E ftuar: Prof. Rozeta Miho (Mitrushi)
11 shkurt 2020 / Dita Ndërkombëtare e Grave dhe e Vajzave në Shkencë
Prolog
Nuk është e lehtë të flasësh për veten, aq më shumë kur bëhet fjalë për një përvojë prej 35 vitesh në Universitetin Politeknik të Tiranës. Por dhe më e vështirë është të tregosh për gjithë ndryshimet që përjetuam në gjithë këtë periudhë. Personalisht, i takoj brezit që përjetoi kalimin nga një sistem shoqëror në një tjetër: nga sistemi me barazi sociale në dukje perfekte, por ku gjithsesi mungonin shumë të drejta, në një shoqëri që ende nuk po funksionon si duhet, përpos ndryshimeve të forta, shpesh edhe shumë tronditëse, të tranzicionit nga njëra drejt tjetrës.
Në sistemin arsimor, kaluam nga ‘Universiteti i vetëm në vend’, në atë me mbi 40 të tillë (publikë dhe privatë). Për më tepër, sot nuk është problem për asnjë të marrë një diplomë, kudo që të ketë dëshirë. Në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit ku unë jap mësim, ndryshimi kryesor kishte lidhje me kalimin nga Katedra e Elektronikës, me një degë të vetme 5-vjeçare, që quhej ‘Inxhinieri Elektronike’ dhe ku, me shumë mundim, mund të regjistroheshin vetëm 30 vetë, në një Fakultet me tre degë të tilla Bachelor dhe 3 degë Master, ku regjistrohen gjithsej 300 studentë në vitin e parë Bachelor dhe 150 studentë në degët Master.
Një ndryshim tjetër kishte lidhje me reformimin e planeve mësimore dhe programeve lëndore në përputhje me kërkesat e kohës, në përputhje me progresin marramendës teknologjik që nuk ka të ndalur. Mjafton të kujtojmë që telefoni me numëratorin, receptorin dhe me fijet lidhëse – aq i kërkuar dikur prej nesh – sot është thjesht një relike, në një cep të dhomës së ndenjes. Dhe çuditemi kur dëgjojmë zilen e tij të bjerë ndonjëherë! Sot flasim me një pajisje të vogël, të lehtë, që nuk është vetëm telefon, por dhe një mikrokompjuter, po aq sa edhe kamerë filmimi dhe fotografimi; flet dhe sheh në çast çfarë ndodh në një cep të globit duke qenë në tjetrin. Informacione pa fund kalojnë në mënyrë të padukshme, me fije optike, ose fare pa fije, nga një zyrë në tjetrën, nga një institucion në tjetrin, nga një vend në tjetrin.
Edhe në planin personal mund të numëroj shumë ndryshime. Nga një jetë në konvikt, në Qytetin Studenti, për shumë vite si studente e asistente-pedagoge, por edhe më pas bashkë me familjen; nga lindja e fëmijëve, shkollimi, deri sot tek të qenit gjyshe! Të gjitha kanë qenë sfida mbushur me emocion, që na kanë rritur dhe motivuar për të ecur përpara, për mos u ndalur.
Kush është Rozeta Miho (Departamenti i Elektronikës dhe Telekomunikacionit, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, Universiteti Politeknik i Tiranës e-mail: [email protected])
- 2009-2016 Dekane, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, Universiteti Politeknik i Tiranës.
- 2008-2009 Zv. Rektore për kërkimin shkencor, Universiteti Politeknik i Tiranës;
- 2007 Profesor, Universiteti Politeknik i Tiranës;
- 2003-2009; 1996-1999, Përgjegjëse, Departamenti i Elektronikës, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, Universiteti Politeknik i Tiranës;
- 2001 Profesor i Asociuar, Universiteti Politeknik i Tiranës;
- 2000-2007 Përgjegjëse, Seksioni i Telekomunikacionit, Departamenti i Elektronikës, Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit, Universiteti Politeknik i Tiranës;
- 1995 Dr. në fushën e komunikimeve optike. Mbrojtur me temë: “Projektimi dhe simulimi i qarqeve optoelektronike në sistemet e komunikimit optik”, Universiteti Politeknik i Tiranës;
- 1989 Programi i Studimeve të thelluara pasuniversitare Universiteti Politeknik i Tiranës;
- 1985 dhe në vazhdim Punonjëse mësimore-shkencore në Grupin Mësimor Kërkimor të Telekomunikacionit, Departamenti i Elektronikës dhe Telekomunikacionit, FTI, UPT.
- 1985 Diplomuar në Inxhinieri Elektronike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Universiteti i Tiranës.
Mësimdhënie, Lektore përgjegjëse për lëndët:
- Elementet dhe teknologjitë elektronike (6 Kredite; Bachelor, Inxhinieri Telekomunikacioni; Bachelor, Inxhinieri Elektronike)
- Rrjetat me fibra optike (6 Kredite; Bachelor Inxhinieri Telekomunikacioni)
- Telekomunikacionet në fibrat optike (8 Kredite; Master i shkencave Inxhinieri Telekomunikacioni).
Vizita pune
- 2003, 1999-2000 Vizita pune në Universitetin e Siegenit për Rrjetat ATM;
- 2002 Vizita pune në Universitetin Politeknik Tohoku, Japoni, për rrjetat me shpejtësi të lartë dhe sistemet inteligjente.
- 2001, 1995, 1994 Vizita pune në Universitetin Politeknik të Barit, për komunikimet optike;
- 2001 Vizitë pune në Universitetin Politeknik të Ankonës, për përmirësimin e kurrikulave në Inxhinieri Telekomunikacioni në UPT;
- 1997 Vizitë pune në Universitetin Politeknik të Torinos për sistemet e avancuara të telekomunikacionit;
- 1996 Vizitë pune në Universitetin Politeknik të Athinës, për sistemet radiourë;
Projekte shkencore për monitorimin e rrezatimeve të sistemeve të telefonisë celulare
- 2017 Matja e niveleve të Fushës Elektromagnetike nga stacionet bazë të sistemeve celulare 2G, 3G dhe 4G, bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës;
- 2016 Ekspert i jashtëm në projektin “The frequency selective evaluation of children exposure to wireless communication electromagnetic fields”, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Inxhinerisë Elektrike dhe Kompjuterike;
- 2007 – 2008 Monitorimi i fushës elektromagnetike të stacioneve mobile në Shqipëri, bashkëpunim me Eagle Mobile sh.a.;
- 2005, janar – 2006, dhjetor Studimi, monitorimi dhe vlerësimi i nivelit të fushës elektromagnetike në stacionet bazë të rrjetave celulare GSM, bashkëpunim me Vodafone Albania sh.a.
- 2004 – 2005 Tre projekte shkencore për studimin e transmetimit të dhënave në sistemet e telefonisë celulare dhe në rrjetat me fibër optike, që janë kryer në kuadër të punimeve të mikrotezave të ShPU: Studimi për projektimin e transmetimit të të dhënave në rrjetat optike, bashkëpunim me Albtelecom sh.a.; Studimi për trafikun e mesazheve në rrjetat celulare GSM, bashkëpunim me AMC sh.a.; Studimi për projektimin e rrjetit GSM për gjeneratën e tretë UMTS, bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës.
- 2003, tetor – 2004, janar Projekti “Good will Albania 2003”, bashkëpunim me IARU (International Amateur Radio Union) dhe Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacioneve të Shqipërisë.
- 2003, tetor – 2004, qershor Në mbështetje të studimeve të doktoratës në fushën e telekomunikacioneve: “Corsi Teledottorato UNESCO in the field of telecommunications engineering”, bashkëpunim Departamenti i Elektronikës, FIE-UPT me Universitetin e Padovës, Itali.
- 2003, dhjetor – 2004, janar Projekti “Studimi mbi tarifat në trafikun lokal të rrjetit Albtelecom”, bashkëpunim me Akademinë e Shkencave (bashkëpunim me Prof. B. Golemin); projekti ka bërë të mundur studimin e argumentuar mbi tarifat në rrjetin lokal të Albtelekomit.
Matja e Fushës Elektromagnetike
Në vitin 2003 kemi filluar për herë të parë të bëjmë matjen e niveleve të Fushës Elektromagnetike nga stacionet bazë të sistemeve celulare 2G, 3G. Eksperienca e parë ka qenë në Prishtinë, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, me Prof. L. Ahma, si dhe UPT, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, me Prof. P. Cipo.
Është vijuar kjo eksperiencë në vitin 2005 me kompaninë Vodafone Albania, ku një ekip i pedagogëve dhe studentëve master, ka realizuar monitorimin e niveleve të fushës elektromagnetike nga stacionet bazë të kompanisë Vodafone Albania. Matjet janë kryer në rrethet Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Elbasan, Kukës, etj.. Interesi i publikut ka qenë i madh, për të ditur, vlerat e matura, si dhe për të krahasuar ato me nivelet e lejuara të BE.
Të ftuar nga Avokati i Popullit
Kemi qenë të ftuar dhe nga Avokati i Popullit, në dy raste: një rast në Tiranë (2006), për disa zona, me prani të lartë të antenave të kompanive të ndryshme të telekomunikacioneve, si dhe një rast në Prishtinë (2005). Në të dyja rastet, nga matjet e kryera, janë bërë përpunimet e të dhënave, si dhe janë krahasuar ato, me nivelet e lejuara nga BE. Në asnjë rast nuk ka pasur tejkalim të vlerave të lejuara, për parametrat që ne kemi monitoruar. Por kanë rezultuar zona me nivele më të larta, se zona të tjera, si p.sh. pranë Kinostudios, pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë, INIMA-s etj.
Shkurt rreth Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit
Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit (FTI), në Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT) i është nënshtruar procesit të Bolonjës dhe përgatit inxhinierë në Diplomën “Bachelor” në ciklin e parë 3-vjeçar (180 Kredite) të programeve të studimit në Inxhinieri Elektronike, Inxhinieri Informatike dhe Inxhinieri Telekomunikacioni. Në secilën nga këta tre programe regjistrohen, çdo vit, rreth 100 studentë në vitin e parë.
Në Diplomën “Master i shkencave”, në ciklin e dytë 2-vjeçar (120 Kredite), janë tre programe studimi në Inxhinieri Elektronike, Inxhinieri Informatike dhe Inxhinieri Telekomunikacioni. Në secilin prej këtyre tre programeve, regjistrohen në vitin e parë rreth 50 studentë. Në Diplomën “Master Profesional” në ciklin e dytë 1-vjeçar (60 Kredite) janë dy programe studimi në Inxhinieri Informatike dhe Teknologji Informacioni. Në secilin prej këtyre dy programeve regjistrohen rreth 30 studentë.
Misioni i fakultetit është të formojë inxhinierë të fushave të Teknologjisë së Informacionit, bazuar në programe mësimore bashkëkohore, të kualifikuara dhe të përshtatshme për tregun e punës në Shqipëri dhe në vende të tjera. Bashkëpunimi me industrinë për përcaktimin e kërkesës për burime inxhinierike dhe për përshtatjen e programeve të studimit në funksion të kërkesave të tregut të punës ka qenë prioritet në punën e stafit të fakultetit.
Pas vitit 2000 është rritur shumë bashkëpunimi i departamenteve të fakultetit me kompanitë e telekomunikacioneve brenda vendit, kryesisht në fushën e komunikimeve celulare. Ka patur një sërë projektesh bashkëpunimi me Vodafone Albania, Albanian Mobile Communication (AMC) dhe Eagle Mobile.
Program studimi në Inxhinieri Klinike
Një bashkëpunim tjetër me interes, ka qenë hapja e një programi të ri studimi, në fushën e Inxhinierisë Klinike, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, si dhe me Swedish Health Care, Suedi. Projekti “Capacity building project for safe and efficient use of medical devices, Albania 2005-2007”. Projekti ka synuar krijimin e një figure inxhinierike, por edhe me njohuri të mira në fushën e mjekësisë, për të arritur një përdorim sa më efikas dhe të sigurt të pajisjeve elektronike mjekësore. Studentët e ciklit të dytë Master i shkencave në Inxhinieri Elektronike, janë formuar me 60 kredite shtesë, pranë Fakultetit të Mjekësisë, duke qenë brezi i parë i ‘Inxhinierëve Klinikë’, në Shqipëri. Ky program studimi është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë, në vitin 2006-2007. Edhe më pas, DET ka pasur qëllim të rrisë numrin e Inxhinierëve Elektronikë, me formim në fushën e Inxhinierisë Klinike. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me Universitetin e Triestes, në Itali, është ofruar pranë FTI, UPT, në vitin 2012-2013, programi i studimit Master i Shkencave në Inxhinieri Elektronike, profili Inxhinieri Klinike.