- Jam Elio Q. , diplomuar përpara 2 vitesh në Master i Shkencave në “Matematikë”, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
Aktualisht i papunë!
E zgjodha këtë program dhe studiova me pasion, me shpresën se do të kisha një “të ardhme të ndritur”, falë mundësive më të shumta për punësim. Por ndodhi e kundërta!
Tre vitet e para në Degën e Matematikës, që korrespondojnë me programin e studimit “Bachelor”, studiova me përkushtim maksimal, për të arritur mesataren që duhej për të qenë pjesë e grupit shkencor. Me të njëjtin përkushtim, studiova edhe gjatë “Masterit Shkencor”. Por çfarë fitova kur dola në tregun e punës? Indiferentizëm… nga të katër anët! Provova të trokas në dyert e drejtorive arsimore. Të paktën të filloja punë si mësues. Përsëri njësoj. Nuk më pranuan.
Pesë vite studim në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe 300 kredite janë barazuar me zero!
Jam qytetar i ndershëm i këtij vendi dhe paguaj rregullisht taksat. Jam i zhgënjyer nga sistemi. Dhe jo vetëm unë! Shumë miq, shokë e shoqe që kanë mbaruar si unë, Master në Shkencë, trokasin në dyert e drejtorive arsimore dhe të shkollave dhe nuk i pranojnë.
Keni dëgjuar se ku aplikojnë pjesa më e madhe e të rinjve sot? Nuk janë më shkencat, por ato degë që të ofrojnë mundësi punësimi në Gjermani apo vende të tjera të Europës. Për më tepër, që atje të pranojnë edhe vetëm me Bachelor.
Kam çuar vazhdimisht kërkesa në QSHA dhe nuk më janë marrë parasysh. Kërkoj të hyj në provimin e shtetit për mësues dhe të marr licencën për ushtrimin e këtij profesioni.
Unë jam diplomuar për matematikë, kam titullin “Matematikan”, dhe më hiqet e drejta të punoj si mësues.
Nëse ligji e përmban si mundësi, të na krijohet kjo mundësi. Çfarë presin!
*****
2. Jam Fatjon M., nga bashkia Divjakë, diplomuar me rezultate shumë të mira në Master i Shkencave në “Fizikë”, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, në vitin 2014.
Aktualisht i papunë. Më saktë 6 vjet i papunë! Jam i mbikualifikuar për të punuar si mësues fizike, por specialistët e zyrës arsimore më thonë që nuk kam një diplomë mësuesie.
Në vitin 2012, mbarova studimet Bachelor me rezultatin më të lartë nga të gjithë studentët e grupit tim dhe pedagogët më sugjeruan të ndjek Masterin në Shkencë, si mundësi më e mirë. U diplomova Master i Shkencave në “Fizikë”, përsëri me rezultate shumë të mira. Shpresat për punë i kisha të mëdha, por akoma më të mëdha ishin zhgënjimet që pësova kur fillova të kërkoj punë.
As si mësues fizike nuk punoj dot. Më e pakta që kërkoj është të konkurroj i barabartë me kandidatët e tjerë për mësues dhe nëse dijet e mia të thelluara në fizikë, pasioni im për këtë shkencë dhe djersa e mundi i pesë viteve studim nuk më rendisin përsëri të parin, atëherë e meritoj të jem i papunë.
Kam titullin “FIZIKAN”, por nuk pikërisht ky titull nuk më le të provoj as aftësitë që zotëroj.
Vështro edhe: