DODONA

Shënim,Valbona Nathanaili. Përpara disa ditësh (dt. 20 shkurt 2020), Fondacioni “Henrietta Leavitt” ka paraqitur për lexuesin një artikull të Dr. Tahsin Jonusi, me titull Dodona dhe Tomorri  (botuar, fillimisht, në gazetën “Arbëria”, të vitit 1937, lexo këtu artikullin e plotë). Në vitin1937, artikulli ngjalli polemika, që u botuan në periodikë të ndryshëm të kohës. Po vijojmë me botimin e dy artikujve të tjerë të Dr. Jonusit (dhe të fundit për të njëjtën çështje): “Është apo jo Dodona në Tomorr”, jo si kureshtje për korrespodencën e kohës ndërmjet autorëve e studiuesve, por si pjesë të angazhimit tonë ndaj shoqërisë, për t’i vënë në dispozicion fakte dhe të vërteta; si pjesë të synimit për t’i adresuar çështjet, edhe pse me interes kombëtar, bazuar vetëm në studime dhe jo në emocione të përkohshme nacionaliste.

Vërejtje: Në zbardhjen e materialit, janë bërë përpjekjet maksimale për të ruajtur drejtshkrimin e kohës. Është parë me vend të bëhen ndryshime të vogla të parëndësishme, për të lehtësuar leximin. Burimi i referuar është një udhërrëfyes i mirë për të konsultuar origjinalin.

Revista e përmuajshme kulturore “Kombi”, Prill 1938

Nuk kishjem me i hy kësaj pune, pse asht shkrue mjaftë, sikur të mos ishte bá fjalë në fletoren “Drita”, d. 22-II-38 No. 337, për dy gjana të cilat janë lidhun ngushtë me Dodonën: 1) Emni i malit Uliçka (Tomaros); 2) Largësija ndërmjet Ambrakia-s (Nartës s’Épirit) dhe Dodonës më nji anë, dhe Dodonë-Butrinto m’anë tjetër.

Por që të kthjellohet puna mirë duhet të prekim këtu nji çáshtje me randësi të madhe: Problemin toponomastik të Shqipnisë.

Sikur qafa e Dhodhonit të kishte vrejtë ndonji kartë gjeografike të vendit t’onë, do të kishte mbrri në përfundimin se ky truell përmban shumë emna të huejë – falë faktit se Shqipnija, gjatë kohës së kaluese, ka shkue nëpër shumë faza, të cilat në çáshtjen toponomastike të saj kanë shkaktue ndryshime të mëdha.

  • Fushata romake e Paul Emilit më 168 para Krishtit, në luftën e tretë ndërmjet Romës dhe Maqedonisë, shkaktoi zhdukjen e 70 qyteteve t’Epirit, prej të cilavet deri më sot nuk dijmë gjá.
  • Në kohën Byzantine, shumë emna pësuen ndryshime: Onchesmos (Sarandë) u-quejt simbas kishës byzantine, e cila qëndronte mbi nji kodër sipër këtij qyteti, Skela e 40 Shéjtëvet (he skala ton hagion Saranda); prej qytetit Hadrianopolis u-formue emni Drinopolis dhe prej këtij ma në fundë Dropulli (Hans Treidler, Epirus im Altertum, Studien zur historischen Topographie, Leipzig: 1917, f. 84); Antipatrea (Berati) u-këthye në Pulheriopolis.
  • Pushtimi sllav, i cili në shekullin XIII përfshinte pjesën má të madhe të Ballkanit ka ushtrue nji influencë aq të madhe, saqë në Greqi edhe në shekullin XV asht folun sllavishtë. Ky edhe invazioni Ottoman kanë vazhdue qindravjete dhe gjatë kësaj kohe u-ndryshue fytyra toponomastike e Shqipnisë.
  • Në kohën e pushtimit Ottoman, kemi ndryshimin e emrit Skampa, më 1466, me emnin Elbasan (Praschniker-Schober; Archaeologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien: 1919, f. 52). Në vazhdim të këtij sundimi deformohen emna katundesh: Shën Mihal në Shmil, Shën Jakob në Shijak, Shën Gjergj në Shingjergj.

Këto fuqi të hueja, tue pasë për parim ç’kombëtarizimin tonë të plotë, me zhdukë çdo lidhje historike ndërmjet nesh dhe të parëve tanë, nuk lanë masë pa marrë, për me ia mbërri qëllimit të tyne. Një ndër këto ishte ndërrimi i emnave të vendeve, maleve, lumenjve dhe viseve.

Por që t’i mbërrihet këtij qëllimi nuk ka veprue dhe aq autoriteti i administratës sunduese, se sa fetë dhe mjetet shkatërruese të tyne.

Këto, tue u-bamun prona e nji kombi, e lishin mënjanë parimin e tyne kryesor: Predikimin e së vërtetës dhe besimin ndaj nji Zoti. Përkundrazi, orvateshin má shumë me anën e betejës jo burrnore, se si me shkatrrue vlerat morale të nji populli – në një dobësi shpirtnore, me e bamun atë për vete dhe me harruemun çdo lidhje me të shkuemen e tij.

Humbjen e nji pjesës së madhe të thesarit toponomastik e shohim edhe sot, në emnat e huej të katundevet, të gërmadhevet dhe të pjesavet të naltpërmenduna. Na bien në sy, p.sh. në krahinën e Vlorës emnat Babicë, Drashovicë, Gumenicë, Shushicë, Izvor, Mavrovë dhe Bestrovë. Ne nuk dijmë se si asht quejtë lumi i Shushicës, ai i Gjanicës dhe gërmadhat e Margëllëçit në kohën e vjetër. Qafa e Dhodhonit[1] duhet ta dijë, mbasi ai gjindet aty afër, se Gradishta e Hekalit asht quejtun në kohën e vjetër Byllis dhe në kohën e pushtimit sllav muer emnin e parë. Berati asht quejtun deri në fund të pushtimit roman Antipatreia, mbasandej Pulheriopolis, Belgrad në kohën sllave, dhe má në fund muer emnin e sotshëm. Ndonëse pranojmë që në vazhdim të fazave historike të lartpërmendura qanë shkaktue ndryshimi dhe zhdukja e shumë emrave, pse nuk shtw e mundur që nji mal në Çamëri, i quejtun në kohën e vjetën Tomarus, të ketë marrë ma vonë emnin Uliçka? Por vetë lugina Carakovicë, në të cilën gjindet Dodona, dëshmon influencën sllave.

A asht kjo nji punë shumë má e zorshme se sa mbiemni i Byllis në Gradishtë, i Antipatreia-s në Belgrad dhe të quejtunit e tokavet në jugë të Drinit, Zadrimë? Pse duhet të ket qenë vetëm nji Tomarus? A nuk ka pasë shumë Apollonia? Themeloi Leka i Math vetëm nji Aleksandri? A ka vetëm nji Shkodër?

Kur Heinrich Barth-i, më 1865, vizitoi gërmadhat e Barcit ndërmjet Janinës dhe Carakovicës, ndëgjoi këtu emnin Tomarohoria, i cili i përkiste kësaj krahine. Barth-i kuptoi se në këtë fjalë përmblidhesh emni i vjetër Tomaros (Hans Treidler në veprën e përmendun, faqe 10). Heinrich Kiepert, tue u mbështetun në studimin e Barth-it, muer për Dodonën gërmadhat, të cilat Leake dhe Pouquevill-i i mbajshin për qytetin e vjetër Passaron.

Mendimi i H. Kiepert-it qe i drejtë. Këtë e rrëfyen gërmimet që bani Carapanos (Treidler, faqe 10).

Tashti vjen pika e dytë: Largësitë Ambrakia-Dodonë dhe Dodonë-Butrinto. Kjo asht rruga që báni Eneas për tokë, kurse Ankisi udhëtonte me flotën përgjatë bregdetit të Epirit deri në Butrint, ku u-bashkuen.

Qafa e Dhodhonit thotë se rruga prej Narte (Ambrakia) deri në Tomorr mban dy ditë. Këtu gabon! Në të vërtetë, asht shumë má gjatë. Nëse marrim për bazë vijën ajrore, gjatësia është 170 km dhe, po t’i shtojmë kësaj shume, simbas rregullës, nji të tretën e saj, atëherë del gjatësia e rrugës prej Narte deri në Tomorr që është 220 km. A asht e mundun që nji njeri ose nji kal të eci 110 km në ditë! Për më tepër, në një vend molor?

Gjithashtu largësia e dytë Tomorr-Butrint jep 140 km. Dhe kjo asht nji rrugë aq e gjatë sa që fuqia e njeriut nuk ásht e mundun kur ky të ketë hec ma parë 220 km, t’a nxjerri në krye mbrenda kohës, për të cilën Qafa e Dhodhonit bán fjalë.

Pra të gjithë kambënguljet që bahen se Dodona duhet të jetë në Tomorr janë të kota. Të gjitha faktet flasin për pranimin e saj në luginën e Carakovicës, pranë Janinës, dhe këtë mendim e ka pranue e tanë bota.

Nji përgjigje Qafës së Dhodhonit[2]

Nga Dr. Tahsin Jonusi

Sikur Qafa e Dhodhonit, alias Perikli Ikonomi, të kishte shkrue në Fletorën “Drita” No. 447, d. 15-5-938 vetëm ç’i përket problemit të Dodonës, atëherë do e kisha shmangur këtë përgjigje! Jo për dobësi, por sepse më duket absurde që dikush kërkon të hedhë poshtë një mendim botëror.  Një mendim që ka më shumë se 60 vjet që përkrahet nga dijetarët më të mëdhenj të kohës: Dodona asht gjetë dhe, bashk me të, edhe Tomarus. Në qoftë se në këtë problem do të kishte pas vend edhe ma i vogli dyshim, Qafa e Dhodhonit le të jet i sigurt se kjo çashtje nuk kishte me ngelun që të rrifet prej nesh, përkundrazi, nji gja kaq me randësi do të ishte gjithnji subjekt kërkimesh, vëzhgimesh dhe kritikash deri sa të kthjellohësh dhe të merrte nji formë të premë, qoftë negative a pozitive. Gjithë dijetarët, qi kanë ba studime historike mbi Shqipnin, e kanë kërkue Dodonën në rrazën e malit Uliçka dhe kurrë në Tomorr. Kambënguljet e Qafës së Dhodhonit janë flluska sapoj, ai ka gabue dhe gabon gjithnji kur flet:

2) Për kështjellat Corrhagus, Gerrunnium, Orgessus, Antipatreia dhe Codrio.

Qafa e Ddhodhonit ka shkrue dhe asht marrë mjaftë me statuje të gjetuna në vende pranë Tomorit prej katundarëvet që u janë falë apo shitë njerëzve, të cilët rrëfejshin interes për gjana të vjetra. Ai nuk ka dhanë asnji shpjegim për këto vjetërsina. Nuk dihet as katundi, as gërmadha. Bahet fjalë vetëm se janë gjetun statuje dhe kurrgjë tjetër. Gjithë këto vjetërsina gjinden në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Qafa e Dhodhonit ash ba loja e dinakërisë së fshatarëve, të cilët nuk janë tjetër veçse agjenta të nji falsifikuesi të shkallës së fundit. Çdo statujë që asht çue në Tiranë asht nji falsifikim dhe një punë aq e dobët, sa nuk mund të klasifikohet në asnjë periudhë historike. Gjithë këto copa janë produkti i të skalitunit të gurit të gëlqeres, të zhytuna për disa kohë në ndonji leth dhe masandaj të nxjerruna jashtë.

Në revistën Normalisti të muajit Mars 1937, f. 9, Qafa e Dhodhonit i përgjigjet artikulli t’em të botuem në fletoren Arbënija Nr. 473, d. 15-1-937, i cili ban fjalë për Dodonën dhe disa kështjella Ilirjane.

Me gjithë moshën e thyeme, Qafa e Dhodhonit e ka marrë punën me të nxehtë dhe kjo i ka shkaktue atij mungesën e arsyetimit. Si kur ai të kishte ba nji studim të vogël me nji përqendrim të menduar, jam i bindun se nuk do të kishte gabue në mënyrën si e rrëfejnë artikujt e tij.

Thezën t’eme se Corrhagus, Gerrunnium, Orgessus dhe Codrio gjinden pranë Tomorrit ai e huth poshtë dhe, i mbështetun në fjalorin e Skarlato Byzantit, i nxjerr disa prej këtyne vendeve në Maqedhoni dhe disa të tjerë në Thesali. Ai pranon se Antipatrea e kohës së vjetër asht Berati i sotshëm. Shumë bukur. Ky asht i vetmi vend, për të cilin ne jemi në nji mendje dhe ky bahet shkak që Qafa e Dhodhonit të bjeri në kundërshtim me vetvehten dhe ja pse:

Titus Livius, në librin XXXI, kapitulli 27, shkruen: Lucius Apustius extrema Macedoniae populatus Corrhago et Gerrunio et Orgesso castellis primo impetu ad Antipatreiam in faucibus angustis sitam urbem venit. D.m.th se mbasi L. Apustius kishte zhbi pjesët ma të fundit të Maqedhonisë dhe si pushtoi në sulmin e parë kështjellat Corrhagus, Gerrunnium dhe Orgessus erdhi në Antipatrea (Berat), nji qytet i vendosun në lugina të ngushta.

Kjo pjesë burimi historik rrëfen hapët se të gjitha kështjellat, për të cilat Qafa e Dhodhonit asht i mendjes se kanë qenë në Maqedhoni dhe në Thesali, kanë lidhje të ngushtë me Beratin dhe prej kësaj rrjedh se ky duhet të ket qenë afër tyne. Ne mund të vemi edhe ma gjatë: Prej drejtimit të fushatës mund të kuptojmë, ma mirë me thanë, mund të shpjegojmë, se në ç’anë kanë qenë kështjellat e naltpërmenduna.

Ushtria romane zbret në vjetin 200 para Kr. në Pojan (Livius XLII, 36). Prej këndej niset nji pjesë e ushtrisë kundër kështjellave ilirjane, të cilat zotnoheshin në këtë kohë prej Filipit V të Maqedhonisë (Polybios V, 108). Romanët, pra, shkojnë prej Perëndimit në Lindje; pushtohet ma parë Corrhagus, Gerrunnium dhe Orgessus, mbasandaj Antipatrea (Berati).

Si do të ishte e mundun që këta vende të ishin në Maqedhoni dhe në Thesali, kurse mbas tyne pushtohet Berati dhe veprimet ushtarake zhvillohen prej Perëndimit në Lindje? Edhe nji fakt tjetër, i cili rrëfen se theza e Qafës së Dhodhonit asht e gabueshme, pse ajo bie në kundërshtim me ngjarjet historike. Livius (XXXI, 27) thotë se mbas rrënimit të Beratit, pushtohet Codrio dhe Cnidus, gja kjo që tregon se të gjitha këto kështjella kanë qenë afër njana tjatrës dhe jo të shpërndame sa në Maqedhoni sa në Thesali sikurse ngul këmbë Qafa e Dhodhonit. Ne duhet të pranojmë se veprimet ushtarake për pushtimin e këtyre kështjellave janë zhvillue mrenda njij kohe të shkurtën, pse qëllimi i kësaj shpedite ishte pushtimi i njij pjesës së Dassaretisë (kjo përfshinte në kët’kohë tokat prej Beratit në Korçë deri në veri të liqenit të Ohrit), e cila zotnohesh prej Filipit V dhe pengonte, deri diku, lëvizjet e ushtrisë romane. Në vjetin 199 para Kr. niset Prokonsuli Publius Sulpicius Galba prej qendrës ushtarake afër Pojanit bashkë me legjionet e tij për në Maqedhoni (Mommsen, Roemische Geschichte I. f. 706). Asht kundra mendjes së kthjellët me qenë i mendimit se mbas pushtimit të Beratit ushtrija romane të hudhësh në Thesali për me pushtue Orgessus dhe të kthehesh prapë në qendrën e përgjithshme ushtarake afër Pojanit, prej ku mbasandej së bashku të fillojshin fushatën kundër Maqedhonisë; kjo asht krejt e pamundun. Zhvillimi i këtyre ngjarjeve na shtrëngon ne me i pranue kështjellat e naltpërmenduna afër Beratit dhe Tomorrit dhe jo atje ku asht i mendjes Qafa e Dhodhonit. Paaftësija e të menduemit kthjellët dhe puna e përciptë që ai ban kur merret me probleme historike, duket në materialin që ai përdor si mbështetje të thezës së tij: Fjalori i Skarlato Byzantit vetëm nuk mund të pranohet si burim historik i plotë; ai ka vleftë në lidhje me të tjerët. Straboni asht gjeograf, prandaj nuk mund të presim prej tij përshkrime të ngjarjeve historike, të cilat janë lidhun ngushtë me kështjellat e naltpërmenduna. “Errare humanum est“, pranohet! Por nuk asht e mundun të pranohet mbrojtja e vazhdueshme e njij mendimi kryekëput të gabuemë sikurse ngjan me Qafën e Dhodhonit. Prandaj, për të lanë vetveten dhe të tjerët rehat, ai do të bante shumë mirë që këtej e tutje të heshtij.

Dr. Tahsin Jonusi

  • [1] Shënim, V. Nathanaili: Me këtë emër shfaqet, në shtypin e kohës, autori i replikës me Dr. Jonusin.
  • [2] Shënim, autori. Për Statutjet, të cilat gjoja janë gjetun në rrazë të Tomorrit.