Vitamina D është prohormon dhe jo vitaminë, por për arsye të traditës, vazhdon të quhet vitaminë. Gjithsesi, termi i ri nuk na pengon t’i japim asaj të gjitha tiparet hormonale, si: sinteza endogjene nën veprimin e një hormoni trop, transporti dhe veprimi në largësi nga vendi i prodhimit etj.

  • Sinteza dhe shndërrimet metabolike

Termi vitaminë D i referohet një grupi sterolesh që formohen nga veprimi i rrezeve të diellit mbi format përkatëse provitaminike. Provitaminat kryesore janë ergosteroli dhe 8-dehidrokolesteroli. Ergosteroli gjendet, kryesisht, te bimët, kurse 7- dehidrokolesteroli është një pararendës normal i kolesterolit, që gjendet në indet e kafshëve dhe të njeriut. Nën veprimin e rrezeve të diellit, në indin dhjamor të nënlëkurës ndodh një reaksion fotokimik, që shndërron 7-dehidrokolesterolin në vitaminë D3. Provitamina D3 kthehet në vitaminë D3 nëpërmjet një procesi që varet nga temperatura dhe zgjat rreth 48 orë. Kjo do të thotë se shndërrimi i provitaminës D3 në vitaminë D3 ndodh gjatë disa ditëve pas ekspozimit në diell. Nga veprimi i rrezeve ultravjollcë mbi provitaminën D3 formohen edhe dy produkte të tjera: lumisteroli-3 dhe takisteroli-3. Megjithëse melanina konkuron me 7-dehidrokolesterolin për fotonet, supozohet se formimi i këtyre produkteve pa aktivitet biologjik luan rol mbrojtës ndaj formimit të shtuar të vitaminës D3 gjatë ekspozimeve të zgjatura në diell.

Nuk ka dyshim se ky furnizim i organizmit me vitaminë D3 nga burimet e brendshme është vendimtar, si dhe më i rëndësishmi nga ana sasiore. Produkte të ngjashme lindin edhe nga veprimi i rrezeve të diellit mbi ergosterolin. Nga ky veprim lind vitamina D2 ose ergokalciferoli. Këto reaksione ndodhin te bimët dhe organizmi i njeriut e merr vitaminën me rrugë ushqimore. Të dyja këto derivate, d.m.th. vitamina D3 dhe D2 në organizimin e njeriut pësojnë shndërrime metabolike të njëjta dhe kanë role biologjike po të njëjta. Prandaj termi vitaminë D u referohet të dyja këtyre formave.

Produkt natyror i pasur me vitaminën D3 është vaji i peshkut, i cili është përdorur gjerësisht në të kaluarën për mjekimin e rakitit. Ajo që historikisht njihej si vitamina D1, sot dihet se përbëhet nga një përzierje sterolesh, kurse vitaminat D4 dhe D5 kanë veprim të dobët vitaminik.

Vitamina D ushqimore thithet në zorrë në prani të lipideve dhe acideve biliare, veçanërisht në prani të deoksikolatit. Dëmtimet hepatike dhe biliare, si dhe gjendjet në steatore kronikë mund të dëmtojë rëndë thithjen e vitaminës D në zorrë.

Vitamina D depozitohet shumë në organizëm, veçanërisht në indin dhjamor. Veprimet kryesore të vitaminës D janë ato që lidhen me metabolizmin e kalçiumit dhe të fosfatit. Kjo vitaminë ndikon në ruajtjen normale të kalçiumit dhe fosfatit në plazmë. Ndikimi i saj mund të klasifikohet në tri grupe kryesore:

  1. Nxit thithjen e kalciumit dhe fosfatit nga zorrët;
  2. Nxit mobilizimin e kalçiumit në kocka;
  3. Rrit thithjen e kalciumit dhe fosfatit nga veshkat.

Nga të gjithë metabolitet e vitaminës D, vitamina D3 është më aktivja dhe me funksionet më të njohura, prandaj veprimet e shpjeguara më poshtë i përkasin kësaj substance.

Vitamina D3 shkon në indet shenjë të veprimit të saj e lidhur me globulinën transportuese të vitaminës D. Pasi shkëputet nga transportuesi, ajo difuzon në citoplazmë dhe lidhet me receptorët e saj citoplazmikë. Kompleksi vitaminë D aktive receptor futet në bërthamë dhe nxit sintezën e mARN-ve për proteina specifike. Receptorë të kalcitriolit janë gjetur në zorrë, kockë, veshka, lëkurë, indet e gjirit, paratiroide, hipofizë, monocite, tru, qeliza B të pankreasit etj. Me përjashtim të tri organeve të para, rëndësia fiziologjike e këtyre receptorëve nuk dihet.

  • Veprimet në zorrë

Kalcitrioli, pasi lidhet me receptorin e tij në citoplazmën e qelizave të zorrës, futet në bërthamë dhe nxit sintezën e mARN të paktën për dy proteina: fosfataza alkaline dhe proteina, që lidh Ca2+ (calcium-binding protein, Ca BP). CaBP në zorrën ..e sisorëve ka masë molekulare 9700. Në të vërtetë nga veprimi i kalcitriolit në indet e tjera të sisorëve rritet sinteza edhe e një CaBP tjetër me masë molekulare 28000. Stimulimi i sintezës së proteinave të mësipërme rrit thithjen e Ca2+ nga hapësira e zorrës në citoplazmën e qelizave. Kalcitrioli rrit edhe pompimin e Ca2+ nga membranat bazolaterale të qelizave të epitelit të zorrës. Nga veprimi i kalcitriolit nxitet metabolizmi i Pi, kolinës, etanolaminës nga membranat e qelizave të zorrës. Lidhja e këtyre veprimeve me thithjen e Ca2+ nuk dihet. Në të vërtetë, përdorimi i frenuesve të biosintezës së proteinave, si ciklohekzimida nuk e frenon thithjen e Ca2+ nga zorra, gjë që tregon se vitamina D ndikon në këtë proces edhe me mekanizma të tjerë ende të panjohur. Kalcitrioli nxit thithjen e Pi nga zorra, madje përpara nxitjes së thithjes së Ca2+.

  • Veprimet në kocka

Format aktive të vitaminës D mobilizojnë Ca2+ nga kocka, duke e nxjerrë në gjak. Bazat molekulare të këtij veprimi nuk njihen mirë. Sipas koncepteve moderne të ndërtimit të kockës, qelizat osteoblaste përbëjnë një membranë ndarëse midis lëngut kockor dhe lëngut jashtëqelizor (plazma). Proceset citoplazmike të osteoblasteve formojnë lidhje me zgjatimet citoplazmike të osteocideve të matriksit kockor. Prania e kësaj membrane ndarëse bën që kalciumu i lëngut kockor të mos jetë në ekuilibër me kalciumin e plazmës. Pikërisht në membranën plazmatike të osteoblasteve ndodhet një mekanizëm pompues, që nxjerr Ca2+ nga citoplazma e tyre në hapësirën jashtëqelizore. Ky mekanizëm pompues nxit nga 1.25 (OH)2 Vit. D3. Parahormoni nxit transportin e Ca2+ nga lëngu kockor në osteoblasteve dhe osteocite. Kalciumi nga osteocitet mund të transportohet në osteoblastet. Ky mekanizëm shpjegon sinergjizmin midis vitaminës D dhe parathormonit në mobilizimin e Ca2+ nga kockat. Disa studime të viteve të fundit kanë treguar se kalcitrioli nxit kalimin e qelizave mononukleare osteoklaste multinukleare, të cilat, siç dihet, ndikojnë në rezorbimin e kockës. Me veprimin e këtyre mekanizmave realizohet mobilizimi i Ca2+ nga zonat e vjetëruara kockore, që duhet t’i nënshtrohen rigjenerimet. Kalcemia dhe fosfatemia janë faktorë vendimtarë për të siguruar ritmet normale të mineralizimit në zonat e reja kockore.

  • Veprimi në veshka

1.25 (OH)2 Vit. D3 vepron në veshkë dhe rrit thithjen e Ca2+ dhe Pi dhe kalimin e tyre në gjak. Këto mekanizma kanë rëndësi fiziologjike të paktë.

Pamjaftueshmëria e vitaminës D

Deficiti i vitaminës D mund të lindë nga prodhimi i pamjaftueshëm endogjen, sasitë e pakta në dietë ose nga pamundësia e zorrës për të kryer thithjen normale të saj. Sëmundjet që çojnë në deficit të vitaminës D mund të lidhen me ndryshimin e metabolizmit të vitaminës D, p.sh. deficiti i 1a-hidroksilazës, me pamundësinë e indeve për t’iu përgjigjur vitaminës D, p.sh. deficitet gjenetike të receptorëve citoplazmikë, ose me përdorimin e substancave me aktivitet antivitaminik. Shenjat kryesore klinike të këtyre gjendjeve janë rakiti në fëmijët dhe osteomalacia në të rriturit.

Nevoja ditore tek të rriturit nuk janë të njohura mirë. Te fëmijët kjo nevojë është 10 (400 UI).