Të dhëna për librin

  • Titulli : Arsim dhe pabarazi
  • Autor: Valbona Nathanaili
  • Botues: UET Press, Tiranë, 2014
  • ISBN  978-9928-Refleksione rreth librit “Arsim dhe pabarazi” me autor Valbona Nathanaili Nga Tomi Treska4193-3-0
  • Me parathënie nga Prof. Asoc. Dr. Tomi Treska
Refleksione nga Tomi Treska

Kur merr në dorë një krijim të një autoreje si Valbona Nathanaili, natyrshëm të pushton ndjesia për t’i shkuar librit deri në fund. Ndoshta kjo ndodh sepse kushdo që e njeh Valbonën e di se ajo prej kohësh është njeri i librit, i çdo lloj libri, por veçanërisht i librit “racional” dhe “analitik”. Dhe një njeri i tillë mendohet mirë kur merr në dorë penën për të shkruar diçka të vetën.

Botimi “Arsim dhe pabarazi. Sfida e perceptimit ndryshe”, një përmbledhje e eseve, ideve dhe debateve që ngre Nathanaili ngërthen tematika sa interesante, aq edhe bashkëkohore, sa të dobishme, aq edhe praktike, sa të njohura po aq ende të pazgjidhura. Botimi ndahet në tre pjesë, që përbëjnë edhe tre shtyllat përmbajtësore të tij.

Pjesa e parë, që i ka dhënë edhe titullin kësaj përmbledhjeje ka të bëjë kryesisht me problematika të mprehta të arsimit dhe sistemit arsimor në Shqipëri. Për lexuesin është lehtësisht i rrokshëm mendimi liberal i autores, mendim që zë fill, mbështetet dhe shumëfishohet në modelet, shkrimet, studimet dhe ekspertët më të spikatur të kohës. Mendimi kritik, fryma adaptuese në kushtet e vendit tonë dhe empatia, janë disa nga mesazhet kryesore që përcillen në shkrimet e kësaj pjese. Këto mesazhe, të trajtuara në frymën e të qenit “qytetar i botës”, i shtojnë vlerat 10 shkrimeve që ndryhen në këtë pjesë. Autorja nuk qëndron indiferente në debatin tashmë të njohur mes privates dhe publikes. Qëndrimi i saj ndaj kësaj çështjeje ngrihet mbi intepretimet e zakonshme të avantazheve të njërit apo tjetrit sistem të financimit. Ajo ngre probleme që i takojnë sistemit arsimor shqiptar në tërësi, pavarësisht nëse ai financohet nga fondet publike, ose ato private.Autorja konstaton, analizon e kritikon, por jo vetëm kaq; ajo shkon përtej kësaj: rekomandon, madje deri në nivelet e politikëbërjes për thellimin e reformimit të sistemit arsimor në Shqipëri dhe për Ligjin “Për sistemin arsimor parauniversitar”. Mendimi i saj, jo thjesht si analiste, por në radhë të parë si eksperte dhe njohëse e mirë e fushës për të cilën flet, është i qartë dhe i argumentuar. Diskutimi i saj merr dimension më të gjerë kur në analizë përfshin edhe shoqërinë civile dhe rolin që ajo duhet të luajë në reformimin e sistemit arsimor shqiptar. Valbona rrit vlerat e punimit të saj kur analizon edhe problematika që duken më periferike se ato që na shqetësojnë të gjithëve. Ajo i kushtohet edhe arsimit special në Shqipëri, apo edhe procesit të vlerësimit të shkollës si institucion jo thjesht njohuri-dhënës, por edhe edukues e formues të qytetarit të sotëm dhe atij të të ardhmes.

Pjesa e dytë e botimit, pavarësisht se ndryshon në tematikë, është po aq e rëndësishme dhe atraktive sa e para. Valbona në këtë pjesë tenton kah politika dhe analiza e situatave politike në Shqipëri dhe problemeve që lidhen me sociologjinë. Realizmi dhe objektiviteti i saj spikat në shkrimin “Kuq e blu”, ose edhe në atë vijues “Me këmbë të mbarë”. Nga një analizë politike për këto artikuj, mbresëlënës është koncepti i shndërrimit të demokracisë nga një term në funksion ose konkluzioni se asimetria e pushtetit e bën (atë, pushtetin) edhe detyrim asimetrik. Refleksioni i saj rreth librit “Pasojat e modernitetit” të sociologut të shquar Athony Giddens, ngrihet në lartësinë e vlerave të këtij libri. I të njëjtit nivel është edhe refleksioni rreth librit “Si qytetar global paqedashës. Dashuri, paqe botërore” e Reverendit Sun Myung Moon.

Pjesa e tretë e kësaj përmbledhjeje, e titulluar “Sale, Zucchero e caffe!” përbëhet nga 8 shkrime. Disa nga shkrimet më të spikatura në këtë pjesë lidhen me personalitete dhe analiza të ideve dhe mesazheve që ata përcjellin në publikun e gjerë. Valbona bëhet një përcjellëse analitike e kritike e tyre, duke rritur në vetvete vlerën e mesazheve që përcjellin autorët. E fillon me Kadarenë duke analizuar tezat e tij në lidhje me Shqipërinë, Kosovën e gjuhën shqipe. E vijon analizën e saj me Spartak Ngjelën duke vënë në fokus librin e tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Përkufizimi i saj se Ngjela është nxënës e mësues, lider dhe pjesë e turmës, të mbetet gjatë në kujtesë. Dhe është e kujdesshme të kujtojë me nderim edhe figura të dalluara të mendimit shqiptar si ajo e Prof. Dr. Enver Faja, të cilit i kushton një “In Memoriam”, duke lartësuar punën dhe veprën e këtij urbanisti të shquar nëpërmjet promovimit të librit të tij “Urbanistika”.

Gjithsesi pjesa e tretë është pak më e lirshme, për nga tematika, krahasuar me dy pjesët e para. Brenda kësaj të trete futen, si “padashje”, impresione që tejkalojnë të qenit thjesht impresone, duke marrë më së shumti pamjen e refleksionit dhe të analizave të mirëfillta. Të kësaj natyre janë shkrimi për kryqëzimin tek “21 Dhjetori”, për Jesolon turistike pranë Venecias, apo “Dita e zakonshme e një shkolle publike”, sikundër reagimi-thirrje “Faleminderit djema”.

Jam i mendimit se mozaiku i menduar mirë i kësaj përmbledhjeje, krijon ndjesinë e një puzzle, brenda të cilit gjen mini-tematika, ndoshta disi të ndryshme për nga fabulat që trajtojnë, por që padyshim përcjellin një stil të veçantë shkrimi, analize dhe refleksioni, sa të unifikuar, aq edhe divers, sa të pasur në gjuhën e përdorur, po aq intrigues e të veçantë.

Pjesë nga Libri

Ne duhet t’i edukojmë të rinjtë ta shohin veten e tyre si anëtarë të një kombi dhe bote heterogjene, të kuptojnë historinë dhe grupet e ndryshme që jetojnë në të. Ndonëse për Dewey kjo nuk është në qendër të vëmendjes, përsëri është për t’u admiruar këmbëngulja e tij që edukimi duhet të prodhojë qytetarë fleksibël, në gjendje të përshtasin mendimet e tyre me situatat aktuale në të cilat gjenden. Duke e krahasuar me Tagore, mund të themi se shkolla tagoriane ishte më e fokusuar në këtë ide kozmopolitane. Për shembull, në shkollë jo vetëm që nxënësit mësonin rreth të gjitha besimeve kryesore, por edhe respektonin çdo festë të tyre. Fillimisht nxënësit mësonin traditën, gjuhën e kulturën bengaleze dhe, më tej, e zgjeronin horizontin duke mësuar për botën në tërësi. Sot, për shkak të natyrës së ndërvarësisë që ka globalizmi dhe faktit që shumë nga ndërveprimet tona si qytetarë globalë ndërmjetësohen nga norma të diktuara nga një treg shkëmbimi, më shumë se kurrë kemi nevojë për këtë aftësi. Sipas Martha Nussbaum nxënësit duhet të mësojnë rudimentet e historisë botërore pasi i pasurojnë akoma më shumë, i ndihmojnë të kenë një të kuptuar që shkon përtej stereotipeve të së përditshmes, veçanërisht sa i takon besimeve kryesore. Ata duhet të studiojnë me thellësi të paktën një traditë jofamiljare, sepse aftësohen të fitojnë shprehi që u hyjnë në punë më vonë.

Akoma, grupet në klasa dhe në shkolla formohen kryesisht sipas përkatësive etnike ose identiteve përkatëse. Na duhet të edukojmë nxënës që njohin jetën e njerëzve të tjerë të ndryshëm nga ta, që janë në gjendje të dialogojnë me interes dhe dashuri për të ardhmen e njerëzimit…