Taksonomia e pyetjeve, sipas Benjamin Bloom (21 shkurt 1913-13 shtator 1999) përfshin gjashtë nivele pyetjesh (në Taxonomy of Educational Objectives: The Classification of Educational Goals, botuar për herë të parë më 1956).
Pyetjet në taksonomi ndërtohen mbi njëra – tjetrën.
Pyetje të nivelit të ulët
- Pyetjet e njohjes. Janë niveli më i ulët i taksonomisë. Pyetjet e njohjes kërkojnë që nxënësit të mbajnë mend fakte të rëndësishme, përkufizime apo vlera. Duke iu përgjigjur një pyetje të njohjes, nxënësi tregon se mban mend diçka dhe ka aftësinë të riprodhojë njohuri. Mangësi: pyetjet e njohjes theksojnë më shumë rikujtimin, se sa të kuptuarit.
- Pyetjet e të kuptuarit. Zakonisht përmbajnë këto folje: interpreto, konkludo, mbro, përgjithëso, përkufizo, parashiko, perifrazo. Këto lloj pyetjesh kërkojnë, zakonisht: ndryshimin e informacionit nga një formë, në një tjetër (fjalë me fjalë, grafik me fjalë dhe anasjelltas, etj); ose përshkrimin e lidhjes midis dy a më shumë ideve.
- Pyetjet e zbatimit. Këto lloj pyetjesh kërkojnë që nxënësit jo vetëm të mbajnë mend dhe të kuptojnë informacionin e paraqitur, por edhe ta përdorin atë për të zgjidhur probleme. Ato janë pyetje që përfshijnë parime/ligje të mësuara më parë në zgjidhjen e problemave të reja.
Pyetje të nivelit të lartë
- Pyetjet e analizës. Pyetjet e analizës kërkojnë ose zbërthimin e një fenomeni në pjesët përbërëse, ose kërkimin e lidhjeve ndërmjet dy a më shumë fenomeneve/ dukurive etj. Disa nga foljet që përdoren për të formuluar pyetje të kësaj natyre janë: ilustro, dallo, diferenco, nda, nënvizo, trego.
- Pyetjet e sintezës. Në këto lloj pyetjesh, nxënësve u kërkohet të marrin ide të mësuara më parë dhe t’i kombinojnë ato në mënyrë që të krijojnë një model të ri. Një mënyrë e formulimit të një pyetje të tillë është lidhja ndërmjet një teme të shpjeguar me problemet e komunitetit. Ose diskutimet për çështje të debatueshme. Foljet e përdorura për ndërtimin e pyetjeve të tilla janë: kompozo, harto, krijo, përpilo, përmblidh, karakterizo, rishkruaj. Këto lloj pyetjesh nxisin interesin dhe krijimtarinë te nxënësit, por duhet pasur në vëmendje se nuk flitet vetëm për një përgjigje të saktë. Ndërkohë, theksohet që vlerësimi i këtyre lloj pyetjeve është i vështirë dhe gjithnjë përmban doza subjektiviteti.
- Pyetjet e vlerësimit. Në formulimin e këtyre lloj pyetjeve synimi është që nxënësit të gjykojnë për një çështje të caktuar: e saktë apo e gabuar, e mirë apo e keqe, e saktë apo e gabuar etj. Në pyetjet e vlerësimit kërkohen dy gjëra: 1. Nxënësi duhet të krijojë kritere për të bazuar gjykimin e bërë; 2. Të gjykojnë mbi bazën e këtyre kritereve. Përgjigjet e nxënësve ndryshojnë në varësi të kritereve të vendosur. Por e rëndësishme është jo vetëm që i krijuan këto kritere, por edhe që gjykuan mbi bazën e tyre për të nxjerrë përfundime. Këto lloj pyetjesh kontribuojnë në nxitjen e mendimit të lirë dhe të tolerancës për mendimin e tjetrit.