Thomas Aquinas (1225-1274)

Nga Valbona Nathanaili

Një person që e pranon Kishën si udhëheqëse të pagabueshme, do të besojë verbërisht çfarë i thotë Kisha.

Thomas Aquinas ishte filozof dhe teolog, i cili arrit të bashkojë në një sintezë të shkëlqyer, pikëpamjet e filozofisë klasike me ato të teologjisë së krishterë.[1] Vepra e tij kryesore është Summa Theologica (Përmbledhje e teologjisë), e cila konsiderohet si një nga punët më me influencë në historinë e Krishtërimit Perëndimor. Si teolog, Aquinas artikulon arsyet, synimet dhe kuptimin e teologjisë dhe hedh bazat e trajtimit të saj si shkencë më vete. Si skolastik, kërkon të kuptojë teologjinë në dritën e punimeve të filozofëve të lashtë, konkretisht të Aristotelit, në përpjekje për të gjetur lidhje ndërmjet vullnetit të Zotit dhe arsyes, ndërmjet shkencës dhe teologjisë, ndërmjet besimit dhe filozofisë: që të kuptosh Zotin të duhet besim dhe mendim racional.

Thomas Aquinas (1225-1274)

Bindjet e Aquinas përbëjnë themelet e perenializmit, një nga filozofitë kryesore të shkollimit. “Perennial” do të thotë i përjetshëm dhe, në përputhje me këtë koncept, sipas Aquinas-it, disa ide janë të përjetshme dhe duhen zbuluar nga çdo brez, vit pas viti. Filozofia e tij e shkollimit gjeti shtrirje të gjerë në të gjithë katolicizmin romak, duke u bërë baza e ngritjes së një arsimimi që ka mbijetuar deri në ditët tona.[2] Natyra njerëzore dhe e vërteta janë ashtu siç kanë qenë vite më parë; arsimi bëhet duke studiuar mendimtarët e mëdhenj. Mësimi është cilësi e mendjes dhe jo sasi informacioni e memorizuar.

Nga Summa Theologica: Çfarë është mësimi?

  • Mësimi është kur një person mëson një tjetër; mësuesi përcjell tek mendja e nxënësit dijet e tij, si të hedhësh ujë në një enë, por është sekondar në procesin e të mësuarit; vetë nxënësi duhet të përpiqet për më shumë, të arrijë të zbulojë vetë, në mënyrë të pavarur; nxënësve duhet t’u japim vetëm parimet kryesore, fondamentale, të shmangen pyetjet dhe diskutimet e kota; mësuesi e ndriçon duke hedhur për diskutim çështje të ndryshme apo duke vënë në dukje marrëdhënie që, ndoshta, ai nuk është në gjendje t’i konceptojë. Dijet duhet të jenë rrjedhojë e aktivizimit të mendjes së vetë nxënësit, e vënies në punë të atyrë të përftuara më parë.

Mësuesi

  • Mësuesi duhet të zotërojë tri cilësi: qëndrueshmëri, qartësi dhe synime të pastra. Duke qënë i qëndrueshëm, mësuesi nuk mund ta humbë rrugën e ë së vërtetës; duke qënë i qartë nuk e lë nxënësin të rrethohet nga errësira; duke pasur synim të pastra, e udhëheqë nxënësin drejt lavdisë së Zotit dhe drejt asaj personale. Mësuesi udhëheq procesin e nxënies së një personi, duke kaluar nëpër po atë shteg që e ka përshkruar edhe vetë kur ka mësuar të nëjëjtën gjë, duke ngritur çështje dhe treguar lidhjet ndërmjet koncepteve të ndryshme për të cilat nxënësi, pa ndihmën e mësuesit, nuk do të ishte në gjendje t’i vinte re. Një mësues i mirë është në gjendje të bëjë diferencën ndërmjet nxënies nëpërmjet zbulimit dhe nxënies nëpërmjet instruktimit. Sfida dhe entuziasmi i nxënies së dijeve të reja mbahen gjallë nga dashuria që nxënësi ka për subjektin. Dija është cilësia e mendjes së qenieve të gjalla dhe jo sasia e informacionit të memorizuar në të. Njeriu mund të mësojë sepse i duhet (nga përvoja) dhe nëpërmjet mësuesit. E para quhet zbulim, e dyta shkollim. Të dyja dijet funksionojnë njëlloj. Një i ri mund të ketë të dhëna të mira për t’u bërë kirurg, por vetëm trajnimi mund t’i bëjë këtë të dhëna realitet.

Perenializmi mëson të vërteta të përjetshme, kërkon edukim për secilin, në mënyrë të diferencuar, që të gjithë të edukohen cilësisht njëlloj, “krem të cilësisë më të lartë për të gjithë dhe jo qumësht i skremuar për disa e krem për të tjerë” (Mortimer Adler). Baza filozofike: neotomizëm.

  • [1] Stumpf S. F., 2006. “Filozofia, historia & problemet”. Tiranë: Shtëpia Botuese Toena, f. 168.
  • [2] Sadker, M.P. & Sadker, D.M., 1995. “Mësuesit, shkolla dhe shoqëria”. Tiranë: Shtëpia Botuese “Eureka”, f.228.

Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”

  • Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
  • Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!