• 1 nëntor 2019 Nga Sarah Tesh / Marrë nga numri i nëntorit 2019, “Physics World”.
  • Përktheu: Valbona Nathanaili

Fizikani dhe matematikani Spiros Michalakis në një bisedë me Sarah Tesh për përvojën e tij si këshilltar shkencor në Hollywood për filmat “Njeriu merimangë”dhe “Kapiteni Marvel”.

Sarah Tesh: Cili është roli dhe fokusi juaj kërkimor shkencor në “Institutin për Informacionin Kuantik dhe materien”, në Caltech, Kaliforni?

Spiros Michalakis: Unë jam një fizikant matematikor në “Institutin për Informacionin Kuantik dhe materien” (IQIM, The Institute for Quantum Information and Matter), në Caltech, SHBA. Hulumtimi im fokusohet në mekanizmat fizikë dhe matematikorë që qëndrojnë në themel të hapësirë-kohës. Një nga pjesët më të mira të punës time në Caltech është, se mund të ndaj me publikun të gjitha kërkimet – edhe ato më të fundit – që bëjmë këtu. Për shembull, si menaxher i marrëdhënieve me publikun, synimi kryesor i të cilit është të krijojë, përmirësojë dhe/ose forcojë marrëdhëniet e IQIM-së me komunitetin dhe donatorët, kam bashkëpunuar me Google për të shtuar fizikën kuantike në Minecraft dhe e kam bindur Paul Rudd të luajë shah kuantik – një lojë të vërtetë – kundër Stephen Hawking.

Sarah Tesh: Kur dhe si filluat si këshilltar shkencor për filma?

Spiros Michalakis: Përfshirja ime në Hollywood ndodhi sipas dy rrugëve paralele. Së pari, miku dhe kolegu im Sean Carroll më prezantoi me programin “Ndërthurrja e Shkencës me Argëtimin”, një nismë e Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA. Kjo ka ndodhur rreth gjashtë vjet më parë, në vitin 2013. Përafërsisht në të njëjtën kohë, një mik tjetër më prezantoi me Ed Solomon, një nga autorët që qëndron pas klasikëve të tillë si “Aventurat e shkëlqyera të Bill & Ted” (1989) dhe “Men in Black” (1997).

Sarah Tesh: Për cilët filma keni punuar?

Spiros Michalakis: Filmi im i parë që arriti në prodhim është “Ant-Man” (2015) i “Marvel Studios”. Që atëherë, kam punuar për “Now You See Me/ 2” (2016), “Njeri-Merimangë: Kthimi në shtëpi” (2017), “Ant-Man and the Wasp” (2018), “Kapiteni Marvel” (2019) dhe për serinë e tretë të filimit Bill & Ted, me titull “Bill& Ted Face the Music” (2020).

Sarah Tesh: Në cilët elementë të veçantë të tyre keni ndikuar në këta filma?

Spiros Michalakis: Mendoj se ndikim më të madh kam pasur në Universin Kinematik të Marvel, ku prezantoj “Mbretërinë Kuantike”, një vend ku hapësira dhe koha funksionojnë ndryshe. Në rastin e “Ant-Man and Wasp”, sugjeroj që ndërthurrja kuantike mund të jetë çelësi për të shpëtuar personazhin që luhet nga Michelle Pfeiffer – Janet Van Dyne – nga Mbretëria Kuantike. Po ashtu, në personazhin e Bill Foster – luajtur nga Lawrence Fishburne – i cili shpjegon se si mbivendosja kuantike midis realiteteve të shumëfishta mund t’i hapë rrugë përvojës sonë të përditshme të një realiteti të veçantë dhe objektiv. Në “Now You See Me/ 2”, prezantoj konceptin e rendit kuantik topologjik, një burim i fuqishëm që na lejon të vëzhgojmë fenomenet kuantike në shkallë makroskopike, ndërsa tek “Bill & Ted” gjithçka ka lidhje me përmirësimin e makinës së tyre të kohës.

Sarah Tesh: Disa momente të veçanta nga puna juaj si këshilltar shkencor?

Spiros Michalakis: Në gusht të këtij viti (2019) kalova një javë me Keanu Reeves dhe Alex Winter në xhirimet e filmit të ri “Bill & Ted”. Nuk do ta harroj kurrë që Keanu më pyeti: “Pra, çfarë ka të re me fizikën?” Sigurisht, i thashë se e gjithë bota është një hologram, duke iu referuar teorisë së dualitetit matje/gravitet. Keanu ngriti duart lart dhe tha diçka që pak a shumë mund të përmblidhet në këtë mënyrë “Ti po e shpik këtë”, dhe filloi të ecte drejt kamerës, ku të gjithë të tjerët prisnin të filmonin një skenë. Në gjysmë të rrugës për tek kamerat, u kthye dhe m’u afrua përsëri, duke shtuar: “Si është e mundur një gjë e tillë?” E kalova pjesën tjetër të javës duke i treguar gjithçka për arritjet më të fundit në fizikë, të cilat më pas shkonte dhe i ndante me pjesën tjetër të kastit dhe ekipit. Shumë shpejt të gjithë filluan të më bënin pyetje për fizikën. Ishte shumë bukur dhe zgjati gjithë javën. E vetmja gjë që duhej të kisha kujdes është të mos shkelja orarin e xhirimeve për atë ditë.

Sarah Tesh: Cili ka qenë protokolli i bashkëpunimit me “Marvel Studio”? Ju dërgonin më parë ndonjë problem për të zgjidhur, ose skenar për të lexuar, apo për t’u takuar me grupin dhe diskutuar për çështje të ndryshme?

Spiros Michalakis: Puna me “Marvel Studio” ka qenë shumë argëtuese. Për “Ant-Man”, pata mundësinë të takohem me Paul Rudd, si dhe pjesën tjetër të grupit të “Pinewood Studios” në Atlanta. U ulëm rreth një tavoline konferencash dhe biseduam për orë të tëra. Pali ishte veçanërisht kurreshtar për fizikën kuantike. Për “Ant-Man” dhe “Wasp” punova në mjediset e “Marvel Studios”, çuditërisht afër me Caltech. Aty u takova me skenaristët e filmit. Më pas autorët ma dërguan për ta redaktuar. Kjo ishte një përvojë e re, duke pasur parasysh kujdesin e “Marvel Studio” në lidhje me rrjedhjet. Puna më pengoi të shkoja në sheshin  e xhirimeve, por skenaristët më telefononin vazhdimishit dhe më kërkonin këshilla në mes të filmave.

Sarah Tesh: Mendoni se ndonjë nga këshillat tuaja nuk është marrw parasysh?

Spiros Michalakis: Kam punuar në draftin e parë të “Captain Marvel” të “Marvel Studio” me Nicole Perlman, skenaristen e filmit “Guardians of the Galaxy”. Plani ishte që personazhi i Brie Larson, Carol Danvers – i njohur si “Captain Marvel” – të ishte një fizikane kuantike me ekspertizë në kriptografinë kuantike. Fuqitë e saj duhej ta kishin burimin në faktin, që ishte në gjendje të kuptonte – vetwm ajo – proceseve që ndodhin brenda Mbretërisë Kuantike. Nicole ia prezantoi idenë Kevin Feige, kreut të “Marvel Studio”, por nuk ia doli. Kohët e fundit, një mik i yni i përbashkët organizoi një darkë me Brie dhe, pas pak verë të mirë, i tregova se cili ishte vizioni im për karakterin e saj. Mendoj se asaj i pëlqeu shumë ideja – por ndoshta ishte vera.

Sarah Tesh: Ndërsa ishit të përfshirë në zhvillimin e Mbretërisë Kuantike të Marvel, iu ishit këshilltar shkencor edhe për “Avengers: Endgame” (2019)?

Spiros Michalakis: Duke pasur parasysh rëndësinë e Mbretërisë Kuantike në “Avengers: Endgame”, më pyesin shpesh për rolin tim në film. E vërteta është se unë nuk jam këshilltar për asnjërin nga filmat e Luftës së Pafundësisë. Interesante është që shumë koncepte e teori që kisha ndarë në lidhje me atw se si funksionon koha në “Mbretërinë Kuantike” gjatë rolit tim si kwshilltar për filmat “Njeriu merimangë” dhe “Wasp” gjejnë mënyrën të shfaqen në “Avengers: Endgame”. Megjithatë, kur e pashë filmin, u befasova kur dëgjova terma të tillë si për shembull “Propozimi gjerman”. Në fillim isha mosbesues. Por, çuditërisht, gjithçka duket se ka kuptim.