Datë 5 dhjetor 2018 / vendi: Muzeu Kombëtar, salla “Shpataraku” / kohëzgjatja: 11:00-13:00

Sektori i Edukimit në Teatrin e Metropolit organizon tryezën e rrumbullakët me temë “Teatri dhe Shoqëria”, refleksione rreth Festivalit Metrofest 2018 “Drama shqipe si laborator njohjeje dhe kërkimi”.

Moderatore: Jonida Beqo, drejtore e Teatrit të Metropolit

Në panel:

  • Sonila Kapidani, aktore, regjisore dhe drejtuese e sektorit të edukimit në Teatrin e Metropolit;
  • Erenestina Halili, profesoreshë në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë UT dhe drejtuese e Klubit të Dramës;
  • Valbona Nathanaili, studiuese dhe drejtore e Fondacionit “Henrietta Leavitt”;
  • Rozi Kostani, lektore e mjeshtërisë së aktorit në Fakultetin e Artit Skenik, Universiteti i Arteve;
  • Albert Nikolla, profesor i antropologjisë në universitetin Aleksandër Moisiu;
  • Mexhit Prençi, kritik arti, studiues;
  • Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe studiues, do të kontribuojë në pyetje-përgjigjet e takimit.

Në këtë takim do të ketë përfshirje në bisedë nga studentë të ftuar, me interesa në regji teatri, dramaturgji, aktrim, kritikë.

Tryeza zhvillohet me qëllimin për të krijuar një ambient shoqëror të përshtatshëm diskutimesh mbi përvojat me dramën shqipe të arkivit në dy edicionet e para MetroFest 2017 & 2018, si mundësi për të rinj profesionistë që duan të zhvillohen në këtë lëmi.

Pyetjet bazë mbi të cilat do të diskutohet janë:

  1. Cilat janë vështirësitë e një teksti të vjetër nga drama shqipe?
  2. Si ndodh që veprat e krijuara në një epokë të caktuar t’u japin kënaqësi njerëzve të një epoke tjetër?
  3. Si ka qenë impakti në komunitet për Metrofestin dhe përshtypjet e tyre mbi krijimin e një domethënie-je shoqërore?

Diskutimet do të përqendrohen në çështje si:

  • Përthyerje për të qëmtuar: Teatri i Metropolit ndërmjet zgjedhjeve dhe zgjidhjeve.
  • Teatri si ngjizje e “comunitas”-it;
  • Rivitalizimi i veprave arkivore kryesisht të mbetura si letërsi dramatike në një tekst të ri skenik që mundëson një repertor të ri nga një përvojë e përçuar nga një brez në tjetrin duke prodhuar kuptime;
  • Objektivi final i këtij takimi qëndron në reflektimin mbi realizimet përgjatë dy edicioneve të MetroFest dhe projektimet për vazhdimësinë në të ardhmen.