Nga Valbona Nathanaili

Libri “Fjalimet TED” i presidentit të TED, Chris Anderson, doli në qarkullim për herë të parë në gjuhën shqipe në Panairin e Librit të Tiranës, 2016 dhe ishte një nga librat më të kërkuar në stendën e botimeve që vinin nga Kosova. Libri është pritur shumë mirë jo vetëm sepse është shkruar nga Chris Anderson, personi që ktheu edhe një herë vëmendjen drejt të folurës në publik dhe e vendosi në piedestalin nga e kishin rrëzuar, por edhe sepse vlerësohet si “manuali i shekullit XXI për një komunikim vërtet efektiv”. Libri klasifikohet si “duhet-lexuar” për çdo njeri që është i gatshëm të ndikojë publikun me idetë e tij. Autori tregon se si “një fjalim i shkurtër, por i mbajtur me mjeshtëri, shndërrohet në faktor për çlirimin e empatisë, nxitjen e entuziazmit, shpërndarjen e dijes dhe krijimin e një ëndrre të përbashkët.” Në libër trajtohet, në mënyrë sistematike dhe hap pas hapi, nga mënyra se si mund të bëheni mjeshtër në hartimin e përmbajtjes së fjalimit që do të mbani në publik, deri në të qenit sa më efektiv në skenë. Sigurisht, në libër nuk do të gjeni këshilla specifike se si të flisni në një rast të caktuar përpara një rrethi të ngushtë shokësh, por do të gjeni mjete dhe njohuri që mbështesin çdo formë të të folurit në publik që kërkon të shpjegojë, frymëzojë, informojë ose bindë, pavarësisht nëse ka lidhje me biznesin a arsimin, pavarësisht nëse mbahet në një skenë publike a në një studio televizioni dhe, në një vështrim më të gjerë, sa herë që do ju duhet të flisni përpara një publiku.

Kartela e librit: 

ISBN  9789951721219 / Shtëpia Botuese: Pema, Prishtinë / Viti i botimit   2016 / Përkthyesi Valbona Nathanaili

 

 

 

 

 

Chris Anderson e ndan të gjithë procesin e përgatitjes dhe mbajtjes së një fjalimi në publik në katër faza: baza, mjetet e fjalimit, procesi i përgatitjes dhe dalja në skenë. Për secilën fazë, Anderson, në mënyrë teorike dhe praktike, shpjegon që nga teoria e prezantimit dhe mënyrat për ndërtimin e idesë, deri te lidhja që duhet të vendoset me publikun, mënyrën e veshjes dhe të qëndrimit në skenë apo edhe përdorimin a jo të mjeteve të shumta që ofron teknologjia e sotshme. Autori është i kujdesshëm për të vënë përballë mënyra “të mira dhe të këqija” prezantimi, sikundër edhe të na paraqesë, me shumë sinqeritet të gjitha hezitimet që ai vetë ose folës të tjerë kanë pasur deri në çastin që kanë dalë përpara publikut për të ndarë me të idetë e tyre. Shumë nga shembujt e sjellë në libër janë nga “Fjalimet TED,” mbajtur në periudha të ndryshme, si për shembull  nga Sir Ken Robinson, Amy Cuddy, Elizabeth Gilbert, Salman Khan, Dan Gilbert, Monica Lewinsky etj., sepse sipas autorit këto fjalime, në vetëm pak vite kanë arritur të ndikojnë në shpërndarjen e ideve të fuqishme në të gjithë botën dhe të gjenerojnë shumë entuziazëm në fushën e të folurit në publik.

Por, ajo që është më e rëndësishmja për autorin janë idetë. Ju duhet të flisni vetëm nëse keni një ide për të ndarë. “Kemi nevojë për ide, në gjendje t’u japin zgjidhje problemeve të mprehta. Kemi nevojë që këto ide të mos mbeten të padukshme a të izoluara, thjesht sepse njerëzit e shkëlqyer që i kanë në mendje, ose kanë mungesë vetëbesimi për t’i paraqitur, ose nuk dinë si t’i ndajnë me të tjerët në mënyrë efektive. Kjo është një tragjedi. Në çastin që një ide e duhur paraqitet në mënyrën e duhur, ajo mund të shpërndahet, me shpejtësinë e dritës, në mbarë botën, duke zënë rrënjë në mendjet e miliona njerëzve, për të përfituar prej saj ose treguar se sa e mirë është, si ju dhe folësi që kërkon të flasë, ashtu edhe pjesa tjetër e njerëzimit, që ka nevojë të dijë se çfarë keni për të thënë.”
“Fjalimet TED” – Fragment shkëputur nga libri 

E folura në publik është një art i lashtë, ngulitur thellë në mendjen tonë. Zbulimet arkeologjike tregojnë se qindra mijëra vjet më parë të parët tanë mblidheshin rreth zjarrit, në vende të caktuara, për të mbajtur takime të rregullta. Në çdo kulturë të planetit tonë, me zhvillimin e gjuhës, njerëzit mësuan të ndajnë historitë, shpresat dhe ëndrrat e tyre me njëri-tjetrin. Përfytyroni një skenë tipike. Ka rënë mbrëmja. Zjarri bubulon. Drurët kërcasin dhe lëshojnë shkëndija nën një qiell xixëllues. Një i moshuar ngrihet. Sytë e të gjithëve nguliten në fytyrën e tij të zgjuar dhe të rrudhur, ndriçuar nga drita e zjarrit që vallëzon në të. Historia fillon. Ndërsa i moshuari flet, secili nga dëgjuesit përfytyron, me mendjen e tij, ngjarjet që po tregohen. Përfytyrimi ngjall të njëjtat emocione që përjetojnë edhe personazhet e historisë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, një formatim i drejtpërdrejtë i shumë mendjeve në një. Për një kohë të caktuar, të gjithë njerëzit rreth zjarrit veprojnë sikur të jenë një formë e vetme jete. Ata ekzaltohen së bashku, kërcejnë së bashku, këndojnë së bashku. Nga një gjendje e tillë e përbashkët, pak i ndan nga hapi tjetër, dëshira dhe vendosmëria për të vepruar së bashku, për të ndërmarrë një udhëtim, nisur një betejë, ngritur një ndërtesë a festuar për një rast.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe sot. Për një udhëheqës, ose mbrojtës të një kauze, e folura në publik është çelësi për të ndjerë empati dhe nxitur kurajë, për të ndarë njohuri dhe ndryshuar perceptime, për të promovuar një ëndërr që mendon se duhet të jetë e përbashkët. Po, e folura në publik sot ka fituar dimensione të reja pushteti. Hapësira e vogël rreth zjarrit e të parëve tanë, sot ka marrë përmasa globale, është bërë gjithë planeti ynë. Falë internetit, një bisedë e vetme, në një teatër të vetëm, mund të përfundojë në sytë e veshët e miliona njerëzve. Pikërisht sikundër shtypi i shkruar amplifikon pushtetin e autorëve, uebi amplifikon pushtetin e folësve. Aksesi në ueb mundëson çdo njeri, në çdo vend të botës (pak a shumë, brenda një dekade, ky akses do jetë i mundshëm pothuaj edhe për çdo fshat) të lidhet direkt me mësuesit më të mirë dhe të mësojë direkt nga ata, nga shtëpitë e tyre. Papritmas, ky art i lashtë ka marrë përmasë globale.

Ky revolucion është shkëndija e rilindjes së të folurës në publik. Shumë nga ne kanë vuajtur vite të gjatë mërzitjeje leksionesh në universitet, predikime pafund në kishë, ose kanë zgurdulluar sytë ndërsa dëgjojnë fjalimet stereotipe të shumë politikanëve. Nuk duhet të ndodhë më kështu.

Kur bëhet në mënyrën e duhur, një fjalim mund të elektrizojë dëgjuesit në një dhomë dhe transformojë pikëpamjet e tyre. Kur bëhet në mënyrën e duhur, një fjalim është më i fuqishëm se çdo formë të shkruari. E shkruara na jep fjalët. E folura mbart një tërësi elementesh të rinj. Kur ne ngulim sytë tanë në sytë e atij që flet, dëgjojmë tonin e zërit të tij, ndjejmë dobësi, inteligjencë dhe pasion, në mënyrë të pavetëdijshme, sinkronizohemi me aftësi të gdhendura brenda nesh prej qindra e mijëra vjetësh, aftësi në gjendje të galvanizojnë, të japin pushtet e frymëzojnë.

Për më tepër, këto aftësi, sot, jemi  në gjendje t’i shumëfishojmë në përmasa që shkojnë përtej çdo përfytyrimi të të parëve tanë. Ne jemi të aftë të tregojmë, me bukurinë e një qartësie që shkon deri në detajet më të vogla, çdo imazh që një njeri mund të fotografojë ose përfytyrojë. Ne jemi të aftë të bëjmë një video ose muzikë. Ne jemi të aftë të hartojmë një projekt kërkimor që përfaqëson gjithë dijen njerëzore, të arritshëm nga kushdo që ka një aparat smartphone.

Lajmi i mirë është që këto aftësi mund të mësohen. Absolutisht po. Kjo do të thotë që ekziston një superpushtet i ri, nga i cili mund të përfitojë çdokush, i ri a i vjetër qoftë. Quhet teoria e prezantimit. Ne jetojmë në erën ku, mënyra më e mirë për të lënë gjurmë në këtë botë, nuk është më t’i shkruash letër botuesit ose të publikosh një libër. Por thjesht të ngrihesh dhe të flasësh… sepse, si fjalët, ashtu edhe pasioni me të cilën ato thuhen, mund të shpërndahen në të gjithë botën me shpejtësi disa herë atë të dritës.

Në shekullin XXI, teoria e prezantimit duhet të mësohet në çdo shkollë. Në të vërtetë, përpara erës së librit, teoria e prezantimit ishte pjesë e mësimeve bazë në shkollë,[1] ndonëse me një emër disi të modës së vjetër, retorikë. Sot, në erën e internetit, duhet të ringjallim edhe një herë këtë art fisnik dhe ta bëjmë dimension të katërt të shkollës. Pra, fëmijëve t’u mësojmë lexim, shkrim, mbledhje e zbritje… dhe retorikë. Kuptimi kryesor i fjalës është thjesht “arti i të folurit me efektivitet”. Katërcipërisht, ky është qëllimi i këtij libri. Të rimodelojë retorikën për erën moderne. Të ofrojë pika të dobishme referimi për një të mësuar të ri të prezantimit.

Kanë thënë për librin:
  • STEVEN JOHNSON, autor i How We Got to Now dhe Emergence

Fjalimet TED mund të klasifikohet si “Eseja e ditëve tona”, – e njëjtë me pamfletin e shekullit XVIII dhe rubrikën OP-ED të gazetave të shekullit XX. Fjalimet TED është udhërrëfyesi i kësaj gjinie të re të të shkruarit, hartuar nga një njeri që i shndërroi, këto fjalime, në një forcë globale.

  • ADAM GRANT, profesor Wharton, autor i Give and Take dhe Originals

Ky libër është jo vetëm më i ploti në fushën e të folurit në publik, por edhe i shkëlqyer në perceptimin e mënyrës se si duhet të komunikojmë dhe të paraqitemi. Nëse keni planifikuar të artikuloni edhe një fjalë të vetme me zë të lartë, ky është libri që duhet të lexoni. Libri më mbush me shpresën se fjalët munden, në ditët tona, të ndryshojnë botën.

  • ELIZABETH GILBERT, autor i Eat, Pray, Love dhe The Signature of All Things

Asnjë njeri në botë nuk e kupton më mirë artin dhe shkencën e të folurit në publik se Chris Anderson. Ai ka mbështetur dhe frymëzuar, kandisur dhe inkurajuar shumë folës, për një periudhë të gjatë kohore, – mua përfshirë, – sikundër na ka ndihmuar të japim më të mirën e mundshme të performancës sonë në skenë, edhe kur kemi qenë në kulm të nervave dhe të dërrmuar. Anderson është personi perfekt që duhej ta shkruante këtë libër dhe është një bekim për shumë njerëz.

  • STEVEN PINKER, profesor në Harvard, autor i How the Mind Works dhe The Sense of Style

Fjalimet TED kanë rishpikur artin e retorikës së shekullit XXI. Lamtumirë akademizma sipërfaqësorë, fjalë shkencore pa kuptim, moralizime pompoze, ekzaltim nga PowerPoint, – sot e dimë se “idetë që ia vlejnë të shpërndahen” munden, me të vërtetë, të shpërndahen në largësi dhe të depërtojnë në thellësi, me qartësi dhe stil. Ky libër e rivendos retorikën në vendin e tij të nderit, si një nga aftësitë më të domosdoshme për një qytetar të edukuar.

  • Sir KEN ROBINSON, reformator në fushën e edukimit, autor i Creative Schools

Në këtë libër, Chris Anderson dhe grupi drejtues i TED, për herë të parë, na paraqesin gjithçka kemi mësuar rreth duhet dhe nuk duhet në fushën e të folurit në publik. A ekziston ndonjë recetë e vetme për të folurin në publik? Sigurisht, jo. Por sigurisht, po, ekzistojnë disa përbërës kryesorë që ndihmojnë në gatimin e saj, të cilat grupi TED i paraqet në këto faqe me saktësi, entuziazëm dhe gjallëri (të cilat, edhe këto vetë bëjnë pjesë te përbërësit kryesorë). Një udhërrëfyes frymëzues dhe bashkëkohor në artin e respektuar të oratorisë.

Kush është Chris Anderson  

Chris Anderson është president i TED dhe përgjegjës-kurator për Fjalimet TED. Anderson është diplomuar pranë Universitetit të Oksfordit dhe, më pas, ka kryer disa trajnime në fushën e gazetarisë. Përpara se vëmendja e tij të thithej nga TED, ka botuar dhe krijuar më shumë se 100 revista dhe faqe ueb të suksesshme. Më vitin 2001, organizata jofitimprurëse e drejtuar nga ai, merr drejtimin e TED. Mantra e tij për TED, – “ide që ia vlen të shpërndahen”, – vazhdon të lulëzojë në shkallë ndërkombëtare. Aktualisht  jeton në NewYork.

[1] Shënim: Së bashku me logjikën, gramatikën, aritmetikën, gjeometrinë, astronominë dhe muzikën.