Fondacioni “Henrietta Leavitt” hap thirrjen për artikuj me temë “Edukimi liberal”

Afati i dorëzimit të abstrakteve: 1 qershor 2020 / Artikulli i plotë: 1 korrik 2020

Kontakt e-mail: [email protected] / [email protected]

Arsyetim

Një filozofi edukimi, në gjendje të na ndihmojë për të hartuar politikat e duhura arsimore, duhet të shtjellohet dhe të japë përgjigje në pesë dimensione:

  • Synime (cilët synime janë më të përshtatshmit, si dhe idealet që duhet t’i udhëheqin; për shembull: Të synojmë nxitjen e të menduarit kritik, për të edukuar qytetarë, të aftë të mendojnë me mendjen e tyre, apo indoktrinim, për të edukuar bindje dhe ushqyer besim të verbër?);
  • Autoritet (kush e ka autoritetin për të edukuar, përfshirë autoritetin e shtetit dhe të mësuesve, të drejtat e nxënësve dhe të prindërve);
  • Përgjegjësi (kush është përgjegjës për të siguruar një shkollim të përshtatshëm dhe të barabartë);
  • Në çfarë mënyrash do edukojmë (pedagogjia e mësimdhënies dhe nxënies);
  • Përmbajtje (kurrikula, ose pesha që duhet të zënë disiplina të ndryshme në të tërën).

Në këtë thirrje për artikuj, edukimi liberal konceptohet si një filozofi. Edukimi liberal e ka zanafillën në Greqinë e lashtë, ndonëse parimet e kriteret e tij gjenden edhe në rajone të tjera të botës, por me emër tjetër. Duke qëndruar në Europë, edukimi liberal ka qenë një filozofi e përhapur deri në shekuj e tetëmbëdhjetë dhe të nëntëmbëdhjetë. Më pas, në përgjigje të kërkesave në rritje të Revolucionit Industrial, vendin e kësaj filozofie e zë një tjetër, që i kushton rëndësi të veçantë nevojave të tregut, duke pasur si synim aftësitë dhe vendin e punës, dhe duke e vënë theksin vetëm te shkencat e sakta dhe teknologjia. Dija, inteligjenca, të folurit në publik, të qenit qytetar dhe të vepruarit me etikë, po zënë gjithnjë e më pak vend në synimet e shkollës.

Shqetësimi është, që në kohën e medieve sociale dhe të ‘fake news’, të populizmit në rritje dhe të komercializimit, të nevojës për të mbaruar sa më shpejt shkollën – dhe me sa më pak shpenzime – për të hyrë në tregun e punës, sistemi arsimor jo vetëm ka filluar të humbasë gjithnjë e më shumë integritetin e tij si institucion, por në të njëjtën kohë nuk po realizon misionin e tij kryesor: të përgatisë qytetarë!

Duke marrë shkas nga këto zhvillime, Fondacioni “Henrietta Leavitt” hap thirrjen për kontribute me artikuj në lidhje me edukimin liberal.

Artikujt do të botohen në formën e një libri, me të njëjtin titull.

Synimi i thirrjes është zhvillimi i një dialogu jopartizan, duke u mundësuar grupeve politikbërës dhe vendimmarrës të përfitojnë nga studimet, rekomandimet, përvoja, dijet, mençuria, vizioni, kuptimet, idetë e studiuesve që njohin sistemin arsimor në përgjithësi dhe atë shqiptar në veçanti, pavarësisht se jetojnë a vinë nga vende a shkolla të ndryshme, por kanë një dëshirë: të kontribuojnë.

Tematikat e ofruara, por jo përjashtuese, dhe që adresojnë një a më shumë nga dimensionet e mësipërme, mund të jenë:

  • Marrëdhënia ndërmjet edukimit dhe tregut të punës
  • Edukimi dhe standardet e të jetuarit
  • Si të përshtatim përmbajtjen e shkollimit me nevojat e studentit dhe të shoqërisë?
  • Kujt i duhet edukimi liberal?
  • Edukimi liberal si qasje dhe praktikë
  • Edukimi liberal në vende të ndryshme të botës
  • Edukimi liberal dje dhe sot: nevoja për ta përshtatur qasjen e djeshme me kërkesat e sotme.
  • Edukimi liberal dhe ideja e arsimit të lartë
  • Çfarë peshe, nëse jemi në gjendje ta masim, duhet të zënë në një kurrikul liberale grup-lëndë të ndryshme.
  • Edukimi liberal në nivele të ndryshme të shkollimit: nga parashkollor në arsimin e lartë.
  • Trivium dhe quadrivium i ditëve të sotme: synimet e reja në botën e medieve sociale dhe ‘fake news’.
  • Profesioni i ri i mësuesit: vlerat dhe synimet e edukimit versus mësimit me qendër nxënësin dhe përgjegjshmërinë bazuar në test;
  • A është i detyrueshëm edukimi për shkollën?

Udhëzime për dërgimin e artikujve

Ju lutem, fillimisht dërgoni një abstrakt me jo më shumë se 500 fjalë, për shprehje interesi për botim, përfshirë: emrin & mbiemrin, titullin, adresën e-mail dhe institucionin ku punoni. Afati: 1 qershor 2020.

Artikulli i plotë, me jo më shumë se 10 000 fjalë (përfshirë referencat dhe abstraktin), deri më datë 1 korrik 2019.

Në përfundim të thirrjes / BOTIMI