Synim: Hartimi i një plani strategjik, për zhvillimin e programeve të studimit, që u mundësojnë të diplomuarve me “Master në shkencë”, në një fushë të caktuar të dijes, të aplikojnë për t’u licencuar dhe punësuar në arsimin para-universitar
Dr. Valbona Nathanaili
Fondacioni “Henrietta Leavitt” (Fondacioni Shqiptar për shkencë, media dhe demokraci) është një organizatë e shoqërisë civile, jofitimprurëse. Fondacioni kryen veprimtari kërkimore shkencore, studime, botime, projekte për zhvillim dhe veprimtari të tjera krijuese. Në këtë kuadër, një nga nismat e Fondacionit “Henrietta Leavitt” është evidentimi i problemeve kryesore me të cilat ndeshet sistemi arsimor shqiptar, si dhe përfshirja në gjetjen e zgjidhjeve më të mira, ndërkohë që situata Covid-19 bën apel për angazhim serioz dhe korrekt.
Duke marrë nismën për hartimin e një plani strategjik, për zhvillimin e programeve të studimit, që u mundësojnë të gjithë të diplomuarve me Master në “Shkencë”, të aplikojnë për t’u licencuar dhe punësuar në arsimin para-universitar, Fondacioni beson: se i shërben nevojës që ka arsimi para-universitar për të diplomuar të të gjitha fushave (1. Shkenca natyrore 2. Inxhinieri dhe teknologji 3. Shkenca mjekësore dhe shëndeti i popullatës 4. Shkenca bujqësore 5. Shkenca sociale 6. Shkenca humane – cituar: Frascati Manual), që shpesh janë jashtë profileve të zakonshme që ofrohen në degët e edukimit në universitet; se kontribuon në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në sistemin parauniversitar; se u jep mundësi të rinjve të talentuar që u pëlqen mësimdhënia të jenë pjesë e profesionit të mësuesit; se rrit ofertën akademike. Ndërsa përfshirja e të katër institucioneve, na jep sigurinë që do mund të gjenerojmë një varg reformash të domosdoshme për progresin e arsimit në Shqipëri.
Arsyetim
Prej një periudhe dy-vjeçare, Fondacioni “Henrietta Leavitt” ka ndërmarrë fushatën për promovimin e shkencës te të rinjtë, me fokus nxitjen e vajzave në ndjekjen e studimeve në shkenca të sakta, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Në këtë kuadër, ka organizuar intervista dhe sondazhe, aktivitete të ndryshme (përfshirë konkurse dhe takime), në rang shkolle, qyteti e vendi, me nxënës e studentë të diplomuar apo në proces diplomimi, të punësuar ose në kërkim të një mundësie për punë, me mësues dhe pedagogë, në shumë shkolla të mesme dhe të larta. Në këto takime dhe që shërbeu si shtysë edhe për këtë nismë, u ngrit edhe problemi i pamundësisë së të diplomuarve me Master në “Shkencë”, për t’u punësuar si mësues në arsimin para-universitar.
Sipas faqes zyrtare të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pothuaj të gjitha degët ofrojnë dy apo më shumë programe studimi në nivel Master dhe për secilën jepen edhe mundësitë e punësimit, por si shembull kemi sjellë vetëm degën e fizikës.
Dega Fizikë, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ofron Master i Shkencave në “Fizikë” dhe “Master i Shkencave në “Fizikë”, me profil “Mësues Fizike për arsimin e mesëm të lartë”.
- Studenti i diplomuar në programin e studimit Master i Shkencave në “Fizikë” mund të punojë: në Institucione të Arsimit të Lartë publike dhe jopublike/ si fizikan në Institucione Kërkimore Shkencore/ në ambientet informatike apo të teknologjisë së informacionit/ në institucionet bankare/ në shkolla të mesme kur nuk është në gjendje të sigurojë një prej mundësive të mësipërme të punësimit – për këtë synohet të arrihet.
- Studenti i diplomuar në programin e studimit Master i Shkencave në “Fizikë”, me profil “Mësues fizike për arsimin e mesëm të lartë” mund të punojë: mësues fizike në shkollën e mesme të përgjithshme/ mësues fizike në shkollën e mesme profesionale/ mësues fizike në shkollën 9-vjeçare/ specialist i fizikës në institucionet studimore për problemet e mësimdhënies apo edukimit në shkollë.
Çdo vit, Departamenti i Fizikës (dhe njësoj edhe departamentet e tjera), diplomon jo më pak se dhjetë studentë me Master në “Shkencë” – ky numër është edhe detyrimi që ka Departamenti i Fizikës për ta hapur këtë program studimi, përndryshe jo vetëm pjesa më e madhe e pedagogëve mbeten pa punë, por humbet edhe gjurma më e fundit e shkencës nga i vetmi universitet që mund ta kemi një pretendim të tillë. Por shumë nga të diplomuarit me Master të Shkencave në “Fizikë”, edhe pse kanë kryer pesë vjet studime në një degë shumë të vështirë dhe që pak e kërkojnë, janë pa punë. Së pari, profesioni i fizikanit në Shqipëri nuk është i kërkuar, kryesisht sepse mungojnë institucionet e kërkimit shkencor, ndërsa industria është pothuaj zero. Edhe kur organika e përmban pozicionin e punës për fizikan, bëhet fjalë për një a dy, pra në numra shumë modestë, shumë herë më pak se sa diplomohen në një vit. Nga ana tjetër, ndërmjet një kandidati të diplomuar në Shqipëri dhe një tjetri diplomuar jashtë, të gjitha institucionet e mësipërme preferojnë këtë të dytin. Mbetet alternativa ose për të shkuar jashtë (nuk është përfshirë në diskutim), ose për t’u punësuar si mësues në arsimin parauniversitar. Këtu fillon ngërçi, që po zgjat me vite me radhë.
Të diplomuarit me Master i Shkencave në “Fizikë” nuk mund t’i nënshtrohen procesit të licencimit për mësues me arsyen që diploma e tyre nuk është për mësuesi. Edhe në rastet kur janë punësuar si mësues, pavarësisht ciklit apo nivelit të shkollimit, ka qenë për periudha të kufizuara kohore, në dëshirën e një drejtori të mirë për t’u dhënë një shpresë të vogël, dhe jo rrallë kanë punuar edhe si vullnetarë, thjesht për ta pasur në CV.
Në këtë gjendje që kemi, zgjidhja që kanë gjetur disa prej tyre, është të fillojnë edhe një herë një master të dytë, po në fizikë, përsëri shkencor, por këtë radhë si Master i Shkencave në “Fizikë”, me profil “Mësues Fizike për arsimin e mesëm të lartë”. Kjo do të thotë: edhe dy vjet studime, edhe dy vjet pa punë, edhe dy vjet shpenzime. Ndërkohë, Masteri i dytë ka tarifë edhe më të lartë. Studentëve më të mirë të fizikës u duhet të ndjekin studimet shtatë vjet për t’u diplomuar për mësuesi dhe për të fituar të drejtën të fillojnë procedurat e marrjes së licencës dhe ushtrimit të profesionit të mësuesit, domethënë të regjistrimit në portalin “Mësues për Shqipërinë”, të dhënies së provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit dhe, në rrjedhojë, edhe të përftimit të licencës, më pas të konkurrimit me dosje dhe testim dhe, përsëri më pas, edhe të fillimit të punës, nëse do të ketë ndonjë vend bosh, diku. Pas zhgënjimit për t’u bërë shkencëtarë, vjen edhe zhgënjimi tjetër, edhe më i madh: nuk bëhen dot as mësues. Dramës personale të disa dhjetëra profesionistëve i shtohet edhe humbja që ka shoqëria nga përjashtimi i këtyre burimeve njerëzore.
Nga ana tjetër, sipas udhëzimit për pranimin e mësuesve në punë, kreu 5, kemi: Kur në një ZVAP nuk ka kandidatë të renditur në portal, sipas profilit që përkon me vendin e lirë të punës, njoftohen dhe emërohen ata kandidatë që janë të renditur në portal në një profil të përafërt me profilin. Kjo do të thotë që fizikën ta japë mësuesi i matematikës apo kimisë, ndërkohë që fizikanët rrinë pa punë!
Konkluzion
Sigurisht që është e vështirë të punosh sot mësues: rrogë e ulët, mungesë perspektive për të bërë karrierë dhe lodhje e madhe. Por shpresa është gjithnjë rruga e progresit. Pavarësisht se kur do mund të arrijmë të shpërblejmë, në mënyrë sa më të drejtë, punën e mësuesve, detyra jonë është t’i krijojmë mundësinë, kujtdo që ka mbaruar një shkollë të lartë, të paktën në nivel Master Shkencor, të punësohet në arsimin parauniversitar, mjek apo infermier, fizikan apo mikrobiolog, inxhinier apo informaticien.
Për të pasur arsim më cilësor dhe kurrikul më të pasur, na duhet të mos përjashtojmë më të mirët nga tregu i punës. Për më tepër, asnjë diplomë! Përkundrazi, na duhet:
- të shfrytëzojmë të gjitha burimet njerëzore
- të krijojmë mundësi, për punësim në arsim, nga të gjitha fushat e dijes
- ta lehtësojmë karrierën e studentit drejt tregut të punës
- të forcojmë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve akademike
- të rrisim mobilitetin e punësimit të të diplomuarve në funksion të interesave personale dhe ato të vendit
Propozime
Ngërçi që kërkojmë të zgjidhim shtrihet në segmentin diplomë – licencim. Diplomës Master në “Shkencë” i mungon vlerësimi për një fushë të caktuar dijesh, pedagogji dhe psikologji, si dhe praktika profesionale pranë një institucioni mësimor, ndërkohë që pasja e një diplome nga një fakultet edukimi është kusht i domosdoshëm për t’u pranuar në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit dhe, në rrjedhojë, edhe për të përftuar licencën.
Propozoj, bazuar në tri parime bazë: motivim, reflektim dhe përfshirje, sa më poshtë.
- MASR, në kriterin diplomë, për të fituar të drejtën për të dhënë provimin e shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit në sistemin para-universitar, për të gjithë kandidatët e interesuar për të ushtruar profesionin e mësuesit, shton zotërimin e një diplome Master në “Shkencë” për secilën nga gjashtë fushat, plotësuar me një certifikatë për ndjekjen e një programi të ri studimi, lëndët e të cilit përmbajnë njohuritë e munguara në fushat e cituara. Në këtë rast, universiteti ndjek hapat për krijimin e një programi të ri studimi me njohuritë e munguara në fushat e cituara, si dhe të gjitha procedurat për miratimin e tij. Për këtë, harton përmbajtjen, silabuset lëndore, procedurat dhe kriteret e kalimit, detyrimet, skemat e vlerësimit etj.
- Krijimin e një grupi pune, me përfaqësues nga të katër institucione (Rektorati, MASR, Dekanati i FSHN dhe Fondacioni “Henrietta Leavitt”), për hartimin e një plani strategjik, për zhvillimin e programit/eve të studimit, që u mundësojnë të diplomuarve me Master në “Shkencë”, në një fushë të caktuar të dijes, të aplikojnë për t’u licencuar dhe punësuar në arsimin para-universitar.
- Programet e studimit Master në “Shkencë” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës duhet të marrin status të veçantë dhe të hapen me jo më pak se 5 studentë, duke i vlerësuar si “përparësi kombëtare”.
Shkarko shkresën ( Shkrese per Ministrine e Arsimit dhe Rektoratin Master Shkencor) dërguar:
- Prof. Evis Kushi, Ministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Republika e Shqipërisë
- Prof. Artan Hoxha, Rektor, Universiteti i Tiranës
- Prof. Spiro Drushku, Dekan, Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Përgjigja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës
- dt. Pergjigja e Ministrise se Arsimit dt. 27.10.2020
- Në interpelancë, në KuvendPergjigje Kuvendi znj. Valbona Nathaili, dt 3 shkurt 2021