Nga Steven Levitsky & Daniel Ziblatt
Mënyra më e lehtë për të bërë për vete kundërshtarët potencialë është t’i blesh me parà. Pjesa më e madhe e autokratëve të zgjedhur e fillojnë duke u ofruar udhëheqësve politikë, bizneseve dhe figurave të medies pozicione publike, favore dhe promovim të emrit, ose thjesht i korruptojnë, në këmbim të mbështetjes ose mbajtjes së një qëndrimi të paanshëm. Rrjetet e mëdha të medias kanë akses të privilegjuar te Presidenti, ndërsa drejtuesit e bizneseve, miq me drejtuesit e qeverisë, marrin koncesione të leverdishme ose kontrata me qeverinë. Qeveria e Fujimorit mund të quhet mjeshtre në blerjen e kritikëve, veçanërisht të medies. Në fundin e viteve 1990, çdo rrjet i madh medie, disa gazeta të përditshme dhe revista popullore ishin në listë-pagesën e qeverisë. Vladimiro Montesinos i pagoi pronarit të Kanalit 4 afro 12 milionë dollarë në këmbim të nënshkrimit të një “kontrate”, që i jepte Montesinos kontrollin e programacionit të lajmeve në stacion. Aksionari kryesor i Kanalit 5 u pagua me 9 milionë dollarë nga Montesinos, ndërsa aksionari kryesor i Kanalit 9 u pagua me 50,000 dollarë në këmbim të mostransmetimit të dy emisioneve investigativë, realizuar nga dy gazetarë të shquar. Në fund të vitit 1999, në një bisedë regjistruar video, shfaqet Montesinos, i cili deklaron se të gjithë pronarët e rrjeteve televizive, “të gjithë, tashmë, janë në rreshtimin tonë… I kemi detyruar të nënshkruajnë dokumente dhe çdo gjë tjetër që duhet… Të gjithë, pa përjashtim, janë rreshtuar. Çdo ditë, në ora 12:30 kam një mbledhje me ta… ku planifikojmë lajmet e mbrëmjes”.
Figurat e medias merrnin shumat më të mëdha të parave nga Montesinos, por edhe politikanët nuk mbeteshin mbrapa. Më vitin 1998, kur grupimet opozitare mblodhën firmat e duhura për të kërkuar një referendum, sipas të cilit qytetarët do të pyeteshin nëse duhej që Fujimori të rikandidonte më vitin 2000, çështja vajti në kongres. Sipas ligjit, që referendumi të hynte në fuqi, duhej të aprovohej edhe në kongres, me 40% të votave të të gjithë anëtarëve. Teorikisht, opozita kishte dyzet e tetë vota, të mjaftueshme për aprovimin e referendumit. Por Montesinos korruptoi tre parlamentarë, duke i detyruar të mos merrnin pjesë në votim. Njëri prej tyre, Luis Çu, u pagua me 130,000 dollarë nga fondet e një agjencie inteligjence për blerjen e një apartamenti; një tjetër, Miguel Çiçia, iu dha ndihmë për zgjidhjen e një çështjeje ligjore që kishte lidhje me një nga bizneset e tij. E treta, Suzi Diaz pranoi të qëndrojë në shtëpi për “arsye personale”. Në votim referendumi nuk mori votat e kërkuara, duke i krijuar Fujimorit mundësinë e kandidimit dhe të fitores së një mandati të tretë, ilegjitim, në vitin 2000. Dhe kur elektorati nuk i dha Fujimorit shumicën në kongres, Montesinos korruptoi tetëmbëdhjetë ligjvënës për të mbajtur anën e tyre.
Aktorët që nuk mund të blihen, dobësohen me mjete të tjera. Por ndërsa diktatorët e shkollës së vjetër përdornin burgun e ekzilin dhe, me raste, edhe vrasjen e rivalëve të tyre, autokratët bashkëkohorë janë më të sofistikuar. Ata kanë prirjen ta fshehin shtypjen nën velin e një legjitimiteti. Kjo sepse kapja e arbitrave është shumë e rëndësishme. Kur ishte në fuqi Perón, drejtuesi i opozitës Rikardo Balbin u burgos për “mungesë respekti” ndaj Presidentit gjatë fushatës elektorale. Balbin apeloi pranë Gjykatës së Lartë, por sa kohë që Perón kishte njerëzit e vet aty, shanset që apeli të jepte një vendim ndryshe ishin zero. Në Malajzi, kryeministri Mahathir Mohamad përdori një polici politikisht besnike dhe një gjykatë të blerë, për të hetuar, arrestuar dhe burgosur, në fundvitet 1990, udhëheqësin e opozitës, Anuar Ibrahim, me akuzën e sodomisë. Në Venezuelë, udhëheqësi i opozitës, Leopoldo Lopez, arrestohet dhe akuzohet më vitin 2014 për “nxitje të dhunës” gjatë një vale protestash antiqeveritare. Zyrtarët e qeverisë nuk qenë në gjendje të sillnin prova për këtë nxitje, por u mjaftuan me pohimin, se në një farë pike, ai ishte treguar “i pandërgjegjshëm për veprimet e kryera”.
Qeveritë e përdorin kontrollin që kanë mbi arbitrat për të shtypur, edhe “ligjërisht”, medien opozitare, shpesh me akuzat e botimit dhe përhapjes së shpifjeve dhe të pavërtetave. Presidenti i Ekuadorit, Rafael Korrea, ishte mjeshtër për këtë. Më vitin 2011, fitoi një shumë të jashtëzakonshme 40 miliardë dollarë kur hodhi në gjyq, për shpifje, pronarin dhe editorialistin e një gazete shumë të madhe, El Universo. Sipas akuzës, gazeta kishte botuar një editorial që e cilësonte atë “diktator”. Korrea e cilësoi këtë rast si një “hap të madh përpara drejt çlirimit të Amerikës nga një prej pushteteve më të mëdha dhe të pandëshkuara: median e korruptuar”. Më pas, vërtet Korrea e fali pronarin, por procesi gjyqësor pati një efekt të fuqishëm frenues në të gjithë shtypin në përgjithësi.

Edhe qeveritë e Erdoğan dhe Putin e kanë përdorur ligjin me të njëjtin efekt rrënues e shkatërrues. Në Turqi, një nga viktimat më të mëdha të tij ka qenë pronari i konglomeratit mediatik të fuqishëm Doğan Yayin, i cili kontrollonte afro 50% të tregut mediatik në Turqi, pjesë e të cilit ishte Hurriyat, një ndër gazetat më të lexuara në të gjithë territor turk, si dhe disa stacione televizive. Pjesa më e madhe e aseteve që dispononte grupi mediatik Doğan ishin sekulare dhe liberale, gjë e cila vinte në pozitë qeverinë e AKP-së. Në vitin 2009, qeveria e goditi përsëri për evazion fiskal, me afro 2.5 miliardë dollarë një shumë që kalonte edhe vetë vlerën totale të rrjetit. Me aktivitet pothuaj të paralizuar, Doğan u detyrua të shesë shumë nga asetet e perandorisë, si dy gazeta shumë të mëdha dhe një stacion televiziv. Në Rusi, kur rrjeti televiziv i pavarur NTV i Vladimir Gusinskit fitoi reputacionin e “burrit të mamasë”, qeveria e Putin i ndërseu autoritetet e taksave dhe e arrestoi për “keqpërdorim të financave”. Në burg, Gusinskit iu ofrua “marrëveshja, e padenjë edhe si skenari më i keq i një filmi me Mafien: dorëzo NTV-në, në këmbim të lirisë”. Pranoi marrëveshjen! Ia dorëzoi NTV-në gjigantit të kompanisë energjetike që kontrollohej nga qeveria, Gazprom-it dhe braktisi vendin. Në Venezuelë, qeveria e Çavezit filloi një hetim për parregullsitë financiare që ishin kryer nga televizioni Globovision, në pronësi të Guillermo Zuloaga, duke e detyruar vetë atë të ikte nga vendi që t’i shpëtonte arrestimit. Në rrjedhojë të trysninë financiare, Zuloaga ia shiti Globovision një biznesmeni të afërt me qeverinë.
Por me intensifikimin e sulmeve ndaj rrjeteve mediatike, shqetësimi fillon të përhapet në të gjithë shoqërinë njerëzit fillojnë të ushtrohen në autocensurë. Kur qeveria e Çavezit shtoi sulmet në mesin e viteve 200, një nga rrjetet televizive më të mëdha në vend, Venevision, ndaloi transmetimin e emisioneve që kishin lidhje me politikën. Programet e bashkëbisedimit të mëngjesit u zëvendësuan me astrologji, ndërsa në mbrëmje transmetoheshin, kryesisht, programe të lehta argëtuese dhe shumë rrallë lajme. Me t’u shndërruar në një rrjet pro-qeveritar, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2006, koha e mbulimit me lajme dhe kronika e presidentit Çavez në Venevision ishte pesë herë më e madhe se koha e mbulimit që i kushtohej rivalëve të tij.
Autokratët e zgjedhur kërkojnë të dobësojnë drejtuesit e biznesit, nga frika se mund të financojnë kundërshtarët e tyre. Ky ishte një nga qëndrimet kryesore që mbajti Putin për të konsoliduar pushtetin e tij në Rusi. Në korrik të vitit 2000, më pak se tre muaj pas ardhjes në presidencë, Putin mblodhi në Kremlin njëzet e një biznesmenët më të pasur të Rusisë, ku ju tha se ishin të lirë të bënin sa para të donin nën vëzhgimin e tij, natyrisht me kusht që të qëndronin jashtë politikës. Pjesa më e madhe e të ashtuquajturve oligarkë e dëgjuan. Miliarderi Boris Berezovski, aksionari kryesor i stacionit televiziv ORT, nuk pati veshë të dëgjojë. Kur lajmet dhe informacioni që transmetoheshin në ORT filluan të bëhen kritike ndaj regjimit, qeveria u kujtua se ekzistonte një dokument me akuza të shumta për mashtrim me taksat dhe urdhëroi arrestin e Berezovskit. Berezovski mori rrugët e ekzilit, duke e lënë median në duart e partnerit të tij më të ri, i cili me shumë “mirësjellje e vendosi në dispozicion të Putinit”. Një tjetër oligark që injoroi paralajmërimet e Putin ishte edhe Mikhail Khodorkovski, kreu i kompanisë gjigante të naftës ruse Yukos. Njeriu më i pasur i Rusisë (sipas Forbes, pasuria e tij llogaritej të arrinte në 15 miliardë dollarë), Khodorkovski besonte se ishte i paprekshëm. Por luajti me zjarrin. Khodorkovski, një liberal që nuk e pëlqente Putinin, filloi të mbështeste me shumë bujari partitë kundërshtare të Putinit, përfshirë edhe partinë pro-perëndimore Jabloko. Arriti një fazë, kur afro njëqind anëtarë të parlamentit rus (Dumës) ishin gati të luanin lojën e tij. Sipas thashethemeve, ai planifikonte të kandidonte për postin e Presidentit. I kërcënuar në pushtet, në vitin 2003 Putin urdhëron arrestimin e Khodorkovskit për evazion me taksat dhe mashtrim financiar. Khodorkovski qëndroi në burg për afro një dekadë. Mesazhi për oligarkët e tjerë ishte i qartë: qëndroni jashtë politikës. Pothuaj të gjithë e kuptuan se çfarë donte të thoshte udhëheqësi. Të thara nga mungesa e financimeve, partitë politike opozitare u dobësuan, ndërsa disa prej tyre pushuan edhe së ekzistuari.
Edhe qeveria e Erdoğan u vendosi biznesmenëve margjina politike. Kur “Partia e Re”, krijuar dhe financuar nga manjati i pasur Cem Uzan, doli si rivale serioze në zgjedhjet e vitit 2004, autoritetet financiare nënshtruan perandorinë e biznesit të Uzan, duke e akuzuar manjatin për mashtrim. Uzan u detyrua të largohej në Francë. Me ikjen e tij, edhe “Partia e Re” shumë shpejt mori fund. Vetëm pak vite më pas, grupi Koc, konglomerati më i madh industrial i Turqisë, u akuzua se kishte ndihmuar protestën masive në parkun Gezi më 2013 (Koc kishte në pronësi një hotel në afërsi të parkut dhe ofroi strehë dhe ndihmë mjekësore, nëpërmjet një spitali të improvizuar, në shpëtim nga represioni policor). Atë vit, zyrtarët e taksave u shfaqën disa herë në dyert e kompanisë Koc për auditim, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes anuloi një kontratë shumë të madhe, me një shtojcë kontraktuale të vetme. Familja Koc e mori mësimin. Pas vitit 2013, distancimi i saj nga opozita ishte shumë i dukshëm.
Së fundmi, autokratët e zgjedhur shpesh provojnë t’i mbyllin gojën figurave të kulturës artistëve, intelektualëve, yjeve të muzikës pop dhe atletëve popullariteti, ose qëndrimi moral i të cilëve, i shndërron në kërcënim potencial për ta. Kur ikona e literaturës argjentinase Jorge Luis Borges doli si një kritik me profil të lartë i Perón (një nga miqtë e shkrimtarit e përshkruan Borgesin si “anti-Perón”), zyrtarët e qeverisë e transferuan nga posti i librarit në bashki, në një post që Borges e përshkruan “inspektor i shpendëve dhe lepujve”. Borgesi dha dorëheqjen dhe nuk mundi të gjejë punë për muaj të tërë.
Gjithsesi, zakonisht qeveritë preferojnë të bashkëpunojnë me figurat popullore të kulturës, ose së paku të arrijnë në një marrëveshje dypalëshe, sipas së cilës ata mund të vazhdojnë punën e tyre, por duke qëndruar jashtë politikës. Gustavo Dudamel, i Venezuelës, dirigjent me famë ndërkombëtare i Orkestrës Simfonike Bolivare dhe i Filarmonisë së Los Anxhelosit, mund të sillet si shembulli më i përshtatshëm. Dudamel ka qenë drejtues i El Sistema, një nga programet më të famshme në botë për edukim nëpërmjet muzikës klasike, nga i cili mund të kenë përfituar me qindra mijëra fëmijë të shtresave me të ardhura të pakta në Venezuelë. Meqenëse programi El Sistema varej nga fondet qeveritare, themeluesit e tij mbanin një pozicion neutral në politikë. Edhe Dudamel ndoqi përvojën, duke refuzuar të kritikonte qeverinë e Çavez, pavarësisht vlerave autoritariane gjithnjë në rritje që merrte figura e tij. Dudamel drejtoi Orekestrën Simfonike Bolivare në funeralin e Çavezit, më 2012, ndërsa në muajt e fundit të vitit 2015, kur figurat më të rëndësishme të opozitës së vendit ishin në burg, shkroi një editorial për Los Anxhelos Taims, ku shprehej në mbrojtje të neutralitetit të tij dhe respektit që kishte për qeverinë e Maduros. Në këmbim, El Sistema merrte fonde gjithnjë e më të mëdha nga qeveria. Në vitin 2015, numri i fëmijëve që përfitonin nga programi arriti në 700,000, nga 500,000 që ishte tre vite më parë. Por gjërat ndryshojnë në mars 2017, me vrasjen e një violinisti të ri student i El Sistema nga forcat e sigurisë, gjatë një proteste antiqeveritare. Dudamel theu heshtjen politike dhe publikoi një editorial në Nju Jork Taims, ku denonconte shtypjen e qeverisë dhe rrëshqitjen e drejtimit të vendit në diktaturë. Por me një çmim: muajin në vijim, qeveria anuloi turin e planifikuar me Orkestrën Kombëtare të të Rinjve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.