Nga Alberto Frashëri

Rilindja identitare dhe kulturore e kombit

Artikulli është pjesë e Antologjisë “Komercializimi i shkollimit” / Zgjodhi dhe përgatiti për botim: Valbona Nathanaili / Botohet një fragment. Të plotë mund ta lexoni në veprën me të njëjtin titull. ISBN 978-9928-4543-3-1

Detyra për të analizuar sistemin publik të edukimit dhe raportin e tij me shkollën private lyp një trajtim paraprak të problemeve kardinale të kohës sonë. Kam parasysh rrethanat historike që përjeton sot kombi shqiptar dhe rolin themelor që shkolla duhet të ketë për të ardhmen e vendit.

Lindja dhe zhvillimi i shkollës private në dekadat e fundit dhe vështirësitë e sistemit publik të edukimit kanë nevojë për një analizë e reflektim të thellë nga shoqëria në këtë fazë delikate të demokratizimit të vendit. Prioriteti i sistemit publik buron nga faktorë të natyrës ekonomike dhe sidomos nga detyrat që lidhen me përmbajtjen dhe metodologjitë e të mësuarit. Këto të fundit duhen konceptuar në harmoni me traditën kombëtare dhe me idetë moderne të sistemit të edukimit. Ndër vendet e zhvilluara nuk ekzistojnë dy shkolla identike sepse, megjithëse ato ngjajnë në përmbajtje dhe në metodë, secila prej tyre shpreh universin kulturor të kombit përkatës. Një shkollë që nuk i shtrin rrënjët thellë në traditën dhe historinë kombëtare nuk mund të ketë asnjë vlerë në togun e kombeve të qytetëruara. Kjo ndodh sepse një shkollë e tillë nuk sjell asnjë origjinalitet në atë familje kulturash të dallueshme qartë njëra nga tjetra.

Nё vargun e problemeve tё mёdha pas vitit 1990, konfuzioni i shoqërisë në lidhje me shkollën krijon padyshim shqetёsimin mё tё madh, sepse nё thelb ashtё shkolla ajo qё e bёn tё lirё e tё pavarur njeriun dhe pёrcakton tё ardhmen e kombit. Nuk ka shtet tё përparuar pa njё shkollё cilësore. Austria, edhe pse humbi Luftën e Parë Botërore, vazhdoi tё ishte dhe tё jetё njё ndёr vendet mё tё zhvilluara tё Europёs. Kjo shpjegohet me nivelin e lartё tё emancipimit tё shoqёrisё dhe kontributet e mёdha nё fushёn e shkencёs e tё artit, që janë suksese të shkollës austriake. Ka patur edhe ndonjё perandori që u rrënua nё po atё moment historik, por duke mos pasur sfondin kulturor të Austrisë, mbeti pothuajse njё shekull nё një gjendje prapambetjeje tё konsiderueshme.

Mbijetesa dhe pёrparimi i njё kombi varen nga cilёsia e sistemit tё edukimit. Ndёr vendet e Europёs Perёndimore që janё prekur mё pak nga krizat ekonomike janë ato qё investojnё mё shumё pёr shkollёn, artin dhe kёrkimin shkencor, si për shembull Finlanda dhe Suedia, Norvegjia e Gjermania, Danimarka e Hollanda, për të vazhduar me Singaporin e Korenë e Jugut, që duket se po ecin në të njëjtin shembull. Kultura dhe shkenca, ndërmjet të tjerave, udhёheqin atё krijimtari qё i jep ekzistencёs sonё pёrmasё njerëzore, hapёsira realisht tё braktisura nga vёmendja e klasёs politike. Nёse dikush nuk ështё i kёtij mendimi, le të kujtojё qё artistёt, mësuesit dhe profesorёt pёrbёjnё grupin e qytetarёve mё tё varfёr tё Republikёs, pёr shkak tё pagave minimale e mungesave të tjerave të shumta.

Nga rënia e regjimit totalitar kanë kaluar thuajse tre dekada. Kjo periudhë ka njohur përpjekje të shumta për demokratizimin e vendit dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Puna e palodhur dhe krijimtaria e qytetarëve kanë sjellë shumë rezultate konkrete pozitive në sferën e ekonomisë. Nga ana tjetër qëndrimi, grindjet, shpesh herë dhe arroganca e klasës politike, dëshmojnë çdo ditë e më qartë që problemi i demokratizimit, duke përdorur shprehjen elokuente të Migjenit, mbetet kafshatë që ende s’po kapërdihet. Një brez politikanësh, që prej tre dekadash pretendon nga maja e kalit tu tregojë qytetarëve ç’është mirë e ç’është keq, na sjell ndërmend hierarkitë e diktaturës komuniste: ata pretendonin të ishin të përjetshëm shaluar mbi shpinën e qytetarëve… sepse kuajt fatkeqёsisht thuajse u zhdukёn nga jeta e shqiptarёve.

Në kohën tonë shoqëria shqiptare ende po ndjen ligështimin që i sollën jo vetëm pesë shekuj të pushtimit otoman, por edhe padrejtësitë, krimet dhe tjetërsimi e të vërtetave historike nga ana e shovinizmave mesjetare të fqinjëve… e, sikur këto të mos mjaftonin, edhe gjysëm shekulli nën thundrën e njërës prej formave më të urryera të totalitarizmit të majtë. Tridhjetë vite të shkuara shqiptarët shpresuan në idealin e demokracisë, ndërsa sot ata përjetojnë një zhgënjim të vërtetë. Proçesit të demokratizimit, deri më sot, në shumë pamje të tij i mungon projekti dhe vetëdija. Të shkosh kah e ardhmja pa një ideal dhe pa njohjen e thellë të së kaluarës, ashtë si të ecësh mbi ujë e të rrezikosh të fundosesh në errësirën e humnerave oqeanikeShekulli XX e ka sjellё kombin shqiptar nё njё prag tё ri, nё njё dritё e horizont qё nuk e ka patur asnjёherё qё pas shekullit XV. Kjo dritё dhe horizonti i saj kanё nevojë pёr njё shkollë tё vёrtetё, në gjendje t’u përgjigjet problemeve tё kohës dhe nё pajtim me aftёsitё e konsiderueshme qё qytetarët kanë treguar dje dhe vazhdojnë tё dёshmojnё edhe sot, brenda dhe jashtë vendit, sikundër tё gjithë kombet europianë.