Shkollat e shekullit XXI. Faktorë që ndikojnë në formatimin e politikave arsimore

(Artikulli citohet në këtë mënyrë: Nathanaili, V. (2012). Shkollat e shekullit XXI. Faktorë që ndikojnë në formatimin e politikave arsimore. Studime Sociale, 2012 3(6): 43-47.)

“Politikat shtetërore”, lokale apo kombëtare, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në formësimin e asaj që ndodh çdo ditë në shkolla e kolegje, ose në përvojat që përjetojnë të gjithë ata që punojnë e studiojnë në këto institucione.[1]

Ndryshimet në ekonomi, zhvillimet teknologjike dhe intensifikimi i lëvizjeve urbane po e rrisin për­ditë e më shumë trysninë e publikut për shkolla sa më cilësore, pasqyruar në debate të shumta apo materializuar në modele të reja shkollimi. Nga ana tjetër, dimensioni njerëzor i arsimit e komplikon procesin e përshtatjes apo të pasqyrimit të këtyre ndryshimeve, zhvillimeve dhe lëvizjeve, pasi shkollat janë institucione komplekse, shpesh me inerci shumë të madhe. Vizioni ynë është se shkollimi i mirë duhet të ndikojë pozitivisht në modernizimin dhe zhvillimin e shoqërisë, në reduktimin e papunësisë, në rritjen e të ardhurave personale të indi­vidit në zgjerimin e lirive reale që gëzojnë njerëzit, në krijimin e një bote më të sigurt, më të shëndetshme e më të begatë.[2]

Nëpërmjet arsimimit, të mësuarit dhe formimit profesional, njerëzit, me kalimin e kohës, mund të bëhen shumë më tepër produktivë, çka kontribuon në një masë të madhe në procesin e zgjerimit ekonomik.[3]

Shpresa jonë është që shkollat do të mund t’u shërbejnë synimeve të tilla. Mundësitë dhe perspektivat tona varen përfun­dimisht nga institucionet që kemi dhe mënyra si funksionojnë.[4]Arsimimi është procesi i përvetësimit të atyre normave morale e sociale që i kemi vlerësuar si të nevojshme dhe të atyre aftësive që fëmijët tanë duhet të jenë në gjendje t’i përdorin. Kuptohet, jo të gjithë biem dakord për masën e mënyrën e përvetësimit, për meto­dat e përdoruara apo numrin e viteve të shkollimit që kërkojnë. Për më tepër, jo të gjithë jemi të qartë se në ç’mënyrë shkollat do të mund t’u përgjigjen realisht kërke­save tona, por për dy gjëra të gjithë biem dakord: shkollat duhet të ofrojnë shanse të barabarta për të gjithë dhe të jenë cilësore. Vetëm në këtë gjykim të integruar do të mund ta shqyrtojmë dhe ta vlerësojmë drejt institucionin e shkollës.

Shanse të barabarta dhe cilësi

“Shanset e barabarta” lidhen me faktin se në demokraci të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të përfitojnë nga mundësitë për arsim, krijuar në funksion të plotësimit të nevojave themelore për të nxënë,[5]për t’u bërë qytetarë aktivë dhe të ndërgjegjshëm, duke nënvizuar këtu faktin se barazi nuk do të thotë që të gjithë fëmijët duhet të mësojnë saktësisht të njëjtat gjëra dhe në të njëjtën mënyrë. Barazi do të thotë që diferencat në interesa dhe në synimet e shkollimit të pasqyrohen në diferenca në dije dhe aftësi, jo si burim pabarazish, por si synim për gjithëpërfshirje. Nga ana tjetër, cilësia në arsim është angazhim, nëpërmjet të cilit fëmijët arrijnë të përvetësojnë shprehitë kryesore në të shkruar e në të folur dhe të formojnë bazat e një të menduari kritik dhe krijues; është synim për ta shtrirë të mësuarin përgjatë gjithë jetës.

Për këto na duhen politikëbërës mendjehapur, të gatshëm të rishqyrtojnë organizimin dhe programet e reja të shkol­lave, që u adresohen nevojave të nxënësve që vijnë nga familje me origjina të ndryshme, kryesisht ato në nevojë apo të nxënësve me aftësi të kufizuara dhe atyre me probleme me mësimnxënien,[6]na duhen kushte të reja nxënieje, si dhe rikonceptim i vetë procesit të nxënies, duke e kuptuar më shumë se veprimtaria e përftimit të disa dijeve, duke e çuar përtej perceptimit të shumatores së disa aftësive dhe duke e vlerësuar në sisteme koordinatash që nuk kanë vetëm boshtin e standardeve.

Formatimi i politikave arsimore

Pyetjes “sa shkollim duhet të kenë fëmijët dhe cilat duhet të jenë drejtimet kryesore të tij?” mund t’i japësh përgjigje nga më të ndryshmet, në varësi të kriterit të analizës. Nëse gjykojmë në termat e vendimmarrjes, përgjigja është se fillimisht kanë qenë çështje familjare: prindërit kishin ekskluzivitetin e zgjedhjes jo vetëm të llojit të arsimit për fëmijën e tyre, por edhe të viteve të shkollimit. Me zhvillimin e shoqërisë, sisteme të ndryshme e kaluan arsimin ose nën drejtimin e fesë, ose të shtetit, duke vendosur, për më tepër, një parakusht të rëndësishëm që lidhej me ndjekjen e detyruar të disa viteve të caktuara shkollimi, pa pyetur tani më për vullnetin a dëshirën e prindërve.[7]

Por, pavarësisht autoritetit drejtues në krye të arsimit, në pjesën më të madhe të vendeve apo në shumicën e kohës, arsimi është parë si një instrument për instalim pushteti dhe forcim autoriteti. Pak vende mund të thonë se synimet arsimore i kanë pasur ose i kanë të pandikuara nga ideologjitë apo propagandat e kohës. Hartimi dhe zbatimi i synimeve arsimore është problem i të gjithëve, në radhë të parë i atyre që janë të lidhur direkt me të. Agjencia njerëzore luan një rol shumë të rëndësishëm.

Të gjithë ata që punojnë shkolla dhe përballen me zbatimin e këtyre politikave, duhet të ndërgjegjëso­hen për kontekstin e tyre politik, të jenë të kujdesshëm në kuptimin e mesazhit, interpretimin dhe zbatimin e tij: çfarë duan të thonë, çfarë kërkojnë të arrijnë dhe çfarë pasojash sjellin. Në vend që të qëndrojnë pasivë, duhet të përfshihen në formësimin e politikave kombëtare që në fazat fillestare, ndoshta nëpërmjet pjesë­marrjes në grupe interesi, në shoqatat e profesionistëve apo forume të ndryshme.[8]

Në ditët tona, faktorët kryesorë që ndikojnë në formatimin e synimeve arsimore në fushën e arsimit janë të shumtë. Ato mund të shtrihen që nga kushtet lokale “të tregut”, deri në ndikimin që ka ekonomia globale.[9] Në këtë analizë, këta faktorë janë ndarë në disa kategori. Nga ana tjetër, duhet pasur në vëmendje se analizohen vetëm në rolin që luajnë në formatimin e politikave si produkte, si rezultate, pa u interesuar pse janë këto politika apo kush janë aktorët që i hartuan.

  1. Ekonomikë. Ndryshimi i sistemit, e thënë ndryshe, ndryshimi i formës së shpërndarjes së të mirave materiale dhe shërbimeve, është shoqëruar gjithmonë me ndryshimet përkatëse në vlera e dije, si dhe në kërkesa për identifikimin e legjitimitetit të tyre. Ristrukturimi i ekonomisë bën apel për krijimin e një sistemi arsimor shumë më tepër përgjegjës ndaj nevojave të tregut të punës, nëpërmjet ndryshimeve thelbësore në atë që mësohet dhe si mësohet. Në periudha të ndryshme të zhvillimit, na është dashur herë pas here të rishikojmë a korrektojmë sistemin tonë arsimor. Një shembull i thjeshtë është ndryshimi në strukturën institucionale të shkollave. Kështu, në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore lindi nevoja për shkolla profesionale, si një mekanizëm që do të afronte shkollat më shumë me ekonominë si dhe do të siguronte një kurrikul më të përshtatshme për një kontigjent të caktuar nxënësish; disa vite më vonë, në vitet ‘950, lindi nevoja për kopshte për fëmijë, duke kontribuar në këtë mënyrë në zgjatjen e periudhës së kohës që fëmijët kalonin në shkollë dhe gërshetuar marrëdhëniet shkollë-familje në nivele shumë të rëndësishme.[10]
  2. Teknologjikë. Edhe ndryshimet teknologjike kërkojnë rishikimin e synimeve arsimore dhe, në veçanti, të përparësive të ndryshme vendosur në kurrikul apo të stileve pedagogjike të të mësuarit. Dalja e teknologjive të reja ka ndryshuar modelet tona të stilit të përditshëm të jetesës, ka ristrukturuar në mënyrë pothuaj të pabesueshme punën dhe zakonet tona të përditshme, ka ristrukturuar klasën dhe mjedisin ku mësohet: dërrasat e zeza po zëvendësohen nga videoprojektorët, detyrat e shtëpisë shpesh dërgohen onlinedhe vetë notat, vlerësimet dhe frekuentimet e nxënësve mund të shihen nga prindërit në web. Shqetësimet e nxënësve tani bëhen objekt i një mase të pafund njerëzish – mjafton një postim në një faqe sociale, pak anglisht dhe nuk ka më të fshehta apo probleme lokale. Për të qenë i suksesshëm, më shumë se nota të mira në shkencat e sakta, të duhet të njohësh e të zotërosh teknologjinë e duhur. Nga ana tjetër, pikërisht për shkak të kësaj teknologjie, mësuesit e dinë se nuk janë më i vetmi burim i besueshëm dijesh, por më shumë një guidë e marrjes së tyre. Mësuesi autoritar po zëvendësohet me mësuesin e hapur ndaj ideve dhe mendimeve të reja.

Nga ana tjetër, nëse keni mbaruar shkollën dhe jeni në kërkim të një vendi pune, do të shihni edhe si teknologjia ndikon në cilësitë që kërkohen për një vend të caktuar pune. Mjafton të hidhni një vështrim përreth dhe do ta keni të lehtë të shihni se teknologjia redukton numrin e aftësive që kërkohen për një punë të veçantë, po në atë masë që rrit shkallën e aftësive të nevojshme për atë vend pune. Për ta bërë situatën më të thjeshtë, po sjellim shembullin e arkëtarit të dyqanit, i cili me një skaner në dorë kalon, sot, të gjitha mallrat e blera nëpërmjet barkodit të tyre, që do të thotë se, për të punësuar një punonjës të tillë sot, do t’i kërkonit të tjera njohuri matematike nga ato që kërkoheshin 50 vjet më parë, kur, për të përpiluar faturën, i duhej të bënte shumatoren e të gjitha vlerave të blera, të zbatonte taksën apo edhe uljen e çmimeve (sigurisht, kur kishte të tilla).[11] Pra, edhe nëse përdorte një makinë llogaritëse, përsëri dijet e tij në matematikë duhej të ishin shumë më të mira e të avancuara se kolegu i tij sot, për të mos folur përpara 70 vjetësh, kur nuk ekzistonte fare një aparat aq i vyer.

  1. Socialë dhe kulturorë. Regjimet politike arsimore ngrihen në koherencë me ndryshimin e vlerave morale dhe vetë arsimi, si institucion social e ideologjik, vepron gjithmonë në sfondin e një strukture të dhënë sociale. Politikat arsimore nuk lindin nga hiçi. Pra, ndryshimet në strukturë, ndonëse ngadalë, mësojnë të pasqyrohen edhe në thelb.[12]
  • Ndërgjegjësimi i shoqërisë. Një numër gjithmonë e më i madh aktorësh kërkojnë të përfshihen në hartimin e politikave arsimore; gjithmonë e më pak njerëzit po i lënë politikat vetëm në duart e politikëbërësve. Shoqatat e mësuesve e të prindërve, shoqatat e grupeve në minorancë apo njerëzve me aftësi të kufizuara, institutet e ndryshme në funksion të zhvillimit profesional, media dhe përdorimi i saj si instrument për referimin dhe diskutimin e çështjeve që na shqetësojnë, janë shembuj shumë të mirë të këtij ndryshimi. Akoma më tej: standardizimi i kurrikulës dhe centralizimi i saj janë në gjendje të na krijojnë një hartë të qartë të përfshirjes ose jo të fëmijëve në procesin e nxënies, gjë që mundëson edhe procesin e monitorimit të zbatimit të këtyre politikave nga një numër më i madh të interesuarish në këtë fushë. Në Ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar”, neni 25, pika 6, pohohet detyrimi që ka Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për të publikuar raportin e arritjeve të sistemit arsimor parauniversitar për çdo vit shkollor dhe, në nenin 49, pika 4 të po këtij ligji, nga po kjo ministri kërkohet të sigurojë pjesëmarrjen e Shqipërisë në testime ndërkombëtare.
  • Hapja gjithmonë e më madhe e vendeve dhe shkëmbimet kulturore. Aderimi i vendeve në konventa e marrëveshje të ndryshme përfshin edhe arsimin e, bashkë me të, edhe politikat e tij, pasi vë përballë vlerat globale me ato lokale, atë që kërkojmë të gjithë të arrijmë me atë që jemi mësuar të arrijmë. Zgjerimi i arsimit bazë, sipas Sen, ndikon në përmirësimin e debateve publike, ndërkohë që, zgjerimi i arsimit femëror, mund të reduktojë pabarazinë gjinore në shpërndarjen brenda familjes dhe, gjithashtu, në uljen e normave të pjellorisë apo të vdekshmërisë foshnjore. Këto arritje instrumentale mund të jenë thellësisht të rëndësishme …[13]
  • Lëvizjet demografike. Lëvizjet nga një qytet në tjetrin dhe përqendrimi i tyre në zonat urbane solli, për rrjedhojë, rritjen e numrit të nxënësve në klasa (kujtoni klasat me 50-55 nxënës). Me synimin për t’i mbajtur adoleshentët larg rrugës dhe tregut të punës, politikat e kësaj kohe përqendrohen në krjimin e shkollave të mëdha dhe në mundësitë për akomodimin e një numri sa më të madh nxënësish në mjediset e tyre, përdorimin e kujdesshëm të fjalorit nga ana e mësuesve për të mos krijuar konflikte etnike apo gjetjen e përdorimin e metodave më të përshtatshme mësimdhënieje e nxënieje. Mësuesit, shpesh të paorientuar, rrjedhojë e mungesës së përvojës apo rezistencës ndaj ndryshimit, gjenden përpara zgjedhjeve të vështira se çfarë është e drejtë dhe e gabuar apo si duhet t’i këshillojnë dhe orientojnë nxënësit.
  • Stilet e reja të jetesës, shoqëruar me ndryshime të theksuara në mënyrat tona të të sjellit ndaj autoritetit, ka rritur trysninë për ndryshime në arsim. Një dukuri e tillë vihet re veçanërisht tek të rinjtë, përqendruar kryesisht në zona të zhvilluara urbane, të rritur në familje ku rolet prindërore dhe raportet fëmijë/prind janë larg normave të ngurta e autoritare të këtyre marrëdhënieve. Këto raporte pasqyrohen edhe në marrëdhëniet që kërkojnë të krijojnë në shkollë. Për më tepër, mësuesi nuk është i vetmi i rritur me të cilin ata ndërtojnë kontakte gjatë një dite shkolle. Rritja e numrit të lidhjeve të krijuara shoqërohet me një zbehje të autoritetit klasik të mësuesit, me një konceptim të ri të disiplinës apo edhe mënyrës së bindjes ndaj saj.

Shkolla më të mira, do të thotë një arsimim më i mirë. Duke e vendosur fokusin në politikat që e bëjnë një shkollë dhe shkollim sa më cilësor, ne kërkojmë që roli i tyre të shkojë përtej atij të formimit të kapitalit njerëzor si mjet për prodhimin e të mirave materiale, duke i dhënë zhvillimit karakter social: falë një arsimimi më të mirë, është e natyrshme të presim që edhe arritjet e një personi të jenë më të mira, mundësitë për të drejtuar jetën e tij më të shumta, zgjedhjet më të mirinformuara dhe, duke vazhduar me gjuhën e Sen, fjala e tij merret më seriozisht nga të tjerët.[14]

Referenca

  • [1] Bell L. & Stevenson H., 2006. “Education policy: process, themes and impact”, Routledge: Oxon, f. 8.
  • [2] Konferenca Botërore “Arsim për të gjithë”, Jomtien Tailandë, 1990. (cituar: Nathanaili V., 2011. “Reforma dhe legjislacioni në sistemin arsimor parauniversitar”. Tiranë: Albanian University Press, f. 36.
  • [3]Sen A., 2011, “Zhvillimi si liri”. Tiranë, Albanian University Press, f. 325.
  • [4] Ibid, f. 157
  • [5]Konferenca Botërore “Arsim për të gjithë”, Jomtien Tailandë, 1990. (cituar: Nathanaili V., 2011. “Reforma dhe legjislacioni në sistemin arsimor parauniversitar”. Tiranë: Albanian University Press, f. 37.
  • [6] Elmore R., 2011. “Reforma shkollore nga brenda jashtë. Politika, praktika dhe performanca”, Tiranë: Albanian University Press, f. 29.
  • [7] Shënim (Nathanaili V.): Ndonëse është jashtë analizës së këtij artikulli, duhet pasur në vëmendje roli i prindit në shumë aspekte të tjera të vendimmarrjes që lidhen me arsimimin e fëmijës së tij. Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Protokolli nr.1, neni 2, “Shteti, në ushtrimin e funksioneve që merr përsipër në fushën e edukimit dhe të arsimit, respekton të drejtën e prindërve për të siguruar këtë edukim dhe arsim në përputhje me bindjet e tyre fetare dhe filozofike”.
  • [8]Bell L. & Stevenson H., 2006. “Education policy: process, themes and impact”, Routledge: Oxon, f. 8.
  • [9] Ibid, f 7.
  • [10] Elmore R., 2011. “Reforma shkollore nga brenda jashtëPolitika, praktika dhe performanca”, Tiranë: Albanian University Press, ff. 28 – 9.
  • [11] Pierce M. & Stapleton D., 2011. “Drejtori i shkollës i shekullit XXI”, Albanian University Press: Tiranë, f. 85.
  • [12] Elmore R., 2011. “Reforma shkollore nga brenda jashtëPolitika, praktika dhe performanca”, Tiranë: Albanian University Press, ff. 28-9.
  • [13] Sen A., 2011, “Zhvillimi si liri”. Tiranë, Albanian University Press, f. 329.
  • [14] Ibid, f. 326.