Mitrush Kuteli (13 shtator 1907 – 4 maj 1967)

Nga ora 4 e mëngjesit të ditës tjetër bije zilja e telefonit. Ngrihem nga shtrati (Ilinden Spasse, shën i redaksisë) dhe marr receptorin.

  • – Si? – bërtas me zë.
  • – Ç’ka ndodhur? – dëgjoj zërin e babait (Sterjo Spasse, shën i redaksisë) nga dhoma ngjitur.

Hap derën:

  • – Mitrushi vdiq! – i them papritur.

Nuk e kisha parë kurrë në jetën time babain, se si u bë në atë moment, se si filloi t’i binte kokës me grushta, të shkulte flokët, të qante me dënesë…

  • – Si, Mitrushi i shkretë! Ç’më the, Ilo! – dhe vuu lotët nga sytë. Dridhej i tëri aty, shtrirë në krevat.

Vetëm pas kësaj unë e njoha më mirë Mitrushin e vërtetë, njoha veprat e tij ekonomike në shqip e rumanisht, që janë me dhjetëra e që flasin për monedhën, kreditin, reformën agrare, xhelepin, të dhjetat… për Bankën Kombëtare të Shqipërisë, për Bankën Bujqësore të vendeve të Ballkanit, për huatë, për koncensionet etj. etj; njoha më mirë krijimtarinë letrare e publicistike të tij, ku shquhej për stilin shumë të bukur e për gjuhën e pasur, stil e gjuhë, që nga kritikët e ndryshëm është quajtur si “muzikë në shqipet”; e njoha si përkthyes, që ndonëse i sëmurë, na la afro 90 vëllime të ndryshme romanesh, tregimesh, poezish e dramash të përkthyera nga origjinali (rusisht, frëngjisht, italisht, rumanisht), kryevepra të letërsisë botërore, që tingëllojnë edhe në shqipet me forcën e origjinalit. Kështu, ai na dha në shqipet kryeveprat e Gogolit, Gorkit, Turgenievit, Aleksei Tolstoit, Fadajevit, Gllatkovit, Kirillovit, Paustovskit, Shevshçenkos, Emineskut etj. etj. Dhe më vonë, shumë më vonë, u njoha edhe me testamentin e tij lënë fëmijëve.

Testamenti i Mitrush Kutelit  

“… Një pjesë e shkrimeve të mija shqip e rumanisht janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka një mijë mënyrë vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt; luftën kundër atyreve që donin të grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se s’kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën “urtë e butë, e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara Bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim ditët e para të Çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundra grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike në fushën ekonomike në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “Popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”. Por, gjithmonë më ka tërhequr parimi: “Popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme e të pavetëdijshme automatikisht veprimtarinë time. Kam qenë kundër rusëve sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë, kundër gjermanëve, sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arsye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vendas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojat e para ka qenë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vienës, më 1940 – 1941. Për këtë “skedë të zezë” erdhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç’të pret? Pse kundërshton vendin e kapitalit çifut ta zërë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, por vetëm kapital. Ai ushqehet me fitim e mbahet me fitime, rron me fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetëmijë, miljoni qinmiljon e kështu me radhë. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë. Do të më njohë e do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes. Nuk di. Desha të më kuptonte dhe të më njihte jo për nder e lavdi. Fëmijët i porosis të duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish dhe me shpirt, qoftë edhe me dhimbje…

11 korrik, 1966, Tiranë (E hënë)

***

Ndërsa Sterjo Spasse do të shkruante në kujtimet e veta:

  • “… Patëm një zi të madhe në gjirin e shokërisë. Më 4 maj 1967 na vdiq Dhimitër Pasko, alias Mitrush Kuteli, me të cilin patëm ndarë e jetuar aq shumë halle, më shumë halle se gëzime. Një humbje e madhe kjo e shokërisë, një humbje e madhe dhe e kulturës shqipe, së Mitrush Kutelit ishte një kokë e madhe e kulturës dhe e ekonomisë shqiptare. E varrosëm më 5 maj në varrezat e Sharrës, jo larg babait tim, me dhimbje të madhe e me thjeshtësi të madhe…”