Nga Valbona Nathanaili
Funksionimi i Maturës Shtetërore në vendin tonë ka filluar në vitin shkollor 2005-2006. Pesëmbëdhjetë vjet më pas, problemet janë më shumë dhe jo më pak. Deri në kufijtë që me dhjetëra maturantë ta kërkojnë përgjigjen në rrugë. Ndërsa ne të ulemi dhe ta analizojmë testin disa herë, në mëdyshjen se kush ka të drejtë: maturantët që protestojnë, apo Ministria përkatëse, që mbron vlerat dhe saktësinë e tij. Po përpiqem të përmbledh disa konstatime, duke mos përfshirë shumë të tjera, nga kolegë të tjerë dhe me shpresën që do mund të ndihmojë.
- Provimi i letërsisë u reduktua në test. Disa ditë përpara zhvillimit të provimit të letërsisë së Maturës Shtetërore, autoritetet përkatëse kanë deklaruar se do të zhvillohej në formën e një testi. Duket dëshira për t’u ardhur në ndihmë nxënësve në këtë situatë pandemie e karantine të stërzgjatur, por mbeti vetëm dëshirë. Vendimi për reduktimin e provimit në test është marrë në nxitim dhe pa u konsultuar me profesionistët. Arsyeja kryesore kundra këtij vendimi është se ky provim nuk mat njohuritë e fituara në këta tre muajt e fundit, por njohuritë e fituara në tre vitet e fundit. Ishte zhgënjyese të shihje që në një provim që ka synim të masë aftësinë për të shkruar të nxënësve në të gjithë ciklin e arsimit të mesëm të lartë, pikërisht kjo aftësi nuk matet! Ndërkohë që duke mbetur në kuadrin e provimit me shkrim, sikundër është zhvilluar gjithnjë, mund të lehtësohej duke integruar shkrimin e një eseje apo edhe të një krijimi të lirë, a të një paragrafi me disa fjalë çelës, për një temë aktuale (sa shumë kanë për të shkruar për botën me të cilën po përballen pas disa muaj izolimi të detyruar), si dhe duke reduktuar numrin e pyetjeve, në favor të atyre me karakter subjektiv (pra që varen vetëm nga perspektiva e nxënësit). Kjo do të ishte ndihma më e mirë! Por këto vendime kërkojnë zëra dhe personalitete të fortë në arsim, në gjendje të bëjnë diferencën. Tek ne, diferenca u bë duke zgjedhur një test përgjithësues, me 60 pyetje dhe të gjitha objektive (domethënë ku bëhet krahasimi me standardin dhe rezultati është i pavarur); secila me zgjedhje të shumëfishtë dhe secila me vlerë një pikë. Gabimi i parë solli zinxhirin e gabimeve të mëposhtëm.
- Kohëzgjatja. Testimi zgjati dy orë dhe këtu përfshihet edhe koha e shpërndarjes së tezës (në fakt, një vërejtje që e kam bërë disa ditë më parë, dhe për të cilën MAS ka reflektuar – testimi në matematikë do të jetë 2 orë e tridhjetë minuta!). Aritmetika e thjeshtë është që për çdo pyetje janë llogaritur mesatarisht 2 minuta. Por maturantët u shprehën se nuk u doli koha. Mësuesit e pedagogët e tyre kanë pohuar të njëjtin fakt. Problemet me formulimin e pyetjeve të ndryshme të bindin përfundimisht (shih më poshtë).
- Në pyetjet e testit mungonte realiteti i përditshëm, ai realitet për të cilin kanë aq shumë nevojë të rinjtë tanë për t’u shprehur, që mund të shërbente edhe si një mundësi studimi, analize e raportimi për situatën. Mungoi realiteti, por nuk mungoi mitologjia greke dhe Turi që i dilte përpara, papritmas (sikur të ishte në trafikun e Tiranës) shkëmbi i dhëmbëzuar (ka parë njeri ndonjë shkëmb të tillë?) në një udhëtim fanta-shkencor me varkë në lumë të tipit Van Damme.
- Testit i mungonte ekuivalentimi i rregullave! Nëse në Tiranë mësuesit u ngritën që në orën 7 të mëngjesit për të dëgjuar se në çfarë shkolle të cepit tjetër të Tiranës u kishte dalë emri për të qenë në rolin e administratorit të provimit, në qytetet e vogla, cepi tjetër është shkolla ngjitur, ndërsa në ato edhe më të vogla, ky cep nuk ekziston sepse është vetëm një shkollë. Kjo do të thotë që mundësitë për kopjim janë më të mëdha në qytetet e vogla dhe më të pakta në një qytet si Tirana – më detajuar për këtë aspekt në vijim.
- Vështirësitë kryesore për testet me zgjedhje të shumëfishtë janë: vështirësia në të shkruar; kopjimi i lehtë dhe mundësia e dhënies së përgjigjeve me hamendje.
- Vështirësi në të shkruar. Në hartimin e testeve kërkohet një gjuhë specifike dhe teknika të veçanta. Për shembull, në varësi të nivelit të pyetjeve (i ulët ose i lartë), ndryshon edhe përdorimi i grupeve të caktuara të fjalëve në formulimin e kërkesës. Akoma, kërkesa duhet të jetë sa më koncize dhe e pastruar nga çdo fjalë që e tërheq vëmendjen e testuesit. Në letërsi shtohet edhe më shumë shkalla e vështirësisë, për vetë natyrën e lëndës (më të thjeshtë e kanë shkencat e sakta në këto lloj testesh). Kuptohet që gabimet janë të pafalshme. Shembuj (sipas autoriteteve përkatëse, ditën e testimit kanë qenë në qarkullim katër lloj testesh; këtu janë shënuar me x dhe xx):
a. Pyetja 57 (varanti x i testimit) ka probleme në aspektin gramatikor të kërkesës (pyetje analize/ niveli i lartë / vlerësimi 1 pikë).
Cilat grupe fjalësh na tregojnë se kjo poemë i takon eposit homerik? (1 pikë)
- Krifë, atbotë, heshtë.
- Dorë, gju, sup.
- Krahnor, mbret, hjegjatë.
- Hyner, tarogzë, parzmore.
Vërejtje: Kërkesa “Cilat grupe fjalësh na tregojnë” është në shumës, që do të thotë se përgjigjet e sakta duhet të jenë më shumë se një. Kjo penalizon nxënësit që humbasin kohë në gjetjen e një përgjigje që nuk ekziston!
b. Turi dhe legjenda e tij: (varanti xx i testimit) ka probleme me sasinë e shumtë të informacionit që përmbajnë alternativat (pyetje e të kuptuarit/ niveli i ulët / vlerësimi 1 pikë).
Cila nga pyetjet e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?
- Duke u përqendruar, Turi u përpoq të kujtonte procedurën e saktë për të kthyer barkën në një pozicion të sigurt.
- Ndërkohë, uji i ftohtë lumit vazhdoi të përplasej në anët e barkës duke i bërë qull Turin dhe miqtë e tij.
- Turi e dinte që ai dhe miqtë e tij ishin të përgatitur për t’ia dalë në situata të tilla.
- Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati përmbysi barkën.
Vërejtje: Alternativat e zgjedhjes së saktë janë shumë të gjata.
- Kopjimi. Kopjimi bën apel për një shkallë të lartë përgjegjshmërie nga ana e administratorëve të provimit në radhë të parë, si dhe nga gjithë sistemi në përgjithësi. Në qytetet e vogla, gjasat e ‘përballjes’ me këtë përgjegjshmëri bwhen edhe më të pakta, për shkak të trysnisë së njohjes dhe të fabulës ‘të gjithë jemi komshinj e kushërinj’. Nga ana tjetër, nuk ka procedura të qarta në procesin e vlerësimit, se si mund të identifikohet dhe të shndërrohet në siguri, aty ku ekziston dyshimi i mundësisë së kopjimit.
- Mundësia e dhënies së përgjigjeve me hamendje. Kjo mundësi në përgjithësi është shmangur, sepse alternativat ishin më shumë se tre.
- Në teorinë e ndërtimit të testeve, rekomandohet që pyetjet të ndjekin shkallët e taksonomisë me 6 nivele (Referuar B. Bloom: niveli i ulët mat njohjen, të kuptuarin dhe të zbatuarin, ndërsa niveli i lartë mat analizën, sintezën dhe vlerësimin). Nga testi ynë, çdo pyetje vlerësohet me një pikë. Në një test me zgjedhje të shumëfishtë, niveli maksimal që mund të masim është ai i analizës. Ndërkohë rregulli kryesor është që nivelet e ndryshëm vlerësohen me pikë të ndryshme. Që do të thotë se pyetje të niveleve të ndryshëm janë vlerësuar me pikë të njëjta!
- Pyetjet nuk duhet të jenë në shkelje me legjislacionin në fuqi. Ligji për Arsimin Parauniversitar Nr. 69/2012 (i azhurnuar) në Nenin 7, Laiciteti, shprehet: Paragrafi 1. Arsimi parauniversitar është laik. Paragrafi 2. Përjashtim bëjnë ato institucione arsimore që themelohen nga bashkësi fetare të njohura me ligj, sipas përcaktimeve të nenit 42 pika 4 të këtij ligji.
Pyetja 46 (varanti x i testimit) ka probleme në këtë aspekt: Cila prej perëndive e ndihmon Hektorin për të dalë fitimtar në dyluftimin me Patroklin?
Konkluzion
Marrja e një vendimi se si do të vazhdojë procesi duket i vështirë. Por kërkesa kryesore është për transparencë dhe gjakftohtësi. Maturantët që protestojnë nuk dinë ta bëjnë këtë analizë dhe të tjera të ngjashme me të. Shpesh shprehen apo i bien shkurt duke thënë se ‘testi ishte i vështirë’! Kjo nuk i bën objekt kritike dhe stigme se nuk e duan shkollën! Përkundrazi! Na jep arsye të shqetësohemi ne, pse në një çast të caktuar, shumë solemn për jetën e tyre si nxënës, dalin në rrugë për të protestuar. Dhe për t’i respektuar edhe më shumë për kurajën dhe dëshirën – shoqëruar me vendim e drejtë në këtë rast – për ta bërë shkollën më të mirë!
Politikat për komente të Fondacionit “Henrietta Leavitt”
- Komentet nuk shfaqen menjëherë, sepse kalojnë në sitën e moderimit, për aprovim ose jo, të Fondacionit “Henrietta Leavitt”. Komentet që nuk kanë lidhje me argumentin e temën, po ashtu edhe ato që përmbajnë mesazhe jodashamirëse, reklama, apo sulme personale nuk aprovohen.
- Ju lutem kini në vëmendje këto politika përpara se të lini komentin tuaj!