Rikonceptimi i identitetit të mësuesit dhe atij të drejtuesit: korniza për studimin e profesionit të ri. Rezistenca e mësuesve [1]
Nga Gary Anderson & Michael I. Cohen
Artikulli është pjesë e Antologjisë “Komercializimi i shkollimit” / Zgjodhi dhe përgatiti për botim: Valbona Nathanaili / Botohet një fragment. Të plotë mund ta lexoni në veprën me të njëjtin titull. ISBN 978-9928-4543-3-1
Abstrakt
Reformat bazuar në treg në arsimin publik ndikojnë më shumë se formësimi i politikave dhe kurrikulës. Reformat bazuar në treg ndikojnë edhe të kuptuarit që vetë mësuesit kanë për veten e tyre si profesionistë, pra ndikojnë thelbin e “çfarë do të thotë të jesh mësues apo drejtues” në shkollë. Ky artikull eksploron efektet e politikave neo-liberale dhe të praktikës së “Menaxhimit të ri publik” (NPM[2]) te mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, si dhe mënyrën se si gjithë ky proces ka rezultuar në një lloj “profesioni të ri”. Autorët ofrojnë kornizën për të studiuar se si mund të ushtrojmë rezistencë ndaj këtyre politikave dhe praktikave, sikundër përshkruajnë karakteristikat e “profesionit të ri” dhe të asaj se si na shfaqet ky profesion, parë me syrin e komunitetit dhe të avokatëve në mbrojtje të tij.
Fjalë çelës: Politika në edukim, politika arsimore, neo-liberalizëm, menaxhim i ri publik, rezistencë, identitet profesional.
Rikonceptimi i identitetit të mësuesit dhe atij të drejtuesit
Reformat aktuale shkollore, formalisht, nuk bëjnë më shumë se formësojnë politikat dhe kurikulën. Por në të njëjtën kohë, ato ndikojnë perceptimin që mësuesit kanë për veten si profesionistë, duke vënë në pikëpyetje thelbin se çfarë do të thotë të jesh mësues (Ball, 2003; Popkewitz, 1998; Schultz & Ravitch, 2013) or a leader (Cohen, 2014; Hall, Gunter & Bragg, 2012; Niesche, 2013; Poole, 2008). Ndërkohë që sistemet shkollore, në mbarë globin, por absorbohen nga tregu, përfitimi dhe logjika e eficiencës, identiteti i mësuesve dhe ai i drejtuesve si profesionistë po rikonceptohen (Brantlinger & Smith, 2013; Gillies, 2011).
Distriktet shkollore urbane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shndërruar në laboratorë eksperimentimi për reforma të orientuara nga tregu dhe menaxhimin sipas modelit të tij (Arellano-Gault, 2010; Court, 2004; Fitzgerald & Savage, 2013; Ward, 2011). Reformat e ndërmarra mund të karakterizohen me këto fjalë-çelës: 1) kultura e auditit, e rritjes së performancës dhe intensifikimit të punës në përputhje me kërkesën për matjen e arritjeve bazuar në standarde të larta, testim, menaxhim bazuar në të dhëna, sistem i vlerësimit të mësuesve (Strathern, 2000; Ball, 2001); 2) skenar i ngurtë, i përmbledhur i konceptit se “çfarë funksionon” në mësimdhënie, që redukton gjykimin profesional (Biesta, 2007); 3) komodifikimi dhe komercializimi i mësimdhënies, përmes një industrie të re shkollore (Burch, 2009); 4) forma të reja drejtimi, rregullimi dhe vetërregullimi, përfshirë më shumë kontroll nga pushteti vendor e kryebashkiaku, eliminim të bordeve shkollore, zgjedhur në mënyrë demokratike, zbatim të konceptit të konkurrencës huazuar nga tregu dhe zgjedhje brenda sistemit shkollor (Ball & Junemann, 2012; Rose, 1993; Scott, 2011); 5) proletarizim të mësimdhënies, që do të thotë divorc ndërmjet konceptimit dhe ekzekutimit (Ellis, McNicholl, Blake, & McNally, 2014; Lawn & Ozga, 1987). Në fakt, shumë nga këto reforma janë, ekskluzivisht, të orientuara për zbatim në komunitete me ngjyrë, që karakterizohen nga të ardhura të pakta (Scott, 2011). Të tjerë argumentojnë se këto reforma kufizojnë aspektin multikulturore, etik dhe qytetar të shkollimit (Westheimer 2015) dhe e bëjnë edhe më të vështirë rekrutimin dhe mbajtjen e mësuesve me ngjyrë (Achinstein & Ogawa, 2012).
Akoma, këto reforma nuk shoqërizohen vetëm me forma të reja drejtimi dhe menaxhimi publik (Anderson & Montoro Donchick, 2014; Rose, 1993; Ward, 2011), por sikundër shprehen sociologët, po ndikojnë në krijimin e një “profesioni të ri” brenda sektorit publik (Evetts, 2009; 2011). Evetts (2011) e koncepton këtë orientim të ri që po merr profesioni, si zhvendosje nga “nocionet e partneritetit, kolegjialitetit, maturisë dhe besimit, drejt atyre të menaxhimit, burokracisë, standardizimit, vlerësimit dhe gjykimit të performancës (f. 407). Ky profesion i ri është, kryesisht, rrjedhojë e transferimit të logjikës së sektorit privat në sektorin publik, i cili po zëvendëson normat morale të shërbimit publik me disiplinën e tregut dhe të përgjegjshmërisë së jashtme bazuar në rezultate (Denhardt & Denhardt, 2011; Evetts, 2009; Exworthy & Halford, 1999).
Në këtë artikull, synim është të eksplorohen se si normat morale dhe identiteti i mësuesve dhe drejtuesve në sistemin shkollor po riprojektohen nga politika dhe forma të reja drejtimi, që nuk po bëjnë gjë tjetër vetëm se po “de-profesionalizojnë” profesionalizmin. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre ndryshimeve për atë se çfarë do të thotë të jesh profesionist në edukim, artikulli ofron një analizë konceptuale të argumenteve kryesore që gjenden në literaturë për rezistencën në rritje ndaj tyre, si dhe propozon një kornizë të re për studimin e rezistencës së mësuesve, veprimet që duhen ndërmarrë dhe avokatimin në hapësirën e këtij konteksti të ri.
Profesionistët e sektorit publik dhe menaxhimi i ri publik (NPM)
Orientimi drejt qasjes menaxheriale, që po riformëson profesionalizmin në sektorin publik është subjekt i “Menaxhimit të ri publik” (NPM), që ndonjëherë i referohemi edhe si menaxhimi i llojit të ri ose neo-tajlorizëm (Au, 2011; Trujillo, 2014). Sigurisht që organizatat publike gjithnjë janë menaxhuar, por në këto katër dekadat e fundit kemi një orientim të ri: nga menaxhimi i drejtuar nga qeveria, i tipit administrativ, burokratik, drejt modelit të menaxhimit të korporatave, i tipit sipërmarrës, bazuar në rezultate.[3]
Sa më poshtë janë idetë dhe praktikat më të zakonshme që janë transferuar nga sektori i korporatave (Bottery, 1996; Hood, 1991; Ward, 2011):
- përdorimi i konceptit të tregjeve dhe kuazi-tregjeve për të krijuar konkurrencë ndërmjet organizatave publike dhe njësive private;
- vendosja e theksit, në mënyrë eksplicite, te standardet dhe matja e performancës;
- një theks në rritje në rezultate, si dhe matjen e tyre duke përdorur të dhëna sasiore;
- përdorim më të madh të standardizimit dhe “përshkallëzim” të praktikave;
- lidhja e kontratave me subjekte nga sektori privat për kryerjen e shërbimeve publike dhe prani gjithnjë në rritje e kompanive këshillimore;
- trendi për të punësuar punonjës të përkohshëm apo në terma afat-shkurtër dhe qasje kundër sindikalizmit;
- decentralizim administrativ dhe autonomi e lidhur
- kërkesa në rritje për disiplinë dhe të kursyer në përdorimin e burimeve njerëzore
- mbyllja e organizatave dhe departamenteve publike me performancë të ulët dhe krijimi i “start up-ve”, që shpesh operojnë jashtë kontrollit demokratik të pushtetit vendor (për shembull shkollat charter).
Në masën që këto forma të reja qeverisje dhe menaxhimi depërtojnë në brendësi të organizatave dhe individëve, ato shndërrohen në një formë të atillë që Foucault i quan qeverisëzim (Foucault, 1991). Qeverisëzimi “qeveris” përmes imponimit me forma të reja të pushtetit dhe ndërtimit të subjektiviteteve të reja. Për shembull, nëpërmjet transferimit të politikave të zgjedhjes bazuar në treg në sektorin publik, prindërit, studentët dhe mësuesit inkurajohen të mendojnë jo si qytetarë, por si klientë, pra ftohen të bëjnë zgjedhje nga një segment i dhënë produktesh. Në këtë mënyrë, normat morale të vendimmarrjes politike demokratike dhe aftësitë që kërkohen në arenën politike po atrofizohen. Boggs (2001) argumenton se depolitizimi publik karakterizohet nga pesë cilësi:
- Një tërheqje – e pagabueshme – nga sfera e politikës; rënie, në zonën e tam-tameve, të qytetarisë dhe, bashkë me të, edhe të vlerave të pjesëmarrjes demokratike; tkurrje e ligjërimit publik dhe erozion i qendrave të pavarura të studimit; reduktim i kapacitetit për të arritur ndryshime sociale me ndihmën e mekanizimeve shtetërorë ose të një qeverisjeje sociale; mungesa, e dukshme, e një të kuptuari në frymën e shoqërisë, e të kuptuarit çfarë është publike dhe çfarë është vërtet e përbashkët, çfarë përbën interes, me gjasa, të përgjithshëm, në ndërveprimin konkurrues të ashpër ndërmjet pretendimeve të privatit përballë atyre të publikut (f. 22).
[1] Botuar për herë të parë në “Education Policy Analysis Archives” (EPAA). Arizona State University. Volume 23, Number 85, September 14th, 2015, ISSN 1068-2341.
[2] Shënim i përkthyesit: Akronimet “NPM” vinë nga anglishtja për New Public Management. Janë mbajtur këto akronime.
[3] Edhe format e mëparshme të organizimit dhe menaxhimit të shkollave përmbanin huazime nga industria e biznesi dhe drejtimi i tyre, të cilat promovonin modelin e fabrikës dhe bënin apel për eficiencë të ngjashme, por si organizata profesionale – të paktën në teori – karakterizoheshin nga norma të fuqishme morale dhe e vendosnin theksin te profesionalizmi.
Foto: Mësuesi i rreptë (1668). Autor Jan Steen (1626-1679)
who’s who Gary Anderson
Gary Anderson është Profesor i “Educational Leadership” në “Steinhardt School of Culture, Education, and Human Development”, në Universitetin e New York-ut, ShBA. Ka punuar si mësues dhe drejtor shkolle. Botimet e Anderson fokusohen në tema të tilla si, etnografia kritike, hulumtime për aksion, mikro-politikat dhe reforma shkollore, drejtimi në shkolla. Gary Anderson është bashkautor me Kathryn Herr në dy libra: The Action Research Dissertation: A Guide for Students and Faculty (2015, Sage) & Studying Your Own School: An Educator’s Guide to Practitioner Action Research (2007, Corwin Press). Akoma, Anderson ka botuar disa libra rreth drejtimit shkollor, veçuar këtu Advocacy Leadership: Toward a Post-Reform Agenda (2009, Routledge).
Botohet me lejen e autorëve. Copyright © Fondacioni “Henrietta Leavitt”. Asnjë pjesë e këtij botimi, mbrojtur nga Ligji i Shtetit Shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera lidhur me të”, nuk mund të riprodhohet, ruhet, transmetohet a përdoret me asnjë formë a mjet grafik, elektronik apo mekanik, përfshirë por jo kufizuar fotokopje, skanime, digjitalizim, rrjet web apo sisteme të tjerë, pa lejen me shkrim të botuesit.