Dr. Valbona Nathanaili
Jo të gjithë prindërit janë të aftë t’i japin fëmijës atë edukim për të cilin ka nevojë. Në fakt, kjo është një nga arsyet kryesore pse funksionon sistemi arsimor. Nga ana tjetër, edhe prindërit janë të ndërgjegjshëm që nuk mund ta zëvendësojnë shkollën, dhe jo vetëm për shkak të arritjeve akademike që siguron shkolla. Akoma më e rëndësishme është fakti që fëmija mëson në shkollë norma e parime që në kushtet e shtëpisë do i mungonin.
- Pak histori
Që në kohë shumë të lashta, afro 1700 vjet para lindjes së Krishtit, ekzistonin marrëveshje, ose më mirë ‘kontrata’, që u garantonin qenieve njerëzore të drejta dhe, në të njëjtën kohë, u siguronin elementët për mbrojtjen e këtyre të drejtave, duke shprehur qartë, në të njëjtën kohës, edhe pushtetet dhe ndarjen e tyre, përgjegjësitë dhe ndëshkimet në rastin e mosmarrjes së këtyre përgjegjësive. Kodi (një përmbledhje ligjesh) më i vjetër i shkruar që njihet është ai i Hammurabit, sundimtarit të Babilonisë, metropolit të parë të botës. Kodet janë gjendur të gdhendur në një monument guri të zi, tetë metra të lartë, ku çdo njeri mund të lexonte dhe të kuptonte me lehtësi se çfarë kërkohej prej tij.
Në kodin e Hammurabit një vend të rëndësishëm zënë përshkrimi i përgjegjësisë dhe i kujdesit prindëror, kohëzgjatja e kësaj përgjegjësie, mënyrat e ndarjes së pasurisë ndërmjet fëmijëve apo detyrimet reciproke prindër-fëmijë, të gjitha të shprehura në terma mjaft konkretë dhe pa ekuivokë. Bien në sy të drejtat dhe detyrimet e shumta që ka babai tek fëmijët, që kanë lidhje si me personalitetin e fëmijës, pasojë e marrëdhënieve personale jopasurore e që përfshijnë mirërritjen dhe kujdesin për rritjen e tyre, kur thuhet se Babai ka kontrollin e fëmijëve e tij deri në martesë, ashtu edhe me ato që ushtrohen lidhur me pasurinë e fëmijës dhe që lindin si rezultat i marrëdhënieve pasurore, kur thuhet se Babai ka të drejtë ta punësojë fëmijën e të marrë rrogën e përftuar nga puna e tij, për ta çuar pranë një zanatçiu apo edhe deri për ta shitur, të drejta që gjithsesi, mbarojnë me mbushjen e moshës madhore.
Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se që nga kohët e lashta dhe deri në ditët tona, koncepti dhe vetë marrëdhënia prindër-fëmijë ka pësuar një evoluim të vazhdueshëm, jo vetëm sepse strukturat dhe modelet familjare ndryshojnë nga dita në ditë, por sepse edhe vetë jeta jonë është bërë shumë më komplekse dhe e mbushur me probleme të vjetra e të reja të nacionalizmit, emigrimit, lëvizjeve demografike nga një zonë më e prapambetur në një më të zhvilluar, racizmit apo ksenofobisë. Sistemet tona të së drejtës gjenden gjithmonë përballë sfidave të reja, në përpjekje të zgjidhin a të trajtojnë praktika e çështje që shpesh janë vetë precedenti! Një nga aksiomat që jemi mësuar ta dëgjojmë gjithmonë është se “Familja është pikënisja e edukimit të fëmijës”. Vërtet prindërit kanë detyrimin moral e ligjor të edukojnë fëmijët e tyre, të zgjedhin e përshtasin për ta vlerat pozitive më të mira, por sa janë të aftë ta bëjnë? A duhet të ndërhyjë shteti në rastet kur prindi nuk është në gjendje të zbatojë detyrimin e edukimit të fëmijës së tij? Nga ana tjetër, pjesë e dispozitave të kodit të familjes është detyrimi i prindërve, në përputhje me mundësitë e tyre ekonomike, të kujdesen për arsimimin e fëmijëve, duke plotësuar, në të njëjtën kohë, edhe një nga të drejtat themelore të tyre si individë, atë të arsimimit, shprehur edhe në legjislacionin shqiptar. A janë në gjendje prindërit ta plotësojnë gjithmonë këtë detyrim?
Një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e llojit të edukimit më të mirë për fëmijën duhet të luajë edhe shkolla, nëpërmjet mekanizmave të saj, bazuar në aftësitë, prirjet natyrore dhe dëshirat e fëmijës. Në këtë pikëpamje, mësuesit duhet të jenë të përgatitur e të formuar, të aftë të nxisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e të drejtave të njeriut, të krijojnë në shkolla një klimë të ngrohtë mirëbesimi e mirëkuptimi aktiv, ku një vend të rëndësishëm të zejë respekti për tjetrin, për kulturën e prejardhjen e tij. Një vend të rëndësishëm duhet të zerë lënda e edukatës qytetare, mësimi i parimeve të demokracisë, kultivimi i respektit për të drejtat e njeriut dhe trajtimi i diversitetit si aspekt që zgjeron kulturën tonë. Duhet të kihet në vëmendje se edukimi nuk fillon e mbaron vetëm me arsimin formal të detyrueshëm, por është një proces i përhershëm, që zgjat përgjatë gjithë jetës.
Por synimi këtu nuk është të trajtojmë vlerat e padiskutueshme të shkollës dhe të sistemit shkollor, por të drejtat që kanë prindërit për të vlerësuar dhe gjykuar punën e saj.
Edukimi nëpërmjet shembullit dhe përvojës është gjithnjë shumë i mirë! Dhe praktik! Kam zgjedhur dy raste, që prindërit i janë drejtuar gjykatave ndërkombëtare kur kanë menduar se u janë shkelur të drejtat në edukimin e fëmijëve të tyre.
- Ndëshkimi trupor i fëmijës dhe prindërit si nismëtarë kundër ndëshkimit fizik në shkolla
Konventa për “Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut” u përfundua në Romë, më 1950, dhe u nënshkrua nga 15 qeveritë pjesëmarrëse. Konventa hyri në fuqi më 1953 dhe që nga ai vit, është kthyer në një nga traktatet më të fortë dhe më efektivë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Nëpërmjet kësaj Konvente, shtetet anëtare të Këshillit të Evropës angazhohen të garantojnë disa të drejta themelore njerëzore për të gjithë ata persona që janë nën juridiksionin e tyre. Rëndësia e Konventës qëndron edhe në faktin se shoqërohet me një mekanizëm mbrojtës, që është ngritur në Strasburg, me synin hetimin e shkeljeve dhe vënien përpara përgjegjësisë të fajtorëve.
Mekanizmat e mbrojtjes funksionojnë në dy mënyra:
- Çdo shtet palë ka të drejtë të ankohet pranë Komisionit Evropian, nëse mendon se një Shtet tjetër palë nuk i përmbush detyrimet e tij në bazë të Konventës.
- Çdo individ mund t’i drejtohet drejpërsëdrejti këtij komisioni, me një ankesë kundrejt një Shteti që është palë dhe që ka bërë një deklaratë të posaçme me anën e së cilës njeh kompetencën e komisionit në këët fushë (të gjitha shtetet e kanë bërë një deklaratë të tillë).
Mamatë si nismëtare kundër ndëshkimit fizik të fëmijëve në shkolla
Në çështje që lidhen me fushën e arsimit është për t’u përmendur rasti i dy mamave skoceze, Grace Campbell dhe Jane Cosans, të cilat ju drejtuan Gjykatës Evropiane me pretendimin se “Ndëshkimi trupor që përdorej në shkollat ku mësonin djemtë e tyre ishte në kundërshtim me nenin 3 të Konventës”. Në shkurt 1982, Gjykata Evropiane arriti në përfundimin se “Mbretëria e Bashkuar ishte në kundërshtim me Konventën Evropiane duke mosrespektuar kundërshtimet e prindërve ndaj ndëshkimeve trupore që jepeshin në shkollë”. Në fakt, asnjëri nga djemtë nuk ishte ndëshkuar fizikisht dhe Gjykata nuk e pranoi deklaratën e ndëshkimit fizik, por arsyetoi se Mbretëria e Bashkuar kishte dështuar në respektimin e të drejtës së prindërve për arsimimin e fëmijëve të tyre, sepse në nenin 2 të Protokollit 1 thuhet: “Asnjë personi nuk i mohohet e drejta për arsimim. Në ushtrimin e çdo funksioni që lidhet me arsimimin dhe mësimdhënien, Shteti respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë lloj arsimi dhe mësimdhënieje konform bindjeve të tyre filozofike e fetare”. Jeffrey Cosans, 15 vjeç, ishte përjashtuar nga shkolla sepse kishte refuzuar marrjen e ndëshkimit fizik. Gjykata gjeti se atij i ishte mohuar e drejta për të marrë arsimim.
Ky gjykim si dhe vendime të tjera marrë nga Komisioni Evropian për të Drejtat e Njeriut në favor të aplikimeve bërë nga prindërit dhe fëmijët e tyre në shkolla të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar, bënë që më 1987, legjislacioni arsimor i këtij vendi të hiqte ndëshkimin trupor për të gjitha shkollat e sistemit publik dhe më shtator 1999, të hiqej edhe nga shkollat private.
- Kush duhet të vendosi për kurrikulën shkollës?
Gjyqi i “Kjeldsen, Busk Madsen dhe Pedersen vs. shtetit të Danimarkës”
Konteksti
Shteti i Danimarkës ka bërë pjesë të kurrikulës orën e edukimit seksual, orë e detyrueshme për t’u ndjekur nga të gjithë. Ky ndryshim në kurrikul është aprovuar sipas të gjitha procedurave të rregullta. Gjatë dhënies së kësaj ore mësimi është vendosur:
- nuk duhet të ketë pornografi.
- mësuesit nuk duhet ta zhvillojnë një lëndë të tillë duke qenë vetëm për vetëm me nxënësin.
- mësuesit nuk duhet të japin informacion për metoda të ndryshme të kryerjes së marrëdhënieve seksuale
- mësuesit duhet të kenë kujdes me fjalorin, duke mënjanuar përdorimin e fjalëve vulgare.
Por edhe pse ka rregulla e kufizime se si duhet dhe nuk duhet të zhvillohet një orë e tillë, disa prindër të një shkolle shtetërore janë të pakënaqur. Ata pretendojnë se fëmijët e tyre nuk janë tërësisht të mbrojtur dhe të sigurt gjatë zhvillimit të kësaj ore. Bëjnë disa peticione për të mos lënë fëmijët të ndjekin orët e edukimit seksual, por drejtoria e shkollës nuk i merr parasysh. Rrugëzgjidhja që gjetën ishte largimi i fëmijëve nga shkolla dhe drejtimi në Gjykatën Evropiane.
Neni 76 i Kushtetutës Daneze shprehet: “Të gjithë fëmijët që janë në moshë shkollore kanë të drejtën të ndjekin mësimin falas në shkollën fillore”.
Neni 2 i protokollit 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut thotë: “Asnjë personi nuk i mohohet e drejta për arsimim. Në ushtrimin e çdo funksioni që lidhet me arsimimin dhe mësimdhënien, Shteti respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë lloj arsimi dhe mësimdhënieje konform bindjeve të tyre filozofike e fetare”.
Procesi
Pretenduesit argumentonin se Qeveria Daneze kishte shkelur nenin 2 të protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut duke refuzuar përjashtimin e fëmijëve të pretenduesve nga mësimet e detyrueshme të edukatës seksuale në shkollë.
Shteti argumentonte se neni 2 lidhet vetëm me mësimet fetare dhe jo me të gjitha format e mësimit, sikundër ishte rasti i mësimit të edukatës seksuale.
Rezultati i rastit
Gjykata u shpreh se çdo mësimdhënie duhet të respektojë bindjet morale dhe fetare të prindërve, duke vazhduar se Shteti “duhet të tregojë kujdes që informacioni apo dijet e transmetuara e të përfshira në kurrikul janë përcjellë me objektivitet, në mënyrë kritike e pluraliste. Shteti ndalohet të ndjekë synimin e çdo lloj doktrinimi që mund të konsiderohet si mungesë respekti ndaj bindjeve fetare apo morale të prindërve”; për shembull, neni 2 mund të thuhet se është shkelur nëse gjatë përcjelljes së lëndës së edukatës seksuale tek fëmijët, mësuesi e mbështet duke manifestuar ndonjë tip të veçantë sjelljeje seksuale apo e zhvillon në një moshë të caktuar.
Sidoqoftë, mësimet për edukatën seksuale, të cilën legjislacioni e lejon të përcillet tek nxënësit, nuk kanë ndonjë sasi indoktrinimi apo mbrojtje të ndonjë lloj të veçantë sjelljeje seksuale. Për më tepër, prindërit e kanë të drejtën për të edukuar fëmijët e tyre në shtëpi me ato bindje morale dhe fetare që mendojnë se janë më të mirat për to, për rrjedhojë përcjellja e edukimit seksual në vetvete nuk përbën shkelje të nenit 2.
Arsyetim
Besimet morale dhe filozofike të prindërve të përfshirë në këtë rast nuk janë në kundërshtim, në gjithshka, me ato të shkollës. Situata bëhet shumë më komplekse kur besimet fetare të prindërve janë në kundërshtim të plotë me ato që mësohen në shkolla, si për shembull kur fëmijët ndjekin shkolla fetare.
Pyetje
Një praktikë të tillë duhet ta arsyetojmë si e drejtë kulturore apo ta trajtojmë si shkelje të të drejtave të fëmijës për të marrë arsim fillor sa më gjithëpërfshirës?