1. Profesorët e universiteteve, të udhëhequr thellësisht nga vlera akademike, shoqërore dhe morale, e marrin shumë seriozisht përgjegjësinë që u është ngarkuar. Përgjegjësia e tyre kryesore është të pohojnë të vërtetën, ashtu si e shohin (gjykojnë) ata.

Profesorët i përdorin energjitë për të zhvilluar dhe përmirësuar aftësitë akademike.

Ata janë të vetëdijshëm se do ta përdorin gjykimin dhe aftësinë për të transmetuar njohuritë. Ata janë praktikues të korrektesës (ndershmërisë, pasurisë) intelektuale. Edhe pse në disa raste mund të kenë interesa të ndryshme, ata nuk duhet të lejojnë që këto interesa të dëmtojnë seriozisht kapacitetin dhe vlerat e tyre intelektuale dhe njerëzore, si dhe të cenojnë sadopak lirinë që u jep dija.

2. Si profesorë, ne inkurajojmë brezin e ri (studentët tanë) në drejtim të dijes. Profesorët e Universiteteve kanë në themel të karakterit të tyre kritere të qarta akademike, standarde të larta etike dhe një disiplinë korrekte. Ata tregojnë respekt ndaj studentëve të tyre, jo vetëm si qenie njerëzore, por edhe si kapacitete intelektuale në formim. Profesorët shërbejnë si udhëheqës dhe udhërrëfyes akademikë në jetën e një studenti.

Profesorët përpiqen të jenë korrekt në gjykimet dhe vlerësimet e studentëve dhe ky vlerësim reflekton meritat e gjithsecilit.

Por studentë dhe profesorë duhet të respektojnë natyrën e marrëdhënieve konfidenciale që ekziston midis tyre. Pedagogët nuk duhet të ngacmojnë, të ushtrojnë presion, ose të diskriminojnë studentët. Studentët, nga ana e tyre, duhet të respektojnë dhe të ushqejnë mirënjohje për pedagogët. Profesorët duhet të kenë respekt për dijet e studentëve.

3. Profesorët e Universiteteve duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, për të përmirësuar mësimdhënien akademike. Profesorët nuk duhet të diskriminojnë, por duhet të respektojnë vlerat dhe dijet e njëri-tjetrit. Pedagogët duhet të shkëmbejnë informacion mes njëri-tjetrit dhe të bashkëpunojnë, për të rritur cilësinë akademike.

Profesorët duhet të jenë objektivë në gjykimin akademik që iu bëjnë kolegëve të tyre.

Të gjithë profesorët brenda një institucioni akademik (universiteti, fakulteti), duhet të ndjehen përgjegjës për mbarëvajtjen akademike të institucionit.

4. Qëllimi kryesor i një profesori në nivel universitar është t’u ofrojë studenteve sa më efektivisht njohuritë në atë fushë. Megjithëse profesorët respektojnë rregullat që i vendos institucioni ku bëjnë pjesë (universitete, fakultete), në qoftë se këto rregulla cenojnë, sadopak, punën e tyre ose parimet e etiko-morale të shoqërisë, kanë të drejtë të propozojnë ndryshime në statutin e fakultetit përkatës. Edhe në qoftë se profesorët duhet të ndërpresin marrëdhëniet akademike me institucionet përkatëse,

kanë detyrimin moral ndaj auditorit të studentëve t’i njoftojnë paraprakisht (nuk është etike t’i thuash studentëve, sot për nesër, që nuk do ta zhvillojmë më bashkë këtë lëndë).

Pavarësisht, se nuk ka një gjë të shkruar që e pengon këtë gjë, etikisht dhe moralisht nuk është korrekte. Duhet, të paktën, të përfundojë programi i lëndës, simestri ose kontrata). Pra, duhet të njoftojë paraprakisht për qëllimin e largimit dhe kohën kur mendohet që të ndodhë kjo gjë.

5. Profesorët. si pjesëtarë të një komuniteti, kanë detyrime dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve të tjerë.

Profesorët e universiteteve janë përgjegjës për edukimin (arsimimin) e studentëve, janë përgjegjës ndaj profesionit dhe për dijet që i vihen në shërbim studentëve dhe, në rrjedhojë, edhe komunitetit në të ardhmen.

Njëkohësisht, janë përgjegjës ndaj institucionit ku ato/ato ushtojnë veprimtarinë e tyre akademike. Si qytetarë dhe pjesëtarë të një shoqërie, profesioni i të cilëve ka një impakt sado të vogël publik (pasi referojnë në auditore), profesorët kanë detyrimin për të promovuar liritë që të jep dija akademike.