Në fillimet e tranzicionit
Refleksione rreth librit të ish-kryeministrit të Qeverisë së Stabilitetit, z. Ylli Bufi
Nga Valbona Nathanaili
Libri “Në fillimet e tranzicionit”, me autor ish-kryeministrin e Qeverisë së Stabilitetit, z. Ylli Bufi, vjen tamam në kohë, si për ta na rikujtuar edhe një herë se, edhe 30 vjet pas vitit 1991, janë të njëjtët emra që bëjnë të njëjtat sherre dhe e njëjta situatë politike po aq kaotike dhe dëshpëruese për ne, njerëzit e thjeshtë. Por ndërsa në fillim të viteve 1990 ishte një shoqëri që ëndërronte për më mirë dhe për më shumë, sot edhe më ëndërrimtari ka thyer kokën pas murit të zhgënjimit dhe edhe më naivit i janë hapur sytë nga përmasat e dështimit. Në këta 25 vjet klasa jonë politike nuk ka dështuar vetëm në dy gjëra: në aftësinë për të qenë e paaftë për të drejtuar dhe në përkushtimin për të menduar vetëm për vete. Kryefjala e çdo nisme të tyre ka filluar dhe mbaruar me: Çfarë fitoj unë, personalisht? Po fëmijët e mi, gruaja ime, kushërinjtë e mi? Kaq ka qenë amplituda e mendimit. Përtej saj, boshllëk. Dhjetë luftëra të ishin bërë, nuk besoj se do sillnin me shumë dëm e shkatërrim, më shumë rrënim e varfëri, më shumë demoralizim e shpresë-humbje. Deri dje duhej të shporreshin nga postet që kanë uzurpuar; sot duhet të futen në burg për këtë moçal që e kanë shndërruar Shqipërinë. Dhe të kthejnë çdo lekë të vjedhur.
Libri përmban ngjarje të zhvilluara gjatë gjithë harkut të ekzistencës së kësaj qeverie, afro 180 ditë, treguar, kryesisht, sipas kujtimeve të vetë autorit, sepse përveç dokumenteve, një vend të rëndësishëm zë edhe pasqyrimi i bisedave dhe takimeve formale e informale të autorit me personazhe që kanë marrë vendime në emrin tonë, por influencuar thjesht nga interesa të çastit, në mos nga mungesa e vizionit ose një karakter i deformuar.
Viti 1991 është një mish-mash partish dhe organizatash që kërkojnë vetëm pushtet. Partia e Punës, Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Socialdemokrate, organizata OMONIA, konfederata, sindikata… “Drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura nuk pranonin të uleshin në një tavolinë me ata të Konfederatës. Për këtë arsye, m’u desh t’i takoja veç e veç,” – me synimin për të pasur mbështetjen e tyre, shkruan autori, në rolin e kryeministrit të kohës.
Po aq të lodhshme janë përpjekjet për të formuar kabinetin. Një kakofoni pazaresh për poste ministrash e drejtimi. Në përpjekjet për të krijuar qeverinë, sipas autorit, “Sabri Godo u shpreh i pakënaqur me numrin e dikastereve që kisha caktuar për Partinë Republikane, donte më shumë.” Nga ana tjetër, “Kisha menduar se me Skënder Gjinushin do ta kisha të lehtë bisedën, por më doli ndryshe. Ai jo vetëm u ankua për numrin e paktë të dikastereve të rezervuara për partinë e tij, por insistoi që të merrte Ministrinë e Arsimit dhe atë të Mbrojtjes. I shpjegova se për këto ministri, tashmë, kisha rënë dakord me Nanon dhe Berishën, por Gjinushi vazhdoi të ngulte këmbë në kërkesat e tij. Atëherë, u detyrova që si zgjidhje t’i ofroj postin e sekretarit të Shtetit për Arsimin.”
Për autorin e parathënies Afrim Krasniqi, këto ngjarje janë çelësi për të lexuar Shqipërinë e sotme. Në mendimin tim, po, në se do të ishin shkruar 25 vjet më parë dhe ndoshta do i binin kambanave që do mund të dëgjoheshin. Sot janë kujtime. Sepse ne kemi 25 vjet që jemi han pa porta, kështu për çfarë duhet çelësi kur nuk ka portë për të hapur? Për më tepër, kur nuk ka mbetur gjë pa lexuar nga historia e Shqipërisë së sotme. Edhe më analfabeti e di se si vazhdojnë fletët e shkruara të historisë sonë edhe, të paktën, për disa vite në vijim, me këta pseudo-politikanë që kemi. Janë ato faqe që, duke filluar nga viti 1991, kur të udhëhiqemi nga njerëz të mençur dhe të përgjegjshëm për detyrën që kanë marrë, duhet të përmbajnë vetëm një fjali: kalo 25 vjet më pas.
Por kujtime ose jo, libri është një mundësi e mirë për të pasuruar bibliotekën me një autor që më shumë se të hynte në histori, pati guximin të dilte prej saj. Dhe të mbahet mend për deklaratën e famshme të 6 ditëve bukë që kishim për të ngrënë.