Ose për hir të dashurisë

Nga Ken Robinson

Arthur C. Clarke

Nëse flasim teorikisht, profesionist në një fushë të caktuar quhesh nëse mund të jetosh me të ardhurat që siguron duke kontribuar në atë fushë, ndërsa amatorët nuk munden. Akoma, termat amator dhe profesionist shpesh nënkuptojnë edhe diçka tjetër, që ka lidhje me cilësinë dhe ekspertizën: njerëzit shpesh mendojnë se amatorët janë të dorës së dytë, janë ata që performojnë në një nivel më të ulët se profesionistët.

Kur referojmë diçka si “punë amatorësh” e përdorim në kuptimin negativ të fjalës. Sugjerimi është që puna për të cilën bëhet fjalë nuk ka asgjë të përbashkët me atë të një profesionisti dhe se përpjekjet janë për të ardhur keq.

Sigurisht që, shpeshherë, kemi arsye shumë të mira për të bërë dallimin ndërmjet një profesionisti dhe një amatori, sepse është thelbësore. Përpos të gjithave, vërtet ka diferenca jashtëzakonisht të mëdha ndërmjet tyre. Për shembull, nëse do më duhej të bëja një vazektomi, do të preferoja më shumë ta leja veten në dorën e dikujt që merret përditë dhe siguron të ardhurat me këtë punë, se sa të dikujt që ka dëgjuar në lidhje me të. Por shpesh diferencat ndërmjet një profesionisti dhe një amatori kanë më shumë lidhje me zgjedhjen dhe më pak me cilësinë.

Fjala “amator” rrjedh nga latinishtja dhe do të thotë “të duash”, për shembull të jesh mik i devotshëm i dikujt, ose të jesh në kërkim të përmbushjes së një objektivi. Në kuptimin e parë, amator është dikush që bën diçka për hir të dashurisë për të. Amatorët bëjnë atë që bëjnë, sepse e kanë pasion, jo sepse do paguajnë këstin e shtëpisë nëpërmjet saj.

  • Kështu filloi hip-hop, një lloj muzike që pushtoi skenat vetëm nga shiritat e bërë në kushtet e shtëpisë.
  • Një shembull tjetër është “Linux”, një sistem operimi kompjuterik që u krijua nga puna bashkëpunuese e një komuniteti të madh programuesish që punonin në kohën e lirë.
  • Po ashtu, fushata për faljen e borxheve të vendeve të treta, ndryshe “Jubile 2000”, në rrjedhojë të së cilës u mblodhën me dhjetëra miliardë dollarë, filloi me peticionin e disa njerëzve që nuk kishin asnjë përvojë të mëparshme në lobim.
  • Një astronomi amator, falë përdorimit të një teleskopi dhjetë inç, i njihet zbulimi i një ylli supernova.
  • Susan Hendrickson nuk ka pasur ndonjë profesion të veçantë. Shkollën e mesme e braktisi për t’u marrë me zhytjet nën ujë. Zhvilloi shumë aftësitë e nevojshme dhe mësoi, vetë, gjatë udhëtimeve të gjata me polumbarë, të njihte speciet e rralla të botës nënujore. Akoma, u bë eksperte në gjetjen e fosileve dhe jeta e saj mori ngjyrat e një jete ku ndërthurej aventura me eksplorimin. Më vitin 1990, Hendrickson iu bashkua një ekspedite arkeologjike në South Dakota, organizuar nga “Black Hills Institute of Geological Research”. Puna filloi jashtëzakonisht ngadalë. Grupi kishte eksploruar vetëm gjashtë formacione shkëmbore dhe asnjë zbulim i rëndësishëm. Një ditë, ndërsa pjesa tjetër kishte vajtur në qytet, Hendrickson vendosi të eksplorojë, e vetme, një pjesë tjetër formacioni, shënuar në hartë. Hasi në disa kocka të vogla. Që çuan në zbulimin e një prej fosileve më të plota zbuluar ndonjëherë, në zbulimin e skeletit të plotë të Tyrannosaurus rex – dhe një nga të paktët të gjinisë femërore zbuluar ndonjëherë, T.rexes. Skeleti është sot pjesë e “Field Museum”, në Chicago. Mund ta gjeni me emrin “Tyrannosaurus Sue”, sipas arkeologes amatore që e gjeti.
  • Arthur C. Clarke ka qenë shkrimtar dhe është marrë kryesisht me fantashkencë. Një nga veprat më të shitura të tij është botuar për herë të parë më vitin 2001, me titull “A Space Odyssey and Rendezvous with Rama”. Karriera e tij ka filluar si oficer i “Forcës Ajrore Mbretërore Britanike”. Ndërkohë, kishte lidhje me sektorin e radarëve. Puna e tyre e magjepste! Më vitin 1945, në revistën “Wireless World”, boton artikullin me temë “Përforcuesit jashtëtokësorë: A mundet stacionet e raketave hapësinore të mbulojnë gjithë botën me rrezatim radio?” Në këtë artikull, hedh idenë e përdorimit të satelitëve gjeo-stacionarë për transmetimin e sinjalit televiziv në të gjithë botën. Në atë kohë, pjesa më e madhe e shkencëtarëve e hodhën poshtë këtë propozim, duke e cilësuar fanta-shkencë. Gjithsesi, Clarke ishte shumë i pasionuar pas subjektit dhe e studio me kujdes. Propozimin e përforcoi edhe me një studim teknik dhe, sikundër e dimë të gjithë tashmë, tejet parashikues. Orbita specifike gjeo-stacionare e propozuar nga Clarke njihet si “Orbita Clarke” dhe në të, sot, qarkullojnë me qindra satelitë. Clarke e siguronte jetesën nga shitjet e librave, që gjithmonë gjendeshin në listën e më të mirëve të Nju York Times, ndërsa nga gjithë puna që bëri si amator kemi vetëm letrën që u drejtoi botuesve të Wireless World përpara se të dërgonte artikullin, e cila gjendet në “Muzeun Kombëtar të Hapësirës dhe Ajrit”, në ShBA.

Në “The Pro-Am Revolution”, një raport i hartuar nga një grup britanik pune, përbërë nga Demos, Charles Leadbeater dhe Paul Miller, theksohet se perfeksionimi i punës së kryer nga amatorët ka arritur në nivele jashtëzakonisht të larta, në gjendje të gjenerojë emocion e frymëzim më shumë se sa puna e kryer nga profesionistët. Termi i përdorur nga ata për amatorët është “Pro-Am”. Në ditët tona, teknologjia po u mundëson amatorëve një grup gjithnjë e më të sofistikuar aparaturash, kohë më parë jo vetëm të paimagjinueshme, por edhe të papërballueshme – si për shembull, çipa “CCD” për teleskopët, “Pro Tools” për muzikantët, aplikacione të ndryshme për t’u përdorur edhe në kompjuterin e shtëpisë dhe me radhë. “Pro-Am e kryejnë një punë të caktuar si amatorë, do të thotë kryesisht për hir të dashurisë që kanë për të, por përfundojnë në vendosjen e standardeve të reja profesionale” – pohojnë Leadbeater dhe Miller. “Fitimet e Pro-Ams nga puna amatore vështirë se përbëjnë ndonjë përqindje të madhe të të ardhurave të tyre, por e vijojnë për shkak të dedikimit dhe angazhimit që i shoqërizon me atë profesion. Për Pro-Ams, koha e lirë nuk është thjesht konsum pasiv i saj, por përfshirje aktive dhe pjesëmarrje në disiplinën që kanë pasion, që do të thotë shfrytëzimi i aftësive dhe dijeve të fituara e të njohura publikisht, shpesh të përftuara përgjatë një karriere të gjatë, mbushur me sakrifica e zhgënjime, arritje e dështime.”

Leadbeater dhe Miller i quajnë Pro-Ams “grup të ri hibrid social”, nisur nga fakti që e ndjekin pasionin jashtë vendit të tyre të punës dhe, me një energji të atillë, që të tjerët rrallë e shpenzojnë në kohën e lirë. Për Pro-Ams, ky intensitet aktiviteti është shërues, shplodhës, i ndihmon të kompensojnë punën që kryejnë me rrogë, shpesh më pak se frymëzuese.

Për disa njerëz, kur arrijnë në një fazë të caktuar të jetës, braktisja e punës, ose e atij lloj roli që kanë, për të ndjekur pasionin, nuk është një opsion praktik i mundshëm. Të tjerë, mund të zgjedhin të mos e bëjnë për një varg të gjerë arsyesh. Shumë njerëz i fitojnë të ardhurat për të jetuar duke bërë një punë dhe zgjedhin të krijojnë kohë dhe hapësirë në jetën e tyre për të bërë gjërat që duan – duket se nuk kanë asnjë alternativë tjetër, vetëm se të ndjekin pasionin “krahas punës së zakonshme”. Dhe merren me pasionet sepse mbushen emocionalisht.