Refleksione rreth librit “Sikur t’isha djalë” të autorit Haki Stërmilli

Roman, faqe 310, Tiranë: Ora, 1936, çmimi 3 lekë.

Nga Dr. Ziaudin Kodra   

Autori i këtij libri rreh disa probleme me randësi të madhe të Shoqnis s’onë. Asht nji roman shoqnor, protoganistja e së cilit asht një vajzë shqiptare, Dija, e pajisun me të gjitha vetiat e pastra të Femnës arbënore. Ajo ndryshon nga shoqet e saja vetëm pse dëshiron t’i thyej prangat në të cilat qëndron lidhur seksi femnuer shqiptar. Asht liberale. Kërkon lirin. E për të ngritë ketë flamur dëshiron “t’ishte djalë”, pse atëherë do mundesh të luftonte ma lirisht Fanatizmin e qelbët, atë Fanatizëm, therore e së cilës ra vetë Dija…

Thelbi i romani àsht i shkurtun: një vajzë jetime e shtytun nga njerka; dashuron dhe bijë viktimë e mentalitetit të vyshkun; për të thanë këto nuk mund të shkruhesh shum; e të 310 faqet e librit janë mbushë me përshkrimin e zakoneve të ndryshme, por të ndyeta të vendit t’onë; për mue këtu qëndron vlefta ma e madhe e veprës pse në ketë pikë Stërmilli na çfaqet me të vërtetë si një shkrimtar me vërejtje të hollë, tue i dhanë gjallni tregimeve me mënyra të foluni shumë të bukura të gjuhës s’onë.

Romani asht mjaft tërhekës. Në pjesën e parë na tërhek fati i mjerë i Dijes si jetime e mbetun në duert e njij njerke zemergur; pjesën e dytë e këndojmë me qeif për të msue përfundimin e idyllit. Ka edhe pjesë tragjiciteti: vini rè sa fort’ i reh zembra Dijes, e bashkë me tȇ edhe ty lexuȇs, kur ndigjon emnin e Shpendit, të s’amës e të së motrës për të msue fenë e tyne, gjȃ e cila mund t’a pengonte bashkimin e saj me atë që dashuron.

Nga një herë auktori na ban edhe të qeshim, por “qeshim pse s’mund të qajmë”: një sqenë me kornicitet të math na venë para faqet 187-189 atje ku hyn në shtëpi ay katundari për të shkarkue qymyrin; një penelatë korniciteti edhe ajo ku Dija pengohet edhe rrexohet pse e mbyllun për herë të parë në thesin e Zi. Aty këtu tregimi bahet shum i gjallë: lindja e nakarit në zembër të Dijes, vërejtjet mbi modën, bisedimet mbi fè me dajë Haxhinë; veçse ky i fundit përshkruhet shumë liberal, gja e papranueshme ke një me mentalitet dhe fanatic si Dajë Haxhiu qi ka shkue në Haç për të fitue Xhennetin; ȃsht aq liberal sa pranon edhe të premit e flokeve të femnes: Dajë Haxhiu kundërshton veprat me fjalët që thotë.

Në përshkrimin e zakoneve nuk mungojnë edhe mënyra të folunit që nxjerrin në shesh mirë mentalitetin e vjetër. Janë të bukura faqet ku Dija flet mbi ceremonin fetare të martesës, atëherë kur “Kadi Efendiu”, n’emën të Sheriatit bashkon dy vetë që s’kanë pam kurr njeni tjetrin.

Përkrahjen e parë libri duhet t’a ketë prej organizatës “Gruaja shqiptare”, tue u shpërndamun nga një herë edhe doravisht; pse në faqet e tij femna e njomë arbnore do të mësojë shumë të drejta që ia ka falë natyra e që ia ka rrëmbye spjegimi i gabueshëm i Kuranit prej disa hoxhallarëve që kanë vumun shallin vetem për të sigurue kafshatën e gojës e që s’kanë farë haberi nga përmbajtja e Kuranit. Nderin e femnës nuk mund t’a sigurojë një peçe e ketë e pershkruen shum bukur auktori në faqen 41. Asht një e vërtetë e pa kundërshtueshme se nderi i shqiptarkës ȃsht ruejt ma i pacenueshem atje ku ajo ka dalë zbuluèt.

Pjesë nga libri

Ma në fund më vjen nji pyetje tjeter në buzë dhe me gjith që më vjen turp, do t’a baj për hir të vërtetës dhe për me e zgidhë kët lamsh kaq të pështjelluem. Due të pyes se pse vetëm femna duheshka me u mbulue dhe jo edhe mashkulli? Ky gjykim mos rrjedh nga ajo mendësi e kalbun që i quen femnat seks i bukur? Oh sikur t’a dijnë meshkujt se sa të shëmtueshme, të përçuduna dhe përbindëshe ndodhen në mes t’onë! E këto krijesa të vorfëna nga bukuria vetëm syt t’ona munden me i njoftë e me i dallue, pse na, domosdo, nuk e shofim njena tjetrën me syt e nji mashkullit të turbulluem prej pasionit. Mbasandaj kush mund të pretendojë se nuk ka në mes të meshkujve djelm e burra të bukur? Mos kujton ndokush se nuk ka buburi mashkullore? Si kur të mundesh me folë femna, me atë liri gjuhe që kanë mashkujt, kush e din se sa poezi do të vargëzonte për me e përshkrue bukurin e shokut të vet jo gjini. Kush mundet me më sigurue se nuk ka me mija femna që, tue kundrue mbas kafazit të dritares ase nëpër mjet të peçes së hollë, nuk shprazin nga goja mija e mija tubza vjershash për ata që u kalojnë pranë pa dijtë se kanë plagosë randë disa zemra të strukuna mbrenda do krijesave të dënueme me burgim të përjetshëm? Oh sa e sa sy vashash, nga plasat e dyerve ase nga birat e kafazeve, ndjekin e për cjellin kalimtarë të rij me rrafje të forta të zemrave që s’kanë liri e të drejtë shfrimi e dashunimi, me gjith që natyra edhe ato, sikurse mashkujt dhe ndoshta ma shum se ata, i ka pajue me ndiesit e dashunis. Prandaj më takon të them se në qoftë se duhet mshefë femna lypset të mbulohet edhe mashkulli, pse edhe ai ka bukuri, pse edhe ai i nxit lakmit e femnës dhe I a kilikos dëshirin.

Oh sa të mjera jemi na femnat Muslimane të qyteteve. Them të qyteteve, pse ato të katundeve duket sikur janë përjashtue nga dënimi i robnis, mbassi nuk mbulohen. Ato kanë dishka tjetër kundrejt këtij privilegji: Janë ngarkue me punë të randa që nuk i kryen as mashkulli as edhe kafsha. E na qytetaret bajmë nji jetë ma pak të vështirë, por jemi bamë monopol, plotsisht, si hokat e shkrepseve; jemi si shprepset që shkëlqejnë e djegin vetëm kur t’i prekish ase t’i shkrepish. Ç’të bëjmë? Kështu e lyp zakoni, kështu urdhëron feja, por ajo fë q’asht bastardhue prej disa njerësve gjysmakë e të pandërgjegjshëm.

Femna muslimane, e mbyllun mbrenda katër mureve, asht e mpit, e dobët dhe e pazhdrivillueme, sepse asht shtypë e mbytë nga zgjedha e randë e nji ednkate që nuk këshillon e nuk porosit tjetër veçse ndalime: mos prek, mos dil, mos fol, mos qesh, mos e mos sa të dojë edukatori. Asht e dobët, pse nuk merr mjaft ajr, nuk e shef Dielli, nuk lëviz, nuk i kullot syt në bukurit e natyrës dhe qesh pak e qan shumë. Me nji fjalë asht nji krijesë fatkeqe që t’a këput shpirtin sikur të mundet me e shprazë vënerin e zemrës për padrejtësit që i bahen. Dëshprimi i saj s’mund të matet kurrësesi. E kjo qyqare, e pashkollueme dhe e robnueme për jetë, si mund të bahet nanë e mirë, edukatore e dëjë? Ç’farë aftësije mund të ketë ajo për me rritë fëmij, ato fëmij që kanë me qenë shpresat e nesërme të këtij vendi, mburoja e Atdheut dhe krenarija e kombit? Shqipnia ideale që andërruen dëshmorët do të mbetet si nji dëshir i vorrosun bashkë me kufomat e tyne derisa femna të mos ketë mundësin me rritë fëmij të frymzuem me shpirtin flakues e me vullnetin e papërkulun të herojve t’onë. E nji bres të tillë vetëm nanat e lira e të miredukueme mund t’i përgatisin Këtij vendi. Çarçafi pra i ka fajet dhe ai kurrë s’mund të jetë i nevojshëm për mbrojtjen e nderit të femnës, se nderi i saj mvaret nga edukata që i nepet, nga karakteri që i përpanjohet, nga morali që i shartohet dhe nga virtyti që i injeksionohet.

Sonte po mjaftoj me kaq.

 

Këtu mbarojnë shënimet e Dijes.

Letra që më shkruente përmbante këto fjalë:

I dashtuni Hamit,

Në fletoren që po të dorëzoj e kam shkrue shkurtazi jetën t’eme. Mbassi ta kendosh epja Shpend Rrëfes bashkë me letrën dhe shamin e bardhë që po i dërgoj si shenjën e qefinit t’em. Nga përmbajtja e fletorit keni për t’a kuptue se sa shum vuen femna Shqiptare, se sa keq përdoret ajo e gjora dhe si asht ulë neë shkallën e robneshës e te kafshës.

Prandaj kërkoj prej jush që të ndërmerrni një lëvizje të gjanë për emansipimin e vërtetë të femnës Shqiptare dhe për naltësimin e nivelit të saj kultural, moral e sosial. Pres të më zotoheni se do t’a përmbushni dëshirin t’em të fundit që të vdes e shkujdesun dhe e qetë. Për ndryshe shpirti i em kurrë nuk do të prehet edhe sikur të mbahet, me pekulet ma të mëdha, në lulishtet e Parajsës. Shpirti i em i pakënaqun do t’ju duket juve n’andërr dhe të kërkojë t’a përmbushni zotimin, do t’ju ndjeki kurdoherë dhe kudo, qe t’a mbani premtimin. E çdo shkrojë ase fjalë e këtij libri do të jetë si nji grenzë për me i thumbue e kafshue ndërgjegjet t’ueja në rasë se nuk do të qëndroni në besë.

Thueji Shpendit se po vdes me emnin e tij në gojë dhe me mall të pashuem në zemër për të. Gjithashtu njoftoje se shamia që po i dërgoj asht ajo që kam mshimë lotët ditën që më martuen me kët tregtarin dhe m’a vranë zemrën.

Ty të falem nderit, Hamit, për ndihmat e mëdha që më ke dhanë gjatë jetës s’eme. Lus që të shpërblehesh me gëzime.

Po ju përshëndes për herën e fundme tue ju urue e bekue me të gjitha fuqit e mija, me të gjitha forcat e atij shpirti që asht tue u largue nga ky trup i dërmuem dhe i kalbun.

Kushrnia e jote:

Dija