Nga Andrea Nathanaili

Çështja e “pronësisë mbi median” ka të bëjë me pluralizmin, financimin e medias dhe transparencën e saj. Pronësia mbi shtypin e shkruar është e lidhur me lirinë e ushtrimit të kësaj veprimtarie, pasi ngritja e ndërmarrjeve të shtypit apo e çdo lloj ndërmarrjeje që ka të bëjë me shtypin e shkruar, nuk kërkon pajisjen me licencë.

Ndryshe nga shtypi i shkruar, funksionimi i medias elektronike rregullohet me ligj dhe pikërisht nëpërmjet ligjit nr. 8410 dt 30.09.1998, i ndryshuar. Ky ligj përcakton kritere në lidhje me pronësinë mbi operatorët radio dhe televizivë, pra për marrjen e licencës. Këto kritere duhet të jenë në përputhje dhe harmoni me legjislacionin shqiptar në këtë fushë, si dhe të garantojnë seriozitet maksimal të të licencuarit.

Kërkesa më rigoroze parashikohen për subjektin që kërkon të marrë licencë kombëtare radiotelevizive. Konkretisht:

  1. Të jetë “subjekt juridik” dhe madje i organizuar në formën e shoqërive anonime sipas ligjit “Për shoqëritë tregtare” (Ligjit Nr. 9901, datë 14.4.2008).

Pse person juridik? Sepse në kuadrin e subjekteve të së drejtës civile, personi juridik, ofron garanci më të mëdha për zhvillimin e veprimtarisë radiotelevizive.

Pse shoqëri anonime? Sepse sipas ligjit “Për shoqëritë tregtare”, vetëm këto shoqëri zotërojnë kapitalin e nevojshëm dhe të domosdoshëm për të përballuar një aktivitet radioteleviziv në shkallë kombëtare.

Sepse në shoqëri të tilla janë krijuar dhe funksionojnë instrumenta ligjorë, të cilat kufizojnë vullnetin diktues të një apo disa pronarëve në menaxhimin e shoqërisë. Kjo ndodh pasi krahas Asamblesë së Aksionarëve, funksionojnë edhe struktura të tjera vendimmarrëse si Drejtoria dhe Këshilli Mbikëqyrës, i cili nga ana e tij ushtron kontroll të vazhdueshëm ndaj Drejtorisë.

  1. Secili nga bashkëpronarët nuk duhet të zotërojë më tepër se 40% të aksioneve të shoqërisë e cila kërkon të marrë licencë. Pra këto shoqëri kanë të paktën 3 aksionarë. Një person fizik nuk mund të marrë licencë kombëtare.
  2. Të kenë kapital të deklaruar dhe të nënshkruar në masën:
    • 20 milionë lekë për radio kombëtare.
    • 100 000 milionë lekë për televizion kombëtar.

Për operatorët vendorë kjo shifër reduktohet me ¼ e shumës.

  1. Ligji 8410 përcakton vlefshmërinë e mbledhjes së aksionarëve të shoqërisë me pjesëmarrjen e 2/3 së aksionarëve, duke siguruar një pjesëmarrje më të lartë se ajo që siguron ligji “Për shoqëritë tregtare”, i cili nuk kërkon asnjë lloj kuorumi.
  2. Të realizojë një mbulim të 70% të territorit të vendit. Pas 6 vjetësh mbulimi të shkojë në 90% të territorit dhe jo më pak se 90% e popullsisë.
  3. Të ketë detyrime më të mëdha për programet, si në kohëzgjatje ashtu edhe në cilësi të strukturës programore.
  4. Të ketë më shumë anëtarë në Bordin Drejtues (7 nga 5 që kanë radiotelevizionet vendorë)

Aksionari në një shoqëri televizive apo radioje kombëtare, nuk lejohet me ligj, të jetë drejtpërdrejt ose tërthorazi, pjesëmarrës në një shoqëri të dytë televizive ose radioje kombëtare, si dhe nuk lejohet të marrë licencë për transmetim televiziv ose radio vendore.

Kjo klauzolë ka për qëllim:

  • të parandalojë përqendrimin e mediave kombëtare dhe monopolove
  • të ruajë pluralizmin dhe diversitetin mediatik.

Koncepti “drejtpërdrejt apo tërthorazi” është një mangësi ligjore, që vështirëson saktësimin e pyetjes: “A ekziston transparenca e pronësisë së medias elektronike”? Në momentin e konkurrimit, me qëllim shmangien e aksioneve të fshehta, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) kërkoi nënshkrimin e një deklarate noteriale, që të pasqyrohej fakti i ekzistencës apo jo të aksioneve në shoqëri të tjera radiotelevizive. Ky ende mbetet problem i vështirë dhe delikat. Pse?

  • Ka radio dhe televizion me të njëjtin numër llogarie bankare dhe me të njëjtën seli.
  • Ka pjesëmarrje të anëtarëve të familjeve në shoqëri të ndryshme radiotelevizive.

Në rastin e operatorëve vendorë, e drejta për të marrë licencë i takon jo vetëm personave juridikë, por edhe shoqërive me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k), apo edhe personave fizikë.(kjo e fundit, në territore jo më shumë se 200.000 banorë)

Për operatorët vendorë, një subjekt që ka një licencë për transmetim televiziv vendor, ka të drejtë të marrë një licencë radio vendore dhe anasjelltas.

Ligji nuk vendos kufizime në rastet e pronësisë së huaj në median kombëtare, përveç kufirit 40% të aksioneve.

 Aksionet e një media lokale mund të zotërohen edhe 100% nga pronarë të huaj.

Tendencat që vihen re:

  • Aktualisht vihet re tendenca e ndryshimit të aksionarëve dhe përqindjeve të aksioneve, që çon drejt monopolizimit të medias elektronike.
  • Bashkimi i aksionarëve te disa tv kombëtare, në shoqëri të reja.

Garantimi i pluralizmit në media dhe transparenca e pronësisë është detyrë e ligjvënësit, kryesisht, por edhe e bashkëpunimit të institucioneve të pavarura si Autoriteti i Mediave Audiovizive, QKR, Autoritetit të Konkurrencës, etj.

Sanksione

Neni 30 i ligjit nr. 8410 e detyron të licencuarin të njoftojë Autoritetin e Mediave Audiovizive në jo më vonë se 15 ditë, për çdo ndryshim të të dhënave të paraqitura për marrjen e licencës. Në rast të kundërt parashikohen sanksione me gjobë nga 60.000 deri 1.000.000 lekë, sipas nenit 137/4 pika 2/d.

Në praktikën e KKRT, ka patur disa raste të vendosjes së sanksioneve për mospasqyrim të ndryshimeve të ndodhura në regjistrin tregtar.

Veprimtaria e kompanive mediatike rregullohet gjithashtu edhe me anë të ligjit Nr.9901, datë 14.4.2008 , “Për shoqëritë tregtare”. Struktura organizative e shoqërive anonime ka një sistem të rreptë kontrolli, për sa i përket mbarëvajtjes dhe përfaqësimit të të gjitha palëve. Në përputhje me ligjin “Për shoqëritë tregtare” dhe ligjit nr. 9723 dt 03.05.07 “Për QKR-në”, kompanitë e medias janë të detyruara me ligj të regjistrojnë në QKR dhe në AMA ndryshimet e tyre në pronësi.

Edhe ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” ka lidhje me funksionimin e medias. Ligji thotë se të gjitha marrëveshjet, që kanë për qëllim të parandalojnë, kufizojnë apo shtrembërojnë konkurrencën janë të ndaluara. Këtu presupozohen fiksimet e çmimeve, kufizimi prodhimit, ndarja e tregjeve dhe burimeve etj.

Legjislacioni mbi konkurrencën kërkon të garantojë konkurrencën e ndershme duke vlerësuar pozicionet dominante dhe duke i monitoruar ato. Disa nga mjetet që ligji thotë se mund të përdoren për të vlerësuar pozicionin dominant përfshijnë pozicionin në treg, barrierat e hyrjes në treg, konkurrencën e mundshme etj.

Përqendrimi i medias, nuk është gjithmonë i ndaluar, por abuzimi me të është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Për mbikëqyrjen e këtyre aspekteve merret Autoriteti i Konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë ekspertizën e vet për dy probleme të diskutueshme të medias.

  1. Diskutimi për çmimin e gazetave në vitin 2004
  2. Projektligji “Për transmetimet numerike”.

Autoriteti i Konkurrencës i ka quajtur të paligjshëm nenet për vendosjen e çmimit dysheme për shitjen e gazetave, si dhe ndalimin e pjesëmarrjes së botuesve në tenderët publikë.