Në kohët e lashta dhe ato moderne

Nga Dr. Valbona Nathanaili

Fjala e mbajtur me nxënës dhe mësues të gjimnazit “Sami Frashëri”, Tiranë, në vijim të aktiviteteve të promovimit të shkencës në radhët e të rinjve, ndërmarrë nga Fondacioni “Henrietta Leavitt”

Në takimin e organizuar më datë 11 shkurt 2019, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë, pyetjes se në cilin nga zhanret – fantashkencor apo shkencor – e katalogonte romanin e saj “Pika Trëndafil”, Prof. Mimoza Hafizi, zgjodhi ta përkufizojë si shkencor. Romani “Pika Trëndafil” është një roman shkencor që ka pak kohë që ka dalë në qarkullim. Por duke qenë njëherazi edhe krijimtari edhe shkencë, romanit i rriten vlerat në mënyrë eksponenciale, shërbimi që autorja i bën publikut është i jashtëzakonshëm, ndërsa kontributi akoma më i respektueshëm.

Synimi pse jemi mbledhur është të diskutojmë me ju, një grup të rinjsh – në një nga gjimnazet më të mirë të kryeqytetit – rreth domosdoshmërisë që kemi si shoqëri për të qenë të informuar në shkenca. Këtu kam parasysh kryesisht shkencat e sakta dhe duhet të theksoj që në fillim se kjo përfshirje është me interes dykahësh – fiton shoqëria, por akoma më shumë edhe ju si individë.

Romani shkencor i Mozës është një arsye e mirë!

Slogani i Carl Sagan, “Jetojmë në një shoqëri të varur jashtëzakonisht nga shkenca dhe teknologjia, por vështirë se dikush kupton çfarë është shkenca dhe teknologjia” është shumë domethënës. Sa më shumë dimë, aq më mendjehapur jemi, aq më të gatshëm jemi të dialogojmë me mendimin alternativ të Tjetrit, aq më shumë bëjmë përpara. Si teori, për të gjithë ne është shumë familjare dhe jemi dakord.

Pse shkencat e sakta?

Në kohët e lashta njerëzit besonin se Toka ishte e rrafshët dhe ndodhej në qendër të Universit. Duke referuar përsëri Sagan, një pohim i tillë ishte jo vetëm në rrjedhojë të krenarisë që kemi ne, si qenie njerëzore, por edhe të mungesës së mjaftueshme të dijeve. Në atë kohë nuk dinin sa duhet! Dija nuk kishte as shtrirje, dhe as thellësi – krahasuar, gjithnjë, me sistemin tonë të referimit të sotëm të dijeve. Por dija mësohej e ndërthurur. Shkencat e sakta mësoheshin së bashku me shkencat humane, matematika së bashku me muzikën. Një edukim i ndërthurur që ishte pjesë e filozofisë së kurrikulës në të gjitha nivelet e edukimit dhe e synimit për të përgatitur qytetarë të përgjegjshëm, në gjendje të arsyetojnë dhe marrin vendime të pjekura.

Nga lashtësia deri në ditët tona, sigurisht që kemi bërë hapa galopantë përpara: dija sot është shumë më e thellë dhe ka një shtrirje jashtëzakonisht të madhe. Si shoqëri kemi përjetuar plot tre “Revolucione” Teknologjikë dhe po përpiqemi të “përshtatemi” me të katërtin. Interneti është bërë më i dashur se libri dhe më i besueshëm se mësuesi. Makinat po marrin shumë nga punët që kryejnë njerëzit dhe disa sëmundje diagnostikohen nga algoritme që ofrohen nëpërmjet aplikacioneve nga më të ndryshmit. Fjalët “çelës” janë teknologji dhe aplikacione, kodim dhe programim. Shumë mirë, sigurisht!

Por njëkohësisht është zgjeruar edhe rrethi i problemeve me të cilat përballemi. Shoqëria është bërë shumë komplekse. Dhe ja ku vinë edhe problemet e kohës: shumë specie janë drejt zhdukjes, oqeanet janë aq të ndotur sa konsumi i peshkut si ushqim mund të vihet në pikëpyetje, për të vazhduar me terrorizmin, emigracionin apo vrasjet në emër të parimeve të dyshimta. Pafund probleme! Dhe papritur kupton se për shumë prej tyre gjykon nga pozitat e njeriut të lashtësisë: me krenari dhe në mungesë të dijes. Ndoshta jo me aq shumë krenari! Por është e sigurt që vendimet merren përsëri në mungesë të dijeve, jo të mungesës së dijeve si sasi, as të mungesës së tyre si thellësi, por të dijeve të ndërthurura me njëra tjetrën.

Në sistemin tonë shkollor, ndërthurja e dijeve mbyllet në ciklin e mesëm të shkollimit, por edhe aty bëhet shumë i cunguar. Në dallim nga lashtësia, pikëprerjet e shkencave natyrore me ato humane i kemi reduktuar pothuaj në zero… Në dallim nga lashtësia, shkenca shihet si mjet për të zgjidhur çështje teknike, jo si mënyrë për ta parë ndryshe botën.

Libri i Mozës është mënyrë për ta parë botën ndryshe!

Realiteti kërkon mendim shkencor të plotë, sy kritik, analizë, pse jo edhe përvojë. Realiteti kërkon vendimmarrje të informuar. Problemet e mësipërme zgjidhen duke pasur një edukim sa më të ndërthurrur. Kur nuk e bën shkolla, duhet ta bëjë familja! Dhe të shqetësohemi si shoqëri për ta ndryshuar.