Një ditë, duke ecur në pyll, Reverend Edward Stone rastësisht kafshoi dhe përtypi lëvoren e një shelgu. I bëri përshtypje hidhësia! Pas pak, ndërsa vazhdonte me eksperimentet dhe në të njëjtën kohë përpiqej të gjente ngjashmëri me shijen që sapo kishte provuar, iu kujtua se edhe druri i kininës, nga i cili nxirret kinina, e njohur në mjekimin e etheve të malaries prodhonte të njëjtin efekt kur përtypej.
Reverendi Eduard, botanist i shkëlqyer dhe ekspert në çështjet mjekësore, nuk humbi kohë me hamendësime sepse nuk kishte kohë: malarja bënte kërdinë! Çdo ditë vdisnin me dhjetëra e qindra njerëz. Lëvorja e shelgut, me hidhësinë e saj, mund të jetë e dobishme për luftimin e etheve të malaries, – sugjeroi ai. Në 50 pacientët e parë përdorimi i lëvores së zierë të shelgut rezultoi me efekte të shkëlqyera në luftën kundër etheve malarike, duke e detyruar mjekësinë e kohës t’i përulej aftësive kuruese të shelgut dhe në veçanti, aftësisë së tij kundër temperaturës së lartë. Vetëm në dekadat e para të shekullit të nëntëmbëdhjetë u arrit te perftohet substanca aktive e shelgut, salicina. Megjithatë, vetëm falë kimistit napolitan Raffaele Piria, u zbulua se acidi salicinik, perberesi kryesor i Aspirines, perftohet nga salicina.
Legjenda urbane insiston se pikerisht në saje të origjinës napoletane të Raffaeles dhe të vetive thuajse magjike të aspirinës, më 1899 kompania e barnave Bayer do t’i vinte Aspirinës emrin e shenjtit Napoletan, Aspreno. Cila është e vërteta për fat të keq sot ne nuk e dimë, por një shëtitje në kapelën e Sant’Aspreno al Porto, në Napoli, një kishë e vogël kjo, por e konsideruar si shtëpia e Shenjtorit, do të na zbulojë një sekret dhe magji të madhe për kohën. Në këtë kishë në shekullin e shtatë pas Krishtit, u ndërtua një altar shkëmbor në fundin e të cilës është një vrimë në të cilën besimtarët fusnin kokën për t’u shëruar nga migrena. Edhe sot ka njerëz që shkojnë atje për të qetësuar dhimbjet e kokës. Gjithsesi kur nuk qetësohen pinë edhe një Aspirinë!
Megjithëse aspirina konsiderohet një mrekulli e re mjekësore, Historia e Aspirinës, e cila është e pandashme nga historia e lëvores dhe gjethes së shelgut, fillon shumë vite para Krishtit dhe se virtytet e saj terapeutike përmenden në papirusin Ebers, rreth 2000 vjet para Krishtit. Hipokrati (460-377 B.C.), babai i mjekësisë, i këshillonte pacientët e tij të prekur nga dhimbje të ndryshme, te përdornin levoren apo gjethet e shelgut. Edhe sot fshatarët grekë përtypin gjethet e shelgut për të luftuar dhe madje parandaluar dhimbjet reumatizmale. Por studimet e fundit gjenetike të botuara pak javë më parë, zbuluan se njeriu i Neandertalit i gjetur në një shpelle në El Sidrón te Spanjes, 48.00 vjet më parë, pasi vuante nga një absces dentar, kishte ngrënë një këpurdhë me përmbajtje Penicillium, dhe për të qetësuar dhimbjen e dhëmbit kishte përtypur lëkurë shelgu.
Nëse njeriu i sotëm kur nuk ka aspirinë në shtëpi, shkon dhe e gjen në farmaci, në se dikur Neandertali e kërkonte dhe e gjente pa recetë mjeku në shelgjet e rritura në natyrë, atëherë po bimët, të cilat nuk mund të shkojnë në farmaci, si bëjnë për të? Në kushte stresi bimët sintetizojnë metilsalicilat, që më pas konvertohet në acid salicilik (aspirinë) të cilën më pas e lëshojnë në atmosferë. Kjo është e vërtetë, pasi Studiuesit e Qendrës Kombëtare të Studimit të Atmosferës në Amerikë kanë arritur ta masin atë në një pyll pranë Davisit në Kaliforni. Pak kohë më parë të njëjtën gjë do ta vërtetonte edhe një studim i botuar në revistën “Nature” nga studiuesit e Illinois, të cilët për më tepër arritën në një konkluzion shumë interesant: “Methylsalicylati (aspirina) çlirohet e përdoret nga bimët për t’u mbrojtur nga insektet e demshme dhe gjendjet e stresit mjedisor”.
Pikërisht, në këtë terren mrekullie të Aspirinës, një nga ilaçet më të famshme në botë, mjekuesi universal për çdo dhimbje e sidomos për dhimbjen e kokës, studime pa fund që dominuan kryesisht në vitet 1980 dhe 1990, konfirmuan vleren e aspirinës në parandalimin primar te ngjarjeve te rendesishme te zemres dhe te trurit. E për më tepër e përdorur mbi 10 vjet ajo arrin të parandalojë edhe kancerin e zorrës së trashë, edhe të prostatës. Mjekon deri dhe impotencën seksuale, po aq sa Viagra. Dhe ne i dhamë një aspirinë 100 mg çdo individi mbi 40 vjeç për të parandaluar ngjarjet e zemrës dhe të trurit, sidomos atyre që kishin predispozitë për sëmundje të zemrës. E shijuam për rreth 40 vjet këtë efekt parandalues dhe e ngritëm në qiell supermenin aspirinë si zbulimin më me vlerë të këtij shekulli.
Por fatkeqësisht, tre studime gjigante, rezultatet e të cilave do të prezantoheshin në Kongresin e Shoqërisë Europiane të Kardiologjisë në muajin gusht të këtij viti, (ASCEND, ARRIVE dhe ASPREE) nuk arritën të tregojnë asnjë vlerë të përdorimit të Aspirinës në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, trurit apo uljen e incidencës të kancerit të zorrëve dhe prostatës, duke treguar, përkundrazi, një tendence të rritur të ngjarjeve të gjakderdhjes e hemorragjisë në përdoruesit e saj. Zhgënjimi ishte i madh, sepse rezultatet e këtyre studimeve rrokullisën gjithçka që mendonim se dinim rreth misterit që rridhte nga lëvorja e shelgut. Gjithsesi, si gjithmonë, shkenca nuk i mbyll të gjitha dyert: vendimi për të përdorur ose jo aspirinën si parandaluese të ngjarjeve të zemrës dhe të trurit duhet të përfshijë një diskutim të kujdesshëm mes klinicistit dhe pacientit, bazuar në profilin e rrezikut të pacientit dhe efekteve të saj sidomos në të sëmurë me probleme hemorragjike.
Në vend të mbylljes!
Aspirinë, mikja ime e vjetër!
Natën e mirë, princeshë e ëmbël! Fluturimet e trombociteve këndofshin në pushimin tënd.