“Çfarë është jeta” – 78 vjet pas leksionit të famshëm të Erwin Schrödinger, pyetja e radhës: “Ku po shkon njerëzimi?”

Frymëzuar nga leksioni i famshëm i Erwin Schrödinger, “Çfarë është jeta” / Trinity College, Dublin, Irlandë

5 shkurt 1943 – 5 shkurt 2021

Seria e aktiviteteve “Shkenca pranë publikut” / Promovimi i librit “What is life” në gjuhën shqip

  • Data: 5 shkurt 2021 / Ora: 9.30-14.00 / Vendi: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë
  • Organizatorë: Fondacioni “Henrietta Leavitt” dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë
  • Aplikimet janë mbyllur!

Më 5 shkurt 1943, Erwin Schrödinger, fitues i Çmimit Nobel në fizikë dhe njëherazi drejtor i studimeve në fushën e fizikës teorike pranë Institutit të Dublinit për Studime të Avancuara, Irlandë, mbajti leksionin e parë publik, me titull “Çfarë është jeta”. Leksioni ishte në fushën e biologjisë, nga një fizikan “naiv” – sikundër e quan veten – që synimin kryesor ka “si të zbatojë ligjet e njohura të fizikës për organizmat jo të gjalla, te organizmat e gjalla”.  Leksioni shumë shpejt u bë i njohur në të gjithë botën dhe frymëzoi një gjeneratë të tërë fizikanësh, kimistësh dhe matematikanësh ta zhvendosnin objektivin e studimeve drejt biologjisë, falë të cilëve kemi fillimin e një revolucioni të vërtetë molekular. Në leksionin “Çfarë është jeta”, Schrödinger fokusohet në dy tema kryesore: natyra e trashëgimisë dhe termodinamika e sistemeve të gjalla. Në  një leksion të dytë të ngjashëm, me titull “Mendja dhe materia”, mbajtur më shumë se 10 vjet më vonë, Schrödinger kërkon të shpjegojë se si arrijnë “të mendojnë” atomet apo sa e saktë është bota përreth, botë e ndërtuar falë përceptimeve të shqisave tona.

78 vjet më pas, a kemi një përgjigje për “Çfarë është jeta?”. Ne kemi qenë në gjendje të përshtasim karakteristikat e mjedisit ku jetojmë, por a kemi qenë në gjendje të përshtasim karateristikat e organizmit tonë në përputhje me dëshirat apo nevojat që kemi? Sa kanë qenë në gjendje fizika, kimia dhe matematika të ndihmojnë në zgjidhjen e enigmave të shumta përpara të cilave na vë organizmi ynë?

78 vjet më pas, a është gjetur marrëdhënia ndërmjet mendjes dhe materies, ndërmjet trurit dhe ndërgjegjes? Sa kanë qenë në gjendje ekologët, antropologët, psikologët, filozofët, sociologët dhe historianët e shkencës të shpjegojnë marrëdhëniet ndërmjet subjektit dhe objektit, ndërmjet konkretes dhe abstraktes, ndërmjet gjuhës dhe simbolit? A kemi një “Bing Bang” edhe në historinë e qenieve njerëzore? Evolucion apo revolucion – çfarë duhet të zgjedhim kur të  përshkruajmë historinë e “humanitas”?

Tema bosht dhe nëntema

Revolucion shkencor dhe evolucioni  

  • Çfarë është jeta – trajtesë historike nga perspektiva e shkencave të natyrës
  • Nga paradigma e vjetër dhe ekzistuese, në një të re dhe sfiduese; shkëputja nga e vjetra – revolucioni shkencor që frymëzoi Shrodinger ; leksionet publike, si pjesë e nismës “Shkenca më pranë publikut”
  • Ligjet e fizikës dhe biologjia
  • Termodinamika e sistemeve të gjalla
  • Kodimi dhe kopjimi – semiotika e biologjisë, qasje të reja studimi apo realitet?
  • Marrëdhënia objekt-subjekt. Si shndërrohet molekula në mesazh? Shndërrimi i sinjaleve fizike në shenja konvencionale;
  • Origjina dhe evolucioni i jetës / funksionet simbolike të jetës në kontekstin e ligjeve të fizikës.
  • Filozofia e mekanikës kuantike të Erwin Schrödinger
  • Aspektet simbolike dhe subjektive të matjes. Macja e Shrodingerit. Pikëpamjet neo-shrodingeriane të matjes.
  • Mendja dhe materia, truri dhe ndërgjegja, 78 vjet pas përpjekjeve të Schrödinger për t’i shpjeguar. Statusi i sotëm i marrëdhënies ndërmjet tyre.
  • …..

Një e tashme e trazuar nga pandemia Covid-19. “Quo Vadis Humanitas”: parashikime dhe reflektime, ide dhe vizione:

  • E ardhmja e inteligjencës artificiale.
  • E ardhmja e biologjisë nga perspektiva e fizikës
  • E ardhmja e biologjisë – mutacionet dhe trashëgimia; në agim të jetës digjitale, a mund të rishkruhet gjenomi sipas dëshirave tona?
  • Teoria e unifikimit të forcave.
  • Post-humanizmi
  • A evoluojnë ligjet e natyrës?

Thirrja është e hapur për studiues në fushën e biologisë molekulare dhe të evolucionit, fizikanë në fushën e mekanikës kuantike dhe asaj statistike, ekologë, antropologë, psikologë, filozofë, sociologë dhe historianë të shkencës.

  • Temat e mësipërme janë orientuese!
  • Të interesuarit janë të ftuar të paraqesin sugjerimet e tyre!

Leksionet do të jenë publike. Synimi është përfshirja e studiuesve nga një spektër i madh fushash të dijes, përshtatur për një audiencë të gjerë, në frymën e leksioneve të Schrödinger-it. Për shkak të situatës Covid-19, pjesëmarrja e publikut në sallë do të jetë e kufizuar dhe e autorizuar vetëm me ftesa. Por të gjitha referimet do të pasqyrohen – në  material video – në faqet e Akademisë së Shkencave dhe të Fondacionit “Henrietta Leavitt”.

Synojmë që simpoziumi të ketë edhe pjesëmarrje on-line (për t’u konfirmuar)!

  • Afati i fundit për pranime si folës në gjuhën shqipe: 1 shkurt 2021, ora 16.00
  • Kontakt [email protected]
  • Pyetjet për folësit, nga të interesuarit, mund të fillojnë të depozitohen në adresën e-mail më sipër. Për Prof. Steve Fuller dhe Prof. Jean-Louis Basdevant janë të mirëpritura pyetjet në anglisht.

Konfirmuar si folës:

  • Prof. Steve Fuller, Universiteti i Warwick-ut, Angli (on-line): Pyetja e radhës e Schrödinger-it: Si do të jetë jeta?
  • Akad. Emeritus Floran Vila, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Prof. dr. Fatos Ylli, Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar: Erwin Schrödinger – Figurë e shquar e Fizikës.
  • Akad. Ilia Mikerezi, Akademia e Shkencave: Reflektimi i ideve të Schrödinger-it në biologjinë molekulare.
  • Prof. Jean-Louis Basdevant, Ecole Polytechnique, Francë (on-line), në bashkëpunim me Akad. Asoc., Prof. Mimoza Hafizi, Universiteti i Tiranës: Bukuria dhe misteret e mekanikës kuantike.
  • Prof. Endrit Kullaj, Universiteti Bujqësor: Jeta në pikëprerjen e fizikës dhe biologjisë
  • Dr. Julinda Stefa, Talend, Paris, France (pas një periudhe 10-vjeçare si Profesor i Asociuar, pranë Departamentit të Shkencave kompjuterike, Universiteti “La Sapienza”, Romë, Itali): Qasja ndaj teknologjisë thotë shumë për personalitetin tënd!
  • Dr. Valbona Nathanaili, Fondacioni “Henrietta Leavitt”: Nga paradigma e vjetër dhe ekzistuese, në një të re dhe sfiduese. Revolucioni shkencor që frymëzoi Erwin Schrödinger / promovimi i librit “What is life” në gjuhën shqipe.
  • Prof. Halil Sykja Panel me diskutime

Programet shqip dhe anglisht:

Bio

Prof. Steve Fuller (1959, New York City) është diplomuar pranë universitetit të Kolumbias në Histori & Sociologji. Ka Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit dhe Doktoraturë (1985) nga Universiteti i Pittsburgh-ut, të dyja në Histori & Filozofi Shkence. Aktualisht kryeson katedrën “Auguste Comte” në epistemologji sociale (nga viti 2011), pranë Departamentit të Sociologjisë, Universitetit të Warwick-ut. Kërkimet e hulumtimet shkencore përfshijnë, kryesisht, çështje që janë subjekt i epistemologjisë sociale. Fuller ka themeluar programin e kërkimit shkencor në epistemologji sociale. “Epistemologji Sociale” është edhe emri i një reviste tremujore që ka themeluar me Taylor & Francis më vitin 1987, si dhe titulli i botimit të parë të Fuller, në vargun e njëzet të tillëve. Vepra më e fundit trajton të ardhmen e njerëzimit, ndryshe ‘Humanity 2.0’.

Ka folur në më shumë se 30 vende, shpesh në konferenca kombëtare, në rolin e folësit kryesor. Nga viti 1995 është anëtar i Shoqatës Mbretërore të Arteve. Më vitin 2007 i akordohet titulli “Doktor në Letra” nga Universiteti i Warwick, me motivacionin “Për kontribute të çmuara në fushën e studimeve akademike”; anëtar i Akademisë së Shkencave të Mbretërisë së Bashkuar dhe i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve. Kërkues shkencor pranë “Breakthrough Institute”, drejtues i grupit think-tank ‘ecomodernist’, studiues pranë “Institute for Ethics and Emerging Technologies”, drejtues i grupit think-tank ‘trans-humanist’.

Veprat e Fuller janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë të ndryshme. Nga viti 2013 është anëtar i Edge, “Kultura e tretë. Në skaj”, ku kontribuon me sistemin e tij vjetor të pyetjeve.

Akad. Floran Vila është pedagog në Departamentin e Fizikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, në disiplinat themelore të Fizikës së Përgjithshme. Veprimtaria kërkimore-shkencore e prof. Vilës është realizuar, kryesisht, në fushën e fizikës së aplikuar dhe përfshin disa drejtime: elektricitetin, fizikën e materialeve dhe fizikën e atmosferës. Në periudhën 1975-1985 ka drejtuar grupin kërkimor-shkencor, ngritur me synim studimin e elektricitetit statik industrial, duke shkelur drejtime të reja me interes teoriko-aplikativ.

Mbas specializimit në Shkollën e Lartë të Elektricitetit (Francë,1986) është angazhuar shumë herë si Profesor i ftuar dhe në kërkime shkencore pasdoktorate në Universitete të huaja (Poitiers – Francë 1995-1996, Darmstadt – Gjermani 1998, 2002, 2008-2009) si dhe në Qendrën Ndërkombëtare të Fizikës Teorike (ICTP, Trieste – Itali 1992, 1994, 1997, 2000,2003), duke treguar një bashkëpunim të frytshëm me partnerët e huaj; ka udhëhequr me sukses projekte brenda dhe jashtë vendit, si dhe doktorata e diploma të Fizikës.

Kariera shumë e gjatë mësimore dhe kërkimore shkencore ka gjetur një pasqyrim të gjerë dhe të larmishëm në tekste bazë universitare, në një  numër të madh artikujsh shkencorë  të botuar kryesisht jashtë shtetit, në shumë punime shkencore mbajtur në konferenca shkencore  kryesisht ndërkombëtare, në raporte shkencore e teknike si dhe në referate shkencore  të paraqitura në vendin tonë dhe jashtë shtetit.

  • Në vitin 2015 është nderuar nga Unioni Ballkanik i Fizikës me “Çmimin e Nderit” (“BPU HONOR AWARD”), me motivacionin “Për kontribute të mëdha në fizikë dhe në Unionin Ballkanik të Fizikës”.

Prof. Fatos Ylli është specialist në fushën e spektroskopisë fizike, fizikës së materialeve dhe mbrojtjes e sigurisë nga rrezatimet. Krahas veprimtarisë kërkimore i kushton kujdes mësimdhënies dhe transmetimit të njohurive te kërkuesit e rinj, si lektor i fizikës në disa institucione të arsimit të lartë, publikë dhe jopublikë. Prof. Ylli ka qenë pjesë e shumë projekteve shkencore, duke kontribuar me studime në karakterizimin e materialeve, trashëgiminë kulturore, bimët akumulatore të metaleve dhe vajrat esenciale të bimëve mjekësore, monitorimin e mjedisit, mbrojtjen dhe sigurinë nga rrezatimet jonizuese dhe jojonizuese, përdorimin e Metodave të Kontrollit pa Shkatërrim (NDT) dhe të Kontrollit te Cilësisë (QC) në pajisjet radiologjike, si dhe me vlerësime për mundësinë e përdorimit të energjisë bërthamore në energjetikë. Në periudhën 2000-2008 ka drejtuar Institutin e Fizikës Bërthamore, pjesë e rrjetit të institucioneve shkencore të Akademisë së Shkencave, si dhe ka qenë pika e kontaktit me “Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike”.

  • Aktualisht: Përgjegjës i Departamentit të Metodave Analitike Instrumentale, pranë Institutit të Fizikës Bërthamore të Zbatuar, Universiteti i Tiranës / anëtar i Komisionit të Fizikës dhe Kimisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë / Sekretar i Përgjithshëm i Institutit Alb-Shkenca, Tiranë – Prishtinë – Shkup
  • Kontakt: [email protected]

Akad. Ilia Mikerezi (to be completed soon)

Prof. Jean-Louis Basdevant Doctor (PhD) in Physics (1966); Director of Research in CNRS 1963-2007; Professor at Ecole Polytechnique (Palaiseau) 1969-2004; Nominated Honorary Professor of Ecole Polytechnique 2004; Member of the Board of Directors of Ecole Polytechnique 1978-2001; Chairman of the Physics Department of Ecole Polytechnique 1992-2004

  • Research at Laboratoire de Physique Théorique et Hautes Energies, Orsay /Lawrence Radiation Laboratory, Berkeley, 1964-1966 /Centre de Recherches Nucléaires de Strasbourg, 1966-1967 /Centre d’Etudes Nucléaires de Saclay, 1967-1970 /Laboratoire de Physique Théorique et Hautes Energies, University Paris VI, 1972-1982 /Institute of Astrophysics, Paris /Institute of Nuclear Physics Orsay /CERN Geneva (1970-72) / Brookhaven National Laboratory 1966 /Fermi National Accelerator Laboratory 1976 / Argonne National Laboratory 1976-1977 /Max Planck Institute Munich

Distinctions: La Cases Prize of the Académie des Sciences; Officer of the Légion d’honneur; Commander of Palmes Académiques; Commander of the Order of the Yugoslav Star.

Akad. Asoc., Prof. Mimoza Hafizi (1962, Shkodër) ka përfunduar studimet e larta për fizikë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Studimet Master i ka kryer në fizikë teorike. Titullin “Doktor në shkenca” e ka marrë pranë “Paris 7, Meudon Observatory”, Francë. Mban titullin “Profesor”. Përgjegjëse e Departamentit të Fizikës pranë Universitetit të Shkodrës (1989-1990) dhe pranë Universitetit të Tiranës. Aktualisht pedagoge e mekanikës kuantike dhe astrofizikës pranë Universitetit të Tiranës.

Autore e shumë artikujve shkencorë botuar në revista shkencore brenda e jashtë vendit, e disa teksteve të fizikës në nivel universitar dhe parauniversitar; pjesëmarrëse në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Autore e romanit shkencor “Pika trëndafil. Për ne dhe alienët”, një gërshetim i shkencës me krijimtarinë artistike.

Zëvendës Ministre në Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit (1997-2000) /Sekretare e Përgjithshme e Presidencës së Republikës së Shqipërisë (2000-2002) /Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Akreditimit (2005-2009) /Presidente e Qendrës së Astrofizikanëve (nga viti 2009) /Anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës (2009-2013) / Deputete e parlamentit të Shqipërisë (2013-2017).

Prof. Endrit Kullaj është diplomuar në inxhinieri agrare dhe ekonomi agrare, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT). Ka master në shkenca dhe doktoraturë në hortikulturë, po nga UBT, si dhe një doktoraturë nga Universiteti i Bolonjës. Përvojat kërkimore-shkencore përfshijnë biologjinë molekulare, teknikat e diagnozës dhe përmirësimit gjenetik, mikroshumimin dhe seleksionimin klonal të pemëve frutore pranë INRA URZF (Francë), CIHEAM (Itali), Universitetin e Bolonjës dhe Universitetin e Ohajos (SHBA), si edhe teknikat e fiziologjisë mjedisore të bimëve dhe modelim pranë NRA U.M.F. PIAF dhe Portugali; ka koordinuar dhe ka marrë pjesë në më shumë se 40 projekte kërkimore ndërkombëtare, si dhe është autor i më shumë se 115 botimeve.

Ka fituar titullin Profesor i Asociuar në vitin 2011 dhe titullin Profesor në vitin 2020. Aktualisht është përgjegjës i sektorit të “Botimeve dhe Eventeve Shkencore” , si dhe përgjegjës i Departamentit të Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në UBT.

Fusha e kërkimit dhe mësimdhënies është prodhimi i qëndrueshëm dhe resilient në hortikulturë. Fokusi i kërkimeve aktuale ka të bëjë me ndikimin e mjedisit mbi fiziologjinë e pemëve, me synim zhvillimin e strategjive për përmirësimin e efikasitetit të përdorimit të ujit, duke ruajtur cilësinë dhe prodhimtarinë, në kushtet e mangësisë së ujit dhe ndryshimeve klimatike. Në nivelin bazë të kërkimit, Prof. Kullaj hulumton mbi proceset fiziologjike (shkëmbimi i gazeve në gjethe, marrëdhëniet ujore, flukset enëzore, rritja e frutave) në bazë të prodhimit dhe cilësisë si dhe marrëdhëniet bimë – mjedis dhe ndikimet e streseve të ndryshme abiotike (thatësira, nxehtësisë, rrezatimi i tepërt) mbi cilësinë e frutave dhe prodhimtarinë e pemëve. Në nivelin aplikativ studion strategjitë me precision në hortikulturë që synojnë optimizimin e marrëdhënieve burim/vend-depozitim, duke zbutur ndikimet e streseve abiotike dhe ndryshimeve klimatike, përmirësuar efikasitetin e shfrytëzimit të burimeve në pemëtore (me focus të posaçëm tek uji) dhe zhvilluar e përdorur sensorë të bimëve për monitorimin e gjendjes fiziologjike të bimëve dhe zbatimin e tyre në sistemet e mbështetjes së vendim-marrjes.

Prof. Endrit Kullaj është i mirënjohur si ekspert dhe konsulent me angazhime në shumë projekte zhvillimore nga GIZ, SNV, ADA, WB, USAID, UNDP etj.

Dr. Julinda Stefa (1982, Tiranë) ka mbaruar studimet e larta (Summa Cum Laude) pranë Universitetit “La Sapienza” të Romës, ku ka mbrojtur edhe doktoraturën për Informatikë. Disa nga përvojat e punës përfshijnë: Google, Zvicër; Microsoft Research Cambridge, Mbretëria e Bashkuar; INRIA Paris, Francë; si dhe një periudhë 10 vjeçare si kërkuese shkencore pranë Departamentit të Informatikës, në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Në të njëjtin universitet ka mbajtur titullin akademik “Profesor i Asociuar”.

Aktualisht Dr. Stefa ka postin e “Senior Product Manager” pranë Talend, Paris, Francë.

Interesat profesionale dhe shkencore të Dr. Stefa shtrihen në fushat e sistemeve të shpërndara kompjuterike dhe sigurisë/privatësisë informatike, “mobile cloud computing”, si dhe në ndërlidhjen e teknologjisë me shoqërinë. Dr. Stefa ka publikuar mbi 40 artikuj shkencorë në konferenca dhe revista të ndryshme.

Dr. Valbona Nathanaili (1960, Tiranë) ka kryer studimet e larta për fizikë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Dega fizikë, Universiteti i Tiranës dhe studimet pasuniversitare në pedagogji-psikologji pranë Universitetit të Tiranës. Ka fituar gradën shkencore “Doktor” në pedagogji po nga Universiteti i Tiranës në fushën e marrëdhënieve mësues-mësues dhe mësues-drejtues. Mësuese dhe drejtore në disa shkolla të arsimit parauniversitar; pedagoge e fizikës pranë Universiteti Politeknik i Tiranës (si e jashtme). Lektore në lëndët “Reforma e legjislacioni në arsim”, si dhe “Politikat arsimore e sistemet politike” (Albanian University, Universiteti i Tiranës). Autore e tre teksteve shkollorë për mësuesit e fizikës në sistemin parauniversitar; autore e shtatë librave; autore e disa artikujve shkencorë, mbajtur në konferenca brenda e jashtë vendit ose botuar në revista të ndryshme shkencore, me fokus problemet e arsimit dhe të reformave e politikave që lidhen me të, si dhe librin e problemet e tij; iniciuese e disa fushatave dhe projekteve kombëtare në fushën e edukimit dhe të promovimit të shkencës në publik. Nga janari i vitit 2019 ka themeluar fondacionin “Henrietta Leavitt” dhe është drejtore ekzekutive.

Fushat e kërkimit shkencor përfshijnë legjislacionin, politikat dhe reformat në arsim. Autore, përkthyese dhe botuese; e pranishme në shtypin periodik me shkrime e artikuj të shumtë për arsimin dhe ngjarjet e situatën aktuale politike e sociale në Shqipëri.