Nga Valbona Nathanaili

Respekt dhe mirënjohje për dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në radhët e të cilëve rreshtohet edhe daja im, Zyhdi Riza Lahi, që la studimet në Itali për t’iu bashkuar kauzës së çlirimit të vendit. Me ëndrrën dhe dëshirën për të jetuar në një vend të lirë. Me ëndrrën dhe dëshirën e të gjithë qytetarëve të Europës, por që si për shumë e shumë shqiptarë e europianë, lufta i rezervoi fatin tragjik: vdekjen! E internojnë në Kampin e Prishtinës për ta pushkatuar, bashkë me 21 të rinj të tjerë shkodranë, në mesin e shtatorit 1944, në Morinë të Kukësit. Kauza e të jetuarit në liri ka frymëzuar në shekuj.

Liria ka mijëra hire për të treguar

që skllevërit, sado të kënaqur

nuk mund të thonë se i kanë shikuar

– shkruante William Cowper më shumë se dyqind vjet më parë.

Në kohën kur filloi kjo luftë vendi ishte shumë më europian se sa është sot.

Zyhdi Lahit, njësoj si shumë e shumë shqiptarëve të asaj kohe, Europa i fillonte dhe i mbaronte në Shqipëri.

Riza Lahi kontribuoi financiarisht për Luftën Nacionalçlirimtare. Familja Baholli në Elbasan ka dhuruar ndërtesën që qyteti të kishte bibliotekë, sikundër familja Karapici në Tiranë ka kontribuar për ndërtimin e disa objekteve të kultit etj.

Kurrë nuk do të jemi pjesë e Europës, e kësaj Europe që vazhdon të ketë ideale, nëse idealet e një populli të tërë do reduktohen në grykësinë e disa politikanëve për më shumë pushtet dhe përfitim personal.

Kurrë nuk do të jemi pjesë e Europës, nëse jetën e atyre të rinjve për lirinë e vendit do e nxjerrim në ankandin e pazareve personale.

Kurrë nuk do të jemi pjesë e Europës nëse nuk do të dimë të respektojmë dhe t’u jemi mirënjohës dëshmorëve të çdo lloj lufte.

Shënim:

Për kampin e Përqëndrimit të Prishtinës dhe fatin e të rinjve shkodranë lexoni në:

https://sq.wikipedia.org/wiki/Kampi_i_p%C3%ABrq%C3%ABndrimit_Prishtin%C3%AB

https://www.facebook.com/Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Shqiptare