Me autor Prof. Aleksandër Peçi

Më datë 23 nëntor 2018, në sallën e koncerteve të Universitetit të Arteve, u vu në skenë Simfonia nr. 5 “Gjergj Kastrioti SKENDERBEU”, me autor Prof. Aleksandër Peçi, Mjeshtër i Madh, interpretuar nga orkestra simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, me drejtim artistik nga Aristidh Prosi, pjesëmarrjen e sopranos Gesu Zefi, pianistin Igli Rapaj, nën drejtimin e Maestro Eno Koço.

Radio Televizioni Shqiptar, në kuadër të organizimit të veprimtarive të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, porositi një vepër epike për këtë ngjarje. Nëpërmjet një konkursi publik u përzgjodh simfonia epope e kompozitorit Aleksandër Peçi, titulluar pikërisht “Skënderbeu”.

Simfonia nr. 5 “Gjergj Kastrioti SKENDERBEU” është e kompozuar në dhjetë kohë, prej Prangimit e deri tek Himni Monumental.

Në kohën e parë të veprës “Prangatoria” autori ka krijuar një strukturë të re linguistiko – muzikore, si një simbolikë e Shqipërisë nën pranga përgjatë natës shumëshekullore Osmane,  ku spikasin Kabaja dhe Polifonia duke simbolizuar klithma nën rrënimin e kështjellës por jo të shpirtit shqiptar!  Mbi simbolikën e valëve sulmuese, kalërimeve, prijësve, luftës dhe përpjekjeve është ndërtuar koha e dytë e veprës “Kalërimi”  ku simbolet e  instrumenteve si harqe, cornet, trompat sjellin luftën shpirtërore  mbështetur nga fuqia luftarake e trombonave.  Martesa  në vepër do të përcillet me adrenalinën e një dasme shqiptare me krushq kalorës që shalojnë mbi një ritmikë të pikëzuar.

Një moment shumë dramatik, koha e tetë “largo mortore” – soprano dramatike dhe orkestër, është kompozuar mbi prozën poetike “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit. Gjëma, më e lashtë se Homeri, më e lashtë se Akili kur qan Patroklin me ritualet tona, është sjellë nga autori me këtë penelat tronditëse simfonizmi.

Koha e nëntë, korale dhe polyoi. Ndërmjet frazave korale ndërhyjnë lamentacione kabash, si dhe rezonanca kadenciale Maje-Krahu.

Koha e dhjetë, “Himni Monumental” – soprano dramatike dhe orkestër, si dhe koha e fundit e veprës kompozohet mbi vargje të poetëve të shek. XV, Faerno Gabriele (1501 -1561), Amadis Jamin (1540-1593) e deri tek Childe Harold e Lord Byron. Tunxhi vendos gurë të rëndë harmonie me efekt madhor, mbi të cilët vertikalozihen tonet e motivit të kohës së parë.

Mbi këtë bazament ngrihet “Himni Monumental” i Heroit, ashtu, në trokitje dhe kalërim, sikundër është skalitur në memorien tonë dhe të mbarë botës.