Thirrje për artikuj

Teatri Metropol i Tiranës, Qendra Kulturore Tirana dhe Fondacioni “Henrietta Leavitt”, Fondacioni Shqiptar për Shkencë, Media dhe Demokraci, me mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, hapin thirrjen për artikuj për forumin publik “Remix Tirana / 2019”.

Arsyetim

Për të tretin vit radhazi, Teatri i Metropolit organizon MetroFest, një festival me drama të vjetra në gjuhën shqipe, shkruar në shqip ose përkthime të lira. Synimi është më shumë se sa vetëm argëtimi i publikut me repertorin e pasur. Synimi është formimi i një mendimi estetik e qytetar, mbushur me nota empatie, po aq edhe me ato të një vetëdije kombëtare. Për vitin 2019 është menduar që pjesë e repertorit të jenë edhe autorë bashkëkohorë, duke bërë pjesë të analizës edhe vepra të ditëve tona, ndërsa fokusi është “Komedia”.

Në përfundim të MetroFest, është krijuar tradita e organizimit të takimeve me krijues, studiues, aktorë, regjisorë, studentë për të diskutuar dhe reflektuar rreth serisë së dramave shfaqur në këtë kuadër. Vitin e kaluar takimi u organizua në formën e një tryeze të rrumbullakët me temë “Drama shqipe si laborator njohjeje dhe kërkimi”. Për vitin 2019 shtysa është po ajo – drama shqipe e arkivit – ndërsa dëshira dhe ambicia më e madhe: të zgjerojmë jo vetëm tematikën e diskutimeve, por edhe të njerëzve që mund të përfshihen, duke u shndërruar në një platformë eksplorimi e ballafaqimi idesh dhe mendimesh, analizash dhe debati. Kështu lindi Remix Tirana.

Remix është një koncept që është huazuar nga teknologjia dhe ka pasur lidhje kryesisht vetëm  me muzikën: është versioni i ri i një pjese ekzistuese muzikore, krijuar nga ribashkimi ndryshe i instrumenteve dhe vokaleve, kryesisht me synimin për të nxjerrë në pah ritmin. Remixi ka filluar të përdoret gjerësisht edhe në letërsi dhe kupton, shprehur shumë thjesht, variantin alternativ të një teksti: burimi tekstual riorganizohet, duke krijuar fjali, histori dhe mënyra të reja mendimi dhe veprimi, në hapësirë dhe kohë. Shkas për pagëzimin e forumit me këtë emër janë krijimet remix-i të tregimit “Përpara banjës” të Ismail Kadare nga tre autorë francezë në tre tregime të ndryshme, marrë në analizë nga Prof. Asoc. Viola Isufaj.

Remix-i në këtë forum ka ritëm dramën shqipe dhe synon të nxisë debatin për sa më shumë versione të saj në të gjitha dimensionet e mundshme. Duke i dhënë forumit këtë qasje, artikujt e propozuar në këtë thirrje inkurajohen të kenë formën e përvojave, mendimeve dhe ideve, ku përballet drama shqip me atë bashkëkohore, drama dhe edukimi, fëmijët, krijimi, politikat, strategjitë për zhvillim, e shkuara dhe e ardhmja.

Janë të ftuar të kontribuojnë

Krijues, aktorë, regjisorë, studiues, gazetarë, pedagogë, mësues e drejtues shkollash, nxënës e studentë, administratorë a drejtues shoqërish/grupesh kulturore, administratorë faqesh online për kulturën.

Tematikat e ofruara por jo përjashtuese mund të jenë:

  • Drama shqipe në dy kohë: dje dhe sot. Ballafaqimi i veprave të së shkuarës me leximin sot.
  • Refleksione kritike për lidhjen e teatrit me edukimin
  • Teatri dhe shoqëria
  • Pse është e rëndësishme të ngjitet në skenë drama shqipe e arkivit?
  • Remix-i si gjini krijimi. Pse mungon në Shqipëri?
  • Teatri në shkollë / puna me fëmijët dhe adoleshentët
  • Shkolla në teatër / puna me fëmijët në kampin e verës Metropol
  • Eksperimentimi i formave të reja të aktiviteteve edukuese me bazë artin.
  • Çfarë kërkojmë nga teatri dhe çfarë presim nga arti në përgjithësi?
  • Edukimi liberal në shkollë
  • Pjesët artistike për fëmijë

Udhëzime për dërgimin e artikujve

Artikulli i plotë, me jo më shumë se 7000 fjalë, duhet dërguar deri më datë 30 nëntor 2019, përfshirë: emri & mbiemri, titulli, adresa e-mail dhe institucioni ku punoni.

Çdo folës ka në dispozicion jo më shumë se 15 minuta!

Data të rëndësishme

  • 30 nëntor 2019 – dërgimi i artikullit
  • 3 dhjetor 2019 – konfirmimi (përfshirë komentet përkatëse) / agjenda
  • 6 dhjetor 2019 – zhvillimi i forumit

Ora 10.00 – 13.00 / Vendi: Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë

Organizuar nga Teatri i Metropolit të Tiranës dhe Fondacioni “Henrietta Leavitt”. Me mbështetjen e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë

Kontakt e-mail: sonakapidani@yahoo.com