In Memoriam: Prof. Theodore Kaltsounis (15 shkurt 1930 – 13 dhjetor 2015)

  • Titulli i librit: Demokratizimi i Shqipërisë. Demokracia nga brenda
  • Autor: Theodore KALTSOUNIS
  • Përkthyen nga anglishtja: Milika DHAMO, Valbona NATHANAILI
  • Botimi në shqip i librit “Demokratizimi i Shqipërisë. Demokracia nga brenda” me autor
    Theodore Kaltsounis është mbështetur finaciarisht nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së ShBA-së në Tiranë.

Materiali më poshtë është shkëputur nga botimi në shqip i librit, shoqëruar me disa vlerësime për librin, si dhe parathënien për botimin anglisht shkruar nga Stephen E. Hanson, Herbert J. Ellison.

Mësimdhënia, mësimnxënia dhe manualet e mësuesve kalimi nga propaganda te një mësimdhënie e hapur dhe interaktive

Theodore Kaltsounis (15 shkurt 1930 – 13 dhjetor 2015)

Për arsye se përgjegjësia për zhvillimin e teksteve mësimore tashmë ishte marrë nga Ministria e Arsimit, projekti i Universitetit të Washingtonit (UW) e drejtoi vëmendjen drejt zhvillimit të manualeve për mësuesit që do të shoqëronin tekstet shkollore të edukimit qytetar. Manualet ishin të domosdoshme për t’i bërë mësuesit që të kalojnë nga ligjërimi i propagandës në mësimdhënie të hapur dhe interaktive, bazuar në dituri, në arsye, në dialog dhe në marrëveshje të përgjithshme. Ne e kuptuam se ky ndryshim nuk do të ishte i lehtë për t’u arritur, për shkak se mësuesit ishin rritur në një sistem, ku dituria ishte e kufizuar dhe përdorimi i frikës konsiderohej si metoda e duhur në arritjen e objektivave politiko-ideologjikë të paracaktuar. Kjo metodë aplikohej jo vetëm në shkolla, por në përgjithësi edhe në shoqëri. Mësuesit përdornin metoda dhe aktivitete që do ta bënin shkollën një vend argëtues. Sportet dhe shfaqjet dramatike ishin shumë të rëndësishme. Por, nëse ajo nuk do të funksiononte, mësuesit nuk do të hezitonin të përdornin frikën për të arritur objektivat e tyre. Duke qenë se kam jetuar në Shqipëri gjatë fazave të hershme të pushtetit komunist, unë ende mbaj mend disa nga metodat që përdoreshin në shkolla asokohe. Për shembull, nxënësit në shkollën time ishin të organizuar në mënyrë ushtarake t’u ngjanin partizanëve,1 të cilët luftuan kundër nazistëve. Ne ishim të ndarë në tri njësi dhe secila nga njësitë ishte e kryesuar nga një nxënës i klasës më të lartë. Nuk e di arsyen, por unë isha përzgjedhur të isha komandant i të tria njësive në shkollën time. Ndoshta arsyeja qëndron se unë kisha humbur tre vjet shkolle, si pasojë e Luftës së Dytë Botërore dhe kështu isha më i madh sesa fëmijët e tjerë ose unë mund të jem përzgjedhur për shkak se babai im ishte prift dhe komunistët donin të më largonin nga ndikimi i tij. Me sa më kujtohet, autoritetet për edukimin na dërguan neve “oficerëve” dekorata dhe nga një çantë nga qyteti. Dekorata ime kishte tri yje të kuq, ndërsa secili prej oficerëve të mi kishte nga një të tillë. Ne i mbanim yjet tona në mëngën e këmishës që do të vishnim dhe së bashku me çantën, të cilën e mbanim në njërin kraharor, dukeshim si oficerë të vërtetë ushtarakë. Çdo mëngjes rreshtonim nxënësit në tri radhë para hyrjes kryesore të shkollës dhe secili prej tre vartësve të mi me yll bënte thirrje për qëndrim “Gati-tu”, ndërkohë që vazhdonte me thirrjen e emrave të nxënësve. Kur të tre përfundonin, ata më raportonin me radhë, por pasi të më kishin përshëndetur duke ngritur dorën e djathtë të mbyllur grusht, përshëndetje kjo tipike komuniste. Më tej, unë kthehesha nga drejtori i shkollës, e përshëndesja, raportoja prezencën e nxënësve dhe i kërkoja leje për të urdhëruar nxënësit të marshonin në drejtim të klasave të tyre.

Ky spektakël i madh i mblidhte të gjithë, edhe të rriturit, të cilët mblidheshin zakonisht përreth shkollës për të na shikuar. Disave, kjo ngjarje u dukej interesante, ndërsa të tjerë shikonin për pak çaste dhe largoheshin duke tundur kokën. Në fillim të gjithë nxënësit ishin të magjepsur nga e gjithë kjo, por veçanërisht nga ne, mbushur me dekorata dhe fryrë me autoritet. Sidoqoftë, nuk kaloi shumë kohë dhe gjërat çuan drejt kërcënimit dhe frikës.

Një ditë, gjatë pushimit, ne, të katër oficerët, dolëm shëtitje në drejtim të qendrës së fshatit, jo shumë larg nga shkolla. Jo shumë larg qendrës disa punëtorë po ndërtonin një shtëpi. Ne ndaluam t’i shikonim. Ata vetëm na shikonin pa thënë asgjë. Më në fund, njëri ndër ta vështroi përreth për t’u siguruar se askush nuk po dëgjonte dhe me një zë shumë mosmiratues pyeti: “Çfarë janë ato dekorata?”. Para mundësisë për t’iu përgjigjur, ai menjëherë na qortoi se ishim dhënë pas atyre gjërave dhe kishim lënë interesimin për mësime. Ishte koha të ktheheshim në klasë dhe ne, kokulur nga qortimi i punëtorëve, filluam të ecnim në drejtim të shkollës. Menjëherë mu kujtua babai im, një njeri i qetë dhe i mençur. Ai kurrë nuk tha gjë për dekoratat e mia, por isha i sigurt se nuk pajtohej me to. U ndjeva fajtor dhe shumë konfuz. Sapo arrita në klasë, hoqa dekoratat, i vura në çantë dhe ia dorëzova ato mësuesit. Disi i befasuar dhe brengosur, mësuesi më pyeti: – “Çfarë është kjo?” – “Dorëheqje!”,- i thashë dhe qetësisht u ula në bankë. Ditën tjetër, e gjithë shkolla u mblodh në klasën më të madhe të shkollës. E dija se çfarë do të ndodhte. Çdo herë që mësuesit vërenin diçka që nuk shkonte, do të merreshin me të publikisht. Ata do t’i mblidhnin të gjithë për një lloj seance rrëfimi dhe akuze. E quanin seanca e autokritikës. Madje, edhe inspektori nga qyteti që kishim afër, një ish-mësues i imi, ishte aty këtë herë. Duke ndjekur procedurën e zakonshme, drejtori i shkollës pyeti nëse ndonjëri nga ne kishte diçka për t’u rrëfyer. Ata prisnin nga unë të rrëfehesha për dorëheqjen që kisha bërë, por nuk e bëra. Askush tjetër nuk doli për të thënë diçka.

Qetësia absolute mbretëroi në dhomë. Siç ndodhte gjithmonë, drejtori u ngrit dhe pyeti nëse ishte ndokush që do të donte të më kritikonte për dorëheqjen nga detyra ime. Pastaj inspektori u ngrit dhe më pyeti për arsyet se përse kisha dhënë dorëheqjen. Për fatin e mirë të punëtorëve, unë thashë se zgjodha ta bëja sepse nuk më pëlqente të mbaj dekorata. Por ai nuk e pranoi arsyen që paraqita dhe filloi të më bënte presion, i cili vazhdoi me kërcënim me burgim. Në fund, ai më shikoi ashpër dhe bërtiti se unë mund të përfundoja me ekzekutim. Këtu më pëlciti një e qeshur nervozizmi. Kisha frikë, por nuk isha në gjendje të bëja gjë, veç të qeshja në mënyrë mekanike. Kjo e detyroi, me sa duket, të largohet dhe, njëkohësisht kjo solli edhe mbylljen e seancës.

Në retrospektivë, i jam mirënjohës vetes sime që nuk fajësova askënd, pasi ekzekutimet, shumica e tyre publike, ishin dukuri të zakonshme në atë kohë. Ishte njëra ndër metodat që autoritetet përdornin për të detyruar popullin t’u bindej mënyrave të sistemit të ri. Jam dëshmitar i një ekzekutimi publik që ndodhi kur unë isha adoleshent. Një burrë ishte sjellë në fshatin tonë për t’u gjykuar për tentativë arratisjeje për në Greqi. Gjykatësi erdhi nga një vend tjetër, i shoqëruar nga disa qindra ushtarë. Posa arriti, trupi gjykues u vendos në pjesën ballore të oborrit, aty ku mbaheshin mbledhjet e qytetit. Ushtarët qëndronin në të majtë, ndërsa burri që do gjykohej, me duar të lidhura prapa shpine, qëndronte në të djathtë. Gjykatësit nuk iu desh kohë e gjatë të lexonte akuzën dhe t’i kërkojë turmës së mbledhur të pohojë me zë nëse burri duhej të ekzekutohej apo jo. Një “Po” gjëmuese erdhi nga turma, kryesisht nga ushtarët. Duarlidhur, burri u urdhërua menjëherë të shkonte te druri në të cilin ishte varur një zile dhe u qëllua për vdekje përpara syve tanë. Pastaj, të gjithë u urdhëruam të ecnim pranë trupit të tij të gjakosur dhe të vdekur. Kurrë nuk do ta harroj atë skenë, e cila është e qartë se ishte bërë për të frikësuar të gjithë fshatin tonë. Ç’është e vërteta, me vendosjen e regjimit ekzekutimet publike nuk ndodhnin aq shpesh, por frika, arrestimet, dënimet e rënda dhe propaganda vazhduan deri me përmbysjen e tij në fillim të viteve nëntëdhjetë. Duke njohur këtë mjedis shoqëror, ishte më se e domosdoshme të përgatiteshin mësuesit për të menduar dhe për të dhënë mësim në mënyrë tjetër. Për këtë arsye ne vendosëm të hartojmë manualet për mësuesit. Plani ynë ishte të përdornim manualin për trajnimin e mësuesve dhe pastaj t’u jepnim atyre nga një set librash në mënyrë që të vazhdonin t’i përdornin ato gjatë mësimdhënies. Sidoqoftë, para se të shtjellojmë imtësisht manualët e mësuesve, është e nevojshme të bëhet një shqyrtim i shkurtër në lidhje me mësimdhënien dhe të mësuarit, si dhe për mënyrën sesi këto të dyja lidhen më njëra- tjetrën.

Më lejoni të filloj duke theksuar se mësimdhënia dhe mësimnxënia shkojnë së bashku. Dikush mund të thotë se një lidhje e tillë, midis këtyre dy proceseve, është e dukshme. Sidoqoftë, realiteti tregon se nuk qëndron aty puna. Në çdo shoqëri jepet mësim, por niveli i të mësuarit dallon në mënyrë të konsiderueshme. Në disa raste niveli i nxënies është adekuat, por në një numër shqetësues të rasteve të tjera niveli i nxënies është i ulët. Për çfarë shërben mësimdhënia, nëse nxënësit nuk mësojnë? Si rrjedhojë, është e rëndësishme që edukatorët të sigurohen që mësimdhënia duhet të lidhet me kujdes me të nxënit e objektivave të paracaktuara. Nëse nuk arrihet nxënia ose më mirë të themi se nëse nuk arrihet nxënia e mjaftueshme, atëherë duhet të përshtatet mësimdhënia. Të mësuarit nuk duhet të shikohet vetëm në termat e përvetësimit të njohurive, por të përfshijë edhe zhvillimin e shkathtësive intelektuale, vlerave të dëshirueshme shoqërore, si dhe shkathtësive dhe shprehive të pranueshme të sjelljes së mirë. Vlerat, shkathtësitë dhe shprehitë janë veçanërisht të rëndësishme në edukimin qytetar. Një vështrim kaq i gjerë i të mësuarit kërkon një lloj mësimdhënie që shkon përtej ligjërimit dhe plotësimit të kutizave a vendeve bosh në fletoren e punës. Një perceptim i tillë kërkon mësimdhënie që i fton nxënësit të përfshihen në procesin e të mësuarit. Ka prej atyre që mund të argumentojnë se të mësosh vlera është një lloj propagande, e ngjashme pak a shumë me atë që është praktikuar në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Por sado e ngjashme të jetë, përsëri ka dallime. Komunistët bënin çdo gjë, veçanërisht me fëmijët, që t’i bindnin nxënësit të besonin në ideologjitë e tyre. Ata nuk do hezitonin të gënjenin ose të shtrembëronin fakte për të arritur objektivat. Një shembull i mirë është një përvojë që kisha në fshatin tim gjatë fëmijërisë sime.

Secili fshat kishte nga një njeri të njohur në gjuhën greke si diafotistis (i shkolluar, i urtë). Ky njeri sillej andej-këndej fshatit duke u munduar të bindte njerëzit të harronin mënyrat e vjetra dhe të besonin në ideologjinë komuniste. Ai mu afrua një ditë kreshme dhe më ofroi një karamele. Unë e refuzova sepse po mbaja kreshmë. Nuk duhej të haja mish dhe prodhime qumështi për dyzet ditë dhe babai, prift i Kishës Ortodokse, më kishte mësuar se karamelet përmbanin gjalpë. Pastaj ai më pyeti: “Përse mbajmë kreshmë?” I paaftë t’i përgjigjesha, i sugjerova të shkonte të pyeste babanë tim. Ai u afrua të më tregonte sesi kishte filluar mbajtja e kreshmës. “Kur Jezusi ishte gjallë, – tha ai,- ai kishte një fermë të madhe dhe një vit ferma bëri shumë qepë. Jezusi u mundua t’i shesë qepët, por shumë pak njerëz i blinin ato. Kështu që ai i tha popullit të agjëronte në mënyrë që ai të mund t’i shiste qepët”. Tregimi i tij më bëri më shumë përshtypje, ishte më i besueshëm se sa mrekullitë për të cilat na fliste babai në shkollën e së dielës. Metodat e mësimdhënies, që nuk respektojnë diturinë dhe procesin racional, nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, edhe kur mësojnë vlera. Mësimi i vlerave demokratike nuk mund të bëhet me gënjeshtra ose nëpërmjet shtrembërimit të fakteve. Të mësosh vlera në një shoqëri demokratike do të thotë të respektosh të vërtetën dhe të përdorësh procesin racional për të bindur nxënësit të pranojnë, të modifikojnë ose, madje, edhe të refuzojnë një vlerë të caktuar. Studiuesit pohojnë se mësimi interaktiv është modeli më premtues për përfshirjen e nxënësve në procesin e arritjes të objektivave edukativë që nevojiten në demokraci. Mësimi interaktiv ofron mundësi për nxënësit që të mësojnë nga mësimdhënësi si dhe nga njëri- tjetri dhe, në të njëjtën kohë, i inkurajon ata të mësojnë vetë. Duhet të theksohet se format e mësimdhënies për arritjen e objektivave mësimore luajnë një rol strategjik në të mësuarin interaktiv. Nëse nxënësve u mësohen dijet e përgjithshme në formën e koncepteve dhe të përgjithësimeve, nëse gjatë këtij procesi ata bashkëpunojnë me mësuesin dhe me njëri- tjetrin, mësojnë si të kërkojnë informacion, si ta diskutojnë atë dhe si t’i bashkojnë gjithë copëzat e mozaikut në një, atëherë themi se e kemi arritur objektivin. Një proces i tillë ndihmon nxënësit të shkojnë përtej mësimit përmendësh mekanik. Në të njëjtën kohë, mësimi interaktiv krijon një mjedis në të cilin nxënësit marrin dhe praktikojnë vlerat dhe aftësitë demokratike. Nëse përforcojnë dituritë dhe zhvillojnë shkathtësi dhe vlera, nxënësit fitojnë një edukim të plotë dhe forcojnë kapacitetin e tyre për të jetuar në mënyrë efektive në një shoqëri demokratike.

Zhvillimi i planeve mësimore interaktive udhëzuese për mësuesit

Siç u përmend më lart, plani origjinal për projektin ishte të asistohet Shqipëria në zhvillimin e edukimit qytetar përmes teksteve shkollore. Dizajni i këtyre teksteve shkollore do të përmbante elemente që do t’u bënin mësuesve të mundur të shpjegonin përmbajtjen nëpërmjet aplikimit të qasjes interaktive. Meqë Ministria e Arsimit tashmë ishte duke hartuar tekstet shkollore, ekipi drejtues vendosi të zhvillonte manualët e mësuesve për të siguruar zbatimin e mësimdhënies interaktive dhe përfshirjen e nxënësve në procesin mësimor. Para se katër anëtarët e ekipit drejtues të largoheshin nga Shqipëria, ne ramë dakord që secili prej tyre të merrte përgjegjësinë për zhvillimin e një manuali, një doracak për mësuesin, për çdo vit shkollor, nga një për secilën klasë, prej klasës së katërt deri në të shtatën. Manualët e mësuesve do të ishin në formën e ditarëve mësimorë për çdo mësim në përbërje të tekstit shkollor. Puna do të bëhej në Shqipëri në gjuhën shqipe. Secili mësim pastaj do të përkthehej në gjuhën angleze, në mënyrë që të rishikoheshin dhe të jepeshin sugjerime për ndonjë ndryshim të nevojshëm. Për këtë arsye, para se ekipi të largohej nga Seattle, ishte e domosdoshme të skicohej modeli i një plani mësimor, në mënyrë që t’i jepej një shkallë njëtrajtshmërie serisë së planeve mësimore.

Më poshtë është një skicë tipike e një plani mësimor që doli nga diskutimet në ekip, së bashku me sqarimet dhe një shembull nga një plan mësimor i klasës së pestë:

Objektivat: Objektivat duhet të jenë të orientuara më shumë nga nxënësit, se sa të tregojnë se cila pjesë e përmbajtjes do të trajtohet. Së bashku me mësimin, nxënësit duhet të jenë në gjendje të demonstrojnë, kryesisht me anë të aplikimit, çfarë kanë mësuar: një koncept, një vlerë, një shkathtësi intelektuale, shoqërore ose ndonjë kombinim të tyre. Për shembull, një objektiv për një orë mësimore të klasës së pestë mund të shkruhet në formën: “Nxënësit duhet të jenë të aftë të identifikojnë rolet e ndryshme që luajnë njerëzit në jetë dhe t’i ndajnë në role të përkohshme dhe të përhershme”.

Aktiviteti motivues: Mësuesi duhet të mendojë një mënyrë të zgjuar për t’i tërhequr nxënësit në mësim. Një mënyrë për ta bërë këtë është të lidhë temën e mësimit me jetën e përditshme të nxënësit.

Autori i këtij modeli të orës së mësimit të klasës së pestë rekomandon që mësuesi t’i pyesë nxënësit dhe ata të përgjigjen me shkrim, në një copë letre, të tregojnë për vendet që kanë vizituar kohët e fundit dhe arsyen përse i kanë vizituar ato vende. Duke bërë kështu, mësuesi i drejton nxënësit, nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimit, te koncepti i roleve të jetës dhe të shumëllojshmëria e tyre.

Aktivitetet për zhvillimin e mësimit: Një shumëllojshmëri e strategjive të mësimdhënies mund të aplikohet këtu për zhvillimin e mësimit. Ekipi drejtues ka identifikuar disa nga këto strategji, siç është bërja e pyetjeve, mësimi bashkëpunues, kërkimi në grup, diskutimi në grup, loja me role, zgjidhje konflikti, si dhe marrje vendimesh. Për shembull, autori i ditarit mësimor të mësipërm, për klasën e pestë, ka përdorur strategjinë e bërjes së pyetjeve për të udhëhequr nxënësit, të kuptojnë rëndësinë e rolit që luan secili individ në shoqëri, në mënyrë që ai/ajo të marrë rolin e tij/saj profesional seriozisht. Autori përfshin edhe çështje të tilla si: “Si do të reagonit nëse do të shkonit në spital dhe shumica e punonjësve të spitalit të rrinin ulur duke biseduar dhe pirë kafe apo duke shikuar televizor? A mendoni se do të merrnit trajtimin e duhur shëndetësor? A do ta konsideronit këtë sjellje, nga ana e punonjësve të spitalit, si të përshtatshme dhe të drejtë?” Një tjetër aktivitet në planin e marrë si shembull është t’u thuash nxënësve të bëjnë një listë me rolet që njerëzit luajnë gjatë një seance me “stuhi mendimesh” dhe pastaj t’i ndajnë rolet e përkohshme nga ato të përhershmet.

Vlerësimi: Theksi në vlerësim duhet të vihet në vlerësimin e ndryshimit që mësimi i ri ka bërë te nxënësi. A dinë ndonjë gjë që nuk e kanë ditur më parë? A ndihen ndryshe? A kanë zhvilluar një vlerësim më të thellë në gjërat që kanë mësuar? A mund të aplikojnë një shkathtësi që sapo e kanë fituar? Në rastin e marrë si shembull, autori sugjeron që mësuesi të pyesë nëse nxënësit shprehin vlerësimin e tyre për njerëzit, të cilët tregojnë vendosmëri në pikëpamje profesionale. Mbani mend, duhet kohë për të vlerësuar nëse një nxënës ka zhvilluar një vlerë ose jo. Vetëm një ekspozim ndaj një vlere të caktuar nuk mjafton, përveçse nëse ka ndodhur në mënyrë dramatike.

Detyrat: Për lëndët shoqërore dhe humane, shoqëria është laboratori. Detyrat më të mira janë ato që kërkojnë nga nxënësit të lidhin një mësim të ri me situata reale. Ndërlidhja e të mësuarit të mëparshëm me të riun është, gjithashtu, një detyrë e mirë. Për shembull, t’i thuash secilit nxënës të bëjë një listë të roleve që anëtarët e familjes së tyre luajnë në shoqëri dhe pastaj t’i ndash ato në role të përkohshme dhe të përhershme, do t’i ndihmojë ata të thellojnë kuptimin e roleve të ndryshme që luajnë njerëzit. Aktivitete të tilla mund t’i shtyjnë nxënësit të mendojnë rreth drejtimit të tyre profesional. Kur vizitova Shqipërinë, në fund të majit të vitit 1996, anëtarët e ekipit drejtues kishin bërë progres të konsiderueshëm në hartimin e librave për mësuesit. Ata ishin shumë entuziastë për ndihmesën e tyre. Ishte diçka e re që po prezantonin në Shqipëri dhe parashikonin se mësuesit do të tejkënaqeshin me këtë punë. Sidoqoftë, atyre u nevojitej ende kohë për të përfunduar punën. Si rezultat, ne vendosëm të kërkonim një gjashtëmujor pa rritje kostoje, i cili u pranua. Ndërkohë, po bënim plane për manualët e mësuesve për klasat e tjera. Ëndrra jonë ishte të përgatisnim dhe të publikonim një seri të kompletuar të manualëve nga klasa e parë deri në klasën e dhjetë.

***

Gjatë çdo udhëtimi në Shqipëri, kam mbartur me mijëra dollarë në valixhet e mia. Nuk kishte ndonjë vend ku paratë mund të transferoheshin dhe pastaj të tërhiqeshin sipas nevojës. Çeqet, madje as çeqet e udhëtarëve, nuk ishin në përdorim të gjerë në atë kohë në Shqipëri. Institucionet financiare shqiptare ishin në proces riorganizimi dhe ende nuk perceptoheshin si të sigurta ose të besueshme. Sigurisht, nuk ishte as gjë e mençur dhe as praktike të mbartje me vete 20-30 mijë dollarë në çantë për të paguar për aktivitete të ndryshme në të gjithë vendin, por më duhej ta bëja. Çanta ime ishte gjithmonë me mua. Dukesha si zyrtar, i cili mbart me vete çantën me kod bërthamor kur udhëton me presidentin e ShBA. Gjatë natës, për më shumë siguri, do ta fshihja çantën time jo nën shtrat, por nën jastëkun tim. Fatmirësisht, fitova mjaft besim në AEDP për të hapur një llogari me zyrën e tyre të financave. Gjatë çdo udhëtimi do të depozitoja paratë tek ta në një llogari të veçantë dhe do t’i tërhiqja ato sipas nevojës. Kjo funksiononte mirë dhe e kam përdorur këtë marrëveshje deri sa bankat e huaja me reputacion hapën degë në Shqipëri. Meqenëse flisja greqisht, hapa një llogari në degën e Tiranës, në Bankën Kombëtare të Greqisë. Sa herë që kisha nevojë për të bërë një transfertë, unë depozitoja shumën e buxhetuar për këtë nevojë në të dhe tërhiqja nga ajo sa herë ishte e nevojshme. Në mungesë timen, dy prej drejtuesve të ekipeve ishin të autorizuara që, së bashku, të tërhiqnin para nga banka. Natyrisht, të gjitha këto marrëveshje bëheshin me pëlqimin e Universitetit të Washington-it dhe me miratimin e Agjencisë së Financimit. Meqë jemi në fushën e financave, duhet të përmend një ndryshim që u vu re mes AEDP-së dhe projektit tonë për mënyrën sesi mbështetej financiarisht puna për hartimin e librit për mësuesit. Ne kishim miratimin nga agjencia jonë financuese për t’u paguar autorëve tanë një shumë të caktuar parash për çdo plan mësimi (ditar) të zhvilluar.

Për shkak të pagave të ulëta, praktika e preferuar në Shqipëri në atë kohë ishte të punësoheshe për një shërbim dhe të paguheshe në mënyrë fikse, kryesisht me bazë mujore. Ne u përpoqëm të shmangim çdo keqkuptim, duke ofruar një pagesë të drejtë për punën e bërë. Në fillim kjo ishte e vështirë për disa ta pranonin, por në fund ata njohën korrektësinë e politikës sonë.

Zhvillimi i propozimeve të reja dhe përballja me revoltën dhe vonesat e papritura

Falë entuziazmit dhe mbështetjes të të gjithë të interesuarve, projekti po ecte përpara. Dorëshkrimet për librat rreth “Edukimit qytetar demokratik” dhe manualët për mësuesit për shtatë klasat e para ishin gati në përfundim. Një kërkesë e re i ishte dorëzuar qeverisë së ShBA, me anën e së cilës kërkonim fonde për të mbështetur disa aktivitete, përfshirë: (1) publikimin e të gjitha dorëshkrimeve të përfunduara; (2) hartimin e dorëshkrimeve të udhëzuesve për mësuesit e klasave të teta deri në të dhjetën; (3) inicimin e procesit për trajnimin e mësuesve; (4) hartimin e teksteve në nivel universitar për përgatitjen e mësuesve të ardhshëm që do të jepnin mësim lëndët shoqërore dhe edukimin qytetar. Populli shqiptar vazhdonte të tregonte dëshirë për demokraci dhe ishin të bindur se lëvizja përpara në këtë drejtim ishte e pashmangshme. Për fat të keq, gjërat nuk po shkonin për së mbari me qeverinë dhe me politikën e tyre në përgjithësi. Ngjarjet politike dhe shoqërore, të cilat do të pasonin në Shqipëri gjatë vitit të ardhshëm, do të kishin efekt të madh negativ në projektin tonë. Pas zgjedhjeve të vitit 1992, e ardhmja e Shqipërisë dukej të ishte shumë e ndritshme. Në pritje të ndryshimeve pozitive, komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesnin qeverinë e re. Popullariteti i Presidentit Sali Berisha ishte i lartë dhe dukej i destinuar të shndërrohej në Skënderbeun modern të Shqipërisë. Për fat të keq, për shumë arsye, kjo nuk ndodhi. Pas zgjedhjeve, Presidenti Berisha i përqendroi përpjekjet në arritjen e kontrollit të plotë të Partisë Demokratike dhe në forcimin e pozitës së presidentit. Por duke vepruar në këtë mënyrë, ai largoi disa nga aleatët e tij të natyrshëm deri në atë pikë, sa ata lanë partinë dhe formuan partitë e tyre politike, në oponencë me Partinë Demokratike.

Më 1996, me afrimin e kohës për zgjedhje të reja, qeveria ndërmori disa iniciativa pozitive, por ekzistonte gjithmonë pikëpyetja nëse ato ishin të mjaftueshme për të siguruar rizgjedhjen e Sali Berishës dhe Partisë së tij Demokratike. Opozita ishte e vendosur në organizimin e demonstratave, sidomos pasi qeveria arriti të modifikonte ligjin zgjedhor në favor të saj. Zgjedhjet u zhvilluan siç ishte planifikuar, më 26 maj të vitit 1996. Unë dhe gruaja ime rastisëm të ishim në Tiranë në atë kohë, në Hotel “Rogner”, aty ku qëndronin shumë prej vëzhguesve ndërkombëtarë. Në mesin e njerëzve entuziazmi ishte i lartë, ndërkohë që merreshin me parashikimin e rezultateve. Sapo u mbyllën votimet, me kthimin e vëzhguesve në hotel, mësuam shumë hollësi nga tregimet e pjesëmarrësve në lidhje me zhvillimin e zgjedhjeve, përfshirë incidente të shumta, frikësimet e votuesve si dhe parregullsi të ndryshme që ishin vënë re. Vonë, në mbrëmje, unë dhe gruaja ime po shkonim në dhomën tonë kur dëgjuam të shtëna intensive në rrugë. Mbështetësit e Partisë Demokratike po festonin fitoren dhe endeshin në grupe me makina përreth, duke shtënë në ajër. Duke mos e ditur se çfarë po ndodhte, gruaja ime u frikësua shumë. I kujtova se hoteli ishte mjaft i sigurt, por sugjerova që të shtriheshim në dysheme, larg dritareve, që t’u shmangeshim plumbave qorr. Pas disa orësh, kur situata u qetësua, shkuam në shtrat duke pyetur njëri-tjetrin me ankth se çfarë na rezervonte e nesërmja. Pasi u zgjuam dhe shkuam në katin e poshtëm për mëngjes, mësuam se Partia Demokratike ishte shpallur fituese. Opozita nuk pranoi rezultatet e shpallura si dhe deklaroi se nuk do të merrte pjesë në Parlament. Edhe pse policia kishte vendosur që asnjë demonstratë të mos zhvillohej pas zgjedhjeve, partitë e opozitës sfiduan urdhrin dhe, më 28 maj, organizuan një demonstratë masive në sheshin qendror të Tiranës. Policia sulmoi demonstruesit dhe përdori atë, që nga mediat e huaja në Tiranë u konsiderua si forcë e tepruar. Kjo ngjarje dhe të tjera që pasuan, ndikuan që qeveria të humbte mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara. Fillimisht, Shtetet e Bashkuara kërkuan rizgjedhje vetëm në ato rrethe në të cilat u vunë re parregullsi. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë, Washington-i kërkoi që zgjedhjet të përsëriten në të gjithë vendin. Në mes të kësaj trazire në vend, ishte koha që unë dhe gruaja ime të ktheheshim në Shtetet e Bashkuara. Ne vendosëm që të shkonim me makinë, në qytetin-port jugor të Sarandës, për të marrë një anije deri në Korfuz dhe, nga atje, të fluturonim për në Athinë, në rrugën tonë të kthimit në Shtetet e Bashkuara.

Makina dhe shoferi u siguruan me mirësi nga Instituti i Studimeve Pedagogjike të Tiranës. Dy nga drejtuesit e ekipit të projektit u ofruan për të na shoqëruar deri në qytetin e Gjirokastrës, rreth dyzet milje në veri të Sarandës.

Kur iu afruam sheshit të Gjirokastrës, e gjetëm të mbushur plot me policë. Plani ynë ishte të drekonim, para se të vazhdonim udhëtimin për në Sarandë. Restoranti ishte pothuajse bosh. Ne u ulëm në një tryezë afër derës së ballkonit. Papritur, pamë një veturë tjetër që ngjitej drejt restorantit. Katër burra dolën, hynë në restorant dhe u ulën në një tavolinë, jo shumë larg nga e jona. Unë nuk isha i sigurt, por nëse dikush do të më kishte pyetur në atë kohë, do t’u përgjigjesha se ata ishin policë të veshur me rroba civile. Vazhduam duke ngrënë dhe duke folur për projektin; iu shmangëm sa mundëm bisedave rreth zgjedhjeve ose lidhur me atë çfarë po ndodhte në shesh. Po bëhej vonë dhe shoferi i makinës sonë erdhi për të më thënë se duhej të niseshim sa më shpejt të ishte e mundur për t’u siguruar që të arrinim në Sarandë, para se të errësohej. Ai ishte i shqetësuar, siç shpjegoi, sepse policia mund të na ndalonte rrugës, t’i merrte atij patentën dhe t’i thoshte se makina nuk do të lejohej të qarkullonte. U ngritëm menjëherë.

Arritëm në Sarandë dhe, herët në mëngjes, u larguam për në ishullin e bukur të Korfuzit. Situata në Shqipëri u përkeqësua. Zhvillimi më dramatik ishte rënia e kompanive me skema piramidale. Këto kompani i joshnin qytetarët të investitorin paratë e tyre, duke u premtuar kthim të shpejtë dhe me interes të lartë, ndonjëherë deri në 50 për qind ose edhe më shumë. Duke shpresuar për një rritje dramatike të kursimeve të tyre, shqiptarët investuan çdo të hollë që kishin. Disa prej tyre shitën edhe sendet, shtëpitë dhe pasuritë e patundshme për të rritur investimet e tyre, vetëm të pasuroheshin sa më shpejt. Vërejtjet nga institucionet financiare ndërkombëtare kundër skemave piramidale ishin injoruar dhe qeveria nuk bëri asgjë për t’i ndaluar ose për t’i kontrolluar ato. Në fakt, thashethemet ishin se edhe zyrtarë të lartë të qeverisë ishin të përfshirë në to. Në pjesën e dytë të 1996-ës, skemat piramidale ndaluan së tërhequri investitorë të rinj dhe, njëra pas tjetrës, ndaluan së bëri pagesat. Ndërkohë, shumica e tyre nxorën jashtë vendit miliona dollarë që kishin grumbulluar. Duke kuptuar se kishin humbur kursimet e tyre, të shkatërruar, njerëzit filluan të protestonin. Qeveria reagoi duke arrestuar krerët e skemave piramidale dhe duke konfiskuar çfarëdo fondi që gjendej ende në Shqipëri.

Gjërat u përshkallëzuan në një revoltë të armatosur në të gjithë vendin, e cila nuk mund të përmbahej nga ana e forcave të armatosura. Me kërkesën e Berishës për ndërhyrje ndërkombëtare si dhe me miratimin e Kombeve të Bashkuara, një forcë shumëkombëshe u dërgua në Shqipëri aty nga fundi i marsit. Ata rivendosën qetësinë në një masë të arsyeshme në vend dhe, më 29 qershor, u arrit të mbaheshin zgjedhjet e reja. Rezultatet e votimit treguan se Partia Socialiste mori vota të konsiderueshme, duke mbizotëruar me kandidatët e saj pothuaj në të gjithë vendin, ndërkohë që Sali Berisha dha dorëheqjen si President më pak se një muaj më vonë.

Si rezultat i asaj që ndodhi në mes të zgjedhjeve të 26 majit të 1996-ës dhe atyre të 29 qershorit të 1997-ës, projekti Universitetit të Washingtonit stopoi duke filluar nga shkurti i 1997-tës dhe ne të gjithë ishim në gjendje pritjeje. Për më tepër, të kapluar nga një ndjenjë e përgjithshme zhgënjimi për gjithë sa ndodhi. Siç i raportova agjencisë sonë të financimit në gusht të 1997- ës, “muajt e fundit e bënë të qartë se Shqipëria ende nuk ishte në gjendje të ndërmarrë e të realizojë transformimin në një shoqëri demokratike”. Në të njëjtën kohë, ne ishim të vendosur për të ecur përpara.

Stephen E. Hanson, Herbert J. Ellison

Parathënie për botimin anglisht

Libri i Theodore Kaltsounis është sa i kohës, aq edhe i rëndësishëm dhe frymëzues. Në një kohë kur shpresat për demokraci në mbarë botën janë zhgënjyer, libri “Demokratizimi i Shqipërisë: demokracia nga brenda”, frymëzon aktivistët e demokracisë kudo që ndodhen. Kaltsounis-i paraqet historinë e transformimit gradual demokratik të Shqipërisë post-komuniste – një transformim i ngadaltë i një prej vendeve më të varfra në Europë, i cili ka vuajtur për dekada të tëra nën një diktaturë veçanërisht të ashpër leniniste. Ky rast studimor nxjerr mësime të shumta për këdo që është i interesuar në fushën e reformave demokratike.

Së pari, Kaltsounis-i tregon ndikimin e thellë që ushtron edukimi qytetar në pjesëmarrjen demokratike, veçanërisht tek të rinjtë. Në një kohë kur studiuesit e shkencave sociale janë përqendruar më tepër në hartimin e kushtetutës dhe të sistemeve elektorale, të konsideruara si vendimtare për demokracinë, se sa në ndryshime më afatgjata, për shembull, në ato që lidhen me kulturën politike, rëndësia që Kaltsounis-i i jep edukimit është për t’u përshëndetur.

Së dyti, pavarësisht se nëntitulli është “demokracia nga brenda”, libri është një ndihmesë e vyer për të kuptuar shumë më qartë se ç’mund të bëjnë politikëbërësit perëndimorë për të mbështetur “demokracinë nga jashtë”. Specifikisht, duke synuar në gjetjen e fondeve dhe granteve të jashtme për të mbështetur mësuesit parimorë, pasi janë ata që realizojnë, në periudha afatgjata, edukimin qytetar në shkolla dhe universitete në rajone të ndryshme. Pra, në vend që të sigurojnë thjesht ndihma afatshkurtra për punonjësit me përvojë në kryeqytet, sikundër ka ndodhur në të shkuarën me shumë projekte të dështuara që kanë dhënë asistencë për demokratizim, donatorët perëndimorë mund t’u japin një ndjenjë sigurie individëve kyç në rrjetet e izoluara të aktivistëve të demokracisë.

Së treti, libri i Kaltsounis-i paraqet një udhëtim të paharrueshëm personal të autorit, i cili u largua nga Shqipëria si fëmijë dhe më vonë u bë një akademik i njohur i edukimit qytetar në Shtetet e Bashkuara. Kur rënia e komunizmit në Europën Qendrore dhe Lindore i dha mundësi të vinte në zbatim të gjithë dijen që kishte fituar gjatë karrierës së tij akademike, ai e përqafoi me shumë dëshirë këtë sfidë. Ndikimi pozitiv i punës prej dy dekadash të Kaltsounis-it në Shqipëri, tregon qartazi se fati i demokracisë varet jo vetëm nga faktorë gjeografikë apo socio-ekonomikë, por edhe nga veprimet e individëve të përkushtuar, sikundër është edhe vetë autori.

Kanë thënë për librin:

  • Me një gjuhë të thjeshtë dhe të sinqertë, në libër përshkruhet teoria dhe praktika e një megaprojekti afro 20 vjeçar për instalimin e demokracisë në Shqipëri nga brenda. Truri dhe mekanizmi lëvizës i tij, autori i lindur dhe rritur në Shqipëri Theodore Kaltsounis, me mbështetjen e vazhdueshme të Universitetit të Washingtonit dhe të agjencive të ndryshme në ShBA, arrin të krijojë e konsolidojë një rrjet të gjerë qendrash në të gjithë Shqipërinë për mësimin e demokracisë në shkolla. Libri është një leksion i hapur për dashurinë dhe përkushtimin ndaj koncepteve të tilla si demokracia dhe të drejtat humane, vendlindja dhe origjina, puna në grup dhe vetëmohimi. Faleminderit Ted për këtë leksion! Valbona Nathanaili, pedagoge, Kolegji Universitar Logos
  • Paradigma e tranzicionit ka qënë paradigma dominuese, që ka ndikuar dukshëm në studimet e ndryshme mbi demokratizimin në Shqipëri. Libri i Prof. Theodore Kaltsounis “Demokratizimi i Shqipërisë – demokracia nga brenda” bën një analizë të kësaj paradigme, të mungesës së traditës demokratike në Shqipëri, barrierave, supozimeve, koncepteve dhe hipotezave kryesore që janë zhvilluar gjatë procesit të demokratizimit, si dhe spjegimin e disa proceseve demokratike në vend. Asnjë libër ndoshta nuk spjegon më mirë, më kuptueshëm, më thjesht dhe më qartë sesa ky libër parimet demokratike, vlerat dhe shprehitë demokratike, ku autori nënvizon vlefshmërinë e tyre për shoqërinë dhe politikën shqiptare, një kuadër konceptual të edukimit qytetar demokratik, si dhe rrugën që nisi Shqipëria në përqafimin e këtij edukimi, nëpërmjet projekteve të dobishme të mbështetura në çdo aspekt prej qeverisë së SHBA-ve dhe ekspertëve të saj më të mirë në këtë drejtim. Prof. Asoc. Dr. Tonin Gjuraj, Rektor, UET. 
  • Libri është shkruar me shumë dashuri nga prof. Kaltsounis dhe është një paraqitje realiste e viteve të një pune gjigande, një shembull i shkëlqyer i një pune kolektive mes specialistësh të apasionuar dhe të përkushtuar, një përvojë nga e cila mund të mësosh shumë. Personalisht mund të them se pjesëmarrja në projekt më zgjeroi horizontin dhe më rriti profesionalisht; për më tepër, më dha mundësinë të kontribuoj në demokratizimin e përmbajtjes dhe praktikave të edukimit në vendin tim, ku qytetarët e thjeshtë janë gjithmonë disa hapa para liderëve të tyre. Prof. Asoc. Dr. Fatmira Myteberi