• Ina Allkanjari: Cilat janë arsyet e uljes të numrit të studentëve në universitetet publike dhe në përgjithësi në universitet shqiptare?

Dr. Valbona Nathanaili: Mund të rendis tre arsye, sipas rëndësisë: tregu i punës, procesi i stërgjatë dhe demotivues i pranimit në universitetet shqiptare dhe sigurisht cilësia e arsimit.

Një treg pune kaotik dhe i paqëndrueshëm, i varfër në mundësi dhe shpërblim, i fokusuar kryesisht në shërbime dhe i paaftë të rritet e të jetë i larmishëm, pa industri e qendra kërkimore-shkencore, nuk mund të kënaqë një rini me ëndrra dhe ambicien për më shumë. Çfarëdo profesioni që ushtrohet në Shqipëri, po të krahasohet me atë në Gjermani apo në çdo vend tjetër të Europës, shpërblehet shumë herë më pak, ndërkohë që jeta shtrenjtohet përditë e më shumë. Atëherë pse duhet që një maturant i mirë të vendosë të diplomohet në Shqipëri? Ku do punojë? Dhe për kë do të punojë? Ndërkohë edhe klima e fryma që mbizotëron është ajo e ikjes. Shembuj e modeli suksesi vinë shumë dhe vetëm nga jashtë. Sa i takon procesit të aplikimit për në universitet shqiptare, është i gjatë – plot katër muaj, fillon në korrik dhe mbaron në tetor, me aplikime dhe riaplikime dhe vrapime nga një sekretari universiteti në një tjetër për të parë se si është lista – i lodhshëm, stresues dhe demotivues për maturantët, dhe jo gjithnjë i shpërblen me atë degë studimi që e kanë patur si zgjedhje të parë. Të mos harrojmë që maturantët që kanë vendosur të studiojnë jashtë, i kanë marrë përgjigjet dhe e dinë se ku dhe çfarë do të studiojnë që në prill e maj. Do të ishte mirë që skema e tanishme të aplikohej edhe për një periudhë 2-3 vjeçare, vetëm për universitetet publike, ndërsa për universitetet private, regjistrimi të bëhej si në gjithë universitetet e botës. Ka dëgjuar njeri të flitet për portalin u-Gjermania? Apo u-Norvegjia? Apo u-Italia? Sa i takon cilësisë së shkollimit që ofrohet në universitet publike, mund të filloja me grevën e pedagogëve këtë mes shtatori për rritje pagash dhe mjafton. Kemi filluar të flasim për “universitetin 4.0”, por në Shqipëri, me hatër, universiteteve publike nuk u jep dot më shumë se 1.5!

  • Ina Allkanjari: Në një takim të zhvilluar me maturantë të shkollave të kryeqytetit, në fund të vitit shkollor 2021-2022, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Kushi, shpalli disa programe studimi në arsimin e lartë publik si prioritet kombëtar dhe të gjithë maturantët me mesatare minimumi 8.5 që zgjidhnin një prej tyre, përfitonin një mbështetje financiare, që për kushtet e Shqipërisë është një shifër relativisht e mirë. Efektet e këtij vendimi pritet të shihen në këtë vit akademik, 2022-2023. Si e vlerësoni një nismë të tillë?

Dr. Valbona Nathanaili: Në fakt, jemi ende në raundin e parë të aplikimeve për në universitet, por pritshmëritë janë që një politikë e tillë të rezultojë e dështuar. Dhe jo vetëm sepse oferta ishte shumë e vonuar – në maj, pothuaj të gjithë maturantët me rezultate të mira dhe shumë të mira kanë zgjedhur bashkë me degën e studimit, edhe universitetin e shtetin ku do të studiojnë. Shqetësimi kryesor është se me këtë politikë arsimore, edhe pas dy e tre vitesh do të marrim të njëjtin rezultat! Dështimi është i garantuar pikërisht në atë që promovon dhe mbështet kjo politikë. Mund të rendis tre arsye.

E para, vlerësimi dhe ngritja në kult e aftësive dhe meritave, veçanërisht kur këto maten vetëm me një dimension, sikundër është nota, është një lloj evolucioni negativ i shkollës, është justifikimi për të qenë indiferent ndaj faktit se nota tregon se janë të mirë, por jo sa mirë do të performojnë në universitet, se zotërojnë disa aftësi e shkathtësi që duhen për të mësuar, por jo për të krijuar apo punuar në mënyrë të pavarur!

E dyta, sepse me një skemë të tillë, ashensori social mbetet në katin zero, nuk funksionon. Ekselentët rrallë gjenden jashtë modeleve të paracaktuara sociale: prindër intelektualë dhe mjedis inkurajues. Përgjithësisht prindër të tillë zgjedhin t’i shkollojnë fëmijët jashtë. T’u ofrosh 30,000 lekë në muaj në këmbim të rregjistrimit të fëmijëve të tyre në programe shumë specifikë studimi në universitet publike shqiptare, ndërkohë që kanë paguar dyfishin e trefishin për edukim, për pesëmbëdhjetë vjet rresht, që kur i kanë rregjistruar për herë të parë në çerdhe e kopshte private është pak të thuash që po rreh ujë në havan. Edhe në rastet kur studentët ekselentë vinë nga familje me sfond të ulët financiar, përgjithësisht nuk arrijnë ta ruajnë këtë status në universitet dhe arsyeja kryesore është ose sepse nota e shkollës së mesme ka patur shumë inflacion, ose edhe kur ka qenë reale, duke qenë e bazuar në memorie dhe rezultate statike, iu mungojnë aftësitë e shkathtësitë me të cilat të pajis një mjedis sfidues dhe i emancipuar.

E treta, sepse suksesi nuk duhet të qëndrojë brenda së njëjtës spirale! Suksesi duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës: nuk duhet të kënaqemi vetëm me suksesin e disave, por me suksesin e sa më shumë. Politika për mbështetje financiare duhet të jetë e tillë që të ofrojë shance të dyta. Shoqërinë e bëjnë të ëndërrojnë ekselentët, por e ushqen pjesa tjetër, për të cilën kemi nevojë të zotërojë aftësi e njohë teknologjinë. Pra, studentët e ardhshëm në këto degë prioritare duhet t’i kërkojmë e marrim në shkollat e mesme profesionale përkatëse dhe pse jo, edhe me mesatare të ulët. Thënë shkurt, targeti i këwsaj politike arsimore është i pastudiuar.

  • Ina Allkanjari: Pas përfundimit të raundit të parë të regjistrimeve në universitete, vihet re një numër shumë i ulët kërkesash për degët e mësuesisë. Si e argumentoni?

Dr. Valbona Nathanaili: Programet e studimit në mësuesi janë zgjedhjet e fundit, në dhjetë mundësitë për zgjedhje që ka një kandidat për student për të vazhduar studimet universitare, dhe vetë regjistrimet lihen për në raundin e fundit, pra nëse nuk kanë mundur të kapin pikët për në programet e kërkuara, ku duket se do të kryesojnë shkencat mjekësore. Gjithsesi, do na duhet të presim edhe dy raundet e tjera për të patur numra të saktë. Paraprakisht mund të them se në turet që kemi bërë me universitetin në kuadër të ditëve të zhvillimit të karrierës, në shumë qytete të vendit, jo më shumë se dy deri në tre maturantë për çdo qytet shprehnin dëshirën për të vazhduar për mësuesi. Ka patur një rritje të lehtë të numrit të aplikimeve për mësuesi në arsimin parashkollor, për shkak të detyrimeve të reja që janë vendosur në Ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, neni 57 “Profesioni i mësuesit” kërkon që “Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë ‘Bachelor’, që formon mësues të arsimit parashkollor”, ndërkohë që më parë mund të punoje edhe me një diplomë tjetër mësuesie. Nga të gjitha nivelet e arsimit, duket se të punosh në kopsht është një zgjedhje e mirë për ata që duan të dalin shpejt në tregun e punës, sepse jo vetëm koha e studimeve është më e shkurtër – mjaftojnë vetëm studimet në nivelin Bachelor – por është edhe një treg në zgjerim e fuqizim. Për nivelet e tjera, kërkesat vinë gjithnjë duke u zvogëluar, me rrezik mbylljen, si fizika e matematika. Shumë shpejt nuk do të diplomojmë më mësues në këto profile. Arsye:

  1. Degët e studimit në universitet janë nga më të vështirat dhe kërkojnë angazhim maksimal.
  2. Kohëzgjatja nga fillimi i studimeve në universitet deri në fillimin e punës, sikur të punësohesh që ditën që diplomohesh, shkon në rastin më të mirë 6 vjet e gjysmë. Për të mos folur që do kalosh në një qind e një hallka deri sa të dalësh përpara klasës me regjistrin në dorë.
  3. Rroga pothuaj qesharake dhe me rritje shumë të vogla: dyzet vjet si mësues, rroga të rritet vetëm katër herë.
  4. Një skemë parazitare studimesh universitare në këtë fushë, pa një lidhje organike ndërmjet programeve të studimit që përgatisin mësues për nivele shkollimi të përafërt. Për shembull, nëse ke mbaruar studimet për mësuesi në histori për shkollë të mesme, por nuk gjen dot punë në profesion ose thjesht kupton se e ke të vështirë të punosh me fëmijë të kësaj moshe, natyrshëm mund të kërkosh të punosh në kopsht. Ligji nuk të lejon – sepse duhet të kesh diplomë në mësuesi për këtë nivel. Atëherë i kthehesh universitetit, me shpresën që ke bërë mjaftueshëm mësuesi dhe mund të diplomohesh shumë më shpejt. Po jo! Studimet, pavarësisht se sa lëndë të njihen, do të zgjasin gjithmonë sa është cikli i plotë, që në këtë rast është tre vjet. Mendo çfarë ndodh të kërkosh të kalosh nga mësuesia në parashkollor në mësuesi në fillor! Të duhen plot edhe gjashtë vjet e gjysmë të tjera. Ndryshe e ka Greqia, që të përgatit për katër vjet për mësues dhe akoma më interesante duket Spanja. Në Spanjë, mësuesia në parashkollor dhe atë fillor, kanë të përbashkët nivelin Bachelor dhe më pas studentët specializohen në degët përkatëse me programe studimi të nivelit Master që zgjasin një deri në dy vjet.
  5. Të liberalizohet punësimi në mësuesi, duke i hapur rrugë thithjes edhe nga profesione të tjera, me kushtin e përfundimit të një kursi të reduktuar në kohë me përmbajtje nga pedagogjia dhe psikologjia. Në fakt ligji e njeh si mundësi, por ka një lloj kokëfortësie nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, shprehur me një VKM, për të mos pranuar mësues, persona të diplomuar në programe studimi që nuk janë në mësuesi. Është një praktikë që zbatohet në gjithë botën dhe me skema shumë fleksibël. Edhe sikur të ngjallej Ajnshtajni dhe të kërkonte të jepte mësim në një gjimnaz të Tiranës, përgjigja e parë që do të merrte do të ishte JO!

Për të thithur maturantë për në degët e mësuesisë duhet hequr dorë nga idiotësia e kohëzgjatjes 7 vjeçare të studimeve! Nuk di ndonjë vend në Europë që të duhen kaq shumë vite studimi e praktika për të dalë mësues. Duhet filluar me rikonceptimin e strukturës kohore të këtyre programeve, si dhe për t’i lidhur në mënyrë sa më organike me njëri-tjetrin. Do rekomandoja shembullin e Spanjës.

  • Ina Allkanjari: Regjistrimi i ulët në disa prej programeve studimore në universitetet në rrethe rrezikon edhe këtë vit pezullimin e disa prej degëve, çfarë mendimi ndani për këtë problematikë?

Dr. Valbona Nathanaili: Një pjesë e mirë e universiteve në rrethe nuk e plotësojnë statusin për të qenë universitete. Gjendja e tyre është përkeqësuar edhe më shumë, sepse në kërkim të numrit të studentëve, ndryshe të mbijetesës si institucione, kanë vrapuar të hapin nga të gjitha programet e studimit dhe përgatisin mësues e ekonomistë, juristë e menaxherë. Pak a shumë të gjithë universitet publike në rrethe janë copy-paste. Do veçoja Universitetin Bujqësor. Do të ishte mirë që të mbyllnin një pjesë të mirë të programeve të studimit dhe të specializohen në disa, kryesisht në përputhje me profilin e zhvillimit ekonomik ose të perspektivës së zhvillimit të zonës.

  • Ina Allkanjari: Mendoni se ka një rritje kërkese nga maturantët për degë të cilat të ndihmojnë të kapërcesh në tregun ndërkombëtar të punësimit?

Dr. Valbona Nathanaili: Po, gjithnjë e më shumë po zgjidhen programe studimi që janë një mundësi e mirë punësimi për jashtë, kryesisht mjekësia, infermieria, teknikë i lartë laboratori, si dhe degë të veçanta në shkencat e aplikuara.