
Të dhëna për librin:
Titulli i librit: Rruga e mundimshme e shkollës shqipe
Autor: Valbona Nathanaili / ISBN: 978-9928-190-68-0
Botues: UET Press, 314 faqe, Tiranë, Maj, 2016
7 Mars 1887, hapet shkolla e parë shqipe. Përpjekjet për ringritjen e arsimit në gjithë republikën, vazhduan në qeverinë shqiptare që pas shpalljes së Pavarësisë. Në librin e Valbona Nathanailit “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”, trajtohen çështje, politika dhe veprimtari në fushën e arsimit gjatë periudhës 1912-1944.
Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Ky është një moment kulmor i përpjekjeve shqiptare për t’u çliruar nga robërimi osman dhe kjo ditë u bë simbol i rëndësishëm për arsimin, që njihet ndryshe edhe si dita e Mësuesit. Studiuesja Valbona Nathanaili është përpjekur të sjellë një tablo të plotë të asaj se çfarë ka ndodhur me arsimin shqiptar të paktën gjysmë shekulli pas hapjes së shkollës së parë. Libri i saj “Rruga e mundimshme e shkollës shqipe”, botim i UET-Press, i cili promovohet sot në Universitetin Europian të Tiranës, trajtohen çështje, politika dhe veprimtari në fushën e arsimit gjatë periudhës 1912-1944. Ky libër sjell dokumente arkivore nga kjo periudhë që tregojnë politikat e ndërmarra nga qeverisjet që pati Shqipëria gjatë kësaj kohe.
Ja si e përshkruan situatën e arsimit në Shqipëri në vitet pas shpalljes së Pavarësisë Aleko Minga në parathënien e tij në librin e Dr. Valbona Nathanailit. “Sistemi arsimor mungonte pothuaj krejtësisht dhe duhej të ndërtohej hallkë pas hallke, nivel pas niveli. Ishte shumë e vështirë të gjeje njerëz që, në të njëjtën kohë të kishin, edhe bagazhin e duhur të njohurive,edhe të zotëronin, në një shkallë të mjaftueshme, gjuhën amtare, dhe të cilëve t’u besoje detyrën e mësuesit. Për të mos renditur një mori problemesh të tjera, po shënojmë edhe kontrastin thellësisht ankthndjellës midis nivelit arsimor dhe kulturor të Europës, kontinentit ku bënim pjesë, dhe vendit tonë, të katandisur në gjendjen e vajmedetshme “pranë dijes i panxënë”, me një përqindje të lemerishme analfabetizmi”.
Në intervistë për gazetën Mapo, Nathanaili u jep përgjigje disa pyetjeve që ngrihen mbi politikat e ndërmarra për të zhvilluar arsimin gjatë kësaj kohe. Libri i saj sjell një informacion pothuajse të munguar për këtë periudhë dhe për rolin e disa figurave politike në këtë drejtim.
Gazeta MAPO: Së pari, si erdhi nxitja për të bërë një studim të tillë, pse keni zgjedhur vetëm këtë periudhë, deri në 1944-ën?
Ideja fillestare ishte të pasqyroja vetëm jetëshkrimet e të gjithë ministrave të Arsimit në detyrë, që me fillimin e historisë së shtetit shqiptar. Ideja fillestare u plotësua dhe u zgjerua me çështje, politika dhe veprimtari të vetë institucionit të arsimit dhe vetë periudha, u ngushtua, për të pasur mundësi për të pasqyruar në mënyrë sa më të plotë veprimtarinë e të gjithë institucionit të arsimit. Ndërsa flasim e flasim për shkollën shqipe dhe mendojmë se kemi arritur diçka, ka shumë për të mësuar nga reformat, vendimet, legjislacioni e nismat, sikundër edhe nga pasioni, përkushtimi e mençuria e njerëzve që kanë udhëhequr arsimin në këtë periudhë.
Gazeta MAPO: Në momentin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sa shkolla shqipe ka pasur vendi dhe cila ka qenë gjendja e përgjithshme e arsimit?
Dr. Valbona Nathanaili: Deri në momentin e shpalljes së Pavarësisë, gjuha osmane është gjuha zyrtare (edhe dokumentacioni i mbledhjeve të mbajtura nga vetë qeveria e parë shqiptare është në këtë gjuhë). Në fillimin e viteve 1908, kemi shkolla shqipe pothuaj në të gjithë vendin, por në kushtet e ilegalitetit, pa një program të konsoliduar dhe jo të qëndrueshme. Po të flasim me gjuhën e sotme, kanë qenë më shumë kurse se shkolla, por që sigurisht për atë periudhë kanë qenë ndër arritjet më të mëdha, përpos sakrificave që kërkonte hapja e tyre pasi ishte gjithmonë rreziku i dënimit. Mbas vitit 1908, me shpalljen e “Hyrietit” ose “Lirisë”, nga Abdyl Hamiti II, situata lehtësohet disi. Gjuha shqipe fillon të mësohet si gjuhë e dytë pothuaj në të gjitha shkollat qytetëse.
Qeveria provizore shqiptare fillon shndërrimin e shkollave nga “shkolla turke” (po përmend vetëm këto shkolla, pasi ka edhe “shkolla greke”, “shkolla italiane” etj.), në “shkolla shqipe” dhe kërkon personel mësimor. Më 6 shtator 1913, ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, në emër të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, i drejtohet me një thirrje “Të gjithë atyre që janë të aftë për të kryer detyrën e mësonjësit për zhvillimin e shkollës shqipe”. Aftësia përmblidhet në dy kërkesa: 1. Të njohin gjuhën shqipe, e mësuar kryesisht në institutet kombëtare të çelur në Sofje e Bukuresht ose në Normalen e Elbasanit (hapur për pak kohë më 1909); 2. Të kenë një kulturë të mesme ose universitare, përftuar në shkollat jashtë vendit. Në një dokument të mëvonshëm, gjetur në Arkivat e Ministrisë së Arsimit, datë 3.10.1919, kam gjetur një referencë për mbajtjen e “Mbledhjes së parë të Arsimit Arbnor” në Vlorë, por vetë dokumentin nuk e kam gjetur, sikundër nuk kam gjetur një statistikë të përgjithshme për mbylljen e vitit shkollor 1912-1913.
Nga ana tjetër, vetë shtrirja e shtetit është e kufizuar. Fillon në Vlorë, më 28 nëntor 1912 dhe, qytet pas qyteti, sipas deklaratave që bëjnë paritë e vendit, shteti i ri shqiptar zgjeron “kufijtë”, një proces që nuk zgjat një e dy ditë, por deri në fund të qeverisjes së Ismail Qemalit. Kështu, flamuri kombëtar ngrihet në Shkodër më 28 nëntor 1913, që është edhe data zyrtare e përfshirjes së Shkodrës në kufijtë e shtetit shqiptar të formuar.
Gazeta MAPO: Megjithëse qeveritë shqiptare kanë ndryshuar shpesh, një emër, ai i Luigj Gurakuqit, shfaqet nga qeveria e Ismail Qemalit deri te ajo e Turhan Pashës dhe vazhdimisht i lidhur me arsimin. Cili është roli i tij në zhvillimin e arsimit shqiptar?
Dr. Valbona Nathanaili: Shumë e saktë. Ministri më jetëgjatë është Luigj Gurakuqi, i pranishëm në këtë post, gjatë periudhës 1912-1920, herë në rolin e ministrit dhe herë në atë të delegatit të arsimit në 3 qeveri, me një kohëzgjatje, në total, me më shumë se 5 vjet, ose 71.5% të kohës në drejtim (nga 7 vjet që zgjat gjithë kjo periudhë). Zgjedhja e Luigj Gurakuqit në krye të punëve të arsimit në 3 qeveri, formalisht dhe parimisht krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, i ka shtuar kësaj periudhe vlerat dhe kontributet në fushën e arsimit kombëtar. Deri në detyrën e fundit të Luigj Gurakuqit në krye të arsimit, si Delegat i Arsimit, kemi përpjekje për konsolidimin e programeve mësimore, merren masa për kualifikimin e arsimtarëve, ka kërkesa për pajisjen e shkollave me mjete mësimore, tekste, libra leximi e orendi, i vihet theksi zbatimit të detyrimit shkollor, si dhe fillon lufta kundër analfabetizmit.
Gazeta MAPO: Në librin tuaj thoni se pas Kongresit të Lushnjës, në Shqipëri u ngritën institucionet e para të kërkimit shkencor, si Shërbimi Veterinar ose Epidemiologjik. Cilat janë ndryshimet që solli Kongresi i Lushnjës?
Dr. Valbona Nathanaili: Kongresi i Lushnjës hap kreun II të librit. Në krye të Ministrisë së Arsimit vjen Sotir Peci, një figurë përsëri me shumë kontribute. Me kongresin e Lushnjës plotësohet pothuaj i gjithë mozaiku i shtrirjes gjeografike të vendimmarrjes e kontrollit të Ministrisë së Arsimit, që do të thotë edhe një shkollë kombëtare. Ministria e Arsimit kujdeset për organizimin e institucioneve arsimore të ndryshme, rregullon administrimin dhe inspektimin e shkollave, përgatit dhe vë në veprim ligjet e rregulloret e nevojshme mbi arsimin fillor të detyrueshëm e falas, merret me sigurimin e frekuentimit shkollor të rregullt, formon një komision teknik, në qendër, për të studiuar e hartuar programe shkollore të përshtatshme për nevojat e vendit, bazuar në parimet pedagogjike të kohës, përgatit instrumentet e udhëzimet e duhura për zbatimin e mirë të këtyre programeve në shkolla, duke hartuar e botuar shumë tekste shkollore. Sa i takon personelit mësimor, përpiqet të zgjedhë sa më shumë mësues nga shkollat normale për mësues.
Gazeta MAPO: Ju u referoheni statistikave duke thënë se në vitin 1925, në qeverinë e parë të Zogut, në Shqipëri ekzistonin 132 shkolla fillore dhe 1 lice. Si punoi Mbreti Zog për rritjen e shkollave në vend dhe cilat ishin rezultatet gjatë mbretërimit të tij?
Dr. Valbona Nathanaili: Nga qeveria në qeveri, ka gjithmonë e më shumë të dhëna për shkollat që funksionojnë, ose më mirë është më e thjeshtë të formosh një kuadër të përgjithshëm, në terma statistikorë, ndonëse nuk është ky i vetmi qëllim i librit. Merita e Mbretit Zog sa i takon zhvillimit të shkollës shqipe, në gjykimin tim, është se diti të zgjedhë ndër njerëzit më të përgatitur të kohës, profesionistë dhe patriotë. Dhe jo vetëm të zgjedhë, por edhe të dëgjojë këshillat e të ndikojë në zbatimin e masave që ata propozojnë. Hil Mosi, Mirash Ivanaj dhe Aburrahman Dibra janë disa nga ministrat e kësaj periudhe që i dhanë arsimit, formë europiane e përmbajtje kombëtare. Kam zbardhur pothuaj fjalë për fjalë, shumë nga dokumentet e kohës që secili prej tyre i ka dërguar Mbretit Zog në lidhje me gjendjen e arsimit në shkallë vendi dhe masat që propozojnë për përmirësim. Në disa raste, dokumentet i kam ilustruar me faksimilet e tyre. Kontributet e tyre, ndërmjet të tjerave, lidhen me krijimin e legjislacionit të shkollës, krijimin e një sistemi të vetëm shkollor në të gjithë vendin, me programe e tekste krejtësisht të konsoliduara, si dhe me përpjekjet për zgjerimin e sistemit shkollor në të gjitha nivelet.
Gazeta MAPO: Një tjetër statistikë nga koha e Zogut, tregon për shkallën e lartë të analfabetizmit në Shqipëri. Çfarë politikash ndoqi ai për ta luftuar këtë fenomen?
Dr. Valbona Nathanaili: Statistikat ishin ndër pjesët më të vështira dhe që kanë kërkuar më shumë kohë për pasqyrimin e tyre, sikundër edhe shumë interesante. Të gjitha kanë qenë me shkrim dore dhe në mjaft raste ka qenë e vështirë identifikimi i shifrave, sepse jo vetëm filmat, por edhe dokumentet origjinalë kanë filluar të vjetrohen. Kështu që kam punuar me disa burime dhe kam mbledhur e zbritur me dhjetëra herë që në fund të bindesha se rezultati ishte në rregull. Kur të dhënat ishin të plota, jam munduar që rezultatet t’i paraqes edhe në terma përqindjeje.
Lufta kundër analfabetizmit fillon të dokumentohet për herë të parë gjatë periudhës së pushtimit austro-hungarez, me delegat arsimi Luigj Gurakuqin, por periudha kur i është dhënë rëndësia e duhur, pra është punuar me plane e statistika dhe ka rezultate konkrete është në kabinetin e fundit të kryesuar nga Kostaq Kotta, 9 nëntor 1936–7 prill 1939 dhe ministër i Arsimit është Abdurrahman Dibra.
Gazeta MAPO: Për hartimin e teksteve mësimore u ngrit një komision i përbërë nga emra të shquar, ndër të cilët Aleksandër Xhuvani, Jani Minga, Mirash Ivanaj apo Karl Gurakuqi. Si ishte cilësia e këtyre teksteve dhe a mund të themi se ishin tekste që u përgjigjeshin nevojave të kohës?
Dr. Valbona Nathanaili: Me konsolidimin e shtetit, sikundër edhe të trashëgimisë gjithmonë e më të pasur në fushën e zhvillimit të shkollës nga një kabinet në tjetrin, disa nga çështjet kryesore të veprimtarisë së Ministrisë së Arsimit që mungojnë në fillimet e kësaj periudhe, fillojnë e marrin formë, konsolidohen e janë të pranishme gjithmonë e më shumë. Në këtë aspekt, hartimi dhe përgatitja e teksteve shkollore, politikat për pranimin dhe shpërndarjen e tyre forcohen vazhdimisht. Çështja e botimeve që do të përdoren në shkolla fillon të trajtohet për herë të parë në libër, si çështje më vete, më vitin 1920 dhe është e pranishme, më tej, pothuaj për të gjitha kabinetet.
Sa i takon cilësisë së teksteve shkollore, ajo është e lidhur me mënyrën e zgjedhjes së tyre. Pothuaj në të gjitha qeveritë e kësaj periudhe, Ministria e Arsimit pranon tekste mësimore nga dy burime: Nga nismat individuale të mësuesve, ose me porosi të Ministrisë, për persona të veçantë, të njohur për profesionalizmin e tyre, por në të gjitha rastet duhet të kalojnë në filtrat e specialistëve të zgjedhur nga Ministria e Arsimit, ose një komisioni, ku në pjesën më të madhe të kohës anëtarë kanë qenë emrat që ju përmendni më lart. Do veçoj kontributet e Gjergj Pekmezit gjatë kohës që ka qenë në Austri, si dhe atë të Kostë Çekrezit, më 1921, në atë kohë si zëvendëspërfaqësues i Shtetit Shqiptar në SHBA, për hartimin e 5 teksteve. Në vitin 1921 kemi edhe një ligj të veçantë për tekstet shkollore. Ka shumë tekste të përgatitura nga Aleksandër Xhuvani. Po në vitin 1921, kur ministër i Arsimit është R. Mitrovica, M. Frashëri, në emër të Ministrisë së Arsimit, ndjek një konferencë kombëtare mbi edukatën morale, me synim sjelljen e ideve dhe teorive të reja për mënyrat e të sjellit të fëmijës, si dhe përshtatjen e përvojës më të mirë sipas teksteve e programeve të vendeve europiane. Për periudhën e pushtimit italian, kam bashkëngjitur një listë me libra që ndalohen të qarkullojnë.
Gazeta MAPO: Si kryhej procesi i rekrutimit të mësuesve, ku studionin ata që më pas do të jepnin mësim dhe si ishte përgatitja e tyre?
Dr. Valbona Nathanaili: Së pari, duhet të veçoj një pjesë të një dokumenti (Rregullore mbi detyrat dhe të drejtat e arsimtarëve, N. 1082/II – 4-IV-21.55, ministër i Arsimit, Kristo Floqi): “Mbasi mësuesi i katundit âsht njeriu ma i këndueshëm i katundit duhet të piqet shpeshë me katundarët tue u dëftuem dobin qi kanë ata prej shkollës e tue ua ndezun zemrën me dashuni për atdheun e për kombësin”. Pra është periudha kur mësuesi vlerësohet jashtëzakonisht shumë dhe detyrat e tij shtrihen edhe jashtë oborrit të shkollës.
Kërkesat për rekrutimin e mësuesve në shërbim fillojnë e forcohen gjithmonë e më shumë. Nëse në fillim ka mësues që kanë mbaruar edhe thjesht një shkollë qytetëse, më vonë kërkohen mësues që të kenë kryer, të paktën, një normale dhe kulmon me periudhën kur ministër i Arsimit është Hil Mosi, i ndjekur nga Mirash Ivanaj. Emërimi i mësuesve bëhet mbi bazë të dëftesës dhe dy dokumenteve të tjera, atë të certifikatës shëndetësore dhe të mirësjelljes. Për këtë të fundit kërkohen të dalin dy persona garant, që nënshkruajnë një formular tip. Çdo mësues ka formularin e tij të arritjeve. Edhe emërimi ka dy forma: Për një mot dhe përgjithmonë. Ka edhe raste kur mësuesit, për arsye të mungesave në kuadër, paguhen me ditë. Mësuesit që nuk kanë arsimin e nevojshëm, duhet të ndjekin, me fondet e tyre, kurset e verës, të hapura pranë shkollave normale. Me nismën e Ministrisë së Arsimit ka shumë profesorë të huaj, veçanërisht nga Franca dhe Italia, që sillen për të dhënë mësim në shkollat e mesme të vendit, veçanërisht në Korçë, Shkodër e Tiranë.
Gazeta MAPO: Çfarë mund të themi për ndikimin e Italisë në arsimin shqiptar gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit të Ahmet Zogut?
Dr. Valbona Nathanaili: Një vend i veçantë në libër u kushtohet shkollave të huaja dhe të minoriteteve, mënyrës së hapjes dhe mbajtjes së tyre, gjuhës së përdorur, mësuesve të punësuar, sikundër edhe kontrollit ose jo nga ana e Ministrisë së Arsimit. Sa i takon ndikimit italian, i kam kushtuar një rubrikë të posaçme, me titull “Prania italiane”. Italia është shumë e pranishme edhe përpara datës së pushtimit. Nga dokumentacionet, mund të shkëpus: Një promemorie hartuar nga dr. Rosalina Petroli, mbërritur pranë Ministrisë së Arsimit datë 27.9.1927, për bashkëpunim në fushën e shkollave dhe hapjen e një instituti të përbashkët; emërimin e Piacentini Ostilios, në detyrën e kryeinspektorit të edukatës fizike pranë Ministrisë së Arsimit; mbërritjen, më vitin 1930, në Sarandë, të ministrit të Arsimit të Italisë, shoqëruar nga një grup akademikësh italianë. Vetë Ministria e Arsimit është ndërtuar si pjesë e një huaje italiane. Një nga shoqatat italiane më aktive është “Dante Aligieri”, që organizon kurse nate falas për mësimin e gjuhës italiane në shumë qytete të vendit.
Gazeta MAPO: Ju hulumtimin tuaj e keni ndarë në disa periudha, nga shpallja e Pavarësisë deri në largimin e okupatorëve gjermanë. Cilat kanë qenë zonat e Shqipërisë të “privuara” nga arsimi, pra ku ka pasur pak ose asnjë shkollë shqipe? Po qytetet ku ka pasur më shumë shkolla? Si ka qenë raporti sasi/cilësi i nxënësve?
Dr. Valbona Nathanaili: Harta e zhvillimit të vendit të asaj kohe është e ndryshme nga situata sot. Për shembull, për një kohë të gjatë kanë funksionuar internate (ose konvikte, me gjuhën e sotme) në Kolonjë, Kurvelesh, Vuno e Orosh. Hapja e këtyre internateve në vende të tilla ishte një mundësi për nxënësit e varfër për të ndjekur shkollën – të gjitha këto mbaheshin me fondet e shtetit dhe shpesh herë kishin pjesë të sistemit edhe shkollën fillore. Pra, politikë ka qenë jo hapja e shkollave në çdo “katund”, por që çdo fëmijë të ndiqte një shkollë. Kështu që numri i hapjes së shkollave në një zonë, jo gjithmonë është tregues për “privim”. Për më tepër, që është i lidhur edhe me numrin e popullsisë. Për shembull, sipas legjislacionit të vitit 1921 “në çdo katund ku mund të dalin 30-40 nxanës në moshë shkollore, do të ngrihet një shkollë fillore e parë”.
Për të krijuar një ide mbi ecurinë e shkollave, kam vendosur disa statistika të plota. Për shembull, në vitin shkollor 1928-1929 (ministër i Arsimit është Abdurrahman Dibra), Korça ka, gjithsej, 120 shkolla fillore, të mesme dhe plotore, ndërsa Tirana e Durrësi bashkë kanë, pothuaj, sa Berati, përkatësisht 60 dhe 54. Flasim për shkolla shtetërore, pasi ka edhe shkolla private. Sa i takon raportit sasi/cilësi, vura re, jo pa keqardhje, për cilësinë e dobët të Liceut të Korçës në vitin shkollor 1939-1940, sesioni i dytë, me vetëm 66.5 %, ose duke e parë në një aspekt pozitiv, për shkallën e lartë të kërkesës që ka shkolla (ndoshta!). Por ka shumë kërkesa nga ana e Ministrisë së Arsimit për inspektimin e shkollave, të paktën, dy herë në vit.
Gazeta MAPO: Ministri më jetëgjatë i arsimit?
Dr. Valbona Nathanaili: Ministri më jetëgjatë është Luigj Gurakuqi, i pranishëm në këtë post, herë në rolin e ministrit dhe herë në atë të delegatit të arsimit në 3 qeveri, me një kohëzgjatje, në total, me më shumë se 5 vjet,ose 71.5% të kohës në drejtim (nga 7 vjet që zgjat gjithë kjo periudhë). Të gjitha këto qeveri e kanë shtrirjen e ndikimit dhe të pushtetit të tyre në hapësira më të vogla se ato të shtetit të njohur dhe kemi kapërcim strukturash nga shtet i lirë dhe i pavarur, në principatë dhe nën pushtim. Zgjedhja e Luigj Gurakuqit në krye të punëve të arsimit në 3 qeveri, formalisht dhe parimisht krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, i ka shtuar kësaj periudhe vlerat dhe kontributet në fushën e arsimit kombëtar.
Fragment nga libri: Statistika nga qeveria e Zogut
Në këtë juridiksion ka 135 shkolla qeveritare e private, si tregohet më poshtë:
Shkollë lice, 1;
Nr. i nxënësve, 143 (meshkuj 137, femra 6);
Shkolla fillore, gjithsej, 132;
Nr. i nxënësve, 4 807 (meshkuj 3 631, femra 1176);
Nxënës të detyruar për shkollë, 7341.
Nxënës që mësojnë në shkollat e jashtme:
Nxënës që mësojnë me bursë të qeverisë shqiptare, 19;
Nxënës që mësojnë me bursë të qeverisë greke, 7;
Nxënës që mësojnë me shpenzimet e veta, 234;
Total, 260.
Proporcioni i shkallës së arsimit sipas popullatës:
Injorantë: 75%;
Të mësuar: 25%;
Muzikë: –;
Teatro: –.