Bibliografi
- H. A. Hirt, Prof. në Universitetin e Giessen, Gjermani: “Indogermanische Grammatik”, Heidelberg, 1927.
- A. Meillet, Prof. në Kolegjin e Francës, Paris: “Introduction à l’Etude Comparative des Langues Indoeuropéennes”, Paris, 1934.
- Holger Perdersen, Prof. në Universitetin e Kopenhagës, Danimarkë: “Linguistic Science in the Nineteenth Century”, Cambridge, Harvard University Press, 1931.
Tri pikëpamje
Ndër studiuesit e përmendur më lart, Hirti është entuziasti, Pederseni është konservatori dhe Mejeja është Thomai që vë në dyshim gjithçka. Hirti mendon se ne kemi një numër të madh fjalësh të përbashkëta indo-europiane, prej të cilave mund të nxjerrim disa përfundime të përcaktuara rreth atdheut të parë dhe qytetërimit të indoeuropianëve. Perderseni i vë një kapak kësaj pune, duke e ngushtuar leksikun me fjalët që ndeshen në të gjithë perandorinë gjuhësore të indoeuropianëve dhe kështu mënjanon të gjitha fjalët që atij i duken dialektore, që domethënë ndeshen në gjuhë të vendeve fqinje, por ai pranon se një fjalë, që gjendet në dy ose tre grupe të largëta njëri nga tjetri, mund të quhet se është e për gjithë familjen indoeuropiane. Mejeja mendon se bërthama e fjalëve të përbashkëta indoeuropiane është aq e vogël dhe kuptimet e tyre janë aq të vagullta, sa është shumë e rrezikshme të nxirret në përgjithësi ndonjë përfundim i caktuar.
Hirti, entuziasti
Hirti pranon se ka disa shkenca të tjera, të cilat mund të jenë më të përshtatshme për ta zgjidhur këtë problem, porse kjo nuk do të thotë se edhe gjuhëtari nuk ka asgjë për të thënë. Përkundrazi, nga glotologu pritet që t’u përgjigjet këtyre pyetjeve me materialin që ai ka, duke u nisur nga pikëpamje thjesht gjuhësore.
Një dallim i domosdoshëm
Çështja për të gjetur vendin e prejardhjes së indoeuropianëve është krejt e ndryshme nga gjetja e vendit të prejardhjes së racës njerëzore. Ndërmjet tyre, kemi një periudhë prej një milion vjetësh. Historia e njeriut nis në periudhën e paleolitit, kur njeriu shfaqet për herë të parë si kafshë që përdor veglat. Kjo periudhë përfshin një milion vjet, ndërsa gjithë periudhat e tjera deri tek e sotmja mbulojnë vetëm nga 10 000 vjet, domethënë 1%.
Vendi i prejardhjes së indoeuropianëve
Hirti e vendos këtë atdhe në brigjet e Detit të Veriut dhe Detit Baltik, ndërmjet Danubit në tokat gjermane dhe lumit Don në Rusi. Ai e mbështet diskutimin e vet në teorinë, sipas së cilës sa më afër jeton një popullsi kundrejt atdheut të parë, aq më pak ndryshon gjuha e saj, sepse sipas tij, gjuha ndryshon më shumë kur bie në kontakt me një gjuhë nga një familje e ndryshme. Më tej, Hirti vijon duke thënë se gjuhët më arkaike të perandorisë gjuhësore indoeuropiane janë greqishtja, sanskrishtja, sllavishtja, lituanishtja dhe latinishtja. Meqë India, Greqia dhe Italia nuk vijnë fare në konsideratë si vendi i prejardhjes së familjes indoeuropiane, atëherë mbeten vetëm dy vende: atdheu i gjuhëve balto-sllave dhe atdheu i gjuhës perse. Shkencëtarët kanë hequr dorë nga teoria, sipas së cilës vendi i prejardhjes së indoeuropianëve ka qenë Azia e Vogël, sepse kjo teori mbështetet vetëm në dy fjalë të
huazuara nga gjuha shumere e Mesopotamisë. Këto dy fjalë janë “pilaku” sopatë, dhe “uruduku” bakër. Pederseni e përjashton mendimin për një atdhe në Azi, duke vënë në dukje se fjalët shumere dalin vetëm në pak gjuhë indoeuropiane të vendeve fqinje dhe, si rrjedhim, kanë natyrë dialektore. Një argument tjetër në të mirë të atdheut aziatik është fakti se janë gjetur gjurmë të një sistemi numërimi të bazuar në gjashtëdhjetën, që është akadian nga karakteri. Përsëri Pederseni e mënjanon këtë teori, duke vënë në dukje natyrën dialektore. Kështu mbetet vetëm një vend dhe ky është treva gjermano-sllave rreth Lituanisë. Pederseni kërkon që të kemi kujdes dhe të mos shkojmë tepër larg drejt jugut të kësaj treve. Mejeja është për kapërcyellin ndërmjet Europës dhe Azisë.
Sllavishtja dhe lituanishtja
Hirti vë në dukje këto karakteristika arkaike të sllavishtes së vjetër dhe të lituanishtes, të cilat kanë natyrë indoeuropiane:
1. Zanoret e shkurtra e të dobëta, të cilat kanë natyrë indoeuropiane, ī dhe ū;
2. Rrokjet e hapura;
3. Tetë rasat, të cilave latinishtja u ka shtuar edhe një të nëntë;
4. Sistemi foljor;
5. Theksi;
6. Ruajtja e fonemave origjinale.
Më tej, Hirti vijon duke thënë se greqishtja dhe sanskrishtja kanë evoluar aq shumë, sa nuk mund të quhen arkaike, kurse latinishtja është një gjuhë mjaft e përzier dhe ka pësuar një ndikim të madh nga dialektet e tjera italike. Pederseni pajtohet me përfundimin e Hirtit pak a shumë pa ndonjë dëshirë, ndërsa Mejeja nuk lëkundet qëndrimi i vet dyshues. Ai është nga “Misuri” dhe na jep disa arsye mjaft bindëse për dyshimet e veta. Mejeja ngulmon në këto pika:
1. Vetëm katër gjuhë na kanë ardhur deri në ditët tona të dokumentuara që para erës së re, e pikërisht greqishtja, sanskrishtja, latinishtja dhe disa fragmente të hetitishtes.
2. Të gjitha gjuhët e tjera na kanë ardhur na kanë ardhur deri tek ne pothuaj 2000 vjetë më vonë, në erën e re, dhe në një formë mjaft të zhvilluar, nën ndikimin e latinishtes dhe të greqishtes, të krishtërimit dhe budizmit.
3. Ajo që kemi në dokumentet e hershme të secilës gjuhë indoeuropiane është, në çdo rast, gjuha e aristokracisë dhe jo e popullit.
4. Ne dimë nga filologjia romane se gjuhët romane moderne nuk janë zhvilluar nga latinishtja klasike, që ishte gjuha e aristokracisë romake, por nga latinishtja e ulët, nga gjuha e njerëzve të zakonshëm të Romës.
5. Ne nuk kemi absolutisht asnjë dokument të hershëm të ndonjë gjuhe popullore të cilitdo grup indoeuropian.
Kështu, Mejeja përfundon se informacioni që mund të marrim nga leksiku i përbashkët indoeuropian është aq i vagullt dhe i pasigurt, sa nuk e vlen barra qiranë që të merremi aq shumë me të.
Koha e ndarjes
Familja indoeuropiane u nda në disa grupe rreth viteve 4000 e 2000 para erës së re sipas Pedersenit dhe rreth viteve 3000 sipas Mejesë, kurse sipas Hirtit ndërmjet viteve 2000 dhe 1800.
Natyra e vendit të prejardhjes
Disa fjalë të përbashkëta indoeuropiane tregojnë për natyrën e atdheut. Përmenden vetëm ato fjalë, të cilat haptas ose në mënyrë të nënkuptuar janë pranuar si të tilla nga konservatori Pedersen. Ka fjalë
të përbashkëta për ujin, pellgjet, anijen dhe vozitjen, të cilat tregojnë se vendi i prejardhjes ka qenë pranë detit dhe se indoeuropianët e parë kanë qenë një popull që lundronte në det.
Uji (*vudn) latinisht: unda; greqisht: hudōr; sanskrisht: udán; hetetenisht: wātar; irlandishte e vjetër: usoe; sllavishte e vjetër: vodá; shqip: úja; prusishte e vjetër: unda; lituanisht: vandū; letonisht: udens.
Pellg (*pel) latinisht: palus; greqisht: pelagos; sanskrisht: palvalám; lituanisht: pélkë; gjermanisht: pfhul; anglishte e sotme: pool; shqip: pelk.
Anije (*naw) latinisht: navis; greqisht: naus; sanskrisht: nauḫ; irlandishte e vjetër: nau; shqip: anije.
Rrem: (*erē) latinisht: rēmus; greqisht: eretmos; sanskrisht: aritram; lituanisht: irklas; anglishte e sotme: oar. Është, gjithashtu, edhe një fjalë e përbashkët indoeuropiane për vozitjen me rrema.
Ka fjalë të përbashkëta indoeuropiane për ngjalën dhe salmonin, që janë të rëndësishme, sepse ngjalat dhe salmoni ndeshen në Detin Baltik dhe të Veriut, por nuk gjenden në Detin e Zi; ka fjalë të përbashkëta për tri kafshë uji, që i përshtaten një atdheu me këneta: vidra, kastori dhe rosa; ka fjalë të përbashkëta për dy kafshë tipike të atdheut të parë, për ujkun dhe ariun; dy fjalë të përbashkëta për dëborën dhe dimrin nxjerrin në dukje klimën e ftohtë të atdheut të parë.
Lumenjtë
Lumenjtë zakonisht ruajnë emrat e tyre të vjetër, ashti si Misisipi, Misuri etj. Në rrjedhojë, Hirti mendon se Danubi dhe Doni janë emra origjinalë indoeuropianë të këtyre lumenjve. Emrat e këtyre lumenjve janë në lidhje afrie me sanskrishten danus, që do të thotë i rrjedhshëm dhe me gjermaniken tau që do të thotë vesë; në osetishten, “Don” do të thotë ujë, lumë.
Qytetërimi i indoeuropianëve
Hirtimendon se niveli i qytetërimit të indoeuropianëve ka qenë mjaft i lartë, se ata i besonin atit qiellor, Jupiterit, atit Zeus, se ata ishin të përparuar në bujqësi dhe metalurgji dhe se kishin një organizëm mjaft të përcaktuar shoqëror e politik. Pederseni, nga ana tjetër, mendon se indoeuropianët njihnin vetëm një bujqësi të prapambetur dhe vetëm një metal, hekurin, dhe se institucionet e tyre shoqërore e politike ishin pak a shumë primitive. Mejeja mendon se niveli i qytetërimit të indoeuropianëve ka qenë i ngjashëm me atë të afrikanëve të sotëm ose me të indianëve të Amerikës së Veriut, edhe pse pranon që gjuha e tyre ka qenë e zhvilluar në shkallën e lartë në kohën kur u shpërndanë. Në fakt, Mejeja pohon se kemi disa shembuj për njerëzit primitivë, gjuhët e të cilëve janë të zhvilluara në shkallë të lartë, janë komplekse dhe mjaft të holla në shprehje. Është më e sigurt të bashkohemi me Mejejenë, sepse në fund të fundit, një nivel i lartë qytetërimi nënkupton tregtinë, tregjet dhe jetën qytetare, të cilat indoeuropianët nuk i kanë pasur.