Nga Randall Curren & J. C. Blokhuis/ University of Rochester

Artikulli është pjesë e Antologjisë “Komercializimi i shkollimit” / Zgjodhi dhe përgatiti për botim: Valbona Nathanaili / Botohet një fragment. Të plotë mund ta lexoni në veprën me të njëjtin titull. ISBN 978-9928-4543-3-1

(Një version i këtij artikulli është botuar në revistën Public Affairs Quarterly Volume 25, Number 1, January, 2011).

Elementet e një shkollimi të mirë

Shkollimi është thelbësor për aftësinë e njeriut për të jetuar mirë, por po aq thelbësor është edhe për sipërmarrjen sociale të të jetuarit së bashku, në bashkëpunim, për të pasur një jetë më të mirë se ajo që mund të kishim pa përfitimet e këtij bashkëpunimi social. Këto dy aspekte të shkollimit nuk janë të palidhura. Marrëdhënia ndërmjet tyre ka qenë objekt i një shqyrtimi tepër të kujdesshëm nga ana e filozofisë që në kohërat e lashta. Pranohet gjerësisht që është në interesin e secilit të marrë një shkollim të përgjithshëm të informuar nga dijet publike më të përparuara – një shkollim që, intelektualisht dhe praktikisht, fuqizohet, pasurohet dhe thellohet nga të kuptuarit e çfarë është me vlerë. Akoma, shkollimi është thelbësor për sipërmarrjen e krijimit të një shoqërie që e rregullon dhe mbështet veprimtarinë e saj në arsyetim dhe prova – një shoqëri në të cilën e vërteta çohet përpara seriozisht, një shoqëri që mbështetet në bashkëpunim kur kërkon të zgjidhë problemet që ndikojnë cilësinë e jetës. Një shkollim që bashkon studentë që vinë nga sfonde të ndryshme dhe i përfshin njësoj, që i nxit të punojnë, argumentojnë dhe arsyetojnë me njëri-tjetrin, është i rëndësishëm nga perspektiva qytetare, sikundër mbart vlera edukative për secilin prej tyre.

Gama e lëndëve që zhvillohen në arsimin e mesëm të përgjithshëm bazohet në gjerësinë e dijes njerëzore, në arritjet, kompleksitetin dhe kërkesat e jetës bashkëkohore. Bazat e disiplinës së çdo dijeje sigurojnë një të kuptuar të aspekteve përkatëse të botës, të atyre aspekteve që kanë rëndësi për jetën private dhe publike – për profesionet, për atë se çfarë do të thotë të jesh individualisht i kujdesshëm, për zgjedhjet sociale që mbartin peshën e fateve të shoqërisë dhe të së ardhmes së civilizimit. Aftësitë dhe virtytet që zhvillohen nëpërmjet kurrikulës së shkollë së mesme janë njësoj të dobishme dhe të ngjashme si për jetën private dhe qytetare, ashtu edhe për mundësitë sociale dhe ekonomike. Gjerësia dhe cilësia e shkollimit të fëmijës kanë rëndësi, gjë do të thotë se po aq rëndësi ka që kompetenca në mësimdhënien e një lënde të caktuar të përfshijë të njëjtën gjerësi dhe të dallohet për të njëjtën cilësi. Të gjithë bashkë kanë rëndësi për mirëqenien e familjes, të komunitetit dhe të shoqërisë si e tërë. Së fundmi, kanë rëndësi përpos të gjithave për fëmijën, të mësojë se duhet të mbështetet në të kuptuarin, të ketë aftësi dhe të jetë i pajisur me gjykim, për të ndjekur rrugën e vetë në botë.

Ka shumë mënyra për të dhënë një lëndë të caktuar që është pjesë e shkollimit të përgjithshëm, por secila prej tyre duhet të reflektojë sa më shumë aspekte të vlerës që lënda mbart: fusha të ndryshme të dijes, mënyra të të kuptuarit të botës, mjete dhe instrumente të të hetuarit shkencor, traditën më të mirë që ndeshet në praktikë, shkallën sipërore të mjeshtërisë, përsosmërisë dhe arritjes. T’i japësh mësim këto lëndë me integritet nuk do të thotë thjesht të importosh fakte dhe aftësi, por të ngulitësh dhe materializosh çfarë ka më të mirë në to – format e të kuptuarit dhe standardet e të hetuarit, mundësisht në mënyrë ekselente për secilën prej tyre.[1] Mësimdhënia e përgjegjshme dhe të mësuarit kuptimplotë kërkojnë që mësuesi të zotërojë shumë nga cilësitë që kërkohen për t’i realizuar gjithë sa më sipër.

Shoqëritë e hapura investojnë shumë në projektin e të kuptuarit publik, ndryshe në sipërmarrjen e avancimit të hulumtimit e të kërkimit, duke zbatuar metodat më objektive dhe të besueshme që njihen në këto fusha, si dhe në përhapjen e së vërtetës dhe të kuptuarit në dobi të interesit publik. Duke vepruar në këtë mënyrë, ato kërkojnë të reduktojnë riskun individual dhe kolektiv që vjen në rrjedhojë të kufizimeve që ekzistojnë në kapacitetin epistemik njerëzor. Nga pikëpamja e qytetarisë është e rëndësishme jo vetëm përparimi i dijes, por edhe që qytetarët të jenë të përgatitur të përfshihen së bashku në arsyetim publik – një sipërmarrje që kërkon respekt për provat dhe dëshirë për të demonstruar vullnet të mirë, besim reciprok dhe devotshmëri.[2] Në shoqëritë që janë subjekt të ndarjeve dhe paragjykimeve kulturore, këto tipare mund të mos zhvillohen pa një praktikë të vazhdueshme, e cila merr përsipër të vendosë së bashku, në të njëjtin mjedis, bashkëmoshatarë të ndryshëm si qytetarë të barabartë. Anëtarët e një shoqërie duhet, të gjithë së bashku, të kenë interes të mbështesin karakterin demokratik të saj, karakter i cili ka aftësinë të prodhojë bashkëpunim të ndjeshëm social, sikundër duhet, përsëri të gjithë bashkë, të tregojnë interes për institucionet shkollore, nëpërmjet të cilave janë në gjendje të njohin direkt njëri-tjetrin, si dhe të përfshihen e bashkëpunojnë për çështje që janë me interes publik.

Kur pranojmë peshën e një edukimi të përshtatshëm qytetar interesat janë reciprokë, ndërsa përvetësimi i qasjes së John Rawls për pluralizmin e arsyetimit, me shumë gjasa, është marrëveshja më e mirë kushtetuese për të cilën mund të shpresojnë komunitetet me kulturë e besime të ndryshme. Ka shumë prova të rëndësishme që vërtetojnë se edukimi i fëmijëve së bashku, në të njëjtin mjedis, ka përfitime qytetare dhe morale si për ata, ashtu edhe për shoqërinë.[3] Po ashtu, ekzistojnë arsye të mira për të menduar, se çdo fëmijë gëzon të drejtën e pakushtëzuar për të marrë edukimin e duhur qytetar. Ne e konceptojmë këtë si të drejtën e fëmijës për shkollim, një mënyrë që do ta aftësojë të kontribuojë politikisht në vetë mirëqenien e tij dhe një të drejtë bazuar në të drejtën e mirëqenies së fëmijës, sipas së cilës fëmija duhet të marrë maksimumin nga përfitimet e sistemit të mirëqenies që ofron shteti, si dhe të trajtohet në mënyrë të arsyeshme nga i njëjti sistem – të cilat do të mund t’i mundësojnë, në të ardhmen, të plotësojë nevojat që mund të ketë. Si pjesëtarë të komuniteteve politike, duhet të veprojmë kolektivisht, nëpërmjet qeverisë që kemi në krye, për të mbrojtur dhe çuar edhe më tej mirëqenien tonë – edukimi qytetar, që na aftëson të jemi të informuar dhe të aftë të marrim pjesë në proceset demokratike, është njëri nga aspektet e përgatitjes së harmonizuar që duhet të kemi për t’ju përgjigjur në mënyrë sa më të sigurt kërkesave për mirëqenin tonë. Pesha përkatëse e këtij edukimi qytetar të përshtatshëm përpunohet hap pas hapi dhe është rrjedhojë e legjitimitetit politik, ky i fundit do të thotë aftësia e qytetarëve për t’u përfshirë së bashku në diskutime reciproke plot respekt ose në arsyetim publik, thelbësorë për një rend politik legjitim ose joshtrëngues.[4] Fëmijët kanë nevojë të nxiten të marrin pjesë në arsyetim publik, kanë nevojë të praktikohen si të respektojnë përfshirjen qytetare, të mësojnë gjuhën e përbashkët të ligjërimit civil në një mjedis ku kanë mundësinë të takojnë bashkëmoshatarë nga sfonde të ndryshëm dhe me të cilët kanë të njëjtin status, statusin e të qenit të lirë dhe të bërit qytetarë të barabartë.[5]

Një karakteristikë e natyrshme e shkollimit që vendos fëmijë nga sfonde të ndryshme në kontakt miqësor në termat e barazisë është se i ekspozon ndaj vlerave dhe besimeve të cilat, në kushte të tjera, mund të kishte qenë e pamundur të ndodhte. Një ekspozim i tillë redukton gjasat që ata të demonizojnë të tjerët në termat e indoktrinimit, po aq sa pasuron spektrin e zgjedhjeve me të cilat do të kenë rastin të përballen në jetë dhe që pikërisht falë këtij ndërgjegjësimi do të jenë më realiste dhe shtojnë gjasat e një jete më të lumtur dhe më të lulëzuar.

Nëse fëmijët zgjedhin a jo të angazhohen për të pasur të njëjtat vlera me prindërit e tyre kjo është tjetër punë, por e drejta e tyre e ndërgjegjes bazohet, politikisht dhe shoqërisht, në ekzistencën e tyre si qytetarë të barabartë në liri, arsyetim e informim dhe vetëm fakti që janë vazhdimisht të ekspozuar, direkt, ndaj përvojave të bashkëmoshatarëve, i jep gjithë procesit një thelb të vërtetë. Pavarësisht nëse dikush gjithë sa më sipër ka dëshirë ta përfshijë a jo në sfondin e “ndërmjetësimit të pavarur”, të pasurit e të një të kuptuari sa më të përgjithshëm se çfarë mendojnë të tjerët, çfarë vlerësojnë e u pëlqen të zgjedhin për vete është me përfitim. Ka shumë argumente që fëmijët kanë të drejtën e një edukimi që promovon efikasitetin e tyre personal dhe hap një bashkësi mundësish të dëshirueshme të tyre si të rritur.[6]

Mësuesit që e japin lëndën me integritet dhe i trajtojnë nxënësit që vinë nga sfonde të ndryshëm me respekt, kontribuojnë me tre mënyra të rëndësishme në formimin e studentëve dhe pavarësinë e tyre: 1. Promovojnë një të kuptuar më të plotë dhe të thellë të asaj që ka vlerë, që do të thotë ndikojnë në rritjen e mundësive të studentëve për të pasur një jetë më të bukur dhe të jenë më të pavarur; 2. Theksojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, se dinjiteti, agjencia dhe e drejta për të qenë i lirë, pavarësisht vlerave të arsyeshme me të cilat secili prej tyre është regjistruar në shkollë, janë shumë të rëndësishme; 3. Respektojnë dijen publike dhe arsyetimin publik, që do të thotë se kontribuojnë në rritjen e efikasitetit të bashkëpunimit social, po aq sa edhe në efikasitetin personal të secilit prej tyre, të cilët epistemikisht janë të varur nga dija publike dhe praktikisht nga veprimi politik i ndërmjetësuar nga kolektivi.

[1] Për një vlerësim të integritetit në mësimdhënie, shih: Kenneth Strike “The ethics of Teaching” në A Companion to the Philosophy of Education, ed. Randall Curren (Oxford, eng.: Blackwell, 2003), ff. 509–524. Për vepra të rëndësishme në traditën e For seminal works in the tradition on which strike builds, shih: R. S. Peters “Education as initiation” & Israel Scheffler “The Teacher’s grasp of subject matter” në Philosophy of Education: An Anthology, ed. Curren (Oxford, eng.: Blackwell, 2007), ff. 55–67, 347–350.

[2] Rreth vlerës qytetare që ka respekti për “metodat e besueshme të hetimit” dhe pranimi i idesë së përgjithshme të “arsyetimit publik”, shih: Dennis Thompson & Amy Gutmann Democracy and Disagreement (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1996), veçanërisht f. 15; & John Rawls Justice as Fairness (Cambridge, MA: Harvard University Press, 2001), ff. 89–94.

[3] Shih: Lawrence Blum “The Promise of Racial Integration in a Multicultural Age” në Nomos XLIII: Moral and Political Education, ed. Stephen Macedo & Yael Tamir (New York: New York University Press, 2002), ff. 383–424.

[4] Shih: John Rawls Political Liberalism (New York: Columbia University Press, 1993); Thompson & Gutmann Democracy and Disagreement.

[5] Shih: Eamonn Callan Creating Citizens (Oxford, eng.: Clarendon, 1997); Curren Aristotle on the Necessity of Public Education (Lanham, MD: Rowman & Littlefield, 2000).

[6] Për argumente të tjera se fëmijëve u kemi borxh një edukim që i ndihmon të bëhen të pavarur, thënë ndryshe një agjenci efektive, fokusuar në të drejtat e individit apo të drejtësisë, shih: Meira Levinson The Demands of Liberal Education (Oxford, eng.: Oxford University Press, 1999); Harry Brighouse On Education (London: Routledge, 2006); Brighouse “Channel one, the Anti-Commercial Principle, and the Discontinuous ethos” në Educational Policy, vol. 19, no. 3 (2005), ff. 528-549; Joel Feinberg “The Child’s Right to An open Future” në Philosophy of Education: An Anthology, ed. Curren, ff. 112-124; Curren, “Developmental liberalism” në Educational Theory, vol. 56, no. 4 (2006), ff. 451-468; Curren “Education as a social Right in a Diverse society” në Journal of Philosophy of Education, vol. 43, no. 1 (2009), ff. 45-56.

Botohet me lejen e autorëve. Copyright © Fondacioni “Henrietta Leavitt”. Asnjë pjesë e këtij botimi, mbrojtur nga Ligji i Shtetit Shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejta të tjera lidhur me të”, nuk mund të riprodhohet, ruhet, transmetohet a përdoret me asnjë formë a mjet grafik, elektronik apo mekanik, përfshirë por jo kufizuar fotokopje, skanime, digjitalizim, rrjet web apo sisteme të tjerë, pa lejen me shkrim të botuesit.