Dhuntitë fizike nuk janë si ato intelektuale. Ato janë të dukshme. Gjatësia, muskujt, pesha, raportet e përmasave – të gjitha janë të dukshme. Po aq të dukshme janë edhe në se ushtroheni e praktikoheni në sporte. Të dyja bashkë prodhojnë një rezultat tepër të kapshëm nga sytë. Shembujt më poshtë mund t’ju bindin të hiqni dorë nga legjenda urbane e triumfit vetëm nga talentet e lindur.
Të parët që po rendis janë Muggsy Bogues, lojtar i skuadrës së bejsbollit të NBA-së 1.60 m i gjatë dhe Doug Flutie, qendërmbrojtësi po aq shtatvogël që ka luajtur për New England Patriots dhe San Diego Chargers. Mund të vazhdojmë me Pete Gray, një nga lojtarët më të mirë të kampionateve kryesore, megjithëse kishte humbur krahun e djathtë në një aksident në fëmijërinë e hershme. Akoma, Ben Hogan, një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në golf, i cili i kishte të gjitha shanset kundra për shkak të varfërisë dhe mungesës totale të përkrahjes në moshën e fëmijërisë. Glenn Cunningham, atleti i shkëlqyer, me këmbë të djegura dhe shumë të dëmtuara. Larry Bird dhe paaftësia e tij për të qenë shumë i shpejtë në lëvizje. Shembujt e mësipërm na tregojnë se njerëz me shtat të shkurtër, papërkrahje e të varfër, ose edhe të “pa aftë” ja kanë dalë, ndërkohë që shumë të tjerë, me pamje dhe të dhëna ato të një zoti, nuk kanë mundur. A vlejnë të gjithë shembujt sa më sipër për të dhënë një mesazh?
Ekspertët e boksit mbështeten në të dhënat fizike, të ashtuquajturat “prerje ideale”, për të identifikuar talentet e lindur, natyralë. Në lidhje me këtë, ata masin madhësinë e grushtit dhe gjatësinë e arritjes gjatë një grushtimi, gjerësinë e gjoksit dhe peshën. Por Muhammad Ali nuk mundi t’i arrijë këto përmasa. Ai nuk ishte talent i lindur, ose natyral. Ali ka qenë shumë i shpejtë, por nuk kishte fizikun e një luftëtari të madh, nuk kishte fuqinë e duhur dhe nuk zotëronte lëvizjet klasike. Në fakt, loja e tij e boksit ishte totalisht gabim. Nuk i bllokonte gjuajtjet me krahë dhe bërryla. Në ndeshje grushtonte si një amator. Nofullat i kishte të ekspozuara ndaj gjuajtjeve të kundërshtarit. E tërhiqte bustin mbrapa për të shmangur ndikimin e grushtimit që po vinte, lëvizje për të cilën Jose Torres shprehej se “i ngjante drejtuesit të një makine, i cili për të evituar përplasjen me një makinë tjetër në ardhje, lëvizte mbrapsht në të njëjtën trajektore, jo duke e ndryshuar atë”.
Sonny Liston, kundërshtari i Aliut ishte një talent i lindur, natyral. Ai i kishte të gjitha – përmasat, fuqinë dhe përvojën. Fuqia e tij ishte shndërruar në legjendë. As nuk mund të përfytyrohej se Ali mund t’ia dilte e të mposhtte Sonny Liston. Ndeshja dukej kaq e kotë dhe ideja se mund të kishte ndonjë surprizë në lidhje me rezultatin kaq qesharake, sa salla ishte mbushur përgjysmë.
Por përpos qetësisë që karakterizonte Aliun, ai kishte edhe një armë tjetër të fortë, mendësinë. Trurin, jo muskulin e tij. Ai studioi jo vetëm konstruktin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshej, por edhe mënyrën e tij të të menduarit. Ali studioi jo vetëm stilin e ndeshjes së Liston, por u përpoq të vëzhgojë sa më shumë edhe se çfarë lloj personi ishte Liston jashtë ringut: “Lexova sa më shumë që munda rreth tij, pothuaj çdo intervistë që kishte dhënë. Bisedova me shumë njerëz që e njihnin nga afër, që i kishin qëndruar pranë, punuar për të a biseduar me të. Shtrihesha në shtrat dhe nuk më zinte gjumi derisa kisha mbaruar së bëri bashkë e rendituri në kokën time çdo gjë që kisha dëgjuar a lexuar, gjithnjë në synimin për të pasur një tablo sa më të qartë të mënyrës se si funksiononte mendja e tij”. Gjatë ndeshjes i vuri të gjitha këto dije kundra tij.
Pse Ali kërkonte të dukej “si i çmendur” përpara çdo ndeshjeje? Sepse, – shprehet Torres, – ai e dinte se grushti që mund ta nxirrte jashtë loje ishte pikërisht ai që nuk shihte. Sipas Ali, “Liston duhej të besonte se unë isha i çmendur. Se isha i aftë të bëja çdo gjë. Ai nuk duhej të shihte te mua asgjë, përveçse gojën dhe pikërisht ky ishte qëllimi im: gjithë sa duhej që ai të shihte te mua!”
Fluturo si një flutur
Thumbo si një bletë,
Duart nuk mund të godasin
Atë që nuk mund të shikojnë.
Fitorja e Ali ndaj Liston ka hyrë në historinë e boksit. Një menaxher i famshëm i boksit shprehet në këtë mënyrë në lidhje me Ali:
“Ishte një paradoks. Performanca e tij në ring ishte totalisht e gabuar… Por truri i tij funksiononte në mënyrë perfekte”. “Ai na e bënte të qartë gjithnjë, me një buzëqeshje aq të madhe, sa pushtonte gjithë fytyrën, se të gjitha fitoret vinë nga këtu,” dhe godiste ballin me gishtin tregues. Më pas ngrinte lart grushtin, duke thënë: “Jo nga ky.”
Gjithsesi, kjo nuk e ndryshon mendësinë e njerëzve në lidhje me të dhënat fizike. Jo. Edhe në se kthejmë kokën mbrapa dhe i gjykojmë arritjet e tij në dritën e një mendësie të re, përsëri shohim fizikun e një boksieri të madh. Ishte më se e dukshme që mendja e tij ishte aq e mprehtë, përpos faktit që shkruante edhe poezi të mrekullueshme, por përsëri mendojmë se madhështia e tij mbështetet pikërisht në fizikun që zotëronte. Dhe nuk arrijmë të kuptojmë se si ekspertët nuk arritën ta kuptojnë madhështinë e këtij njeriu që në fillim.