7.5 km në jugë të Leshit. Tomascheku-u asht i mendjes se ky ka qëndrue në mes të rrugës Lesh-lumi Mat…Ippen-i, i njij mendimit me Patsch-in, e vë në juglindje të Leshit pranë nji rrethit kodrash. Baron Franz Nopcsa (Mitteilungen der geographischen Gesellschaft Wien, 1916 band LIX, f. 521) barazon Bassania-n me Laçin. Ky identifikim nuk mund të pranohet, me gjithse këtu janë gjetun gjana të vjetra, pse largësija ndërmjet Leshit dhe Laçit asht shumë e madhe.

Në vargun e fundit të kodravet, të cilat përcjellin Matin përpara se ky të bjeri në fushë, gjindet vendi i quejtun Pedhanë, Pllanë, Pezanë (Praschniker-Schober, f. 84).

Këta emna kanë me atë, që na jepë Livi, nji ngjashmëni aq të madhe saqë nuk dyshohesh aspak për nji identifikim ndërmjet tyne; dhe, me të vërtetë! Sipas njië studimi të kryer nga Prachniker-Scober (f. 84) në një kodër në veri të vendit të nalt-përmendun gjetën pjesë të mbetura vjetërsinash, të cilat dëshmojnë banimin e këtij vendi në kohën e vjetër.

Përveç kësaj ne mund të bazohemi dhe në largësin ndërmjet Leshit dhe Pëdhanës. Livi na jep, si u tha ma nalt, 7,5 km, Praschniket-Scober shkruejnë 9 km, kurse Ippen-I (f. 66) jep 12 km. Kjo rrjedh se ky i fundit e merr largësin prej Leshit, deri në buzë të Matit, porse pranimi i Bassania-s në vendin e nalt-përmendun na shtrëngon me e mendue këtë jo në buzë të ujit, por pak ma larg prej tij. Në këtë mënyrë barazohen shifrat e Livit, Prachniker-Schober dhe të Ippen-it njana me tjetrën.

Dr. Tahsin JONUSI

SHËNIM: Fotografija asht nxjerrun nga Libri: Archaeologischen Forschungen in Albanien und Montenegro prej Praschniker-Schober

Referenca:

  • [1]Diodor (histori shkrues në kohën e Augustit), XV 13, 14; shif dhe IPPEN: Skutari und die nordalbaniesche Kustenebenezur Kunde der Balkanhalbinsel , Heft 5, faqe 55; BAUER: Archaologische-epigraphische Mitteilungen, WIEN, Band XVIII, faqe 130, 133 vazhdon
  • [2] Albanesische Studien, faqe 121
  • [3] Në veprën e përmendun, faqe 56
  • [4]Praschniker-Schober : Archeoligische Forschungen inAlbanien und Montenegro; Schriften der Balkankommission, antiquarische Abteilung. Heft VIII, Wien, f. 15
  • [5]f. 56
  • [6]f. 121
  • [7]f. 57
  • [8]f. 93.
  • [9]f. 123.
  • [10]f. 57
  • [11]VIII 13-14, Historishkrues i shekullit II, para Krishtit
  • [12]VII. 316, Gjeograf i kohës së Augustit
  • [13] Në veprën e përmendun
  • [14]Praschniker-Schober, faqe 23
  • [15]VIII 15, 16
  • [16]faqe 17
  • [17]faqe 17
  • [18]Në vëndin e përmendun
  • [19]Po aty
  • [20]Jahreshefte des Osterreichisch – archeopogischen Institues Band 21-22, Jahrgang 1924, shtyllë 509-10
  • [21]Në vëndin e përmendun
  • [22]Pauly -Wissowa
  • [23]Faqe 93
  • [24]Bellum civille III, 29
  • [25]Nji dijetar i cili ka shëtitun (…) shekullin e XV
  • [26]C. Jirecek (…) f. 42
  • [27]Sandschak Berat in Albanien (…)
  • [28]Faqe 65
  • [29]Faqe 844
  • [30]Në kohën e vjetën asht quajtun (…)
  • [31]Real – Encyklopedie XIII, 73 (…)
  • [32]Nji fis ilirjan
  • [33]Zippel, faqe 53, Ippen faqe 56
  • [34]VIII 15, 16 shif dhe (…)
  • [35]Për këtë ka me u-fol në numrin e ardhshëm
  • [36]Sikurse beson Hahn-i
  • [37]