Nga Riza Braholli
Një udhëtim qiellor, ja ç’është një fluturim. Titulli vetë është një metonimi e dashurisë; e tërësisë që shfaqet e shpërfaqet nëpër të gjitha indet e thellësirat e trupit dhe shpirtit të këtij çifti lirik që udhëton, fluturon drejt cakut pa cak, për në përjetësi. Ky udhëtim shohim se shpërfaqet në tetë strofa me varg tetëmbëdhjetë rroksh, ose me nëntërroksh të dyzuar dhe me rimë aa bb.
Por le ta ndjekim këtë fluturim, këtë udhëtim metonimik, nëpër të gjitha kalesat e vibrimet, dhimbjet, gëzimet, dëshirimet e vuajtjet, në të gjitha ulje-ngritjet e dritëhijet me flakërime, përvëlime, përqafimet, flakërimet, e valoma deti, që nga ato tërë drojë, qepallë-derdhura përdhe… në: një dëshirim plot shkrepëtim, e deri te vargu i fundit Tek fluturon kjo jeta jonë aq larg për në përjetësi.
I tërë ky udhëtim përshkon një udhë; më saktë një mikroudhë qeniesore e metafizike e që përshkon të dyja qeniet e dashuruara, me këmbime e përkëmbime sa në një krah në krahun tjetër, e sa duke u shkrirë në mënyrë të pandashme duke krijuar atë lidhje të pandashme e ideale, me një lloj energjie dashurore që më shumë ndjehet e përjetohet se shihet. Pra, e tërë loja artistike ndërtohet si një marrje e dhënie e asaj që s’i vihet emër, që është energji, përjetim e gjendje e veçantë e që lëviz, fluturon drejt kahut të fundmë që është përjetësia.
Por si ndërtohet ky udhëtim – fluturim? Mendojmë se në dy plane: në atë shpirtëror dhe në atë fizik, pra trupor, por që herë i shohim të veçuar dhe herë të shkrirë në një lëndë sa fizike dhe metafizike njëherësh, duke mos u vënë kufij materies dhe shpirtit.
Që në vargun e parë të strofës së parë vërejmë se subjekti lirik i drejtohet dikujt… t’i sjellë kujtimet: Tashi kujto-m’i që të gjitha… Kujt? A nuk ju kujton kjo, ndonëse në dukje larg, lajtmotivin poetik të poemave epike me atë stil të lartë, kur rapsodët u drejtoheshin e ftonin muzat për frymëzim? A mos vallë dhe subjekti ynë lirik ndërton metonimikisht muzën e tij? Transfigurimi këtu ka ardhur natyrshëm, duke u bërë pararendës kuptimor i tërë shprehjes së mëpasshme. Përveç kësaj, në krye të vargut, ndajfolja tashi kryen rolin edhe të rrëfimit, duke e ndarë atë në dy kohë: të tashmen dhe të kaluarën, e asaj që ka ndodhur e që janë stoli të jetës, gjë që ai na e thellon me një retiçencë apo mungesë, që i hap udhë imagjinatës së lexuesit duke vazhduar me …stolitë e jetës një nga një… dhe përsëri vazhdon me një tjetër retiçencë, që përveçse i hap udhë imagjinatës së lexuesit, i jep mundësinë dhe subjektit që pas vargut përgjithësues të fillojë e të bijësojë e të na i shpërfaqë të kaluarën, pra, stolitë e jetës një nga një.
Dhe stolia e parë është: Atë, vështrimin më të parë, q’u mbyll në shpirt e s’doli më…, stoli me të cilin nis dhe udhëtimi ynë poetik.
Në këtë rast kemi një veçori stilistike të përdorur mjeshtërisht, siç është përsëritja, por jo një përsëritje e zakonshme. Vëreni me kujdes: Atë = vështrimin më të parë. Pra është ai, vështrimi që ka dy cilësi: a. është më i pari; dhe fakti tjetër, b. q’u mbyll në shpirt e s’doli më. Të dyja këto cilësi, përveçse kanë ngjyrime shprehëse kuptimore: e para për një cak kohor dhe e dyta si shpërthim i një parabole shumë elegante, (përdor detajin në vend të një epiteti, që s’ka fuqi të shprehë e ta çmojë), janë edhe ekuivalente përsëritëse të dy shënjave të para, duke krijuar një figurë përsëritjeje të katërfishtë. Përveç këtyre që thamë e tërë kjo përsëritje, edhe në vargjet e mëposhme, sjell një rezonim sa përmbajtësor aq edhe melodik plot harmoni.
Por le të vazhdojmë të ndjekim udhëtimin tonë imagjinar poetik. Stolia tjetër e radhës që këngëtari këngëzon është …Magjinë e pamjeve të tua qepallë-derdhurat përdhe…; dhe përsëri, edhe pas kësaj kemi një retiçencë. Subjekti, si duket, pasi na merr përdore e na çon para një bukurie, të shprehur me një kompozitë që shpreh cilësi thjeshtësie, dashurie, ëmbëlsie të drojtur, përdor këto tri pika për të na lënë, ne lexuesin, të dehemi edhe me tej me lirinë që na jepet për ta shtrirë fantazinë tonë në pafundësi, deri aty ku fjala bëhet e pazonja. Pastaj për të vazhduar edhe me vargun tjetër: …Dy sytë e tu të dhembshuruar ndaj mbaje turp si nuse e re…, edhe këtu me një tjetër retiçencë. Çfarë vëmë re? Subjekti poetik, jo vetëm që na bie e na numëron stolitë, duke na sjellë një gjendje delirante dashurore e fluturake duke numëruar, vështrimin, magjinë, sytë, por krijon një lëvizje të brendshme të asaj energjie, të asaj bukurie duke mos qenë vetëm një përshkrim statik, por një çast dhe një prag ku fillon ai që thamë fluturimi. Në pamundësi të zgjatjes tingull për tingull e fjalë për fjalë, mungesë për mungesë, le të shohim disa pika në të cilat kalon ky udhëtim. Nëse në strofën e parë ai i dejtohet bukurisë fizike dhe shpirtërore; thamë shkrirjen e fizikes me shpirtëroren, por gjithmonë të derivuar nga shpirtërorja, nga ndjenja, në strofën e dytë nga sytë e dhembshuruar kalon në …një dëshërim plot shkrepëtim; dhe më poshtë ndodh ai ndërkalim e komunikim ndjesor që thamë dhe më lart, duke çuar në një njësim të tyre, në një marrëdhënie ndjenjash, në një lëvizje të padukshme, por energjike, edhe pse në dukje platonike, si një lloj llave e nëndheshme; apo nëse i drejtohemi mjeteve shprehëse që përdor: …Që zjen e shfren me gumëzhimë, posi valomë, posi det. / Valomë e det i uluruar nga fund i zemërës së shkret, duke përdorur anlogjinë më detin e valomat e tij. Përdorimi i foljeve dhe alternimi i zanoreve u me o sjell një ritëm e një muzikë në përputhje e sintoni muzikore me atë çfarë ai kërkon të shprehë e të rrëfejë udhëtimin e tij.
Pas dy strofave të para, ku shohim një lidhje, një afrim drejt njëri-tjetrit në strofën e tretë, tërë ajo lëvizje e brendshme te të dy figurat lirike shndërrohet e gjenerohet në një akt përqafimi: …Dhe ja pushtohemi nër kraha plot ëmbëlsi! Plot fshehtësi! E më pas, përsëri duke luajtur simetrikisht sa me njërin krah dhe me krahun tjetër. Vargu i dytë i kësaj strofe shpërfaq hirin e asaj motrës së jetës …ku dashuron kaq dashuri, në vargun e tretë fokusi kalon mbi veten …flakërohem, e përvëlohem orë-e-ças. Ndërsa në vargun e fundit ai përdor një lloj kontrasti të butë, duke përkëmbyer dy sintagma gjendjesh të çuditshme për secilin prej heronjve lirikë: në njërin krah ëndërronjësi i përgjumur dhe në krahun tjetër ajo, vigjëllonjësja gjithë gas, por, që në vizatimin tërësor, krijohet një tablo i një çasti të caktuar dashuror, një gur kilometri ku rruga vazhdon të ngjitet drejt fluturimit.
Por diagrama e e këtij udhëtimi është me ngjitje e zbritje me afrim e largim, me lëkundje të frymëmarrjeve që edhe kështu në gjendje të amullt, është dashuria që lëviz, që i bashkon dhe që i ndan një çast për të qenë edhe më bashkë kështu të ndarë. Shikoni piketat ku dhe si lëviz e tallazitet dashuria: …çlirohemi prej krahash – tërheqje nga gjendja e përqafimit; kundrojmë veten pasandaj – ndalimi i lëvizjes dhe fillimi i një lëvizjeje – afrimi; dhe pshojmë e perëndojmë, dorë e për dorë e sy-për-sy – një gjendje tjetër dashurimi; për të përfunduar me vargun përmbyllës e kontrastiv për të dhënë një gjendje sa alogjike aq dhe logjike, gjithnjë në lëvizje: …Veç mall e zjarr e flakë e dritë, e dehje e prehje që të dy.
Është një hapësirë e gjerë dhe e pamatë nëse do të merreshim posaçërisht me kuptimësinë e tingujve në këtë poezi, e cila është karakteristike për këtë poet, por nuk mund të rrimë dot pa e shestuar në këtë strofë, e cila është ndërtuar e tëra si një klithmë me zanoren o si tingull, sa i kënaqësisë aq i dhe i dhimbjes si dhe me i-në e zgjatur si klithmë habie e hidhësie, duke e natyruar tërë kuptimësinë e kësaj strofe, por dhe duke u bërë një mjet që shpreh një lëvizje të caktuar me një amplitudë ngjitëse. Të ndërthurura dhe të përsëritura ritmikisht me: shpirt me shpirt apo o! lot me lot, ato krijojnë një ritëm sintonik me tonalitet të lartë e ngjitës plot drithërim për të arritur në konkludimin e gjithë kësaj me …kap shpirti shpirtin me rrëmbim, si për të thënë se është ajo lidhje, dashuria që ndërton jetën që është e pandashme edhe pse ka një ndarje fizike. Në tërë këtë muzikalitet që ne vetëm sa e cekëm e që më vonë mund ta bëjmë një tjetër pikë observimi tonën, nuk mund të lëmë pa përmendur rimat e brendshme foljore dhe emërore , për tempin, gjallërinë dhe energjinë që i japin, jo vetëm tekstit në tërësi, por dhe tërë këtij udhëtimi shpirtëror; dy shpirtra që ecejakin drejt njëri-tjetrit, drejt një bashkimi e shkrirje, në atë që i thonë jetë e që do të fluturojë në përjetësi. (Vetëm në vargun e parë të strofës së pestë janë tre folje që rimojnë me njëra-tjetrën) Vëreni ç’ndodh në këtë strofë. A nuk duket si një pikë kulminante ku gjithçka shkon drejt një vlimi maksimal një llavë që shkrihet dhe bëhet një? Gjithçka është veprim: …E si pushtohen e ngushtohen e nuk lëshohen më sërish, lëvizja fiton ritmin e pamatë që shkon drejt një kulmi, por që menjëherë e mjeshtërisht e zhvendos fokusin, duke u përpjekur të japë dy dimensione: a. të veprimit (vargu i parë) dhe b. të pasojës … Që mun në fund në kraharuar gjëmon një klithmë dhembshurish, që së bashku plotësojnë idenë e lëvizjes e të njësimit me njëri tjetrin si dy gjysma të një plotësie të harmonishme, por që në vargjet më pas ai na shfaq tërë dimensionet më në thellësi të qenies, tërë atë magmë që është e bukur, e zjarrtë e plot gjëmime …trumbullohet nëpër greminë e nëpër hon, dhe …Greminë e hon i skëteruar i përqafimit që mbaron. Vini re i tërë ky imazh lëvizës sa i gjallë e gllabërues është një imazh i tërë metaforik …Greminë e hon i skëteruar që i përgjigjet ndarjes së shprehur me metoniminë …i përqafimit që mbaron.
Dhe ja dalëngadalë shikojmë se udhëtimit tonë po i vjen i fundi. Vrulli, lëvizja, udhëtimi që filloi prej sysh, dhënia e marrja me njëri-tjetrin e vjen një çast, kur pshojmë e ndërmendojmë e shikojmë veten të sakrifikuar, duke ia falur jetën tonë …Sesi ja falmë jetën tonë veç dashurisë drejtpërdrejt: Në dy vargjet e tjerë ku subjekti në vargun e parë pyet dhe pastaj i përgjigjet po vetë vjen në një përfundim të të gjith këtij udhëtimi, kur thotë se …Ish jeta vashë e adhuruar plot tejpërtej me ëmbëlsi! Nëse këtë udhëtim metaforik e nisëm së bashku me heroin lirik, nuk mund të mos kthjelltësohemi e qartësohemi edhe ne se i tërë ky udhëtim ishte udhëtimi drejt përjetësisë, përjetësi që na e sjell yll i dashurisë …dh’ ahere yll’ i dashurisë zbret sipër nesh posi pëllumb. Por …Ngreh lart në qiell zemrat tona – kaq dashuri të djegur shkrumb. Pra ideja se sakrifikica e vuajtja fiton shpërblimin e dashurisë dhe që kjo dashuri është qiellore dhe na afron dhe me trekëndëshin filozofik naimjan: dashuria, bukuria dhe Perëndia. Dashuria zbret nga lart si pëllumb, një shpez biblik që i tregoi udhën Noes dhe ndërkohë simbol i paqes e i bukurisë dhe ku i çon zemrat? Në qiell që është simboli i Zotit, Parajsës, Përjetësisë. Vëreni me kujdes ç’mesazh na bie subjekti lirik në dy vargjet e fundit. Ai nuk mbetet rob i unit të vogël e subjektiv të një individi, por kalon në përgjithësime filozofike mbi vdekjen e jetën (edhe pse vdekja nuk përmendet kund, ajo është në marrëdhënie mungesore me përjetësinë si ana tjetër e medaljes, si hije e saj). Pra, sipas tij është dashuria që e ngjiz jetën dhe është jeta që udhëton e fluturon për në përjetësi…