Në Shqipëri nuk ka institucione që të përcaktojnë, saktësisht, se cila është media më me ndikim, ose me popullaritet më të madh, si dhe çfarë fitimi real ka nga aktiviteti i saj.
Të gjitha sondazhet e zhvilluara për tirazhin, audiencën dhe tregun e reklamave, deri tani janë kontestuar nga segmente të caktuara të medias, duke përfshirë pak a shumë edhe studimin një mujor të Autoritetit të Mediave Audiovizive për tregun dhe të ardhurat nga reklamat.
Nga një monitorim i kryer në vitin 2015 nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, vlera e tregut të reklamave është vlerësuar, afërsisht, me 21 milionë euro në vit, ose sa trefishi i shifrës së deklaruar nga vetë media dhe agjencitë e reklamave.
Por sidoqoftë, dinamika e zhvillimit të medias shqiptare duhet parë e lidhur ngushtë me vetë ata që i zotërojnë këto media.
Struktura e pronësisë së mediave kryesore
- Grupi “SPEKTER” ka në pronësi: Gazeta “Shekulli”, gazeta “Sporti Shqiptar”, “Biznes” – gazetë ekonomike on-line, revista “Spektër”, Botimet MAX, “Radio +2”, “Tv A1”, agjenci reklamash, Abisnet etj
- Grupi “MEDIA 6” ka në pronësi: Tv “Klan”, gazeta “KOHA JONË”, Paketa “Super Sport” etj
- Grupi “Edi SUD” ka në pronësi: Gazeta Shqiptare, Agjencia “Ballkan Web”, Tv “News 24”, Radio “RASH”
- Kompania “TOP MEDIA” ka në pronësi: Top Albania Radio, Tv “Top Channel”, Radio “Top Gold”, radio “Muzika Jonë”, DigitAlb, Gazeta “Shqip”, paketa “Supersport”, agjenci reklamash e studio grafike etj.
- Grupi “Media Vizion ka në pronësi: Tv “Vizion +”, paketa digitale “Tring”, Gazeta “Albania”
- “PANORAMA” Grup ka në pronësi: Gazeta “Panorama” dhe “Panorama Sport” dhe gjithe Edi Sud.
Prirja më e diskutueshme e medias shqiptare është rritja e vazhdueshme e numrit të mediave elektronike dhe të shkruar, ndonëse shifrat tregojnë se vetëm pak prej tyre janë fitimprurëse. Këtej lind pikëpyetja kryesore që ka të bëjë me mënyrën e financimit të mediave dhe transparencën e tyre.
Kur flasim për transparencë duhet të kuptojmë
- transparencën e pronësisë
- transparencën e financimeve.
Çështja e transparencës së medias duhet parë në kuadrin e transparencës në përgjithësi. Vetëm nëse do të kemi një skemë politike transparente, mund të flasim edhe për transparencë të medias, por nga shkalla e transparencës së medias varet edhe shkalla e pavarësisë së saj.