“Zgjedhja Të përqafosh të mundurën” Autor Edith Eger

  • Në shqip: Valbona Nathanaili
  • ISBN 9789951817424 / F. 388
  • Shtëpia Botuese: Pema, Prishtinë / Viti i botimit: nëntor, 2022

Nga Valbona Nathanaili

Edith Eger

Pak kush në rruzullin tonë mund të rrëfejë një histori jete të ngjashme me atë të Dr. Edith Eger! Dhe akoma më pak kanë mundur ta shndërrojnë një përvojë tmerri e dehumanizmi, si ai në kampet e vdekjes të Hitlerit, në mësime dhe ndihmë për njerëzit sot.

Vajza e vogël e një familje hebreje, që i pëlqen kërcimi dhe gjimnastika, që bie në dashuri me një djalë që e takon në klubin e librit, që është në garë me të motrat për më të talentuarën e familjes, një mëngjes zgjohet nga të bërtiturat e ushtarëve SS! Kjo është dita që ndryshon krejtësisht jetën e saj, që i përmbys të tashmen dhe i trazon të ardhmen për një kohë shumë të gjatë. Ditën e parë në kampin e përqëndrimit në Aushvic i vrasin të dy prindërit! Dhe me sarkazëm i premtojnë se do t’i takojë shumë shpejt! Edithit dhe të motrës, Magdas, vdekja i bën pritë çdo ditë, çdo orë, e materializuar në gishtin tregues të oficerit SS që vendos për fatin e tyre, në lodhjen raskapitëse të punës e urisë së përditshme, dhe më pas në marshimin e vdekjes.
Ditën e çlirimit nga amerikanët, shpëtimi nga pirgu i njerëzve të vdekur, ku e kanë hedhur edhe atë për të përfunduar po njësoj, është një rastësi. Por asgjë nuk është më njësoj si më parë! As martesa, as fëmijët, as emigrimi në SHBA, as studimet dhe as miqtë nuk i kthejnë dot dëshirën për ta jetuar jetën plotësisht, derisa vendos të zgjedhë të përballet me demonët që i kishte marrë me vete nga kampi i vdekjes.
Edith Eger, 94 vjeç, aktualisht një nga psikologet më të mira në SHBA, ka shkruar një libër për marrëdhëniet që duhet të krijojmë me veten, me partnerin, me fëmijët, me njerëzit e dashur që na rrethojnë; për guximin për të folur, për të ndryshuar, për të pranuar të kaluarën, ngjarjet dhe njerëzit që e kanë skalitur atë; për ta jetuar të tashmen të çliruar nga pesha e hakmarrjes, të frymëzuar nga besimi në aftësitë që zotërojmë, të bindur në zgjedhjet që bëjmë; për të ëndërruar dhe besuar tek një e ardhme më e mirë!
“Të zgjedhësh, duke e shndërruar të pamundurën në të mundur!” – ky është mesazhi i Dr. Edith Eger.