Nga Këshilli Ndërkombëtar i Shkencës

Materialin anglisht, mund ta lexoni këtu: https://council.science/covid-19-scenarios/

Rruga për të shpëtuar nga COVID-19 është e gjatë, me zigzage dhe e pasigurt.

  • Kemi dhe shumë rrugë përpara, për të thënë “e mundëm pandeminë”
  • Shkenca ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të rëndësishëm në këtë betejë
  • Vendimet e marra nga qeveritë dhe individët do të jenë ato që do të përcaktojnë, edhe sa kohë do të na duhet për t’ju kthyer edhe një herë normalitetit.
  • Sa më efektiv bashkëpunimi në nivel lokal, rajonal dhe global, aq më i shpejtë dhe i mirë do të jetë edhe rezultati.

Lexo artikullin e plotë në “The Lancet”: https://www.thelancet.com/action/showPdf?pii=S0140-6736%2821%2900424-4

Ka kaluar më shumë se një vit nga koha kur coronavirus u shpërnda në të gjithë botën, dhe një vit nga koha kur “Organizata Botërore e Shëndetësisë” [World Health Organization (WHO)] deklaroi se jemi përpara një “Emergjence shëndetësore publike në nivel ndërkombëtar”, më 30 janar 2020. Pandemia COVID-19 ka ndikuar botën në mënyrë të pabarabartë dhe po e pabarabartë ka qenë edhe përgjigja e vendeve të ndryshme ndaj saj. Shkenca ka arritur të zbulojë shumë të panjohura rreth virusit dhe ka bërë progres të jashtëzakonshëm, si kurrë më parë, në zhvillimin e vaksinës, por ka ende shumë pasiguri, ndërkohë që pandemia vazhdon të evoluojë. Vaksinat që po bëhen aktualisht në shumë vende janë premtuese dhe shpresëdhënëse, megjithatë kjo nuk do të thotë se betejës po i vjen fundi. Thjesht po kalojmë në një fazë të re të pandemisë.

Politikë-bërësit dhe publiku po i mbështesin gjithnjë e më shumë shpresat në efektivitetin e vaksinës për t’i dhënë fund COVID-19 dhe kthyer “normalitetit”, por gjithnjë shoqëruar me masat parandaluese, si përdorimi i maskave, ruajtja e distancimit social dhe higjiena e duarve. Sidoqoftë, pak vëmendje po i kushtohet problemeve të mundshme me një varësi të tepruar te vaksina. Në rrjedhojë, ekziston nevoja për të identifikuar “skenarët e përfundimit” të mundshëm, që do të na çojnë në zhvillimin e rrugëve përkatëse të zbutjes.

Këshilli Ndërkombëtar i Shkencës (The International Science Council, ISC) formoi një grup ekspertësh COVID-19 për të diskutuar skenarët e e mbylljes përfundimtare të pandemisë. Ajo që doli në pah ishte nevoja për një projekt COVID-19.

Një artikull në The Lancet pohon: Ajo që pritet të ndodhë, në vijim, do të varet nga evolucioni i vazhdueshëm i virusit, sjelljet e qytetarëve, vendimet e qeverive, progresi në shkencën mjekësore dhe nga masa në të cilën, komuniteti ndërkombëtar do të ketë aftësinë të bashkëpunojë në përpjekjet për të mposhtur virusin.

Një kontroll realiteti, tregon se:

Virusi, ndoshta, mund të mos çrrënjoset globalisht, për shkak të pranisë së tij në shumë kafshë (përfshirë macet dhe qentë), si dhe për shkak të mbulimit jo të plotë me vaksina në të gjithë popullatën e një vendi dhe vende të ndryshme, kështu që do të nevojiten strategji të vazhdueshme për trajtimin e pranisë së pandemisë në popullatë për një kohë të gjatë. Nuk e dimë nëse dhe kur do të kërkohet rivaksinimi.

Botës, ndoshta, mund t’i duhen ende shumë vite vendimmarrje aktive për të trajtuar këtë pandemi – për momentin nuk kemi një zgjidhje të shpejtë.

Me pasiguri të tilla, e vetmja gjë për të cilën mund të jemi të sigurt është, se nuk duhet të importojmë fitoret e hulumtimeve të mëparshme shkencore për diagnostikimin, vaksinimin ose trajtimin e pandemive të ngjashme, për të supozuar se beteja është afër fitores. Përkundrazi, rruga për të shpëtuar nga COVID-19 është e gjatë, me zigzage dhe e pasigurt. Vendimet e agjencive globale dhe të qeverive, po ashtu edhe sjelljet e qytetarëve në çdo shoqëri, do të ndikojnë shumë në llojin e rrugës që na pret përpara. Ka shumë rezultate të mundshme.

Skenarët e mundshëm për t’i dhënë fund COVID-19 luhaten ndërmjet dy ekstremeve:

  • Njëri ekstrem është skenari ynë më optimist, që e kemi quajtur “Një botë”, sipas të cilit gjenerata e re e vaksinave është efektive kundër të gjitha varianteve të virusit (përfshirë ato që mund të shfaqen ende) dhe kontrolli real i virusit është efektiv në çdo vend, në një përpjekje të koordinuar për të arritur kontroll global mbi të. Por edhe në një bashkëpunim shumë të mirë ndërkombëtar, si dhe me financimin e duhur, do të duhet një kohë e gjatë për t’a arritur.
  • Ekstremi tjetër është skenari pesimist, që e kemi quajtur “Botë e ndarë”, sipas të cilit mutantë të virusit shfaqen vazhdimisht, me aftësinë për t’i shpëtuar imunitetit të vaksinave. Në këtë skenar, vetëm vendet e pasura janë në gjendje t’i përgjigjen këtyre mutacioneve, duke prodhuar me shpejtësi vaksina të adaptuara, për raunde të shumta të ri-imunizimit të popullsisë, në synimin për të pasur gjithnjë kontroll, ndërsa pjesa tjetër e botës lufton me valë të përsëritura të pandemisë, në ankthin që vaksinat që kanë blerë më parë nuk janë më të efektshme kundër varianteve të reja që sapo kanë dalë në qarkullim. Në këtë skenar, sado të forta të jenë masat shtrënguese, veçanërisht ato që kanë lidhje me lëvizjet, edhe në vendet e pasura, rruga drejt normalitetit social dhe ajo e rikthimit të punëve të zakonshme do të jetë shumë më e gjatë.

Sigurisht që përveç dy skenarëve të mësipërm, ekzistojnë edhe shumë të tjerë të ndërmjetëm, ose alternativa të tyre.

Projekti “Skenarët COVID-19”

“Këshilli Ndërkombëtar i Shkencës”, si organizatë e pavarur dhe zë global për shkencën – përfshirë shkencat natyrore, mjekësore dhe sociale – beson se është shumë e rëndësishme që hulumtimi i diapazonit të skenarëve për periudhën afatmesme dhe afatgjatë, të ndihmohet nga të kuptuarit që ne kemi për opsionet që mund të japin rezultatet më të mira më të mundshme.

Në zhvillimin e projektit “Skenarët COVID-19”, “Këshilli Ndërkombëtar i Shkencës” është konsultuar si me “Organizatën Botërore e Shëndetësisë”, ashtu edhe me “Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat” (UNDRR). Këshilli ka krijuar “Panelin mbikëqyrës multidisiplinar”, pjesë e të cilit janë ekspertë të nivelit botëror në disiplinat përkatëse, për të punuar me një ekip teknik për të prodhuar hartën e skenarëve.

Paneli do t’i raportojë komunitetit global, brenda gjashtë muajve, skenarët e mundshëm për 3-5 vitet e ardhshëm, si dhe për ndikimet që do të kenë zgjedhjet që do të bëhen nga qeveritë, agjencitë dhe qytetarët, gjithnjë në synimin për të siguruar rrugë, për një rezultat sa më optimist për botën.